Kontrata e qirasë që përfundon me pronësi (Lizingun)

Në botën e investimeve islamike, nën ombrellën e institucioneve dhe bankave islame kanë ekzistuar vegla, mënyra dhe forma të ndryshme të transaksioneve dhe investimeve. Nëse shfletojmë literaturën përkatëse nga historiku i së drejtës kontraktore, vërejmë se disa prej tyre janë të hershme siç është kontrata mbi shitblerjen, ndërtimtarinë dhe prodhimin, fitimit, kontrata mbi shitblerjen me këste etj, por disa prej tyre janë të kohës bashkëkohore, e në mesin e tyre është edhe kontrata mbi qiranë e cila përfundon me pronësi të qiramarrësit. Kjo Kontratë e qirasë është një lloj i kontratës së kohës bashkëkohore, prandaj kjo është edhe arsyeja që juristët islam të mëhershëm nuk e kanë trajtuar dhe nuk kanë diskutuar për këtë çështje në literaturën e tyre. Me këtë tematikë u morën juristët islam të mëvonshëm, respektivisht juristët bashkëkohorë, të cilët bënë disa hulumtime dhe studime të thelluara për të dhënë fetva dhe për të sqaruar dispozitën juridike islame të kësaj kontrate. Me këtë çështje përmes konferencave shkencore u morën edhe akademi të ndryshme të fikhut islam nëpër vende të ndryshme të botës islame.

Shkruan: Jusuf Zimeri

Historiku dhe zhvillimi i kësaj kontrate

Ky lloj i kontratës së qirasë, e cila përfundon me pronësi të qiramarrësit, për herë të parë është realizuar në Angli në vitin 1846. Një tregtar që tregtonte instrumente muzikore kishte lidhur një kontratë të shitblerjes me këste. Mirëpo, për shkak të ruajtjes së autoritetit të mallit të tij dhe me qëllim të sigurohet në marrjen e të gjitha parave, këtë kontratë ai nuk e kishte trajtuar si kontratë të zakonshme të shitblerjes me këste, por e kishte emërtuar si kontratë qiraje e cila përfundon në pronësi të qiramarrësit pas pagimit të këstit të fundit.[1]

Më pas ky lloj i kontratës prej individë filloi të përdoret edhe nëpër organizata dhe ndërmarrje të mëdha që shitnin prodhimin e tyre në këtë formë. Kështuqë kjo formë e kontratës dalëngadalë filloi të përhapet me të shpejtë në rruzullin tokësor.

Më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1953 në skenë u shfaq edhe kontrata e Lizingut. Pas kësaj në Francë në vitin 1962 u shfaq edhe kontrata e njohur me emrin “Credit Bail” (garancia e kredisë). Kjo kontratë llogaritet si lloj i ri i kontratës së qirasë që përfundon me pronësi, porse merr një formë të re, ngase në këtë kontratë kemi edhe ndërmjetësues mes dy palëve kontraktuese qiradhënësit dhe qiramarrësit. Pala e tretë ndërmjetësuese zakonisht është ajo që bënë financimin e kontratës, përgatitjen e saj dhe më pas i jep me qira personit të tretë në një afat të caktuar.[2]

Sipas asaj që paraqet dr. Vehbe Zuhejli, ky lloj i kontratës zanafillën e sistemimit dhe rregullimit ligjor të saj e gjejmë te anglezët, të cilët e quajtën “shitje me qira” ose “qira me pronësim të sendit”.

Më pas ky lloj i kontratës u transferua edhe në vendet islamike përmes bankave islame të cilat kontratën e qirasë që përfundon me pronësi e bënë pjesë kryesore të operacioneve të tyre siç ishte banka islamike në Malejzi. Banka Islame për Zhvillim, kontratën e qirasë që përfundon me pronësi e ka bërë pjesë përbërëse të operacioneve investuese dhe këtë kontratë e zbaton që nga viti 1977.

Përkufizimi i kontratës së qirasë që përfundon me pronësi.

