Autor: Jusuf ZIMERI

Qiraja në të drejtën islame konsiderohet një kontratë legjitime për shkak të peshës dhe rëndësisë që luan kjo kontratë në jetën e përgjithshme praktike të njerëzve. Kjo kontratë në legjislacionin Islam njihet me emrin (Akdul ixhare) kontratë e qirasë.

Nocionin “El ixhare” është infinitivi i foljes “Exhere” që në kuptimin gjuhësorë don të thotë“ shpërblim i punës, gradim, sevap.

Për definimin e qirasë juristët Islam varësisht nga shkollat juridike islame dhanë definicione të ndryshme rreth kësaj kontrate. Vlen të theksohet se shumica e definicioneve të theksuara kanë dallime më shumë sipërfaqësore se sa esenciale, ngase disa prej dijetarëve në definicionet e tyre përfshinë edhe qiranë e tokës e disa e përjashtuan atë duke e definuar në veçanti qiranë e tokës. Dijetarët e shkollës juridike Hanefij, kontratën e qirasë e definuan: “Kontratë e cila nënkupton pronësimin e dobisë së caktuar nga sendi i marrë me qira, por me kompensim”[1].

Shkoqitja e definicionit

 Nga definicioni i më parë përmendur nënkuptohet se qiraja është kontratë e cila duhet të plotësojë shtyllat dhe kushtet e saja kurse pas lidhjes së kontratës menjëherë pasojnë obligimet juridike për palët kontraktuese. Pra, qiraja nuk është vetëm premtim apo vetëm shprehje pa përgjegjësi, sepse atëherë do të shpinte në grindje dhe mosmarrëveshje mes njerëzve, por ajo është kontratë që në mënyrë eksplicite rregullon raportet mes kontraktuesve dhe njëkohësisht konsiderohet akt juridik islam. Gjithashtu nga definicioni nënkuptohet se qëllimi i kësaj kontrate është fitimi i së drejtës së pronësimit të dobive që dalin nga sendi i dhënë me qira. Me këtë bëhet përjashtimi i kontratës së shitblerjes që është pronësimi esencial i sendit e jo dobia që del nga sendi. Pastaj gjithashtu nga definicioni nënkuptohet se kjo kontratë ka karakter të përkohshëm, ngase në lidhjen e kontratës duhet definuar edhe koha e shfrytëzimit të sendit, sepse ajo nuk ka karakter të përhershëm sikur kontrata e shitblerjes. Po ashtu pala e cila merr me qira sendin, nuk është tërësisht i lirë të qeverisë me sendin e marra me qira sepse ai nuk guxon ta asgjësoj apo tjetërsoj ate pa lejen e pronarit të vërtetë, ngase ai patjetër duhet t’i përmbahet kushteve të kësaj kontrate. Dobia e shfrytëzuar nga kjo kontratë duhet të jetë e njohur dhe mirë e definuar, sepse në të kundërtën kontrata do të konsiderohet e prishur dhe jo valide, andaj kjo kontratë përjashtohet nga definicioni i mëparshëm. Gjithashtu nga ky definicion përjashtohet edhe kontrata e dhuratës dhe sadekasë, dhe huadhënies sepse këto kontrata bëhen pa kurrfarë kompensimi nga ana e marrësit, kurse kontrata e qirasë është kontratë me kompensim. Sendi i marra me qira për shfrytëzimin e dobisë së sajë duhet të shfrytëzohet komfor normave juridike islame dhe standardeve të sendit të marra me qira, që nënkupton se nuk guxon në asnjë mënyrë të bëhet keqtrajtimi apo keqpërdorimi i sendit të marrë me qira.

Ligjësimi i kontratës së qirasë

Kontrata e qirasë është akt legjitim juridik e cila ka bazë juridike në Kur’anin famëlartë, në sunetin e pastër të Muhamedit a s., në koncenzusin e fukahave islam, në analogji si dhe në aspektin racional të përfituar nga veprimtaria praktike jetësore.

