Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

KONTRATA MBI PRODHIMIN (عقد الاستصناع)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Kontrata mbi prodhimin (akdul istisna) ka për qëllim blerjen e një prodhimi i cili nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratakontratës së shitblerjes, e në këtë përfshihen çështjet të cilat do të prodhohen në të ardhmen, siç është industria apo dhe artizanatit e ndryshme. Kontrata mbi prodhimin është një kontratë e cila njihet që nga kohët e lashta, mirëpo në kohën bashkëkohore pas një zhvillimi marramendës të industrisë dhe teknologjisë moderne, ky lloj i kontratës është edhe nevojë imanente e kohës.

Është interesant se juristët islam kur sqaruan këtë lloj të kontratës, e trajtuan brenda kornizave të kontratës së shitblerjes me parapagim (bej’u selem), dhe për këtë lloj të kësaj kontrate kushtëzuan të njëjtat kushte me kontratën e shitblerjes me parapagim. Prandaj vlefshmërinë apo mos vlefshmërinë e kontratës mbi prodhimin e trajtuan varësisht nga plotësimi i këtyre kushteve, duke i kushtuar rëndësi kushtit të veçantë që është pagesa e sendit të kërkuar për prodhim, në momentin e lidhjes së kontratës. Andaj sipas tyre nëse plotësohej ky kusht edhe kontrata është e vlefshme, e nëse nuk plotësohet ky kusht kontrata është e prishur.[1]

Kjo kontratë i përngjet kontratës së shitblerjes me parapagim, sepse edhe në këtë kontratë bëhet fjalë për shitjen e sendit që nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës, por dallon nga kontrata e shitblerjes me parapagim sepse te kontrata mbi prodhimin blerësi nuk detyrohet që të bëjë dorëzimin e pagesës menjëherë.

Andaj për dallim nga juristët tjerë islamë, shumica[2] e juristëve nga medhhebit hanefij kontratën mbi prodhimin nuk e trajtojnë në kuadër të kontratës së shitblerjes me parapagim, por këtë kontratë e konsiderojnë si kontratë të veçantë, që ka dispozitën dhe kushtet e saja të veçanta.[3]

Meqë juristët (fukahatë) tjerë kontratën mbi prodhimin (akdul istisna) e definuan njëjtë si kontrata e shitblerjes me parapagim, juristët islam nga medhhebi hanefij këtë kontratë e definuan:[4]Kontratë me prodhuesin për prodhimin e një e sendi të përcaktuar sipas kërkesës së blerësit.[5] Përmes këtij përkufizimi nënkuptojmë se kjo kontratë ka të bëjë me blerjen e një sendi i cili do të prodhohet apo ndërtohet në të ardhmen, e që nënkupton se edhe puna edhe lënda janë të shitësit, sepse po të ishte puna e shitësit e lënda e blerësit, atëherë detyrimisht rangohet në kontratën e mëditjes. P.sh. sikur blerësi të lidhë një kontratë me rrobaqepësin që ti qepë disa rroba që janë të cilësuar në lloj, cilësi etj, atëherë nëse stofi është i rrobaqepësit i cili ekzekuton edhe punën, kjo kontratë quhet kontratë mbi prodhimin (istisna) e nëse stofi është i blerësit kurse rrobaqepësi e bënë punën, kontrata nuk është kontratë mbi prodhimin (istisna) por është kontratë mbi mëditjen (ixhar). Ose rasti tjetër, nëse një person ka bërë kontratë me një ndërmarrje ndërtimtarie që ajo ti ndërtojë një shtëpi, normalisht me kushte dhe parametra të përcaktuara dhe materiali është i ndërmarrjes, atëherë bëhet fjalë për kontratë mbi prodhim- ndërtim, kurse nëse materiali është i pronarit të shtëpisë, atëherë bëhet fjalë për kontratë mëditje-ixhar. Edhe kjo kontratë sikur edhe kontratat tjera të shitblerjes, arrihet përmes ofertës-ixhabit dhe pranimit-kabulit.

