Kontrata (el akdu)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Kontrata është marrëveshje apo manifestim i vullnetit të dy ose më shumë personave që kanë për qëllim të ndryshojnë apo formojnë ose të anulojnë një marrëdhënie detyrimore mes tyre.Marrë parasysh faktin se njeriu është qenie sociale, jeton në shoqëri dhe ndien nevojën për njëri tjetrin, atëherë detyrimisht lind edhe nevoja e bashkëpunimit korrekt dhe të sinqertë mes tyre, andaj kontraktimi me të tjerët në çështje të ndryshme jetësore është nevojë imanente e njeriut. Andaj, kontrata është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm i marrëdhënieve të detyrimeve. Me anë të kontratës rregullohen marrëdhëniet e pjesëmarrësve në qarkullimin e mallrave dhe me dhënien e shërbimeve. Pikërisht duke pasur parasysh këto elemente që janë të pa kontestuar, shpallja hyjnore përmes legjislacion hyjnor rregulloi dhe sistemoi këto raporte ndërnjerëzore me qëllim që çdo individ të realizoj të drejtën e tij individuale dhe në të njëjtën kohë të ruhet interesi i përgjithshëm shoqërorë. Duke u nisur nga këto parime, e drejta islame detyron njeriun për zbatimin e marrëveshjeve, apo kontratave që janë arritur me vullnetin e tij pa ndonjë imponim nga jashtë. Këtë imperativ e gjejmë nëpër shumë ajete kur’anore, ku Allahu xh.sh. thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ أَوْفُواْ بِالْعُقُودِ

“O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)[1]. Pastaj ajet:

وَأَوْفُواْ بِالْعَهْدِ إِنَّ الْعَهْدَ كَانَ مَسْؤُولاً

“Premtimin zbatonie, pse për premtimin ka përgjegjësi”.[2] Pastaj ajet:

وَأَوْفُوا بِعَهْدِ اللَّهِ إِذَا عَاهَدْتُمْ وَلَا تَنقُضُوا الْأَيْمَانَ بَعْدَ تَوْكِيدِهَا وَقَدْ جَعَلْتُمْ اللَّهَ عَلَيْكُمْ كَفِيلًا

      “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin[3]

Nga këto ajete qartë vërehet imperativi Kur’anor për zbatimin e kontratës si dhe implementimin e detyrimeve që dalin nga kontrata. Pra këto janë argumente për ligjshmërinë e kontratave.

Në anën tjetër kur hulumtojmë në sunetine Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme si burim i dytë autentik i legjislacionit islamë, gjemë hadithe të cilët vërtetojnë ligjësimin e kontratës. I Dërguari i Allahut al-lall-llahu alejhi ve sel-leme mos zbatimin e kontratës apo tëheqjen nga detyrimet që dalin nga kontrata, e konsideroi si atribut të hipokritëve, që besimtari islam gjithsesi duhet të largohet nga ky atribur. Pejgamberi al-lall-llahu alejhi ve sel-leme thoshte:

آيَةُ الْمُنَافِقِ ثَلَاثٌ إِذَا حَدَّثَ كَذَبَ وَإِذَا وَعَدَ أَخْلَفَ وَإِذَا اؤْتُمِنَ خَانَ

“ Shenjat e hipokritit janë tri, kur flet gënjen, kur premton nuk zbaton, e kur i besohet, tradhton[4]

Në anën tjetër, nisur nga fakti se kontratat që janë nevojë imanente e njeriut gjatë jetës së tij, dhe hynë në grupin e punëve juridike të danshme, por nuk janë të gjitha të një natyre dhe nuk obligojnë të njëjtat detyrime, juristët islamë për të mënjanuar dhe evituar zënkat dhe kontestet mes palëve kontraktuese, për çdo lloj të kontratës në veçanti sqaruan teorinë e saj. Nga kjo nënkuptohet se juristët islamë (fukahat), nuk i kushtuan rëndësi të veçantë themelimit dhe ndërtimit të ndonjë teorie të veçantë që do të përfshinte elementet e përbashkëta të të gjitha kontratave. Mirëpo hulumtuesit duke bërë hulumtime në secilën kontratë në veçanti mund të konstatojnë se teoria e përbashkët e kontratave mund të përfitohet nga hulumtimi në përkufizimin e kontratës, shtylla legale e kontratës, kushtet e kontratës, dispozitat dhe normat juridike që detyrojnë seciën nga palët kontraktuese etj. Ky është principi mbi të cilën edhe sot e kësaj dite funksion e drejta detyrimore në kuadër të së drejtër civile, jo vetëm asaj islame por edhe asaj pozitive.

Nga këtu, konstatohet se principet e përgjithshme dhe të përbashkëta në teorinë e kontratave në të drejtën islame sqarohen përmes hulumtimit të shtatë fushave dhe disiplinave shkencore që janë:

  1. Definimi i kontratës,
  2. Themelimi i kontratës (shtylla legale e kontratës),
  3. Kushtet e kontratës,
  4. Gjurmët, respektivisht detyrimet që dalin nga kontrata,
  5. Llojet e kontratës,
  6. E drejta e zgjedhjes në zgjedhjen e kontratës, dhe
  7. Revidimi apo anulimi i kontratës.