Bazë -argument juridik për ligjësimin e kontratës së qirasë nga Kur’ani famëlartë kemi ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “e nëse ato u japin gji  fëmijëve tuaj, atëherë jepu atyre shpërblimin që u takon dhe kini mirëkuptim në mes jush ashtu si duhet”[2]

Ky ajet kur’anor sqaron obligimin e bashkëshortit për furnizim të bashkëshortes së tij gjatë pritjes së idetit pas divorcit, por nëse bashkëshortja është angazhuar me dhënie gji fëmijës së saj gjatë pritjes pas divorcit apo edhe pas qoftë edhe pas kalimit të afatit të pritjes, bashkëshorti, respektivisht i ati i fëmijës është i detyruar t’i jap shpërblim gruas nga e cila fëmija ka thithur gji, e ko nënkupton një fomrë të kontratës së qirasë.

Gjithashtu Kur’ani famëlartë në suren El Kasas, duke rrëfyer për ngjarjen e Musait a.s. dhe Shuajbit a.s. me bijat e ti thotë: “Njëra prej atyre dyjave tha:”O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, sepse më i miri i atij që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi, e besniku”. Ai (Shuajbi) tha: Unë dëshiroj të martoj ty me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet, e nëse i plotësonë dhjetë, ai është vullneti yt, e unë nuk dëshiroj të rëndoj ty, e në dashtë Allahu, ti do të gjesh tek unë mirëkuptim.”[3]

Ky ajet kur’anor në mënyrë eklatante ve në pah ligjësimin e kontratës së qirasë. Edhe pse ky ajet flet për ngjarjen respektivisht për kontratën e qirasë me Shuajbit a.s. dhe Musas a.s.  pejgamber këto që jetuan shumë kohë para Muhamedit a.s., dihet mirë parimi se ajo që ishte e ligjësuar para shpalljes së Kur’anit ngelë argument edhe për ithtarët e Kur’anit poqese kur’ai nuk e derogon apo nuk e moderon atë dispozitë. Në rastin konkret, nuk gjejmë ndonjë argument as nga kur’ani e as nga hadithi që denigron këtë dispozitë, por përkundrazi kemi argumente që vërtetojnë vlefshmërinë e kësaj norme juridike edhe për umetin e Muhamedit a.s.

Përveç këtyre argumenteve kur’anore që i theksuam për ligjëzimin e kontratës si qirasë, kemi edhe një sërë argumente nga suneti i Pejgamberit a.s.. Nga suneti i Pejgamberit a. s. gjejmë hadithe të shprehura për këtë, por gjejmë edhe hadithe praktike që i ka vepruar Muhamedi a.s.. Nga hadithet e Muhamedit a. s. që ligjësojnë kontratën e qirasë janë: “Transmetohet nga Abdullah b. Omeri i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë:”

 “Jepjani punëtorit (që punon me mëditje) pagën e tij, para se t’i thahet djersa e tij”[4]

Po ashtu imam Buhariu në koleksionin e tij regjistron hadithin e Pejgamberit s.a.v.s të transmetuar nga Ebu Hurejra ku Pejgamberi a.s. ka thënë se Allahu xh.sh. ka thënë:

“ Ditën e kiametit (ringjalljes) unë jam armiku i tre njerëzve: njeriu që ka dhënë për mua pastaj ka mashtruar, njeriu që ka shitur një njeri të lirë dhe ka hëngër parat e tij, dhe një njeri që ka marrë me mëditje një punëtor,e ka shfrytëzuar dhe nuk ia ka dhënë pagesën e tij”[5]

Po ashtu vërtetohet se me rastin e emigrimit të Muhamedit a. s. me shokun e tij Ebu Bekrin r.a. prej Mekës për në Medine, ata kishin paguar një njeri nga fisi beni dil  për tua treguar rrugët më të fshehta për në Medine. Nga tërë këto hadithe në mënyrë eksplicite nënkuptohet për ligjësimin e kontratës së qirasë .

