Një nga format dhe mundësitë e ligjësuara më të hershme të lidhshmërisë dhe afrimit të qenies njeri me krijuesin e tij,  është edhe institucioni i Kurbanit i cili, zanafillën e saj e ka me krijimin e njeriut të parë Ademit a.s. dhe fillimit të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Vetë nocioni “kurban” që në aspektin linguistik nënkupton afrim, jep me kuptua se kjo sakrificë është formë e adhurimit përmes së cilën njeriu synon afrimin te Krijuesi i tij dhe të përfitojë nga mëshira e Allahut Fuqiplotë.

Kurbani në terminologjinë e jurisprudencës islame, njihet me nocionin “El ud-hijjetu”, është për qëllim sakrifica e një kafshe për hir të Allahut xh.sh.. Quhet “El-Ud-hijjetu”, për shkak se koha e therjes së kurbanit, fillon në kohën e namazit të duhasë  (koha pas lindjes së diellit rreth 40 minuta)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Dispozita e Kurbanit

Dispozita e therjes kurbanit sipas shkollës juridike hanefite është vaxhib. Kjo dispozitë është e mbështetur në këto argumente: Allahu xh.sh. thotë: ”Andaj ti falu dhe therë kurban për hir të Zotit tënd!” El Kevther: 02. Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Kush ka mundësi dhe, nuk therë kurban, mos t’i afrohet faltores sonë” (Ibni Maxheh dhe Ahmedi)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. me dorën e tij kishte prerë kurban dy desh të larmë me brinjë, kishte bërë bismil-lah dhe tekbir”. Muslimi. Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se pse bëhen këto kurbane, ai u përgjigj: ”Është suneti (Tradita) i babait tonë, Ibrahimit [4]” Ata i thanë: “Ç’farë përfitojmë ne prej tyre?” Ai i tha: “Për çdo qime, një të mirë.” Ibni Maxheh

Urtësitë e Kurbanit

Urtësitë e therjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit të ditë ditën e kurban bajramit, i përngjasin urtësive të sadekatul fitrit ditën e fitër bajramit. Me shpërndarjen e mishit të kurbanit ditën e bajramit njëkohësisht shpërndanë edhe gëzimin dhe harenë në shpirtrat e të varfërve dhe familjeve të tyre. Kjo formë e adhurimit shtonë dashurinë dhe humanizmin mes njerëzve. Prerja e kurbanit dhe shpërndarja e mishit të varfërve, fqinjëve dhe dashamirëve përveç dashurisë reciproke, nënkupton edhe gatishmërinë e besimtarit islam për të sakrifikuar nga pasuria e tij për hir të Allahut xh.sh..

Kushtet e vlefshmërisë së kurbanit.
Që kurbani të jetë i vlefshëm kushtëzohen këto kushte:

– Koha. Kurbani është adhurim me kohë të përcaktuar, andaj edhe vlefshmëria e kurbanit varet nga zbatimi i këtij obligimi brenda kohës së përcaktuar. Koha e therjes së kurbanit fillon pas faljes së namazit të bajramit dhe përfundon ditën e tretë të kurban bajramit,[7] pak para kohës së akshamit[8], porse koha më e preferuar është dita e parë e kurban bajramit. Ata të cilët presin kurbanet e tyre para kohës detyrohen ti përsërisin, ngase Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e ka bërë kurbanin para namazit, le ta përsërisë” Buhariu dhe Muslimi. Kurbani brenda kësaj kohës së caktua mund të theret në çdo kohë, edhe natën edhe pse therja e kurbanit natën është mekruh (e urryer).

