Kujt nuk i takon zeqati dhe sadakaja e fitrit?

Autor: Jusuf Zimeri

Personat të cilët nuk kanë të drejtë në zeqatë janë:

1. Jomuslimani

Zeqatë nuk mund t’i jepet jomuslimanëve dhe ngjashëm me to siç janë ateistët, murtedët etj, sepse nga kushtet e zeqatit është që ti jepet muslimanit. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur i kishte thënë Muadhit:
”Informoj ata, se All-llahu xh.sh. ka bërë obligim atyre (myslimanëve) dhënien e zeqatit, merret nga të pasurit e tyre (muslimanëve) dhe u jepet të varfërve të tyre (muslimanë).[1]

Sipas mendimit të imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhammedit[2] lejohet që jomyslimanit t’i jepet sadakë vullnetare që nuk është obligative. Argument ku mbështet ky mendim është ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh ka thënë:
إِن تُبْدُواْ الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ وَإِن تُخْفُوهَا وَتُؤْتُوهَا الْفُقَرَاء فَهُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ وَيُكَفِّرُ عَنكُم مِّن سَيِّئَاتِكُمْ

“Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat”.[3] Nga ky ajet nënkuptohet se dhënia e zeaqtit dhe sadekave lejohet tu jepet të varfërve pa dallim feje, porse hadithi i Muadhit r.a. e veçoi dhe ndaloi dhënien e zeqatit jomuslimanëve, kurse çështjet tjera ngelën sipas këtij ajeti. Nga ky mendim Imam Ebu Hanifja përjashto jomuslimanin i cili është në luftë apo pa marrveshje paqe me muslimanët sepse dhënia e sadekasë atyre don të thotë ndihmë për ta kundër muslimanëve. Mirëpo dhënia e sadekasë jomuslimanëve që jetojnë në shtetin islam, nënkuptonë mirësinë tonë ndaj tyre, e për këtë nuk jemi të ndaluar sipas islamit. Allahu xh.sh. ka thënë:
لَا يَنْهَاكُمُ اللَّهُ عَنِ الَّذِينَ لَمْ يُقَاتِلُوكُمْ فِي الدِّينِ وَلَمْ يُخْرِجُوكُم مِّن دِيَارِكُمْ أَن تَبَرُّوهُمْ وَتُقْسِطُوا إِلَيْهِمْ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ

“All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë”[4]

2. Personit i cili ka mundësi të punojë dhe fitojë

Dijetarët janë unikë në mendimet e tyre se personi i cili është i shëndoshë dhe ka mundësi të punojë, por nuk punon, atij nuk i jepet zeqatë. Urtësia e kësaj është që islami të luftojë njerëzit parazitë, e për këtë vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë: Zeqatë nuk lejohet për të pasurin dhe për atë i cili është i aftë për punë.”[5]

Mirëpo dijetarët janë të mendimit se njeriu i cili mundohet të punojë, por nuk gjen punë, ose punon por rroga e tij nuk i mjafton për familjen e tij, atëherë mund ti jepet zeqatë.

3. Zeqati nuk i takon: prindit, gjyshit, nënës, gjyshes, e gjithashtu nuk i takon edhe pasardhësve siç janë djali, djali i djalit, nuk i jepet vajzës, edhe nëse janë jetimë, kurse fëmijëve të vajzë u takon zeqatë. Gjithashtu nuk lejohet që bashkëshorti t’i japë zeqatin bashkëshortes dhe anasjelltas.[6]

4. Zeqatë nuk i jepet të pasurit i cili ka pasuri me vlerën e nisabit, sepse Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Nuk i jepet zeqatë të pasurit”.

Nëse dikush i ka dhënë zeqatë dikujt duke menduar se është i varfër, pastaj është vërtetuar se është i pasur, ose i ka dhënë duke menduar se është musliman e pas vërtetohet se ai nuk është musliman, ky zeqatë nuk duhet të përsëritet, sepse kjo çështje ngitet mbi bazën e përpjekjes (ixhtihadit) së gjetjes së vendit më adekuat për dhënien e zeqatit. Mirëpo nëse dhënësi i zeqatit nuk ka bërë përpjekje fare për të gjetur vendin e merituar për dhënien e zeqatit, e më pas shfaqet kjo çështje, atëherë duet përsëritur dhënien e zeqatit.

5. Zeqati nuk i jepet fëmijës dhe të sëmurit psikik, respektivisht nuk i dorëzohet fëmijës apo të çmendurit, por përgjegjësve të tyre.

6. Zeqati nuk i jepet familjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Dhe fisit të tij. Sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe Imam Malikut,[7] fisi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme konsiderohet fisi Beni Hashim[8], sepse ata marrin një pjesë të pasurisë nga plaçka e luftës. Kohëve të fundit shumica e dijetarëve islamë kanë dhënë fetvan se atyre u takon tu jepet zeqati, meqë atyre u është ndalë e drejta e marrjes së një pjese nga plaçka e luftës, e ky mendim gjithashtu bazohet në mendimin e Imam Ebu Hanifes dhe disa dijetarëve nga medhhebi shafij dhe malikij.

Referencat
[1] Buhariu
[2] Imam Ebu Jusufi dhe Imam Zuferi nga medhhebi hanefij janë të mendimit se nuk lejohet dhënia e sadekave jomuslimanëve, dhe atë duke u mbështetur në analogjinë me zeqatin.
[3] Suretu El Bekare:271
[4] Suretu Mumtehin : 08
[5] Ebu Davudi.
[6] Imam Shafiu si dhe Imam Ebu Jusufi si dhe Imam Muhamedi nga shkolla juridike hanefite janë të mendimit se bashkëshortja e pasur ka të drejti ti japë zeqatë bashkëshortit i cili është i varfër, sepse ajo nuk ka për obligim furnizimin e bashkëshortit.
[7] Imam Shafiu është i mendimit se fisi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. është fisi Beni hashim dhe beni Mutalib.
[8] Sipas Ebu hanifes fisi beni Hashim janë: familja e Abasit, familja e Aliut, familja e Xhaferit, Familja e Ukajlit dhe dhe djemt e ebu Talibit.

Shkrime të ngjashme