Opinione

Kriza e identitetit religjioz në botën bashkëkohore

Autor: Nexhat Ibrahimi
Burimi: zeriislam.com

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli deri sa ata nuk e ndryshojnë vetveten.” (Err-Rra’d, 11).

1. Religjioziteti i redukuar si shprehje e krizës së identitetit religjioz
Tashmë një kohë të gjatë njeriu është përshkuar me krizën e vlerave universale sikur që janë e mira, bukuria, bujaria, moralja, trimëria, nderi e të tjera, e cila shkon paralel me materializmin e përgjithshëm të botës në të cilën jetojmë. Këtë krizë, filozofi i njohur francez, Rene Guenon[1] e quan krizë të intelektualitetit të mirëfilltë. Kritika e tij nuk zë fill në atë që dituria dhe filozofia tashmë e kishin arritur, as në atë që nuk e kishin arritur (me mitet shkencore të pasendërtuara të shekullit XIX-XX), por në redukciozmin e tyre, në ndarjen nga natyra (physis) dhe në përfundimin në një lloj të mythosit. Me fjalë të tjera, për shkak të mungesës së parimeve metafizike, respektivisht për shkak të humbjes së lidhjes me parimet e rendit më të lartë (çlirimi nga metafizika tradicionale në favor të metafizikës së njeriut të lirë[2]), ai flet për botën me baraspeshë të rrënuar e cila formon njeriun paranoid, neurotik dhe agresiv.

Në çka manifestohet kriza e religjionit dhe e religjiozes në botën moderne? Pikërisht në ndarjen dhe kundërthëniet e të shenjtes dhe profanes, respektivisht në rrënimin e tërësisë së fenomenit religjioz. Kjo ndarje, ky relativizim i religjionit nuk fillon me racionalizimin e përgjithshëm të shoqërive moderne, siç mendohet, por me Toma Akuinin dhe ndarjen e tij strikte të arsyes dhe ndjenjave, që në fund rezultoi me reduktimin e religjiozes. Toma nën ndikimin e filozofëve muslimanë, sidomos të Ibn Rushdit, në mendimin teologjik të skolastikës, e futi edhe kategorinë e dijes racionale. Mirëpo Toma duke e konceptuar gabimisht domethënien e mendjes islame (akl), e futi traditën evropiane në kundërthënie serioze të asaj “besoj” dhe “dij”, të panjohur për filozofët dhe teologët muslimanë klasikë. Idealizmi gjerman këtë racionalizim dhe redukcioinalizim të religjionit do ta thellojë edhe më tepër me pohimin se Zoti nuk depërton në njohjen empirike të njeriut, për shkak se Hegeli në kritikën e tij të Schleirmacherit radikalisht do të mohojë çdo mundësi të përjetimit empirik të fesë. Sipas tij, ndjenjat asgjë nuk dëshmojnë. Ata janë dykuptimorë, për këtë arsye përjetimet vetjake religjioze gjithnjë dhe kudo duhet të mbahen për vete. Me këtë religjioni bëhet jo vetëm çështje racionale, por edhe çështje private e çdo individi. Pastaj pason scientizmi në shekullin XIX, ku çdo gjë dëshirohej të shpjegohet shkencërisht.

Konceptimi i religjionit si çështje private të çdo individi do të përfundojë në forma të ndryshme të religjiozitetit të joartikuluar, difuziv dhe subjektiv të periudhës së postmodernes dhe se në këtë “redukcion të dyfishtë” zë rrënjë çdo mendim i shekularizuar mbi irrelevancën e religjionit në shoqëri. Në këtë, por edhe format tjera të religjiozitetit legalitarist dhe gnostik, ka ardhë deri te ngushtimi i tepërt i fenomenit religjioz sepse përvoja e përgjithshme e religjionit dhe forca e tij dinamike, është tentuar metodologjikisht të redukohet ekskluzivisht në një dimension të tij, me çka është kaluar në një naturalizëm religjioz (ku fesë i merret karakteri i shenjtërisë, forca e saj mbinatyrore transformohet në natyrore, për të përfunduar në misticizmin religjioz, ku feja paraqitet si forcë e cila nuk ka kurrfarë kontakti me jetën reale.