Theksuam edhe më parë se kjo kontratë është nga kontratat bashkëkohore, prandaj edhe nuk gjejmë ndonjë përkufizim nga juristët e mëhershëm, por tërë shqyrtimi i kësaj lënde është bërë nga juristët bashkëkohore. Në kontekst të kësaj në vazhdim do të paraqesim disa përkufizime nga juristët islam bashkëkohor që e kanë definuar këtë kontratë. Në mesin e juristëve bashkëkohorë që definoi këtë lloj të kontratës është Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, i cili thotë: “Kontrata e qirasë e cila përfundon në pronësi të qiramarrësit nënkupton pronësinë e dobisë që del nga baza e sendit për një kohë të përcaktuar, me një pagesë të caktuar që zakonisht është më e shtrenjtë se sa qiraja normale e sendit, por me kusht që qiradhënësi t’ia pronësojë bazën e sendit qiramarrësit në bazë të premtimit paraprak në momentin e pagimit të këstit të fundit, por me një kontratë të re[3]. Kjo nënkupton se bartja e pronësisë detyrimisht duhet të bëhet me kontratë të veçantë, pavarësisht se bëhet me kontratë shitblerje me çmim real apo simbolik, ose me kontratë dhurimi.

Këtë lloj të kontratës e definoi edhe profesor Halid El Hafi, ku thotë: “Kontratë dypalëshe ku njëra palë (qiradhënësi) jep me qira një mall-pasuri të caktuar për kundër një sasie të përcaktuar të pagesës që do ta marrë nga qiramarrësi i cili do ta paguaj në këste të përcaktuara, ku pas përfundimit të kësaj kontrate respektivisht pas pagesës së këstit të fundit, malli-pasuria e dhënë me qira kalon në pronësi të qiramarrësit, por me kontratë të re.[4] Pronësia e dobisë që del nga malli, e më pas edhe pronësia i mallit në përfundim të kontratës së qirasë[5]. Marrëveshja e palëve kontraktuese për qiranë e një malli- pasurie për një afat të caktuar me një pagesë të caktuar, duke shtuar në pagesë më shumë se çmimi i rëndomtë, por që ai mall-pasuri të përfundojë në pronësi të qiramarrësit.[6]

Karakteristikat e kësaj kontrate

Karakteristikat e kontratës së qirasë me të cilat dallon nga kontrata e rëndomtë e qirasë janë dy çështje thelbësore, që janë:

Çështja e parë: kontrata e qirasë që përfundon në pronësi, në vete përfshinë dy kontrata të veçanta, që janë:

  1. Kontratën e qirasë që përfshinë kohën e shfrytëzimit të dobive të sendit të marrë me qira me të gjitha elementet tjera përbërëse,
  2. Kontratën e pronësisë së vet sendit të dhënë me qira në përfundim të afatit të dhënë me qira, e kjo realizohet ose përmes shitjes me çmim të realët ose simbolik, po edhe përmes kontratës së dhuratës.

Çështja e dytë: Kjo kontratë realizohet zakonisht me kërkesën e qiramarrësit dhe në këtë lloj të kontratës së qirasë pagesa është më e shtrenjtë se zakonisht nga kontrata e qirasë, varësisht nga sendi që jepet me qira, duke llogaritur edhe fitimin. Pas përfundimit të afatit të qirasë, prona për të cilën është paguar qiraja transferohet në pronësi të qiramarrësit por me kontratë të re, edhe atë, ose me kontratë dhurate ose kontratë shitblerje me çmim simbolik.

