Pyetje-Përgjigje

Kur bëhet dhikri, para suneteve apo pas tyre?

Pyetja:
Esselamu alejkum! Profesor i nderuar, kam disa shokë dhe ata tespihet i bëjnë, menjëherë, pasi që ta përfundojnë faljen e farzit, ndërsa unë, i bëjë pasi që t’i përfundojë edhe namazet sunete. Pra, desha të di se, cila formë është më korrekte?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahium

I nderuar, lutjet dhe tesbihët të cilët bëhen pas faljes së namazit, sipas medh’hebit hanefi mund të bëhen menjëherë pas farzit nëse pas tij nuk ekziston sunet, siç është farzi i sabahit dhe i iqindisë, ose pas përfundimit të Sunetit, siç është  namazi i drekës, i akshamit dhe i jacisë.  Gjykohet kështu ngase lutjet dhe tesbihët plotësojnë zbrazësitë që eventualisht i kemi bërë brenda namazit, andaj edhe bëhen në fund të namazit[1]. Në koleksionin e imam Buhariut, Muslimit, Ebu davudit dhe të tjerëve, transmetohet hadithi nga El-Berra b. Azibi i cili ka thënë: “Kur faleshim pas Pejgamberit s.a.v.s. dëshironim të ishim në anën e djathtë të tij, e kur përfundonte me namazin, me fytyrën e tij kthehej nga ne, (pra për të bërë lutjet pas namazit).”

Në anën tjetër, zbatimi dhe praktikimi i sunetit menjëherë pas farzit është sunet, porse është e mirë (mustehab) që mes farzit dhe sunetit të bëhet një distancë sa të thuhet ”All-llahum-me entes-selamu ve minkes-selamu ve ilejke jeudu es-selamu, tebarekte ja dhel xhelati vel ikrami.”[2] Pas përfundimit të farzit dhe dhënies së selamit, është mustehab që imami të lëviz nga ana e tij e majtë për të plotësuar namazet pas farzit[3], e pas faljes së sunetit kthehet nga xhemati[4]. Pas kësaj, duke i ngritur duart, të bëjë lutje dhe dua për veten e tij, për prindërit dhe për mbarë myslimanët, ashtu që në fund, për ta përfunduar, e fërkon fytyrën me duart e tij.

Allahu e di më së miri!

__________________
[1] Dr. Vehbe Zuhejli, El fikhul Islami ve edil-letuhu 1/800. Ed-Duru’l-muhtar, 1/595.
[2] Pas leximit të kësaj lutjeje, ngrihet për faljen e sunetit. Merakijel felah,
[3] Sepse e majta e falësit është e djathta e kibles. Trnsmetohet se vendi i falësit do të jetë dëshmi për falësin Ditën e Kiametit, andaj për këtë arsye është mustehab edhe për xhematin që të ndërrojë vendin kur të falet. Merakijel felah.
[4] Në momentin kur imami kthehet kah xhemati është më mirë që krahu i tij i majtë të jetë kah kibla, donë të thotë sillet nga ana e djathtë. Kështu transmetohet te imam Muslimi, ku sahabet thonë: “Kur faleshim pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dëshironim të ishim në anën e tij të djathtë, sepse kur kthehej në fund të namazit fytyra e tij ishte e drejtuar kah ne.” Merakijel felah.

__________________
Jusuf Zimeri
28 Janar, 2011

Lini një Përgjigje

Maqedonisht