Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Kontrata e qirasë (Akdul Ixhare) 2

Autor: Jusuf ZIMERI

 Forma e lidhjes së kontratës së qirasë
Theksuam edhe më parë se forma e lidhjes së kontratës (sigatul akdi) nënkupton ofertën dhe pranimin. Në lidhjen e kontratës së qirasë, për formën e sajë nuk kushtëzohet shprehje e veçantë, por ajo mund të realizohet përmes të gjitha shprehjeve apo formave të cilat nënkuptojnë kontratën e qirasë. Sikur edhe çdo kontratë tjetër edhe kontrata e qirasë duhet të ngritët mbi bazën e pëlqimit dhe pajtueshmërisë e jo të imponimin. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku thotë:”O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete..”[1]

Mirëpo meqë pajtueshmëria është çështje zemërore, patjetër duhet të jetë e demonstruar me shprehje apo veprim i cili dëshmon për pajtueshmërinë e veprës, andaj te lidhja e kontratës merret parasysh shprehja dhe gjithë ajo që përfshihet në traditën e popullit gjatë lidhjes së kontratës.

Që oferta dhe pranimi të jenë të vlefshëm duhet të plotësohen këto kushte:

1. Që pranimi të jetë në harmoni të plotë me ofertën. Nuk është kusht që gjithmonë oferta të buron prej qiradhënësit, ngase ajo mundet me qenë edhe prej qiramarrësit. Nëse nuk ka pajtueshmëri mes ofertës dhe pranimit atëherë nënkuptohet se nuk mund të bëhet lidhja e kontratës, ngase divergjencat mes ofertës dhe pranimit dëshmojnë për papajtueshmërinë mes palëve kontraktuese.

2. Që mes ofertës dhe pranimit të mos ketë ndonjë veprim i cili sipas traditës së njerëzve dhe vendit njihet si refuzim apo papajtueshmëri.

3. Që oferta dhe pranimi të shpalosen, respektivisht të miratohen në një kuvend. Nga kjo nënkuptohet se sikur njëra palë t’i thotë tjetrës ta dhashë me qira këtë shtëpi me afat prej një viti me këtë çmim, kurse pala tjetër nuk përgjigjet derisa të ndahen, atëherë konstatohet se nuk është arritur kontrata e qirasë. Nëse pas një kohe pas ndarjes së tyre, palës që i është afruar oferta, kërkon që të bëjë lidhjen e kontratës sipas asaj që i kishte afruar më parë nga pala tjetër, atëherë në këtë rast kërkesa e palës së dytë konsiderohet ofertë, kurse e palës tjetër pranim. Nga kjo nënkuptohet se nëse pala që duhet të pranoj ofertën nuk përgjigjet pozitivisht në mexhlisin e kontratës, por të njëjtën e pranon pas disa ditëve me të njëjtët kushte, kjo nuk detyron palën e ofertës të pranoj sepse tani prej tij kërkohet pranim për ofertën e dhënë.

4. Kushtëzohet që edhe oferta e edhe pranimi të jenë të qarta në shprehje, në mënyrë që të evitojnë çfarëdo mosmarrëveshje mes tyre.

5. Që oferta mos të prishet- tërhiqet para pranimit, sikur njëra palë t’i afrojë ofertën, por para se të marrë përgjigjen ta tërheqë atë.

6. Që mes ofertës dhe pranimit të mos ndodhë ndonjë ngjarje e cila në traditën enjerëzve njihet si mospranim i ofertës, si psh. Ndarje kohore që nënkupton mospranim.

1.     Pagesa dhe kushtet e saja
Pagesa është shpagimi për shfrytëzimin e dobisë nga sendi i cili është marrë me qira. Për pagesë mund të vlejë çdo send që vlen për pagesë te kontrata e shitblerjes vlen edhe për kontratën e qirasë. Që kontrata të jetë e vlefshme dhe valide për pagesën kushtëzohen këto kushte:

1. Që pasuria me të cilën bëhet pagesa duhet të jetë e pastër ose që pranon pastrim si psh lëkura para shtavitjes është e papastër por pas shtavitjes ajo pastrohet dhe mund të përdoret për pagesë por kushtëzohet që qirrammarrësi i cili duhet të paguaj të theksoj për këtë.. Sipas juristëve islam pasuria e cila nuk është e pastër ose nuk pranon pastërti nuk vlen për pagesë si psh . alkooli, derri etj.