Sa i përket konsensusit islam, dijetarët thonë se në kohën e Pejgamberit a.s. ishte arritur konsensus për ligjësimin e qirasë, e këtë nuk e refuzonte askush.

Nëse kontratën e qirasë e ekzaminojmë nga këndi racional, lehtë konstatojmë se kontrata e qirasë është zgjidhë një sër problemesh sociale dhe lirisht mund të thuhet se është më se e nevojshme për praktikim. Nisur nga ky parim, përfitohet bindja se urtësia e ligjësimit të kontratës së qirasë është lehtësimi i jetës së përditshme njerëzore  e veçanërisht kur dihet fakti se një njeri nuk mund t’i ketë në disponim të gjitha të mirat e kësaj bote dhe se njerëzit kanë nevojë për këmbim të interesave reciproke, e këto interesa arrihen përmes kësaj kontrate. E tërë kjë është në harmoni të plotë edhe me qëllimin e legjislacionit islam që është arritja e interesit publik.

Dijetari bashkëkohorë Dr.Vehbe Zuhejli në veprën e tij “El fikhul islamij ve ediletuhu” në shkoqitjen e kësaj tematike thekson se një grup i vogël i dijetarëve islam janë të mendimit se kontrata e qirasë nuk është valide. Ata mendimin e tyre e mbështesin në faktin se dobia nga kontrata e qirasë që do të shfrytëzohet në të ardhmen, nuk është prezente në momentin e lidhjes së kontratës, andaj edhe nuk mund të lidhet kontratë për sendin që nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës. Në përgjigje të tyre Ibni Rushdi thotë: Edhe pse dobia vërtetë nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës, ajo është e mundshme të shfrytëzohet në të ardhmen.”[6]

Shtyllat (ruknet) e kontratës së qirasë

Që kontrata e qirasë të jetë e mundshme patjetër të plotësohet rukni[7] i saj. Meqë kontrata e qirasë është veprim juridik që demonstron pajtimin e dy palëve, atëherë lehtë konstatohet se rukni i kontratës së qirasë sipas mendimit të juristëve të shkollës juridike (medhhebit) hanefij është oferta [8](ixhabi) dhe pranimi[9] (kabuli),[10] që në literaturën përkatëse të legjislacionit islam i gjejmë me shprehjen “Sigatul akdi” që nënkupton harmonizimin e dëshirës së dy palëve kontraktuese. Sipas këtij mendimi palët kontraktuese dhe pasuria për të cilën bëhet kontrata nuk konsiderohen rukne të kontratës por kushte të domosdoshme të kontratës ngase nuk janë pjesë përbërëse të saj.

Sipas shumicës (xhumhurit) të juristëve Islam ruknet e kontratës janë katër e që janë: palët kontraktuese (qiradhënësi dhe qiramarrësi), forma e lidhjes së kontratës (sigatul akdi) që janë oferta dhe pranimi, dobia e shfrytëzuar nga kontrata e qirasë dhe pagesa për shfrytëzimin e dobisë. Në vazhdim do të mundohemi që ruknet e kontratës t’i shtjellojmë sipas metodologjisë së xhumhurit të fukavae islam, duke shtjelluar edhe kushtet e çdo rukni në veçanti.