Dallimi mes kësaj kontrate dhe kontratës së shitblerjes me këste është se te kontrata e shitblerjes me këste është e redaktuar dhe e qartë që në fillim, andaj me përfundimin e ratës së fundit nuk ka nevojë për kurrfarë kontrate të re, për dallim te kontrata e qirasë e cila përfundon me pronësi.[7]

Ligjësimi i kontratës së qirasë që përfundon me pronësi

Kontrata e qirasë që përfundon në pronësi në parim është instrument i ligjësuar sipas jurisprudencës islame që përdoret si instrument investimi në aktivitetet e bankave islame, por në bazë të parimeve dhe principeve me të cilat pajtohen rregullat dhe dispozitat e sheriatit islam. Kjo kontratë e qirasë nuk përfshinë në vete dy elemente që janë: qiraja dhe shitblerja në të njëjtën kohë. Sikur kontrata të përfshinte të dy këto elemente në të njëjtën kohë atëherë do të ishte jo valide dhe çështje e ndaluar sipas islamit, porse kjo kontratë bazohet mbi dy kontrata të ndara nga njëra tjetra, që janë:

  • Kontrata e parë është kontratë qiraje, pavarësisht se pagesa bëhet më shtrenjtë nga qiraja e rëndomtë. Kontrata e qirasë nënkupton marrëveshjen për shfrytëzimin e dobisë, kurse palët kontraktuese janë të lirë në lidhjen e kontratës dhe për sasinë e pagesës, në formën dhe mënyrën pagesës.
  • Kontrata e dytë është kontratë shitblerje ose kontratë dhurimi që realizohet pas përfundimit të kontratës së qirasë, duke u bazuar mbi premtimin e mëparshëm. Prandaj nuk ka asnjë pengesë juridike islame që të pengojë marrëveshjen apo kontratën e re mes palëve për objektin që ishte me qira pasi ka skaduar afati i kontratës së parë dhe janë shlyer të gjitha detyrimet.

Sipas kësaj që thamë, kontrata e parë, pra kontrata e qirasë detyron vetëm efekte juridike që detyron kontrata e qirasë dhe veprohet sipas kontratës së qirasë. Kurse kontrata e dytë është kontratë shitblerjeje që rezulton me efekte juridike që prodhon kontrata e shitblerjes.

Kontrata e re, respektivisht kontrata e dytë në këtë rast mund të jetë kontratë me kompensim siç është kontrata mbi shitblerjen, pavarësisht se kjo kontratë bëhet me çmim të realët të tregut apo me çmim simbolik. Kjo kontratë mund të jetë edhe kontratë pa kompensim, që është kontratë dhurate që lidhet pas përfundimit të kontratës së parë.

Në aspektin juridik kjo kontratë ka mbështetje në esencën e lirisë mes palëve kontraktuese duke përfshirë këtu edhe lirinë e kushtëzimit sepse në esencë kushtet janë të lejuara për derisa kushti nuk bie ndesh me ndonjë tekst juridik, ose nuk mohon ndonjë rregull juridik apo intencën e tij, ose nuk mohon qëllimin esencial të kontratës. Vlerësohet kështu ngase në esencë kontratat dhe kushti janë të lejuara. Ky parim esencial mbështetet në hadithin ku pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë: Muslimanët qëndrojnë në atë që e kushtëzojnë”. Transmeton, Buhariu, Ebu Davud, Tirmidhiu.

Argument tjetër ku mbështet ky qëndrim është edhe thënia e Omer ibni Hattabit r.a., i cili ka thënë: “Esenca e të drejtave është sipas kushteve (të kushtëzuara)”. Transmeton, Buhariu.

Ekzistimi i premtimit mes palëve kontraktuese në kontratën e qirasë që përfundon me pronësi të tjetrit, në mënyrë që qiradhënësi do t’ia shesë palës tjetër (qiramarrësit) mallin e dhënë me qira pas përfundimit të kontratës së qirasë, nuk e dëmton kontratën e parë që është kontrata e qirasë e cila ka validitet juridik.

Vendime dhe fetva që përforcojnë ligjshmërinë e kësaj kontrate

Në kohën bashkëkohore të zhvillimit të Fikut islam, ekzistojnë edhe disa verdikte (fetva) si dhe vendime të lëshuara nga autoritete të larta shkencore dhe akademi të fikhut islam, që përforcojnë dhe lejojnë[8] lidhjen e kontratës së qirasë që përfundon me pronësi.