I.1 Definimi i Kontratës

Kontrata në terminologjinë e jurisprudencës islame njihem me nocionit “el akdu”.

Juristët islamë nëpër kohë, nocionin “el akdu”- kontratë, për ta bërë më të qartë, e trajtuan në dy aspekte, fillimisht nga aspekti linguistik e më pas edhe nga ai terminologjik –juridik islam.

Nocioni “el akdu” në aspektin gjuhësor, është infinitivi i foljes “akade” që donë të thotë: besë, premtim, kontratë, marrëveshje, traktat, nyje, lidhje, shtrëngim etj, pavarësisht se kjo lidhje mund të jetë materiale apo vetëm kuptimore.[5] El akdu në aspektin gjuhësor nënkupton edhe bashkimin e dy skajeve të një sendi.

Në të drejtën kontraktuese pozitive terminologjia e përcaktimit të kontratës nuk është unike[6], sepse përveç termit kontratë përdoren edhe termat: konventë[7], traktat[8], pakt[9], dakordim, dhe marrëveshje.

Juristët islam janë të mendimit se kuptimi linguistik i nocionit “el akdu” përfshihet edhe në kuptimin terminologjik të jurisprudencës islame, andaj sipas tyre nocioni el akdu (kontratë) mund të përdoret në dy kuptime, që janë

Kuptimi i përgjithshëm. Kuptimi i përgjithshëm i nocionit “el akdu” është më afër kuptimit linguistik. Në kuptimin e përgjithshëm me këtë shprehje nënkuptojmë “Çdo veprim që ka vendosur njeriu ta bëjë, pavarësisht se veprimi manifeston vetëm vullnetin personal, siç është rasti me shkurorëzimin, apo patjetër në të, të manifestohet edhe vullneti i palës tjetër, siç është rasti me kontratën e shitblerjes, qirasë etj.

Kuptimi i veçantë. Në kuptimin e veçantë që ne do ta kemi edhe objekt të studimit tonë, me nocionin “el akdu” nënkuptojmë: “lidhjen (pajtueshmërinë) mes ofertës dhe pranimit në mënyrë të ligjshme ku vërtetohen detyrimet me lidhjen e saj (kontratës)” ose me fjalë tjera: lidhja, harmonizimi mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar dhe detyrimet vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate.[10]

Nga ky përkufizim i juristëve islam nënkuptohet se parashtrimi i ofertës dhe pranimit janë shprehje për me së cilave reflektohet vullneti i dy palëve kontraktuese nga individë që posedojnë aftësi juridike. Pra çdo shprehje që nuk reflekton vullnetin e lirë të dy palëve, por sinjalizon në imponim nga ndonjë faktorë i jashtë, eliminon legjitimitetin e kontratës. Juristët islam në këtë definicion, qartë na e bëjmë me dije se reflektimi i vullnetit apo dëshirës që manifestohet përmes ofertës (ixhabit) dhe pranimit (kabulit), patjetër të ketë mbështetje ligjore, ngase çdo pajtim dhe dëshirë patjetër të jetë e ligjshme në esencë, ngase kontrata nuk mund të jetë legjitime edhe nëse arrihet marrëveshje mes dy palëve për të bërë një krim që ligjërisht është veprim i ndaluar, si p.sh. dy palët apo më shumë të bëjnë një marrëveshje për vjedhje, apo vrasje. Edhe kjo në një mënyrë është një lloj kontrate- marrëveshje, por është e pa ligjshme dhe nuk mund që nga kjo marrëveshje të dalin detyrime konkrete.



[1] Suretu el Maide : 01

[2] Suretu El Isra : 34

[3] Suretu En-Nahl : 91

[4] Sahihul Buhari

[5] Sulejman Tomçini, Fjalor Arabisht-shqip, Isituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2009, Muhamed Revas Kal’axhi dhe Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara Arabij-inglizi, daru en-nefais, botimi dytë 1998, Bejrul-Liban

[6] Dr.sc.Nerxhivane Dauti, E drejta kontraktuese – praktikum-,Universiteti i Prishtinës, Fakulteti juridik –Prishtinë, 2003.

[7] Termi konventë (convention ) përdoret si sinonim i termit kontratë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve kur lidhen konventa të ndryshme për rregullimin e çështjeve midis dy apo më shumë shteteve, .(shih Dr. Nerxhivane Dauti f.17)

[8] Traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit ndërmejt shteteve me qëllim të ndryshimit ose të ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. (po aty).

[9] Fjala pakt sot përdoret më së shumti për të drejtën ndërkombëtare, edhe pse në të drejtën romake përdorej për kontratën mes dy e më shumë palëve mbi bazën e vullnetit të tyre. Paktet janë marrëveshje shumë solemne që u referohen çështjeve të ndryshme politike. (po aty)

[10] Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu 4/80. Darul Fikri. ( neni 1003-104 nga Mexhel-le el ahkamul adlijeti , red-dul muhar, Ibni Abidin 2/355.)

Lini një Përgjigje