Kjo metodologji e konceptimit të fesë ka sjellë deri te humbja e leximeve më të thella ezoterike dhe simbolike të Kur’anit, kurse simbolizmi është mënyra më e përshtatshme e manifestimit të të vërtetave të amshueshme religjioze dhe metafizike. Me këtë veprim humbën forcën dinamike të religjionit e cila ndikon në ndryshimet e përhershme brenda njeriut …[3].

… Gjatë kësaj periudhe religjioni është redukuar deri në atë masë sa që është konsideruar vetëm si një apo mezi si një dukuri shoqërore sikur edhe shumë të tjera që përbëjnë tërësinë e rendit shoqëror.

Mirëpo, me ndryshimet në kulturën e botës bashkëkohore para fundit të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, religjioni përjeton transformim serioz, ai nga religjioziteti shoqëror i redukuar kalon në planin           individual-subjektiv, i cili hapë procesin e krizës serioze të institucionit religjioz dhe krizës së formave tradicionale të religjiozes.

2. Perceptimi modern i nocionit ‘të religjionit’ & religjioziteti i ri apo i ndryshuar

Pa marrë parasysh se në shekullin XX është folur shumë për eklipsën (zhdukjen) e të shenjtës në shoqërinë bashkëkohore dhe për pasojat për shoqërinë bashkëkohore, religjioni dhe religjiozja, me krizën e kulturës shekullare dhe krizën e religjionit institucional (kishtar), sërish do të hyjë në skenën historike. Është me rëndësi të ceket se me ndryshimin e rrethanave shoqërore, politike dhe religjioze (kishtare) në fund të shekullit XIX dhe në fillim të XX, ngadalë po ndryshon opinioni i intelektualëve evropianë kundrejt fenomenit të shekullarizmit.[4]

Përkundër disa lëkundjeve të shekullarizmit gjatë luftës së parë botërore, pas luftës së dytë botërore shekullarizmi u stabilizua në mesin e filozofëve, sociologëve dhe teologëve evropianë. Intelektualët evropianë më nuk e shihnin problemin e religjiozitetit si të huaj dhe të papajtueshëm me kristianizmin dhe me religjionet e tjera. Shohim kthimin, ringjalljen e të shenjtës, por jo në formën e vjetër, konvencionale dhe tradicionale, por në formën e “religjiozitetit të ri”, lëvizjeve të reja “karizmatike” të botës postmoderne të përqëndruara në vlerësimin e përvojës individuale religjioze, që dëshmon se njeriu vazhdimisht bartë në vete gjurmat e religjiozes (kongjenitale) dhe se ajo, të cilën njeriu përpiqet ta hedhë, gjithënjë dhe çdo herë rishtazi e pushton në ndonjë formë të re.

Mirëpo, për këtë religjiozitet të ri apo të ndryshuar në botë tashmë një kohë të gjatë flitet haptazi dhe seriozisht. Te ne shqiptarët (sidomos në Kosovë) për këtë ende heshtet, si për shkak të mentalitetit ashtu edhe për shkak të paaftësisë dhe papjekurisë të teologëve, sociologëve dhe filozofëve tanë që të kapen për fenomenin që do të ndikojë në zhvillimin dhe profilizimin e shoqërisë shqiptare dhe rajonale në ardhmëri.

Nëse religjioni dhe religjiozja kundrohet në kulturën moderne dhe postmoderne, dëshiruam ne apo jo, duhet të kihet parasysh një spektër i gjerë i ndjenjave religjioze, pastaj indiferentizmi religjioz, redukcionizmi apo relativizmi doktrinar religjioz deri te religjioziteti i ri i paartikuluar, difuziv dhe subjektiv, karakteristik për fenomenin e New Age. Rezultati i këtyre dy trendeve të ideve dhe mirësjelljeve që vijnë nga modernja dhe vazhdojnë drejt postmodernes, idetë e të cilave fuqishëm do të ndikojnë në religjion në kuptim të përformulimit të tij. Fjala është për individualizmin dhe pluralizmin.