Fetvaja e lëshuar nga konferenca e parë e Fikhut organizuar nga qendra e financave Kuvajtijane më 7-11.03.1987 ku pas shumë bisedimeve dhe shpalosjes së fakteve kjo kontratë u vlerësua si kontratë e re në të cilën ka kontratë qiraje dhe kontratë dhurimi, si e tillë konsiderohet e shëndoshë, e vlefshme nëse plotëson këto kushte:

  1. Përcaktimi i afatit të qirasë dhe implementimi i dispozitave të qirasë gjatë asaj kohe të përcaktuar,
  2. Përcaktimi i sasisë së çdo kësti që duhet paguar si obligim që del nga kontrata e qirasë,
  3. Bartjen e pronësisë te qiramarrësi pas përfundimit të afatit të kontratës së qirasë, edhe atë përmes kontratës së re të dhurimit, duke u mbështetur në premtimin e dhënë.[9]

Sa i përket vendimeve të institucioneve të larta shkencore, kemi vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikut Islam me nr. 44 (6/5) në konferencën e mbajtur në Kuvajt prej 10-15 Dhjetor 1988. Pas shqyrtimit të hulumtimeve të ofruara nga anëtarët dhe ekspertët në lidhje me çështjen e qirasë që përfundon me pronësi si dhe duke dëgjuar diskutimet që u zhvilluan rreth kësaj çështjeje, si dhe duke shqyrtuar rezolutën e Këshillit 13 (3/1) në seancën e tretë lidhur me përgjigjen ndaj Bankës Islame për Zhvillim në paragrafin (b) akademia vendosi si vijon:

Së pari: Ti jepet përkrahje dhe të mbështetet forma e qirasë që përfundon me pronësi me alternativa tjera, siç janë alternativat:

  • Shitblerja me këste me garanci të mjaftueshme,
  • Kontrata e qirasë në atë formë që qiradhënësi i jep opsion zgjedhjeje qiramarrësit pas përfundimit të kontratës së qirasë dhe pagesës së të gjitha kësteve që ndërlidhen me kontratën e qirasë, në njërin nga këto opsione:
  • Zgjatja e kohës së qirasë,
  • Përfundimi i afatit të qirasë dhe kthimi i pronës së marrë me qira te pronari i vërtetë (qiradhënësi)
  • Ose blerja e sendit të dhënë me qira me çmim të tregut në përfundimin e afatit të qirasë.

Së dyti: Ekzistojnë edhe forma tjera të kontratës së qirasë që përfundojnë me pronësi të sendit të dhënë me qira, që akademia ka vendosur prolongimin e vendimit për to, pasi që të bëhen studime dhe analiza të detajuara nga dijetarët dhe ekspertët, atëherë të sillet vendimi për to.[10]

Format e kontratës së qirasë që përfundojnë me pronësi dhe ligjësimi i tyre.

Është fakt se kontrata e qirasë që përfundon me pronësi të sendit të dhënë me qira te qiramarrësi ka forma të ndryshme, që dijetarët bashkëkohorë i reduktuan në disa opsione (forma), që disa prej tyre janë të ligjësuara, e disa nuk janë të ligjësuara.

Opsioni i parë:

Arritje e kontratës së qirasë normale mes palëve kontraktuese, e më pas e pason premtimi për shitje që do të realizohet pas përfundimit të afatit të kontratës së qirasë dhe pagesës së të gjitha kësteve për kontratën e qirasë. Kjo kontratë është e vlefshme ngase nuk ka kurrfarë mjegullimi këtu, sepse premtimi për kontratë të re të shitblerjes nuk e dëmton kontratën ekzistuese të qirasë.

Nga kjo nënkuptohet se kontrata e qirasë është e vlefshme dhe detyruese për palët kontraktuese, kurse kontrata e shitblerjes është vetëm premtim, e nuk është kontratë. Në jurisprudencën islame ekziston dallim mes kontratës dhe premtimit. Kontrata është “Lidhja, harmonizimi mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar, në mënyrë që detyrimet t’i vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate” kurse premtimi është: “Vetëm lajmërim dhe informim se në të ardhmen do të formojë (lidh) ndonjë send (do të bëjë diçka), pa mos e obliguar veten në atë send”.