Kafsha e cila është përcaktuar për kurban duhet të jetë pa të meta, pra të mos jetë e verbër, e sëmurë, e gjymte, dhe që çalon. Kafsha e cila e ka të humbur syrin ose të pamurit nuk vlen për kurban. Kafsha e cila çalon, respektivisht ecën vetëm me tri këmbë ose një këmbë e ka të këputur, nuk vlen për kurban, mirëpo nëse ajo këmbën e katërt e lëshon nga pakë në tokë dhe ndihmohet me të sa të ecë deri te vendi ku theret, atëherë vlen për kurban. Gjithashtu për kurban nuk vlen kafsha e cila është e hutuar. Nuk vlen për kurban edhe kafsha e cila shumicën e veshit e ka të prerë, ose është e krijuar me të meta pa veshë, e nëse veshi ekziston por është i vogël lejohet për kurban. Kafsha e cila e ka të humbur një të tretën e gjuhës së saj nëse është dele lejohet të prehet për kurban, e nëse është nga kafshët e mëdha si lopët nuk lejohet, ngase lopët në kullosë barin e mbledhin përmes gjuhës kurse delet me dhëmbë. Për kurban vlen të theret kafsha e cila nuk ka brirë që është shyt nga krijimi i saj, e edhe kafsha e cila brirët i ka të thyer por jo nga rrënjët e saja. Po ashtu nuk lejohet për kurban edhe kafsha e cila ka humbur shumicën e dhëmbëve. Për kurban vlen të theret kafsha e cila është i tredhur, dhe i zgjebosur nëse është i majmë.

Nëse blerësi e ka blerë kafshën të shëndoshë pa të meta që pengojnë therjen e kurbanit, atëherë obligohet të kompensojë me një tjetër ngjashëm si ajo nëse është i pasur, e nëse është i varfër, i vlen për kurban ajo që e ka.

Mosha e kurbanit. Që kurbani të jetë i vlefshëm patjetër duhet respektuar edhe moshën e kafshës e cila do të theret për kurban. Kafshët e imta të cilat theren kurban, pra delet dhe dhitë, kushtëzohet që të kenë plotësuar një vit të plotë dhe të kenë hyrë në vitin e dytë. Mirëpo dijetarët sqarojnë se nëse delja e cila ka vetëm gjashtë muaj, por është e rritur dhe e shëndoshë saqë kur të përzihet me kopenë nuk dallohet nga tjerat, vlen për kurban kafshët e mëdha, lopët dhe buallicat nuk lejohet të theren për kurban nëse nuk e kanë mbushur vite dhe të kenë hyrë në vitin e tretë, kurse devetë pesë vjet. I vogli i kurbanit. Nëse kurbani ka qenë pëlle, dhe ka pjellë para se ta therë kurbanin, atëherë atë e jep sadeka. Nëse i vogli i kafshën nga barku i nënës së saj del i gjallë, atëherë me të bëhet ngjashëm sikur me nënën e tij, pra theret dhe jepet sadeka. Nëse hanë diçka aga ai, atëherë duhet dhënë sadeka me vlerën e asaj që është ngrënë, porse mustehab është që sadeka të jepet i gjallë.

Ngrënia nga mishi i kurbanit

Sipas rregullave të sheriatit që kanë të bëjnë me kurbanin lejohet ngrënia nga mishi i kurbanit qoftë edhe i pasur. Lejohet edhe ngrënie tërë mishit të kurbanit, por është e preferuar që kurbani të ndahet në tri pjesë, një pjesë tu jepet sadeka të varfërve, një pjesë të shpërndajë të afërmve dhe një pjesë tjetër të konservoj për veten dhe familjen e tij. Imam El Kesani në Bedai thotë: më e vlefshme është që 1/3 e kurbanit të jepet sadeka, kurse me 1/3 tjetër të gostisë miqtë, familjarët dhe shokët e tij, e 1/3 ta konsevroj për fëmijët e tij. E gjithë kjo ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë: “ Hani, ushqeni të tjerët dhe konservoni për vete”Ahmedi.

Lëkura e kurbanit duhet dhënë sadeka dhe nuk guxon të shitet për sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “ Kush e shet lëkurën e kurbanit, ai nuk ka kurban” Lëkura mund të lihet për nevojat e tij duke bërë diçka të qëndrueshme.