Me individualizmin institucionet tradicionale religjioze bijnë në krizë të thellë, në dobësimin e autoritetit tradicional, sepse fenomeni religjioz zë fill ekskluzivisht në dëshmimin individual të bindjeve fetare, e jo në bazë të përkatësisë këtij apo atij institucioni religjioz. Fjala është për mentalitet të ri, i cili ka humbur ndjenjën për idealet e shoqërisë moderne sikur janë kombi, shteti, politika, solidariteti, shekullariteti etj. Përkundrazi, kërkesa për pak lumturi njerëzore të njeriut të dëshpëruar në mitet e parealizuara të shekullit XIX dhe XX (shkenca dhe teknika) është para çdo institucioni dher ideologjie. Ky mentalitet, madje edhe te ne në Kosovë e në tokat shqiptare, po manifestohet në disa forma të artit postmodern, të themi në muzikë, ku është stërtheksuar personaliteti i njeriut dhe liria e tij e fituar. Të tillët janë njerëz religjiozë, me vathë, hallka e xhufka flokësh në kokë, të cilët vizitojnë xhamitë dhe falen. Ata kanë vizionin e vet mbi botën dhe vlerat e saj. Ata këtyre vlerave ia nënshtrojnë parimet tradicionale dhe universale të përbashkësisë, solidaritetit dhe kujdesit ndaj tjetrit. Kjo shpie deri në dobësimin e ndjenjës së përkatësisë grupit shoqëror ose institucionit religjioz. Përvoja vetjake dhe feja e jetësuar fitojnë epërsi kundrejt fesë institucionale dhe normative. Transformimi religjioz njerëzor nga religjioziteti shoqëror (i redukuar dhe i selektuar) në religjiozitetin subjektiv sjell krizën e religjiozotetit institucional dhe me këtë fenomen hap krizën e përkatësisë eksplicite e më pak implicite të përkatësisë religjioze dhe identitetit religjioz.

Ngjashmëria e individualizmit është pluralizmi i postmodernes. Njeriu kësisoji i lirë dhe i pavarur në mendim dhe mirësjellje ka mundur t’i realizojë ëndërrat e veta vetëm në pluralizmin i cili nënkupton tubimin e disa individëve të pavarur, të cilët nuk i përngjajnë xhematit apo umetit musliman apo ekuivalentit kristian, dhe me këtë proces hapet procesi i multilateralizmit[5]. Këtij fenomeni nuk po i shpëton as feja islame, edhe pse mbase më pak se të tjerët. Injorimi i këtij problemi nga teologët apo refuzimi si problem ekzistues tregon se:
– Jemi të papërgatitur për t’u preokupuar me këtë problem shumë serioz
– Ende nuk kemi analizuar rrethanat religjioze në bashkëkohësi, e të cilat po godasin në praktikën e besimtarit tonë, në njohjen, praktikën dhe identitetin religjioz.

Sot asnjë studiues serioz i shoqërisë moderne nuk mund të pohojë bindshëm se shekullarizmi dhe desakralizimi i botës domosdoshmërisht nënkupton edhe refuzimin, zhdukjen absolute të religjionit si të tillë, por nënkupton krijimin e një mentaliteti të veçantë religjioz në bazë të sistemit krejtësisht të ri të vlerave etike, estetike dhe aksiologjike, por edhe religjioze.