Në veprën “el ihtijar li ta’lilil muhtar”[6] të njëjtën e prezanton edhe imam Serahsiju në veprën e tij “el Mebsut” se në mesin e dijetarëve të medhhebit hanefij paraqitet mendimi se kjo marrëveshje mes dy palëve nuk është kontratë detyrimore, por thjesht është vetëm premtim,  që nënkupton se që të dy palët posedojnë të drejtën e zgjedhjes për lidhjen e kontratës në momentin e pamjes së lëndës, mirëpo, mendimi më i vërtetë është se, kjo është kontratë nga e cila pasojnë detyrime për të dy palët kontraktuese, e  jo vetëm premtim.[7]

9.1.Ligjshmëria e kësaj kontrate

Juristët islamë i gjejmë të ndarë në dy mendime sa i përket dispozitës së kontratës mbi prodhimin. Sipas shumicës së dijetarëve islam[8], kontrata mbi prodhimin është e pa vlefshme nëse nuk i plotëson kushtet e kontratës së shitblerjes me parapagim (që i kemi shpjeguar më parë). Rëndësi të veçantë në këtë rast i përkushtojnë detyrimit të pagesës në momentin e lidhjes së kontratës, andaj edhe këtë kontratë e quajnë “kontratë e shitblerjes me parapagim mbi prodhimin

Sipas shumicës së dijetarëve nga shkolla juridike hanefite, kjo kontratë është kontratë e veçantë, që edhe pse kjo kontratë nga aspekti analitik nuk lejohet ngase bëhet fjalë për një kontratë mbi lëndën e cila nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës, ata këtë lloj të kontratës e lejuan dhe e konsideruan të vlefshme, duke u mbështetur mbi parimin e istihsanit[9] sepse analogjia e refuzon këtë lloj të shitblerjes nga fakti se bëhet fjalë për shitjen e lëndës që nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës. Ajo që mund të themi në këtë rast është fakti se shumica e dijetarëve bashkëkohorë[10], në këtë rast përkrahin mendimin e juristëve hanfeij.

Argument ku dijetarët e medhhebit hanefij ndërtojnë mendimin e tyre, janë argumentet e përgjithshme për lejimin e kontratës mbi prodhimin.

Argument nga Kur’ani kemi ajetin kur’anor, ku Allahu xh.sh. thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ أَوْفُواْ بِالْعُقُودِ

“O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)”[11]

Nga ky ajet kur’anor qartë na bëhet me dije se besimtari islam ka për detyrë të zbatojë premtimet dhe marrëveshjet e tij të ndërtuara mbi parimin e dëshirës së tij, e kjo nënkuptonë se kontrata është detyrimore dhe duhet zbatuar normat juridike që dalin nga ajo. Me qenë parimi islam është në çështjet e së drejtës detyrimore (muamelat), çështjet në esencë janë të lejuara, me përjashtim të asaj që ndalohet me tekst, atëherë ndalimi i kësaj kontrate përmes së cilës njerëzit realizojnë interesat e tyre individuale apo kolektive do të konsiderohej ndalim i një sendi të lejuar, e veçmas kur dihet fakti se nuk ekziston qrgument i qartë për ndalimin e kësaj kontrate.

Në anën tjetër, kontrata mbi prodhimin nuk është më vetëm nevojë e njerëzve, por edhe domosdoshmëri për të siguruar gjërat përmes kësaj kontrate, kurse ndalesa e saj shpien drejtë ngushtimit të mundësive dhe shpien drejt vështirësisë, e kjo nuk përputhem me ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ

dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi”[12]

Andaj, mendimi për lejimin e kësaj kontrate, përputhet me rregullat dhe parimet esenciale që shpiejnë drejtë lehtësimit, që nënkupton se ky lejim konsiderohet pezullim i vështirësisë, e veçanërisht kur dihet fakti se nuk ekziston asnjë argument i qartë për ndalimin e kësaj kontrate. E tërë kjo gjykohet sipas parimit se në sferën e së drejtës detyrimore, në parim çështjet janë të lejuara, përveç atyre që ndalohen me tekst[13].

Argument tjetër që dijetarët islamë me të argumentuan ligjshmërinë e kontratës mbi prodhimin, është edhe hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku thotë: Marrëveshjet (pajtimet) janë të lejuara mes muslimanëve, përveç marrëveshjes që e ndalon të lejuarën dhe e lejon të ndaluarën. Muslimanët duhet të qëndrojnë te kushtet e tyre, përveç kushtit që ndalon të lejuarën dhe lejon të ndaluarën”.[14]

Ky hadith është një fundament i fuqishëm që muslimanët në bazë të këtyre kushteve që u përmenden në hadith, të kenë mundësi të bëjnë kontrata të ndryshme, qofshin edhe aso lloj kontratash që nuk kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.