2. Që pasuria me të cilën bëhet pagesa duhet të jetë nga ajo pasuri e cila mund të shfrytëzohet dhe juridikisht është e lejuar.

3. Që të jetë i mundur dorëzimi i pagesës, sepse pagesa nuk mund të jetë një pasuri e cila nuk mund të kapet si p sh shpendët të cilët fluturojnë në qiell. Gjithashtu duhet të jetë pasuri e cila islamikisht është e lejuar.

4. Pagesa duhet të jetë e njohur, pra e përcaktuar në esencë, cilësi dhe afat..Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit s.a.v.si regjistruar te imam Ahmedi nga Ebu Seid el Hudriu ku ka thënë: Pejgamberi a.s. ndaloi dhënien me qira të një sendi derisa të sqarohet pagesa e saj.”[2]

Dijetarët islam janë unik në mendimet e tyre se përcaktimi i pagesës në esencë dhe cilësi është kusht i vlefshmërisë së kontratës së qirasë, mirëpo përjashtohet nga ky rregull raste kur në traditën e njerëzve nënkupton vetvetiu llojin e pagesës e veçanërisht në disa kontrata që pagesa e tyre është e pakët e që është thuajse e përditshme mes njerëzve. Gjykohet kështu ngase ajo që është bërë traditë mes njerëzve është ngjashëm sikur ajo që kushtëzohet mes tyre. Juristët islam përdorën rregullin e sheriatit ku thotë: “Ajo që është e njohur mes popullit përmes traditës është sikur ajo që është kushtëzuar me kusht”.

Nëse dy palët kontraktuese heshtin në momentin e lidhjes së kontratës, pra nuk përcaktojnë llojin e pagesës, sasinë apo cilësinë para se të ndahen, konstatohet se kontrata e qirasë është e prishur.

2.     Sendi i dhënë me qira dhe kushtet e tij.
Në kontratën e qirasë është i njohur rregulli se sendi i dhënë me qira nuk është për qëllim vet esenca e sendit, por dobitë që dalin nga ai send, andaj edhe pagesa bëhet për dobitë e saja e jo për vetë sendin në esencë. Për të qenë kontrata e vlefshme për sendin e dhënë me qira kushtëzohen këto kushte:

1. Që sendi i dhënë me qira të jetë fetarisht dhe juridikisht i lejuar, sepse nuk vlen kontrata e qirasë për sendet që janë të ndaluara si p sh. Të marrish me pagesë një njeri i cili ka për detyrë të mbysë një njeri tjetër që ka imunitet, pra gjaku i tij është i mbrojtur, ose me rastin e vdekjes të paguash me pagesë zakonisht femra të cilat do ta vajtojnë të vdekurin etj.

Kemi theksuar edhe më parë se ligjësimi i kontratës së qirasë ka për qëllim ndihmesën e njerëzve mes veti e jo dëmtimin e tyre. Përmes kontratës së qirasë bëhet edhe ndihma reciproke në të mirë, kurse ndihma reciproke në të këqija është haram, andaj edhe kontrata është e pavlefshme.

2. Sendi i dhënë me qira nuk guxon të jetë obligim paraprak i qiramarrësit siç është rasti me qiranë e obligimeve fetare si p sh namazi, agjërimi etj.

3. Sendi i dhënë me qira duhet të jetë i njohur mirë në mënyrë që mos të shkaktoj mosmarrëveshje mes palëve. Njohuria e sendit të marrë me qira varet nga lloji i sendit të marrë me qira, sepse nëse bëhet fjalë për shtëpi banuese apo tokë, atëherë duhet të caktohet koha e shfrytëzimin dhe me caktimin e kohës bëhet e qartë dobia e shfrytëzimit. Nëse është makinë apo kafshë udhëtimi, atëherë me caktimin e largësisë apo kohës që do ta përdorë, mund të përcaktohet edhe dobia e shfrytëzimit.