1.     Palët kontraktuese (El akidani)

Me shprehjen palët kontraktuese nënkuptohen të dy palët që janë qiradhënësi i cili ka shprehur gatishmëri për dhënien e sendit me qira dhe qiramarrësi i cili po ashtu ka shprehur dëshirë dhe gatishmëri për marrjen e sendit me qira në bazë të kushteve dhe rrethanave që janë marrë vesh mes veti. Që kontrata e qirasë të jetë valide, funksionale dhe porfitabile për të dy palët, dhe në anën tjetër që ajo të jelë e liruar nga mosmarrëveshjet dhe grindjet për të dy palët kontraktuese kushtëzohen disa kushte që patjetër duhet plotësuar e që janë:

1. Validiteti i lidhshmërisë së kontratës së qirasë kushtëzohet që të dy palët kontraktuese në momentin e lidhjes së kontratës të jenë mentalisht të shëndoshë. Nisur nga fakti se i sëmuri mental nuk bartë përgjegjësi juridike për veprat e tij, edhe kontrata e qirasë nga ai është e kotë dhe jo valide. Këtë e vërteton hadithi i Muhamedit a.s. ku ka thënë:

“Transmetohet nga Aisha se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë:” Është ngritur lapsi nga tre persona; nga ai që është në gjumë derisa të zgjohet, nga i vogli derisa të rritet, dhe nga i sëmuri psikik derisa të shërohet”[11]

  1. Gjithashtu kushtëzohet për kontraktuesit që të mos jenë fëmijë. Nëse fëmija është i rritur por ende nuk ka hyrë në pubertet që quhet (Mumej-jiz) kontrata e tij konsiderohet e vlefshme por nuk zbatohet përderisa kujdestari apo tutori i tij i jep leje. Kjo kontratë është e varur nga leja e kujdestarit apo tutorit që nënkupton se është kusht e zbatueshmërisë së kontratës e jo kusht i lidhshmërisë apo vlefshmërisë së kontratës. Ky mendim mbështetet në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: ”Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë doruzonju atyre pasurinë e tyre..”[12]

Ky ajet kur’anor në mënyrë eksplicite jep urdhër për mbikëqyrjen e sjelljeve dhe lëvizjeve të atyre që gjenden nën kujdesin e kujdestarit-tutorit, andaj nëse vërehet pjekuria tek ata atëherë duhet dorëzuar pasurinë e tyre në mënyrë që ai të qeverisë me te, e këtu nuk kushtëzohet puberteti por vetëm pjekuria. Ky është argument se fëmija i pjekur para pubertetit nëse ka lidhë kontratë të qirasë me dikë, kontrata është e vlefshme dhe valide.

Mendim të kundër nga kjo kanë Shafitë të cilët janë të mendimit se kontrata e fëmijës para pubertetit është e kotë dhe jovalide. Shafitë mendimin e tyre e mbështesin në faktin se fëmija para pubertetit nuk bartë përgjegjësi për veprat dhe sjellje te tij andaj edhe kontrata nuk është valide.

  1. Kushtëzohet që kontrata e qirasë të jetë me pëlqimin e dy palëve pa kurrfarë imponimi apo presioni

Kontrata e sefihut[13] (të pakursyeshmit).

 Dijetarët islam janë unik në qëndrimet e tyre se nëse sefihu ka bërë kontratë të mëditjes me punën e tij, kontrata e tij është detyrimore dhe valide, me përjashtim nëse vërehet ndonjë tradhti apo mashtrim i dukshëm. Mirëpo sa i përket kontratës së qirasë në pasurinë e tij, kontrata konsiderohet e vlefshme por e stopuar nga leja e kujdestarit të tij.

Polemikat e dijetarëve në këtë lëmi burojnë nga paqartësitë se a lejohet kujdestaria dhe mbikëqyrja ndaj sefihut apo jo. Ibni Hazm Edhahiriu konsideron se në asnjë mënyrë nuk lejohet mbikëqyrja ndaj sefihut, andaj edhe nëse ai bënë lidhjen e kontratës, kontrata e tij është valide dhe pasojnë detyrimet që dalin nga kontrata.[14] Imam Ebu Hanifja thuajse merr qëndrim të afërt me Ibni Hazmin, po jo aq shum rigoroz si të tij, andaj edhe është i mendimit se mbikëqyrja ndaj të rriturin që nuk është mentalisht i sëmurë, për shkak të shpenzimeve irracionale të tij, është akt që denigron njerëzoren e tij, e kur është në pyetje ruajtja e njerëzores së tij, apo ruajtja e pasurisë, s’do mend se e para ka përparësi.