Po ashtu, shekullarizmi në vende të caktuara ka nxitur edhe efekte tjera: lëvizjen antishekullariste, revivaliste, si protest kundër profanitetit të tepruar të botës por edhe si protest kundër institucioneve tradicionale religjioze, për shkak të kompromiseve të tepruara me mentalitetin shekullarist. Për këtë arsye, Hans Kung do të pohojë se në kishën katolike në shekullin XVIII e pas, për shkak të ndarjes jokritike të të shenjtës dhe profanes, si pasojë se desakralizimit të diturisë, shtetit, politikës etj., në botën kristiane, për dallim prej botës muslimane, erdhi deri te problemet e shumta të botës bashkëkohore (promiskuiteti, homoseksualiteti, narkomania etj.).

Mund të përfundojmë se tërheqja e religjionit në “sferën private” të jetës, jo në kuptimin komunist, por në atë kulturor, dalëngadalë po depërton edhe në shoqërinë tonë, kurse bashkësia islame dhe bashkësitë tjera fetare do të gjendet në shënjestër të sulmeve të rrepta të xhematit të vet.[6]

3. Modelet e mundshme për kapërcimin e krizës
Duhet theksuar se muslimanët, pra edhe ne në Ballkan, jetojnë në botën të rregulluar në mënyrë shekullariste, shekullariste humaniste (jo ateiste), të kulturës e cila me të arriturat e veta ka ndikim të madh në lëvizjet globale botërore.

Në botën e këtillë të rregulluar, muslimanët tashmë një kohë të gjatë gjenden në një lloj çarjeje ndërmjet tradicionalitetit dhe modernitetit, religjiozitetit tradicional dhe individual. Respektivisht, ata gjenden ndërmjet traditës islame të trashëguar, të pajetë, statike dhe jointelektuale, respektivisht ndërmjet traditës normative islame dhe kërkesës për orientimin e saj drejt të arriturave qytetëruese të botës aktuale. Shtrohet medoemos pyetja: a mund të koekzistojnë së bashku këta dy tipe të religjiozitetit, a mundet islami si Ligj i pandryshueshëm të koekzistojë me modernizmin dhe postmodernizmin, fryma dhe shpirti i të cilëve ndërron nga dekada në dekadë. A është i domosdoshëm dhe i mundshëm transformimi funksional i religjionit (religjioziteti në shekullaritet) dhe a është e mundur fare që në vlerat tradicionale, por edhe në ato moderne, strukturalisht të krijohet një paradigmë botërore, e re, në kuptimin shpirtëror, intelektual dhe qytetërues, me të cilën do të ishin të kënaqur së paku relativisht të gjithë njerëzit në botë?

Përgjigjja është e vështirë dhe komplekse dhe ne do të kënaqemi duke ofruar disa ide për përsiatje.

Dy realitete për të cilat duhet përsiatur janë botërorja (shekullarja) dhe islami. Me nocionin botërore (shekullare) nuk mendojmë në një kulturë shekullare, por në një botë objektive natyrore e cila zë fill në vetë themelet e devotshmërisë dhe universumit, fotografisë së botës islame. Islamit nuk i pengojnë ligjet natyrore, në të cilën insistojnë përfaqësuesit e modernizmit. Për këtë arsye një numër i intelektualëve muslimanë këmbëngulësisht refuzon mundësinë e jetesës së islamit në botën e sotshme shekullare, sikur kjo botë të ishte e huaj për muslimanët. Përse të mos pranohet se botërorja dhe islami janë po e njëjta gjë, që nuk është rast për kristianizmin dhe traditat tjera fetare. Përse mos të themi se sot, momentalisht, është më i pranueshëm dhe më kuptimplot islami i manifestuar në formën subjektive, e më pak në formën institucionale dhe normative, se islami sot është më i mundshëm të jetësohet si liri individuale, e cila përndryshe është vetë esenca e devotshmërisë islame. Sepse, besimi nuk trashëgohet nga muxhtehidët, por fitohet, meqë besimi nënkupton përvojën vetjake të Zotit, Pejgamberit të tij, librave të Tij, Ditës së gjykimit etj., përvojën e cila në vete përmban lidhjen më të thellë dhe më të rafinuar të individit dhe Zotit, respektivisht dimensionin afektiv, kognitiv dhe veprues.!