Gjithashtu si argument përdoret edhe praktika shumë shekullore e muslimanëve në të gjitha kohërat të këtij lloji të kontratës, e që disa nga dijetarë islam e konsideruan edhe konsensus praktik këtë veprim.[15] Kjo praktikë nuk ishte si rezultat i mendjes së tyre, por është e ndërtuar mbi të kuptuarit e argumenteve autentike islame, siç është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i transmetuar nga Abdullah b. Omeri i cili ka thënë: i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kishte porositur t’i prodhohet një unazë nga ari, e kur e vendonte në dorë, kokën e unazës e mbante nga shuplaka e dorës, atëherë edhe njerëzit porositën (të prodhojnë) unaza nga ari, e Pejgamberi Alejhis-selam u ngjit në Minber, falënderoi dhe lavdëroi Allahun xh.sh. e në mes tjerash tha: “Unë e pata porositur këtë unazë, por unë nuk e barti më, atëherë edhe njerëzit tjerë i hoqën unazat e tyre.”[16]

9.2. Kushtet e kësaj kontrate

Që kjo kontratë të jetë e vlefshme dhe të ketë validitet, detyrimisht duhet të plotësohen këto kushte që janë:

  1. Përcaktimi i llojit të prodhimit, cilësisë dhe të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me lëndën që do të prodhohet. Të gjitha këto elemente duhet të definohen në kontratën mbi prodhimin, me qëllim që të mos viohet deri te mosmarrëveshja mes palëve. Të gjitha këto elemente konsiderohen kusht i vlefshmërisë së kontratës. Disa nga juristët islam kushtëzojnë që kontrata e tillë të jetë e shkruar me shkrim, për shkak të evitimit të mosmarrëve-shjeve.
  2. Që sendi që do të prodhohet të jetë prej sendeve që i përshkon tradita dhe që njerëzit merren me ta. Ky kusht kushtëzohet që të mos bëhet ndonjë kontratë që nuk mund të prodhohet. Fukahat e vjetër këtë e kanë shembëlluar me prodhimin e mjeteve shtëpiake, mjeteve luftara, siç janë shpatat, armët, anijet etj, e këtë e vërejmë edhe te Mexhel-le adlije që është kodifikuar si ligj në shekullin e trembëdhjetë hixhrij, në pushtetin osman, andaj me këtë mund të bëhen edhe krahasime të lëndëve tjera.
  3. Përcaktimi i afatit. Në këtë rast është interesant mendimi i imam ebu Hanifes i cili thotë se nëse bëhet përcaktimi i afatit të dorëzimit të sendit të prodhuar, atëherë kontrata shndërrohet në kontratë mbi shitblerjen me parapagim[17], dhe duhet plotësuar të gjitha kushtet e kësaj kontrate[18]. Mirëpo dy nxënësit e tij Imam ebu Jusufi dhe imam Muhamedi nuk pajtohen me këtë mendim, që sipas tyre edhe me përcaktimin e afatit, kjo kontratë ngelë kontratë mbi prodhimin e nuk shndërrohet në kontratë mbi shitblerjen me parapagim, sepse sipas këtyre edhe ashtu praktika dëshmon në përcaktimin e afatit. Sipas këtij mendimi edhe veprohet[19] te dijetarët e medhhebit hanefij[20]. Te kontrata mbi prodhimin që pagesa të bëhet menjëherë me lidhjen e kontratës, por ajo mund të bëhet edhe më vonë, po mund të paguhet edhe me këste, për dallim nga kontrata e shitblerjes me parapagim.[21]
  4. Regjistrimi i kontratës. Edhe pse fukahat në kohët më të vjetra, nuk e parashihnin këtë kusht për lidhjen e kontratës së shitblerjes mbi prodhimin, juristët islamë bashkëkohorë regjistrim e shohin si kusht të lidhjes së kontratës, dhe atë pikrëisht për pasur mundësi për zgjidhur problemet evenduale mes palëve. Në regjistrimin e kontratës si zakonisht  bëhet regjistrimi, i palëve kontraktuese, data e lidhjes së kontratës, vendi i kontratës, lënda e kontratës, afati i plotësimit të kontratës, vendi i dorëzimit të sendit të prodhuar, pagesa e saj, dhe çështje tjera që parashihen si elemente plotësuese të kontratës.

Sipas juristëve islam lejohet që në kontratën e shtiblerjes të mund të parashihet edhe ndonjë kusht që quhet kusht ndëshkues, nëse prodhuesi nuk e përmbushë kontratën, respektivisht nëse vonon prodhimin jashtë afatit të përcaktuar në kontratë, si p.sh. të regjistrohet në kontratë se nëse prodhuesi (shitësi) e vonon prodhimin, atëherë për çdo ditë do të ndëshkohet me 100 Euro.[22]

Për në fund, po paraqesim edhe mendimin dhe vendimet e akademisë së Fikhut islam, si institucion i konferencës islamike, që në konferencën e saj të shtatë mbajtur në Xhede- Saudi më datën prej 09-14 maj 1992, ku u dëgjuan dhe debatuan shumë hulumtime rreth kësaj kontarte, dhe solli vendimin nr. 65 (2/7) rreth kontratës mbi prodhimin ku thuhet:

Vendimi i parë: Kontrata mbi prodhimin është kontratë e lejuar, legjitime dhe detyrimore për të dy palët kontraktuese nëse janë plotësuar shtylla e kontratës (oferta ixhabi dhe pranimi kabuli) si dhe kushtet e kësaj kontrate.