Gjithashtu ekziston dallim edhe në aspektin e dispozitës së tyre juridike, sepse te kontrata palët kontraktuese kanë për detyrim t’i përmbahen marrëveshjes si në aspektin fetar (ar. Dijaneten) ashtu edhe në aspektin juridik (ar. kadaen). Pra, nëse njëra prej palëve kontraktuese nuk i përmbahet detyrimeve që dalin nga kontrata gjykata islame ka bazë juridike ta detyrojë në respektimin dhe zbatimin e kontratës edhe për kundër dëshirës së tij. Kurse, sa i përket premtimit ai është detyrim për zbatim vetëm në aspektin fetar (ar. Dijaneten) porse në aspektin juridik nuk mund të detyrohet të zbatoj premtimin e dhënë.

Këtë formë të kontratës së qirasë e lejoi edhe Akademia Ndërkombëtare e Fikut Islam në Konferencën e dymbëdhjetë mbajtur në Rijad- Saudi më datën prej 23-28 Shtator 2000, me vendimin e saj nr. 110 (12/4)[1] pika e tretë (3) alineja 3, ku thotë: ”Mundet që qiramarrësi të shfrytëzojë pasurinë e marrë me qira me kundërvlerë të caktuar, me afat të caktuar edhe nëse kjo kontratë është e shoqëruar me premtimin për shitje të saj nga qiradhënësi qiramarrësit pasi të përmbyllen të gjitha pagesat e qirasë, e kontrata e shitjes të jetë me një çmim që merren vesh palët kontraktuese.[11]

Opsioni i dytë:

Forma e dytë e kontratës së qirasë që përfundon në pronësi, është kur arrihet kontrata e qirasë mes dy palëve, si p.sh. kontrata e qirasë për shtëpinë, dyqanin, anijen apo diç tjetër, e më pas kjo kontratë shoqërohet me premtimin për dhuratë nga qiradhënësi pas përfundimit të kontratës së qirasë dhe plotësimit të të gjitha detyrimeve që dalin nga ajo. Edhe kjo formë e kontratës së qirasë është e lejuar dhe e vlefshme.

Edhe këtë formë të kontratës e ka shqyrtuar Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam në konferencën e saj të dymbëdhjetë në Rijad- Saudi, më datën prej 23-28 Shtator 2000, me vendimin e saj nr. 110 (12/4)[1] pika e dytë (2) alineja 1, ku thotë: “Në kontratën e qirasë qiramarrësi ka të drejtë të shfrytëzoj dobitë që dalin nga sendi i dhënë me qira në kundërvlerë të caktuar në afat të caktuar edhe nëse kjo kontrat është shoqëruar me dhurim nga qiradhënësi për qiramarrësin, pas përfundimit të kontratës dhe shlyerjes së të gjitha detyrimeve që dalin nga ajo kontratë. Kontrata e dhuratës bëhet me kontratë të re.[12]

Opsioni i tretë:

Forma e tretë kontratës së qirasë që përfundon me pronësi, është kur në një kontratë përfshihet edhe kontrata e qirasë edhe e shitblerjes. Kontrata e qirasë që përfundon me shitje është, kur: qiradhënësi pavarësisht se është subjekt juridik (bankë apo diç tjetër) apo person fizik i thotë palës tjetër (qiramarrësit) po ta jap me qira këtë artikull (këtë send) me pagesë mujore prej kaq lekëve, e nëse ti kompleton pagesën për kaq kohë, unë ta shes këtë artikull me këtë çmim, pavarësisht se çmimi është i realët, apo vetëm simbolik, e qiramarrësi të thotë: e pranova këtë ofertë. Në këtë rast vërehet se çmimi i shitjes përcaktohet në fillim të lidhjes së kontratës së qirasë, kurse bartja në pronësi bëhet vetëm pas kohës së përcaktuar që është kushtëzuar me pagesën e këstit të fundit të qirasë. Prandaj nga kjo kuptojmë se në këtë formë të kontratës përfshihen dy kontrata që janë:

  1. Kontrata e qirasë që është kompletuar me përkufizimin e çmimit, kohës së qirasë dhe afatit të pagesës,
  2. Kontrata e shitblerjes që është e kushtëzuar me kushtin që është plotësimi i ratës së kontratës së qirasë në kohë të kufizuar.