Fesë, në këtë mënyrë të perceptuar, i korrespondon personaliteti dhe individualiteti i njeriut postmodern. Nëse institucionet janë në krizë të thellë, përse atëherë mos t’i ruajmë gjeneratat e njerëzve të rinj, të cilët për institucione nuk kanë afinitet. A nuk është shpallur feja për ta, e jo ekskluzivisht për institucionet!?

Për këtë arsye, mbase është koha më e përshtatshme të fillohet me riorganizimin e shkallërishëm të bashkësive fetare islame, të cilat edhe ashtu në organizimin e tyre më shumë u përngjajnë formave të organizimit politik e kishtar. Kaloi koha kur Bashkësia Islame qe mbyllur (në kohën e komunizmit); është koha për hapje. Ky proces është i domosdoshëm, sepse, dëshiruam ne apo jo, ai do të zhvillohet. Me këtë nuk dëshiroj të them se institucionet janë të panevojshme dhe të tepërta. Përkundrazi, mendoj se ato janë shumë të nevojshme, por në rolin e serviseve, orientuesve që do të krijojnë kushte profesionale dhe teknike për zhvillimin individual intelektual dhe moral të muslimanëve, të deklerikalizohen, d.m.th. që në punën e tyre të marrin pjesë të gjithë muslimanët e aftë, e jo vetëm hoxhët dhe haxhinjtë. Me këtë potez do ta zbutnim jazin e thellë ndërmjet inteligjencës botërore islame dhe dijetarëve islamë.

Këtë e them për arsye se islami vitalitetin e vet para shekullarizmit agresiv e ka ruajtur pikërisht duke iu falënderuar theksit të fuqishëm të fesë individuale, natyrore dhe ekzistenciale, e cila është në bazat e identitetit  islam për dallim prej kristianizmit, i cili është më tepër i orientuar institucionalisht dhe dogmatikisht. Për këtë arsye, si rezultat të kësaj gjendjeje kemi një numër të madh organizatash fetare që nuk janë të lidhura as me Vatikanin as me Kishën anglikane. Duke iu falënderuar besimit (el-iman) dhe ritualeve (el-ibadat) islami më me sukses se kristianizmi e ka ruajtur tërësinë e vet nga sulmet shekullariste në shekujt e fundit, e sidomos në kohën moderne.

Mendoj se sot muslimanët, përkundër perceptimit dhe miratimit ideologjik dhe normativ të islamit, në të cilat insistojnë shumë grupacione në botën islame, muslimanëve sot iu nevojitet islam personal, i jetësuar, i cili do të jetë më i pjekur dhe më madhor shpirtërisht, moralisht dhe intelektualisht. Njeriu aktual, në botën kësisoji pluralisht të strukturuar nuk mund të bindet me arsye e shkaqe dhe arsyet apo argumentet ‘racionale’ kaherë e kanë humbur çdo kuptim të mundshëm. Në vend të kësaj, duhet insistuar në mirësinë, e cila është inherente për islamin dhe me të cilën mund të cytet secili të mendojë për jetën e tij personale. Mirësia, nderi, bujaria, bukuria religjioze janë ardhmëria e botës postmoderne. Duke e ndërruar veten në ballafaqim me botën moderne dhe tashmë me mentalitetin tejet sensibil të njerëzve të rinjë modern, mbase muslimanët do të ndikojnë që edhe të tjerët të ndryshohen, e që krahas kësaj mos ta humbin lirinë e tyre personale.

Pegagogët dhe edukatorët muslimanë në individualizmin e theksuar të njerëzve modernë duhet parë përparësinë e madhe dhe shansin e madh. Sepse, të pakënaqur me organizatat e tyre fetare dhe me shekullarizmin e tyre tashmë evident, ata përmbajtjet mistike, empirike dhe përjetuese religjioze po përpiqen t’i gjejnë në format e reja të përvojës religjioze. Kështu edhe qëndron përgjigjja përse një numër i intelektualëve perëndimorë me vite i kthehen religjionit më së shumti nëpërmjet përmbajtjeve ezoterike lindore: sufizmit islam dhe traditës filozofike lindore.