Mendim krejtësisht të kundërt ndaj tyre kanë shumica dërmuese e juristëve islam të cilët janë të mendimit se tutorësia dhe mbikëqyrja e tjetrit për shkak cilësisë sefih është obligative dhe ate duke u bazuar në ajetin kur’anor ku thotë:“Mendjelehtëve mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkamje, e ata ushqeni nga ajo, vishni dhe thoni fjalë të mira.”[15]

Nga ky ajet qartë vihet në pah se sefihëve nuk duhet dhënë pasurinë e tyre në duart e tyre sepse ata shumë shpejt mund ta shpenzojnë atë, porse duhet që kujdestarët të mbajnë një kontroll të vazhdueshëm ndaj tyre, të lejojnë atë që është në dobi të tyre dhe të pengojnë atë që është në dëm të tyre.

Kontrata e të Falimentuarit (Muflisit)

Muflis – i falimentuar konsiderohet personi që borxhi i tij është më i madh se sa pasuria e tij, dhe që shpenzimet janë më të mëdha se sa të ardhurat.[16] Juristët islam për shkak të bankrotimit të tij i ndaluan të drejtën qeverisjes dhe lidhjes së kontratave me këtë pasuri. Shkaku i këtij ndalimi është se këtu qëndron e drejta e dibitorëv, andaj qeverisja me këtë pasuri konsiderohet qeverisje me pasurinë e huaj, e një veprim i tillë nuk lejohet. I falimentuari në radhë të parë ka për obligim të paguaj borxhin borxhlinjve dhe ate me vetë iniciativën e tij, e në të kundërtën ngritët procedurë gjyqësore ku gjykata pasi të bëjë evalvacionin (vlerësimin e pasurisë) bënë eviksionin (shpronësimin) e tij dhe shpallë falimentimin e tij duke konfiskuar pasurinë e tij dhe pastaj ua ndanë borxhlinjve të tij. Kjo ishte praktika islame nëpër kohë dhe shekuj.

Referencat
[1] . El Xhuzejri Abdurrahman, kitabul fikhi ala medhahibil erbeati 3/94, darul menar, Kairo.
[2] .Et Talak : 06
[3] . El Kasas : 26-27.
[4] . Ahmedi, Subulus-selam 3/81
[5] . Buhariu.
[6] . Dr. Zuhejli Vehbe, El Fikhul islami ve edil-letuhu , darul Fikr 4/730 Damask.
[7] . Rukn është sendi nga i cili varet ekzistimi i sendit e që është pjesë përbërëse e sendit si psh. Rukui është rukn i namazit dhe është pjesë përbërëse i namazit sepse pa te nuk mund tëparamendohet namazi.
[8] . Vërtetimi i një verpimi të veçantë që shpien në pajtueshmërinë për një realitet praktik, e që buron nga njëra prej palëve kontraktuese, që në këtë rast janë (qiramarrësi dhe qiradhënësi).
[9] . Ajo që pranohet nga oferta duke sihronizuar dëshirën e palës tjetër.
[10] . Ezerka Mustafa Ahmed, Sherh el kanunil medenij esurij-el ukukudl musema, bot.6, f. 29 Damask 1965.
[11] . Nisaiu
[12] En Nisa : 06
[13] Sefih konsiderohet personi i cili pasurinë e tij e shpenzon në mënyrë iracionale,pa interes të jetës së kësaj dhe asaj bote. (shiko Mu’xhel lugatul fukaha f. 245).
[14] . Ibni Hazm Edhahiriu, El mehal 8/278
[15] .En Nisa :05
[16]
. Shiko në  Mu’xhem luhatul fukaha f. 447 botimi i dytë Bejrut-Liban.

Shkrime të ngjashme