Për ligjësimin e kësaj forme të kontratës së qirasë që përfundon me shitje, shumica dërmuese e juristëve islam janë të mendimit se kjo kontratë është e ndaluar dhe e pavlefshme[13]. Ky mendim për ndalimin e kësaj forme të kontratës së qirasë, mbështetet në ndalesën e juristëve islam për kontratën e qirasë nëse në të kushtëzohet kontrata e shitblerjes, siç janë juristët hanefij[14], hanbelij[15] dhe sipas mendimit më të zgjedhur të medhhebit shafij. Ky mendimi mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja i cili ka thënë: Dërguari i Allahur s.a.v.s. ndaloi dy shitjet në një shitje. (Ahmedi).

Për këtë formë të kontratës, Akademia e Fikhut Islam në vendimin e saj me nr. 110 (4/12), sqaron kontratat e ndaluara, e në mesin e tyre thotë: “Kontrata e qirasë së një sendi me çmim të caktuar, me kohë të caktuar e shoqëruar me kontratë të shitblerjes që është e kushtëzuar me përmbushjen e tërësishme të pagesës siç qëndron në marrëveshje për një kohë të caktuar, ose që ndërlidhet me të ardhmen”.[16]

Opsioni i katërt

Bashkimi i kontratës së qirasë me kontratën e shitblerjes me të drejtën e zgjedhjes me kusht, në një kohë të caktuar apo të kufizuar. Kjo kontratë është e vlefshme sipas mendimit të atyre dijetarëve të cilët janë të mendimit se e drejta e zgjedhjes së kushtit nuk kufizohet me kohë, nëse një gjë e tillë është e nevojshme dhe nëse përmes zgjedhjes arrihet urtësia e ligjësimit të kësaj zgjedhjeje, e të këtij mendimi janë Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi dhe Imam Ahmedi. Për dallim nga këta dijetarë, Imam Ebu Hanifja, Imam Zuferi dhe Imam Shafiu janë të mendimit se kohëzgjatja e kësaj zgjedhjeje nuk lejohet të jetë më shumë se tri ditë. Ky mendim mbështetet në hadithin e Pejgamberit [Alejhis-selam] ku thotë: Transmetohet se, Habban ibni Amr Ensariju r.a. mashtrohej gjatë shitblerjeve, për këtë Pejgamberi [Alejhis-selam] i kishte thënë atij: “Kur të bësh shitblerje thuaj, nuk ka tradhti (mashtrim), dhe unë kamë alternativë zgjedhje tri ditë”.[17]

Edhe këtë formë të kontratës e ka shqyrtuar Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam në konferencën e saj të dymbëdhjetë në Rijad- Saudi, më datën prej 23-28 Shtator 2000, me vendimin e saj nr. 110 (12/4)[1] pika e dytë (2) alineja 3, ku thotë: “Ndalohet kontrata e vërtetë e qirasë e cila është e shoqëruar me shitblerje me kusht zgjedhjeje në interes të qiradhënësit, e ky kushtëzim është i kufizuar me afat të gjatë, respektivisht me përfundimin e kontratës së qirasë”[18] Mirëpo Akademia lejoi kontratën qirasë që i mundëson qiramarrësit shfrytëzimin e sendit të marrë me qira me kundërvlerë të caktuar, në afat të caktuar, kurse qiradhënësi i jept qiramarrësit të drejtën e zgjedhjes në pronësinë e sendit të dhënë me qira në cilën kohë të dëshirojë ai, me kusht që kontrata e shitblerjes të bëhen në momentin e lidhjes së kontratës me kontratë të re me çmim të tregut.