4. Sendi i cili jepet me qira kushtëzohet që të jetë pronë e qiradhënësit, ose të ketë të drejtë juridike që të qeverisë me te në mungesë të pronarit të vërtetë.

5. Përcaktimi dhe saktësimi i sendit i cili jepet me qira siç është vendi, cilësia etj, sepse kontrata e qirasë konsiderohet e pavlefshme nëse nuk përcaktohet saktësisht sendi i dhënë me qira si psh. Të japë me qira një kat nga banesa e tij por nuk saktësohet se cili kat dhe ku është.

6. Sendi i dhënë me qira duhet të jetë i mundur dorëzimi i tij pa pasur ndonjë pengesë fizike apo juridike. Nuk mund të jepet me qira një send që ekziston pengesë fizike apo juridike për dorëzimin e saj si psh të japë me qira tokën e cila është e uzurpuar apo në kontest gjyqësor etj.

 Detyrimet që dalin nga kontrata e qirasë
Kontrata e qirasë është një shprehje dhe demonstrim i dëshirës së dy palëve kontraktuese, andaj edhe pas arritjes së marrëveshjes së kësaj kontrate nga të dy palët  (qiradhënësi dhe qiramarrësi) dalin edhe detyrime juridike që duhet plotësuar, pavarësisht se kontrata e qirasë është e vlefshmen pra, atëherë kur i plotëson të gjitha ruknet dhe kushtet e saja, ose kontrata mund të jetë e prishur (faside), kur i mungon ndonjë nga kushtet e saja. Detyrë e qiradhënësit është që palës tjetër menjëherë t’i mundësojë shfrytëzimin e dobisë nga sendi i dhënë me qira e po ashtu e drejtë e tij është që të pranojë kompensimin për sendin e dhënë me qira. Këto detyrime burojnë nga ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet).”[3]

Gjithashtu këto detyrime vërtetohen edhe nga hadithi i Muhamedit a.s. ku ka thënë:

 “Myslimanët qëndrojnë në kushtet e tyre, me përjashtim të kushtit i cili ndalon të lejuarën apo lejon të ndaluarën”[4]

Përgjegjësia e qiramarrësit për prishjen apo shkatërrimin e sendit të marrë me qira.

Është realitet i pakontestuar se sendi i marrë me qira në dorën e qiramarrësit ka tretmanin e amanetit, që nënkupton se atë duhet ruajtur plotësisht sikur pasurinë e tij bile edhe më shumë. Nga kjo nënkuptohet se qiramarrësi në asnjë mënyrë nuk guxon të keqpërdorë sendin e marrë me qira në mënyrë që ta dëmtojë atë. Në rastet kur qiramarrësi keqpërdorë sendin e marrë me qira, dhe ky keqpërdorim shpien në prishjen. Shkatërrimin apo dëmtimin e rëndë të sendit si pasojë e keqpërdorimit, atëherë ai ka përgjegjësi dhe duhet paguar atë. Vlera e cila përcaktohet për prishjen e sendit të marrë me qira si pasojë e keqpërdorimit llogaritet në ditën e prishjes së tij. Gjithashtu ai bartë përgjegjësi për prishjen e sendit nëse atë e shkaktojnë pasardhësit e tij si fëmijët apo bashkëshortja e tij.

Mirëpo nëse sendi i marrë me qira prishet si pasojë jo e keqpërdorimit të tij, jo nga armiqësia e tij, por si pasoj tjetër, atëherë nuk bartë përgjegjësi dhe nuk duhet paguar atë.

 Dispozita e qirasë
Dispozita e qirasë së vlefshme është vërtetimi i pronësimit të dobisë për qiramarrësin, dhe vërtetimi i pronësisë së pasurisë së caktuar për qiradhënësin. Gjykohet kështu ngase kjo kontratë është kontratë me kompensim.

Referencat
[1] . En Nisa : 29
[2] . Nejlul evtar 6/13
[3] . El Maide : 01
[4] . Termidhiu

Lini një Përgjigje

Maqedonisht