Bashkimi në një kurban
Kafshët e mëdha si lopët, buallica dhe devetë, lejohet që të theren kurban për më shumë se një njeri, respektivisht deri në shtatë persona. Pra nëse një i pasur, blenë një kurban të madh, lejohet për të që në të njëjtin kurban të marrin pjesë edhe gjashtë persona tjerë të cilët janë të pasur. Theksojmë të pasur ngase i varfëri nuk vlen ti bashkohet këtij grupi nga arsyeja se i varfëri i ka bërë obligim vetvetes së tij me përcaktimit e të njëjtës kafshë për kurban.

Bashkimi për kurban në një kafshë të madhe, detyrohet që të gjithë pjesëmarrësit në këtë kurban të kenë për qëllim kurbanin, sepse nëse njëri prej tyre nuk ka për qëllim kurbanin si adhurim, por thjesht vetëm mishin e saj, atëherë kurbani është i pavlefshëm për të gjithë. Mishi i kurbanit mes pronarëve të tyre duhet të ndahet në mënyrë precize duke e matur. Në kurbanin e madh lejohet të marrin pjesë edhe më pakë se shtatë persona, por nuk lejohet mbi shatë.

Prerja e kurbanit

Kur theksuam më parë se dispozita e kurbanit është vaxhib, ishte për qëllim prerja e kurbanit, pra derdhja e gjakut, sepse po qese e tërë pasuri të shpenzohet për sadeka nuk e mbulon obligueshmërinë e therjes së kurbanit.

Prerja e kurbanit është mirë që të bëhet nga vet personi i cili ka bërë nijet të therë kurban. Nëse ka njohuri dhe mundësi për therjen e tij, e nëse nuk mundet apo nuk di të therë kurbanin atëherë është më mirë të ndihmohet nga dikush tjetër. Nëse dikush tjetër e therë kurbanin, atëherë është mirë që zotniu i kurbanit të qëndrojë pran tij dhe ta sheh atë duke e therur, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë Fatimes r.a. bijës së tij: “Oj Fatime, ngrihu dhe shihe kurbanin tënd, sepse të falen mëkatet me pikën e parë të gjakut që bie në tokë” dhe thuaj: vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun e gjitha botëve, Ai është i pa shok, me atë jam i urdhëruar e unë jam nga muslimanët

Të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. para therjes

Të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. në momentin e therjes së kafshës është kusht për lejimin e ngrënies së mishit të kafshës së therur, e kjo mbështetet në ajetet kur’anore ku All-llahu xh.sh. ka thënë: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes) nuk është përmendur emri i All-llahut xh.sh., sepse vërtetë ajo është mëkat.”El En’amu: 121.

Se të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. para therjes së kafshës është kusht, vërteton edhe konsensusi i dijetarëve islamë. Ky kusht plotësohet nëse thuhet Bismil-lah, apo çdo shprehje e cila nënkupton madhërinë e Allahut xh.sh., porse sunnet është që të thuhet “Bismil-lahi, Vall-llahu Ekber. Dijetarët islamë janë unikë në mendimet e tyre se nëse kafsha theret në emër të diçka tjetër, mishi i saj është i ndaluar për muslimanët. Sipas mendimit dijetarëve të medhhebit hanefij, mos përmendja e emrit të All-llahut para therjes mund të jetë:

-. Me qëllim, që nënkupton se nëse para therjes nuk përmendet emri i All-llahut xh.sh. me qëllim, atëherë mishi i asaj kafshe është i ndaluar për muslimanin, dhe atë duke u mbështetur në argumentet e lartëcituara.