Opsioni i pestë

Opsioni i pestë është atëherë kur kemi pavarësi të secilës kontratë nga tjetra, sikur të lidhet kontrata e qirasë, e më pas, pas një kohe të lidhet kontrata e shitblerjes. Kontrata e shitblerjes në këtë rast është kontratë e re e veçantë nga kontrata e qirasë. Kjo kontratë është e vlefshme.

Opsioni i gjashtë

Lidhja e kontratës së qirasë duke i dhënë të drejtën e zgjedhjes qiramarrësit mes këtyre tri çështjeve:

  • Ose blerjen e sendeit të dhënë me qira me çmimin e tregut në momentin kur përfundon kontrata e qirasë,
  • Ose vazhdimësinë e kontratës së qirasë për një kohë tjetër,
  • Ose me përfundimin e kontratës së qirasë të rikthejë pronën që e kishte me qira pronarit të saj. Ky lloj i kontratës është i lejuar dhe i vlefshëm.

Referencat

[1] جامعة دمشق – الاكاديمية العربية للعلوم المالية و المصرفية = القسم. مصارف اسلامية – اعداد الطالب. عبد الكريم عبد الجواد عجم – تحت اشراف الاستاذ الدكتور محمد الحسن مصطفي البغا – ص 13.

[2] Po aty, f.14

[3] Dr. Vehbe Zuhejli, El muamelat el malije el muasire, f.394.

[4] Halid el Hafi, el ixharetu el muntehijetu bi tevlik fi dav’i el fikhil islamij, f.60.

[5] Eshadhlij, el ixhau el muntehij bi tevlik, botuar në revistën e Mexhmeul filhil islami në Xhede, numri i pestë (4/2612).

[6] Karah Dagi, el ixharu ve tatbikatuha el muasire, mexhelletu mexhmeul fikhil islami, Xhede numri i dymbëdhjetë (1/477)

[7] Dr. Vehbe Zuhejli, el muamelat el malije muasere, f. 395

[8] Dr. Vehbi Zuhejli në veprën e tij, El Muamelat el malijeti el muasire (buhuthun, fetava ve hulul) shpjegon se Mendimi i dijetarëve nga Këshilli i lartë i dijetarëve Saudijan si dhe Akademia e fikhut Islam nën ombrellën e Organizatës së Konferencës Islame, që janë të mendimit se kjo kontratë është e ndaluar, konsiston me faktin se këto vendime kanë të bëjnë me formën e kontratës së qirasë që përfundon me pronësi sipas konceptit perëndimor, e që quhet “Qiraja me pronësi” e ky mendim është i saktë dhe i vërtetë, por nuk ka të bëjë me kontratën sipas konceptit islam.

[9] Dr. Vehbe Zuhejli, El muamelat el malijeti el muasire (buhuthun ve fetave ve hulul) f.400.

[10] Akademia ndërkombëtare e Fikut islam http://www.iifa-aifi.org/1760.html

[11] Vehbe Zuhejli, El muamlat el malije tel muasire (buhuthun ve fetave ve hulul) f.405. http://www.iifa-aifi.org/2061.html.

[12] Vehbe Zuhejli, El muamlat el malije tel muasire (buhuthun ve fetave ve hulul) f.406. http://www.iifa-aifi.org/2061.html.

[13] Këtë lloj të kontratës e lejun fukahatë e medhhebit malikij, sepse sipas tyre mund të bashkohet kontrata e qirasë dhe shitblerjes në nj kontratë.

[14] Merginani, El hidaje sherhul bidaje 3/48, Ibni Kemali, Sherh fet’hul kadir 6/446.

[15] El Insaf 4/349,

[16] El Muamelat el malijeti fil fikhil islami esaleten ve muasireten. f.540

[17] Regjistron Buhariu dhe Muslimi

[18] Vehbe Zuhejli, El muamlat el malije el muasire (buhuthun ve fetave ve hulul) f.407. http://www.iifa-aifi.org/2061.html.

Shkrime të ngjashme