Mendoj se duhet krijuar paradigmë të atillë të perceptimit islam, e cila çdo të arritur pozitive të qytetërimit perëndimor do të mund ta absorbojë dhe ta ndërtojë atë brenda pikëpamjes vetjake. Ndër këto është edhe personaliteti i njeriut, pjekuria dhe individualiteti i tij personal, liria e tij, e cila një kohë të gjatë qe ngatërruar në religjionin eklektik të Evropës. Me këtë nuk mendojmë se në postmodernë çdo gjë është e shkëlqyeshme. Jo, edhe kjo, sikur ato më herët kanë dobësitë e mëdha. Vetmia e njerëzve në kohën e komunikimit më të përsosur, rritja e egoizmit dhe ikja në narcizëm, mendjemadhësia, dëshpërimi do ta sjellin në pikëpyetje botën dhe individualizmin dhe pluralizmin e saj. Edhe pse në shikim të parë njeriu jeton më lirshëm dhe më mirë, ata kalojnë nëpër krizë të thellë të brendshme të identitetit, duke ndier nevojën për përbashkësi, shoqërim, ngrohtësi njerëzore.

Nuk mendoj, sikur Fukuyame[7], se ky qytetërim është i përkryer, ideal, dhe se paraqet apogjenë e gjeniut krijues, por mendoj se muslimanët duhet t’i shfrytëzojmë vlerat pozitive të cilat po zhduken para kulturës së argëtimit, show biznesit, kotësisë, komunikimit bosh elektronik dhe vizualizimit të diturisë etj.

Islami e ka këtë forcë absorbuese dhe integrimi dhe këtë forcë të tij e dëshmon gati çdo vepër klasike nga teologjia, filozofia, dituria, gjuha, arti, historia natyrore etj. Klasikët e kuptuan drejt porosinë kur’anore se nuk duhet ikur nga ndodhitë historike, por duhet ballafaquar me historinë dhe ndikuar në rrjedhën historike.

Është më se e qartë se muslimanët duhet pranuar diturinë dhe teknikën, zhvillimin teknologjik, sepse fryma diturore respektivisht shkencore as nuk është as që mund të jetë kundër islamit, përkundrazi, mund të cekim pa ngurrim se absolutisht është më afër islamit se sa kristianizmit. Mirëpo, krahas pranimit të diturisë duhet të angazhohen edhe në demistifikimin e botës dhe njeriut, duke ua kthyer atyre shenjtërinë, kurse arsyen duhet vënë në lidhjen më të ngushtë me intelektin dhe shpalljen hyjnore, prej të cilave kaherë qe larguar, repsektivisht qe tëhuajësuar. Bota moderne dhe qytetërimi i saj duhet kuptuar seriozisht, jo si armik, por si realitet, domosdoshmëri dhe sfidë të madhe, si partnerë në raportet me botën islame. Kështu vepruan klasikët muslimanë me Greqinë e vjetër dhe qytetërimet tjera, duke mos i shpallur për armikë por si partnerë me të cilët duhet hyrë në dialogë seriozë.

Bota moderne dhe të arriturat e saj teknike, të cilat sot i përdorin muslimanët në Arabi, Egjipt, Pakistan, Kosovë, Turqi, Malejzi nuk të refuzohen dhe kontestohen paraprakisht. Muslimanët, me apo pa dëshirën e tyre, po marrin pjesë në ndërtimin e kësaj bote. Kjo periudhë nuk mund të ndërrohet me ndonjë periudhë tjetër, ne nuk mund të kthehemi në epoka para nesh, sikur në atë të Medines apo në epoka të tjera të frytshme. Atyre mund t’u kthehemi në kuptim të ripërtëritjes së kujtesës, të parimeve, që është esenca kulturologjike e Traditës.[8] Me këtë fakt muslimanët duhet të ballafaqohen seriozisht.