-. Me harresë, që nënkupton se mishi i kafshës së therur pa e përmendur emrin e All-llahut xh.sh. për shkak të harresës, është i lejuar, por duhet përmendur kur të hahet. Këtë mendim e mbështesin në ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. ka thënë: “O Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë“

Të gjithë fukahatë islam janë unik në mendimet e tyre se çdo mjet prerës i cili pret dhe copëton, që shkakton daljen e gjakut, mund të përdoret për mjet prerës, dhe mishi i tillë është i lejuar, por gjatë therjes është mirë që mjeti prerës të jetë i mprehtë e të mos maltretojë kurbanin. Gjatë prerjes së Kurbanit duhet prerë këto pjesë:

  1. Gabzherri organi i përcjelljes së frymëmarrjes,
    2. Fyti, organi për përcjelljen e ushqimit,
    3. Dy arteriet e gjakut.

Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhammedit nëse priten shumica e këtyre pjesëve, atëherë mishi i asaj kafshe është i lejuar për myslimanët.

Kurbani në përforcimin e institucioneve Islame

Një nga intencat kryesore dhe legjitime të kurbanit, përveç afrimit te Allahu xh.sh. është edhe shpirtgjerësia njerëzore, për të nderuar veten, familjen, fqinjët, miqtë dashamirët, bonjakët e skamnorët, e kjo është kulmi i solidaritetit dhe mirësisë. Mirësia është virtyt i lartë islam që njeriut i siguron kënaqësinë dhe afrimin te Allahu xh.sh., prandaj Allahu xh.sh. thot.: “Vërtetë, Allahu është afër bamirësve” Earaf:56Prandaj, jo vetëm shkalla e afrimit tonë tek Allahu xh.sh. por edhe përfitimi i jonë nga mëshira dhe ndihma e Allahut xh.sh. varet kryesisht nga niveli i përforcimit të lidhjeve tona konstruktive  vëllazërore dhe ndërnjerëzore, mes veti, e këtë në mënyrë të qartë na e ka shpjeguar mësuesi i njerëzisë Muhamedi a.s. si në aspektin praktik, ashtu edhe atë retorik duke thënë: “Vërtetë, Allahu xh.sh. është në ndihmën e robot të Tij, derisa robi i tij është në ndihmën e vëllait të tij”. Muslimi.

Ky parim i artë islam, është imperativ i të gjitha kohëve të zhvillimit shoqërorë islam, sepse, zhvillimi i jonë varet kryesisht nga niveli të kuptuarit të burimeve autentike islame, dhe nga niveli i aplikimit pragmatik të këtyre parimeve. Pra, nëse me vëmendje i kundrojmë të gjitha adhurimet obligative islame, pa përjashtime, përveç karakterit individual, kanë edhe karakter shoqërorë, duke filluar nga namazi, zekati, agjërimi, haxhi, e deri te kurbani. Pra, Islami në vazhdimësi kërkon nga besimtarët islam të programojnë dhe zhvillojnë dhe organizojnë jetë shoqërore, e kjo nuk është e mundur pa formimin e institucioneve menaxhuese islame, e veçanërisht pa formimin e institucioneve edukativo arsimore islame dhe shkencore. Parë, nga ky aspekt, zekati, sadekatul fitrit, kurbanet, dhe ndihmat tjera vullnetare, kanë luajtur rol vendimtarë në zhvillimin e jetës institucionale islame, veçanërisht në vendet ku myslimanët janë të diskriminuar nga e drejta e tyre, për të gëzuar të mirat materiale që detyrimisht i deponojnë në institucionet shtetërore, ose thënë troç në vendet ku pushteti injoron kërkesat institucionale islame për mirëmbajtjen e institucioneve islame. Prandaj, ndihma që i bëhet institucioneve tona islame, siç janë, institutet e hifzit, Medreseja, Fakulteti dhe institucionet tjera, jo vetëm që konsiderohet afrim te Allahu xh.sh. por njëherë janë edhe garanci më i mirë e ruajtjes së islamit dhe të zhvillimit të jetës islame në trevat tona.

Shkrime të ngjashme