Vendimi i dytë: Në kontratë mbi prodhimin kushtëzohen këto kushte:

  1. detyrimisht duhet të shpjegohet, lloji cilësia, sasia dhe të gjitha elementet që ndërlidhen me sendin që do të prodhohet.
  2. Të bëhet përkufizimi i afatit të dorëzimit

Vendimi i tretë: Në kontratën mbi prodhimin, lejohet që pagesa të bëhet kesh, gjithashtu lejohet edhe të ndahet me këste në afate të përcaktuara.

Vendimi i katërt: Lejohet që në kontratën mbi prodhimin të regjistrohet edhe kushti sanksionues nëse palët nuk zbatojnë marrëveshjen dhe për të nuk ka ndonjë imponim.[23]



[1] Dr. Sead  ibni Turki el Hathelani, fikhul muamelat el malije el muasire, f.134. botimi dytë 2012.

[2] Disa nga juristët hanefij janë të mendimit se kjo kontratë fillimisht është kontratë e qirasë, por që përfundon si kontratë e shitblerjes,e  këtë mednim mund ta gjeshë në literaturën hanefite, si vepra, fet’hul kadir dhe Mebsuti etj,

[3] Po aty, f.134

[4] Kjo lëndë në mexhel-le rregullohet me Nenin 124, ku thuhet:Marrëveshja e blerësit me prodhuesin që ti prodhojë diçka”

[5] Dr. Vehbe Zuhejli, muamelat el malije el muasire, f. 303, botimi i dytë 2006 Damask.

[6] Nga Abdullah b. Mahmud b. Mevdud el Musililj el hanefij, 1/295.

[7] El Musilij, el ihtijaru li ta’lëilil muhtar, 1/294, Dr. Vehbe Zuhejli,  el fikhul islami ve edil-letuhu, 4/632.

[8] Të këtij mendimi janë dijetarët nga medhhebi malikij, shafij dhe hanbelij të cilët këtë lloj kontrate e kushtëzojnë ngjashëm si kontrata e shitblerjes me parapagim.

[9] El Musilij, el ihtijaru li ta’lilil muhtar, 1/294, -Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve ediletuhu, 4/632.

[10] Në mesin e dijetarëve bashkëkohorë që përkrahin këtë mendim janë: Mustafa Ahmed Ezerka në veprën e tij “akdul istisna ve meda ehemij-jetuhu fil istithmarat el islamije, muasire”, Abdulkerim el Bedrani, Muhamed Sulejman el Eshkar, Alij Karahdagi, etj, si dhe qëndrimi i akademisë së fikhut në kuadër të konferencës islamike në bazë të vendime që ka sjellë nga konferenca e shtatë mbajtur në Xhede në vitin 1992.

[11] Suretu el Maide : 01.

[12] Sretu el haxh : 78

[13] Dr. Sead ibni Turki el Hathelani, fikhul muamelat el malije el muasire, f.137. botimi dytë 2012.

[14] Termidhiu

[15] Abdullah b. Mahmud b. Mevdud el Musilij el Hanefij, el ihtijar li ta’lili muhtar, 2/294.

[16] Buhariu. në një transmetim tjetër thuhet se Pejgamberi a.s. e barte unazën në dorën e djathtë.

[17] Ky mendim i ebu Hanifes është i regjistruar edhe në Mexhel-letul ahkam el adlije në nenin 389. (shih Alij Hajdari Mexhel-letul ahkam el adlije 1/359

[18] Dr. Vehbe Zuhejli, fihul islami ve ediletuhu, 4/633.

[19] Po aty, f.633

[20] Këtë mendim e kanë përkrahë edhe dijetarët bashkëkohorë, bile e kanë kushtëzuar si kusht detyrimor, për të evituar mosmarrëveshjet. Bile ky është edhe vendimi i Akademisë së Fikhut Islam nga konferenca e mbajtur në Xhede në vitin 1992.

[21] Dr. Sead ibni Turki el Hathelani, fikhul muamelat el malije el muasire, f.138. botimi dytë 2012

[22] Po aty, f.139

[23] Po aty, f.140.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht