Kontrata e qirasë: Qiraja e tokës

Autor: Jusuf ZIMERI

Ska dyshim në faktin se Allahu xh.sh. e krijoi tokën dhe e pasuroi atë me të gjitha elementet e duhura, pastaj u vuri në shërbim të qenies njeri, në mënyrë që ai jo vetëm të jetoj në tokë, por edhe të ushqehet nga toka. Njeriu, si qenie sociale është i krijuar nga toka, jeton në tokë, ushqehet nga toka dhe në fund përsëri trupi i tij do të tretet në tokë, deri atëherë kur dëshira Krijuesit të tokës dhe njeriut do të jetë që toka ta gëlltitë njeriun nga brendësia e saj që të jetojë në botën e amshimit, ose në parajsë (xhenet) ose skëterrë (xhehenem). Kur bëjmë një kundrim të hollësishëm vërejmë se këtu na paraqitet një rotacion shumë i përpiktë dhe detajisht i precizuar nga Krijuesi absolut.

Si i tillë njeriu me imperativ nga Allahu xh. Sh. është i urdhëruar që këto begati të Allahut xh.sh. të konservuar në tokë dhe në brendësinë e saj t’i shfrytëzoj maksimalisht në dobi dhe në të mirë të qenies njeri. Allahu xh.sh. thotë:

Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, vetëm te Ai është e ardhmja”.[1]

Nëse bëjmë një analizë më të hollësishme në këtë ajet kur’anor, me lehtësi konstatohet se të gjitha të mirat dhe begatitë e njeriut si vend konservimi kanë tokën, bile edhe kur është në shprehje edhe zhvillimi i teknikës së rëndë. Imperativi i Allahut xh.sh., ecni nëpër pjesët e tokës nuk ka për qëllim ecjen e thjeshtë pa kurrfarë qëllimi, por ka për qëllim hulumtimin në pjesët e tokës me qëllim që të shfrytëzojmë begatit e Allahut xh.sh. të vënë në tokë. Pra, nga ne kërkohet angazhim të mendjes dhe racionalizim të veprimeve tona për të shfrytëzuar ato të mira, e jo thjeshtë shëtitje të pakuptimta në rruzullin tokësorë.

Në një hadith të transmetuar nga Enesi, i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë:”  çdo musliman i cili mbjellë një fidanë peme, apo mbjellë ndonjë bereqet, nga i cili do të ushqehen njerëzit, apo shpezët, apo kafshët, për atë që e hanë do të konsiderohet sadeka”.

Nga ky hadith jo vetëm që vihet në pah roli dhe rëndësia e zhvillimit të bujqësisë me të gjitha degët e saja dhe infrastrukturës së saj, por edhe ndërtimi dhe zbukurimi i natyrës, ruajtja e ambientit nga ndotja e saj dhe krejt në fund nënkupton ndalimin nga shkatërrimi i i bukurive natyrore.

Në kontekst të kësaj është edhe përpunimi i tokës pjellore me të gjitha mundësitë juridike islame. Në vazhdim të këtij punimi do të bëjmë orvatje që të zbërthejmë disa rregulla juridike islame për përpunimin e tokës, e në lëmi të veçantë kontratën e qirasë së tokës.

Juristët (fukahatë) islam kur diskutuan për kontratën e tokës me qira për mbjellje, ata diskutuan gjerësisht, kurse mendimet e tyre nuk janë unik në këtë çështje, por i gjejmë të ndarë kryesisht në dy mendime që janë:

 Mendimi i parë:
Sipas mendimit të parë kontrata e qirasë së tokës është kontratë e ndaluar, që nënkupton se nuk lejohet dhënia e tokës me qira në asnjë mënyrë. Këtë mendim e mbështetën disa nga Tabiinët si Tavusi, Ebu Bekr b. Abdurrahmani, por më i zëshëm në këtë mendim ishte Ibni Hazm Edhahiriju.[2]

Argumentet ku këto dijetarë mbështetën mendimin e tyre janë:

Hadithi i transmetuar nga Maliki, ky nga Rafi b. Hudejxhi i cili ka thënë: Vërtetë Pejgamberi a,.s. ka ndaluar nga qiraja e tokës pjellore. Po ashtu transmetohet nga Rafi b. Hudejxhi nga i ati i tij i cili ka thënë: i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ndaloi nga qiraja e tokës”.[3]

Në hadithin e transmetuar nga ebu Hurejra thuhet: i dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë:” Kush ka tokë në pronësim, le ta mbjell atë, ose le t’ia japë vëllait të tij që ta mbjell atë, e nëse e refuzon le ta len ashtu”.[4]

Nga këto hadithe qartë shihet se pronari i tokës mund ta mbjell atë me rendimente të ndryshme bujqësore, ose ta shndërroj atë në plantacione të ndryshme ose ta shndërroj në vendbanim, e nëse nuk ka mundësi apo nuk ndien nevojë që ai vetë ta bëjë mbjelljen e saj, posedon të drejtën që t’ia japë dikujt tjetër ta mbjellë ate por pa kompensim, që nënkupton se dhënia e tokës me qira nuk lejohet islamikisht.

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Vehbi, ky nga Maliki b. Enesi me senedin e tij nga ebu Seid el Hudriu i cili ka thënë: i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ndaloi nga shitja e një sendi të njohur me një sasi të panjohur, dhe nga qiraja e tokës me kompensim nga një pjesë që del nga ajo”.

Duke u mbështetur në këto hadithe dhe disa hadithe të tjera, ibni Hazmi është i mendimit se qiraja e tokës nuk është e lejuar në asnjë mënyrë. Sipas ibni Hazmit pronari i tokës me tokën e tij mund të qeverisë vetëm në këto tri forma:

– Ose ta mbjellë për vete me mjetet e tija, me punën e tij dhe me farën e tij,

– ose  t’ia japë dikujt tjetër gratis që ai ta mbjellë atë do të thotë pa kurrfarë kompensimi,

– ose t’ia japë tokën e tij dikujt tjetër që ai ta mbjellë me farën e tij, me mjetet e tij me atë që një pjesë e caktuar e bereqetit të del nga ajo tokë ti jepet pronarit të arës.

 Mendimi i dytë;
Mendimi i dytë është mendimi i shumicës dërmuese të dijetarëve islam, të cilët parimisht lejuan kontratën e qirasë së tokës, por kur diskutuan për llojin e pagesës së qirasë së tokës ata nuk u pajtuan mes veti. Në kontekst të kësaj, mes dijetarëve të cilët parimisht lejuan kontratën e qirasë së tokës, por nuk pajtuan në llojin e pagesës gjejmë tre mendime më të rëndësishme të cilët janë:

a)      Sipas mendimit të disa tabiinëve qeraja e tokës lejohet vetëm me pagesë nga ari dhe argjendi. Ky mendim është mbështetur në hadithin e rafi b. Hudejxhit i cili ka thënë: Sa i përket pagesë së qirasë së tokës me ari dhe me argjend, nuk na ka ndaluar i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme)

b) Sipas mendimi të Malikive lejohet kontrata e qirasë së tokës me çdo lloj pagese nga monelat, xehet, kafshët, pasuria e përgatitur për tregti me përjashtim të kontratës e së qirasë e cila për pagesë parasheh ushqimin që del nga toka. Shkaku që Malikitë e ndaluan kontratën e qirasë me ushqim që delë nga toka është që t’i hiket mundësisë së kamatës.

c) Sipas mendimit të Medhhebit Hanefij dhe Hanbelive lejohet kontrata e qirasë së tokës me çdo lloj pasurie e cila është e lejuar për muslimanin qoftë edhe me një pjesë të bereqetit e cila delë nga ajo tokë. Kjo është edhe praktika e shumicës dërmuese tek të gjithë muslimanët në të gjitha vendet.[5]

Dijetarët e medhhebit hanefij kontratën e qirasë së tokës e lejuan duke e bërë ate analogji edhe me qiranë e shtëpisë apo duqanit,. Gjithashtu u mbështetën edhe në disa ngjarje shumë të rëndësishme siç është rasti kur i dërguari i Allahut  (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) popullit të Hajberit ua kishte dhënë tokën me qira, me një pjesë të asaj që del nga ajo tokë.[6]

Poashtu transmetohen edhe hadithe tjera ngjashëm me këtë edhe nga ibni Abasi, ebu Hurejra etj se muslimanët e shpërngulur nga Mekeja (muhaxhirët) në Medine punonin tokën e tjerëve me qira duke paguar 1/3 apo ¼ e asaj që dilte nga toka.

Vlenë të theksohet se këtë mendim e kanë përkrahur edhe shumë dijetarë bashkëkohorë.

Kontrata për mbjelljen e tokës (El Muzarea)
Kontrata për mbjelljen e tokës në terminologjinë e sheriatit islam njihet me emrin “El muzarea”. Nocioni “el muzarea” në aspektin etimologjik rrjedh nga folja “zerea” që donë të thotë: mbjellje.

Kurse shprehja “el muzarea” në kuptimin terminologjik të sheriatit islam nënkupton:  Kontratë për mbjelljen e tokës me një pjesë të bereqetit që del nga ajo tokë për të cilën bëhet kontrata.

Nga kjo nënkuptohet se kjo kontratë ka të bëjë me dhënien e tokës dikujt tjetër që ta punojë në mënyrë që nga frytet e nxjerrë nga ato kultura bujqësore të mbjella në atë tokë të jenë të përbashkëta mes pronarit të tokës dhe atij që i është dhënë për punë.

Ky lloj i kontratës sipas mendimit të shumicës dërmuese të dijetarëve islam, e në mesin e tyre edhe imam ebu Jusufi dhe imam Muhamedi, është akt i lejuar dhe valid sipas rregullave të jurisprudencës islame. Argument ku mbështete ky mendim është fakti se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) me banorët e Hajberit kishte lidhur kontratë për mbjelljen e tokës me një sasi që kultivohej nga ajo tokë.

Kontrata për mbjelljen e tokës gjen mbështetje edhe në arsyen e shëndoshë, ngase shpeshherë ndodhë që dikush të ketë në pronësim tokë të mjaftueshme apo të tepruar pjellore, por meqë nuk ka mundësi ta mbjellë vetë në mungesë të fuqisë punëtore apo për shkak të ndonjë faktori tjetër, në këtë rast lejohet që këtë tokë t’ia japë dikujt tjetër ta mbjellë dhe punojë duke i ndarë frytet bashkërisht mes pronarit dhe punëtorit.

Rukni i kësaj kontrate është sikur edhe rukni i kontratave tjera, dmth. oferta dhe pranimi, pa të cilën nuk mund të paramendohet asnjë kontratë në sistemin islam. Gjithashtu për të qenë kontrata e mbjelljes së tokës e vlefshme dhe valide konform rregullave të sheriatit Islam patjetër duhet plotësuar këto kushte që janë:

1. bereqeti (kultura) i cili do të mbjellët në këtë tokë, duhet të jetë i njohur në momentin e lidhjes së kontratës si psh. Të mbjellët misër, grurë, lule dielli, panxhar sheqeri apo diç tjetër.

2. Në lidhjen e kontratës për mbjelljen e tokës duhet të përcaktohet edhe përqindja e secilës palë si psh  1/3 të jetë e pronarit të tokës kurse 2/3 e punëtorit të tokës, apo në formën tjetër 40 % nga prodhimi të jenë të pronarit kurse 60% të punëtorit. Këto përcaktime duhet të jenë mirë të definuar në momentin e lidhjes së kontratës për shkak të evitimit të mosmarrëveshjeve në të ardhmen.

3. Toka për mbjelljen e së cilës bëhet lidhja e kontratës kushtëzohet që të jetë tokë pjellore dhe e gatshme për mbjellje. Nga kjo nuk nënkupton se duhet të jetë e lëruar, por është fjala se nuk guzxon që ara të jetë e nxënë me ndonjë kulturë tjetër e cila pengon mbjelljen e atij bereqeti për të cilën është bërë kontrata.

4. Kushtëzohet që sasia e çdonjërës palë të jetë nga ajo që delë nga toka për të cilën bëhet kontrata, e jo nga ndonjë pjesë tjetër e tokës.

5. Koha e ndërprerjes së kontratës për mbjelljen e tokës duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që të mos lë pozicion për zënka dhe mosmarrëveshje.

Nga tërë kjo që u tha, nëse kjo kontratë për mbjelljen e tokës i plotëson të gjitha këto kushte, atëherë që të dy palët janë të detyruar jo vetëm moralisht por edhe juridikisht që t’i përmbahen kushteve për të cilat janë marrë vesh, sepse i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) thonte: “Muslimanët qëndrojnë në kushtet e tyre”.

Format e kësaj kontrat
Duke analizuar mundësitë e kalkulimit që mund të bëjnë palët kontraktuese gjatë lidhjes së kontratës për mbjelljen e tokës, mund të konstatojnë se gjithsej na paraqiten pesë forma të lidhjes së kontratës, prej të cilave katër prej tyre dijetarët janë unik në vlefshmërinë e tyre, në njërën formë  nuk paktohen në mendimet e tyre, kurse në një formë janë të mendimit se kjo kontratë është e pavlefshme. Ato forma të lidhjes së kontratës për mbjelljen e tokës janë:

  1. Kur toka është e njërës palë, kurse fara, mjeti i punës dhe vetë puna fizike është e palës tjetër, kjo formë e kontratës është e lejuar sepse i përketë qirasë.
  2. Që toka dhe fara të jenë të njërës palë, kurse mjeti dhe puna fizike të jenë të palës tjetër, edhe kjo formë e kontratës është e vlefshme sepse është nga forma e kontratës së dobisë së punëtorit.
  3. Që toka , fara dhe mjeti i punës të jenë të njërës palë, kurse puna të jetë e palës tjetër, edhe kjo kontratë është e lejuar.
  4. Nëse toka dhe mjeti i punës janë të njërës palë, kurse fara dhe puna fizike e palës tjetër, kjo kontratë sipas hanefijve është e pavlefshme me përjashtim të mendimin të imam ebu Jusufit i cili thotë se edhe kjo kontratë është e vlefshme.
  5. Që toka, mjeti i punës dhe vetë puna fizike të jenë të njërës palë, kurse vetëm fara të jetë e palës tjetër, kjo kontratë është e pavlefshme.

Referencat
[1] Suretu El Mulk : 15.
[2] . dr. Zuhejli Vehbe, Elfikhul islami ve ediletuhu,  9/423, bot. darul fikr, Damask 1997.
[3] Buhariu,  Ahmedi dhe Nisaiu.
[4] Buhariu dhe Muslimi
[5] Dr. Zuhejli Vehbe, Fikhul Islami ve ediletuhu,  9/426, Damask.
[6] . Nejlul evtar  5/272 nga Ibni Omeri..

Lini një Përgjigje