Për këtë arsye, në bashkëpunim me rrymat pozitive brenda Modernes, njerëzit religjiozë, muslimanët, duhet me durim dhe këmbëngulësisht të ndërtojnë paradigmë tjetërfare të botës, në të cilën, në skenë historike sërish do të hyjë njeriu i dinjitetshëm me prejardhjen e tij mbinatyrore dhe misionit të tij të lartësuar në këtë botë.

Në këtë gjendje të re është e qartë se religjioni nuk do t’i ruajë të gjitha funksionet e tij të deriatëhershme, por do ta ruajë rolin e tij ndërmjetësues në kuptim, në mbjelljen e normave morale dhe mbi to sakralizimi dhe transformimi i shkallërishëm i botës. Me këtë substanca religjioze e islamit do të rilindet dhe do të dinamizohet dhe me këtë njeriu modern do ta fitonte shansin të mbijetojë dhe të fillojë të jetojë me jetë te qenies e cila është krijuar për amshueshmëri. Së paku për një periudhë të caktuar kohore.

Përfundim
Në kulturën moderne shekullare religjioni qe redukuar në çështje private të çdo individi, që solli deri te kriza e relevancës dhe deri te kriza e identitetit.

Mirëpo, me rënies e të shenjtës, me dëshpërimin në mitet, utopitë dhe ideologjitë e shekullit XIX dhe XX, me dëshpërimin me qytetërimet materialiste dhe konsumiste, me dobësimin e religjioneve konvencionale institucionale, jemi dëshmitarë të interesit të zgjuar për përjetimin subjektiv, individual, vetjak dhe të drejtpërdrejtë të Zotit.

Nëse shqiptarët dëshirojnë që barabarësisht të marrin pjesë në ndodhitë botërore, duhet të edukojë teologë, intelektualë dhe ekspertë të atillë të cilët do të dijnë të integrojnë në pikëpamjet e tyre çdo gjë që është pozitive në përvojën aktuale botërore, në çka bën pjesë edhe parimi i  personalitetit dhe individualitetit të njeriut modern, në të cilin duhet futur vlerat etike, estetike dhe aksiologjike të islamit, nga të cilat njeriu modern gjatë kohë qe i privuar.[9]

P.S.: Punimi nuk mund të botohet pa leje me shkrim të autorit.

Referencat
[1] Rene Guenon, Kriza e botës bashkëkohore, Gjilan, 1997.
[2] Mendimtarët e ndërgjegjshëm dhe përgjegjës në Perëndim sot gjithnjë e në mënyrë më kritike flasin për diturinë moderne dhe dijetarët modernë sekularistë, sepse tejet armiqësisht sillen ndaj botës natyrore. Raporti i tyre eksploatues ndaj botës është konsekuencë logjike e perceptimit se njeriu nuk është përfaqësues i Zotit në tokë, siç na mëson metafizika tradicionale.
[3] Për simbolizmin dhe alegorinë në Kur’an shih në përkthimin dhe komentin e Kur’anit: Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, Sarajevë, 1425 h.g./2004, fq. 1019-1022.
[4] Syed Muhammad Naquib al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003.
[5] Multilaterilizmi – raporti dhe dakordimi i disa palëve me të cilën rregullohen çështje të caktuara.
[6] Kriza e institucionit fetar islam në tokat shqiptare është vetëm një segment dhe faza e parë e këtij trendi.
[7] Shih: Frensis Fukujama, Kraj istorije i poslednji covek, Podgorica, 1997.
[8] Shih: F. Karcic, Islamsko pravo, Sarajevë, 1987.
[9] Teksti i sipërm është më tepër përfolje (e më pak qasje origjinale) e tezave të prof. dr. Adnan Silajxhiq, profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajavë, në prezantuara në: Adnan Silajdzic, Kriza religijskog identiteta u danasnjem svijetu, Sarajevë, 2004, fq. 32.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht