Jurisprudencë, Namazi, Shkrime Autoriale

Namazi: Kushtet

Autor: Jusuf ZIMERI

Kushti i parë i Namazit
Kushti është ai nga i cili varet ekzistimi i të kushtëzuarit,që do të thotë se mosekzistimi i tij shpie në mosekzistimin e të kushtëzuarit, kurse ekzistimi i tij nuk shpie në obligueshmërinë e të kushtëzuarit. Kushti për dallim nga rukni, është pjesë e jashtme e veprimit si p.sh. Abdesi që është kusht për namaz, pa te nuk mund të falen namazi, por ekzistimi i abdesit nuk obligon faljen e namazit, dhe ai është pjesë e jashtme e namazit. Sa i përket kushteve të namazit, të cilat obligohet besimtari islam që t’i plotësojë para se të hyjë në namaz, sipas rregullave islame janë 6, e ato janë:

1. Pastërtia (Et-Taharetu)
Me këtë kusht të namazit nënkuptojmë se pastërtia nga xhunubllëku dhe ndyrësirat qenka edhe kusht i namazit. Për të falë namazin patjetër duhet pasur trupin e pastër, rrobet e pastra dhe vendi ku falemi të jetë i pastër. Pastërtia është pjesë e Imanit, andaj çdo njeri i cili vendos të kryejë ndonjë obligim fetar patjetër duhet të jetë i pastër.

Fjala “Et-Tahare” në kuptimin gjuhësor do të thotë: pastrim, mënjanim nga ndyrësirat lëndore-materiale që shihen me anë të syrit, e gjithashtu nënkuptojmë pastrimin figurativ siç janë të metat dhe mëkatet.

Shprehja “Et-Tahare” në kuptimin terminologjik të sheriatit islam do të thotë “Veprim, (Pastrim) me të cilin lejohet falja e namazit duke filluar prej abdesit, pastërtisë së trupit dhe tejem-mumit dhe duke larguar papastërtinë“. All-llahu xh.sh. thotë:

فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا وَاللَّهُ يُحِبُّ المُتَطَهِّرِينَ

“.Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit.[1]

Gjithashtu kemi edhe hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që thotë:

الطهور شطر الإيمان.

“Pastërtia është gjysma e imanit”[2]

Urtësia e pastërtisë

Urtësia e pastërtisë është se njeriu kur dëshiron të dalë para All-llahut xh.sh. duhet të jetë me zemër dhe me shpirt të pastër, pastaj me trup dhe me petk të pastër, i larguar nga angazhimet e jetës së kësaj bote.

GusMe shprehjen (el guslu) në kuptimin termino­logjik islam nënkuptojmë: ”Përdorimi i ujit për pastrimin e tërë trupit me qëllim të ngritjes së papastërtisë”. Argumenti i obligueshmërisë së guslit është ajeti kur’anor ku thotë:

وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُباً فاَطَّهَّرُوا

“Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni ( lahuni )”[1]

Dispozita e guslit është lirimi nga pengesat që ekzistonin më parë dhe sevapi me veprimin e guslit për t’u afruar tek All-llahu xh.sh.

Gjërat që obligojnë guslin

Gusli obligohet në këto raste:

1. Ejakulimi i spermës, pa marrë parasysh se kjo ngjan në gjendje të zgjuar apo në gjumë, përmes marrëdhënieve intime apo ëndërrimit, apo vetëm me shikim, apo vetëm me të paramenduar, etj. Në këtë rregull përfshihen të dy gjinitë, mashkulli dhe femra. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

الْمَاءُ مِنَ الْمَاء

“Uji nga uji (pastrimi me ujë obligohet me daljen e ujit), (spermës).[2]

Depërtimi apo futja e penisit ose shumica e tij në anusin apo venusin e njeriut të gjallë e që është i moshës madhore[3] ngjashëm si ai edhe nëse nuk ejakulon sperma pastrimin e ka obligim, e vetëm nëse njëri prej tyre është i moshës madhore pastrimin obligim e ka vetëm ai.

Gjithashtu pastrimi është obligim edhe për personin i cili kur zgjohet nga gjumi sheh jargë – sekrecionin e mukozës [4](medhij) dhe është i bindur se bëhet fjalë për te, ose vetëm nëse dyshon se lagështia e tij është spermë (Menij) ose sekrecion i mukozës (medhij), ose dyshon se është Menij apo Vedij, ose dyshon se është medhij apo vedij, ose dyshon se është spermë ose medhij ose vedij, ose e din se është Menij dhe i kujtohet ëndrra të cilën e ka ëndërruar. Poashtu nëse i sheh shenjat e spermës obligohet me pastrim edhe nëse nuk i kujtohet ëndrra.

Nëse sperma ka lëvizur nga vendi i tij, por nuk ka dalë jashtë penisit, në këtë rast sipas Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhamedit pastrimi është i detyruar, kurse sipas Iimam Ebu Jusufit jo.[5]

2. Menstruacioni. Pas daljes nga menstruacioni, me konsensusin e fukahave islam femra obligohet të pastrohet. All-llahu xh.sh. thotë:

وَ يَسْئَلُونَكَ عَنِ المَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي المَحِيضِ وَ لاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللهُ إِنَّ اللهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَ يُحِبُّ المُتَطَهِّرِينَ

“Të pyesin ty për menstruacionin (hajzin) thuaj:” Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. e kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre si u ka lejuar All-llahu xh.sh.. All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme .”[6]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në rastin kur Fatimja, bija e Hubejshit e ka pyetur dhe i ka thënë:”

فَإِذَا أَقْبَلَتِ الْحَيْضَةُ فَدَعِي الصَّلَاةَ وَإِذَا أَدْبَرَتْ فَاغْتَسِلِي وَصَلِّي.

“Kur të vijnë menstruacionet, ndërprere namazin e kur ta ndërpresh pastrohu dhe fale namazin”[7]

3. Nifasi. Pas daljes nga nifasi femra obligohet të pastrohet. Nëse pas lindjes së fëmijës, e ëma nuk sheh gjakderdhje, sipas Ebu Hanifes obligohet me pastrim, kurse sipas Imam Ebu Jusufit dhe Muhammedit, nuk obligohet pastrimi.

4. I vdekuri. Myslimanët e gjallë e kanë obligim (detyrim kolektiv – farzi kifaje[8]) pastrimin e të vdekurit të tyre mysliman, nëse dinë për te, me përjashtim të ambigjiniut i cili nuk pastrohet por i jepet tejemum[9].

5. Jo besimtari nëse e pranon islamin detyrohet të pastrohet.

Në këtë kontekst vlen të përmendet se pastrimi në këto gjendje ishte farz, kurse në Islam kemi edhe pastrime që janë sunnet e ato janë:
– pastrimi ditën e premte (ditën e xhumasë) për ata që shkojnë në Xhami,
– pastrimi në dy bajramet,
– pastrimi për veshjen e ihramave për haxhxh apo umre,
– pastrimi ditën e Arafatit për haxhiun e jo për të tjerët.

Kushtet e guslit

Kushtet e guslit janë:
1. Të jetë musliman
2. Të jetë moshës madhore
3. Të jetë psikikisht i shëndoshë
4. Të ekzistojë mundësia për përdorimin e ujit

Farzet e guslitفرائض الغسل

Farzet e guslit janë:
1. Pastrimi i gojës
2.
Pastrimi i hundës dhe
3.
Shpëlarja (kaplimi) e tërë trupit me ujë, kalimi i ujit nëpër tërë trupin e njeriut, flokëve, lëkurës, pa marrë parasysh se a janë flokët të shpeshta apo të rralla. Kalimi i ujit njëherë nëpër tërë trupin e njeriut plotëson kushtin e farzit. Në këtë farz duhet pasur kujdes në pastrimin e plotë të vendeve gjenitale, pastrimin e brendshëm të kërthizës, pastrimin e brendshëm i bistakut të meshkujve dhe është i obliguar të bëjë shprishjen e bistakut, pa marrë parasysh se a depërton uji në rrënjën e flokëve, apo jo. Kurse, sa i përket bistakut të femrave, nuk obligohet të bëjë shprishjen e tyre, nëse uji depërton në rrënjën e flokëve. Kjo vërtetohet me hadithin që transmeton Ummu Seleme se ajo Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i ka thënë:

يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنِّي امْرَأَةٌ أَشُدُّ ضَفْرَ رَأْسِي فَأَنْقُضُهُ لِغُسْلِ الْجَنَابَةِ قَال َلَا إِنَّمَا يَكْفِيكِ أَنْ تَحْثِيَ عَلَى رَأْسِكِ ثَلَاثَ حَثَيَاتٍ ثُمَّ تُفِيضِينَ عَلَيْكِ الْمَاءَ فَتَطْهُرِينَ

Një grua e pyeti Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. duke i thënë: O i dërguari i All-llahut! Unë jam një grua që i shtrëngoj bistakët e flokëve, a duhet t’i shprishi ato në pastrimin nga xhunubllëku? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha:”Jo, por mjafton tri herë hedhja e ujit në kokë, pastaj derdh ujë në tërë trupin dhe pastrohesh”.[10]

Nëse flokët e gruas janë shumë të shpeshta dhe nuk depërton uji në rrënjët e tyre, atëherë patjetër duhet prishur bistakun. Po ashtu obligohet larja e mjekrës, edhe pse është e shpeshtë, larja e mustaqeve dhe e vetullave.

Gjithashtu duhet mënjanuar çdo pengesë që pengon depërtimin e ujit në trup, si p.sh. qiriri, yndyra, dhjami, etj.

Sunnetet e guslit سنن الغسل

Sunnetet e guslit janë:
– Nijeti është sunnet, kurse ai bëhet me anë të zemrës pa deklaruar me gojë.
– Të fillojë me bismil-lah, që gusli t’i përket abdesit, ngase besmelja është sunnet në abdest.
– Pastrimi i duarve deri në zogun e dorës,
– Pastrimi i ndyrësirës nëse ekziston në trupin e tij në mënyrë që mos të përhapet,
– Marrja e abdesit para larjes, siç merr abdes për namaz,
– Tri herë të lahet trupi në tërësi,
– Hedhja e ujit të fillojë nga koka, e pastaj në supin e djathtë, e pastaj në të majtin;
– Me rastin e lagies së parë të fërkohet tërë trupi,
– Të pastruarit e pjesëve të trupit një nga një me rend.

Adabet (rekomandimet) e guslit – آداب الغسل

Adabet e Guslit janë ngjashëm me të abdesit me përjashtim të drejtimit nga kibla, lutjeve dhe të përmendurit e All-llahut xh.sh. sepse ai që pastrohet zakonisht ka të shpaluar avretin e tij. Pastaj, është mirë që të mos flasë gjatë pastrimit. Është mustehab që të pastrohet në vend, ku nuk e sheh askush, ngase është i zhveshur. Është mustehab që pas pastrimit t’i falë dy reqate namaz nafile. Gjithashtu edhe mekruhet e guslit janë sikur të abdesit, me përjashtim se gjatë guslit është mekruh duaja.

Ndalesat duke qenë i pa pastër (xhunub)

Personi i papastër derisa të jetë në gjendje të papastërtisë, i ka të ndaluara (haram) këto veprime:
– Faljen e Namazit, e këtë e vërteton All-llahu xh.sh. ku thotë:

وَ إِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا

“Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni (lahuni)”[11]
– Prekjen e Kur’anit. All-llahu xh.sh. thotë:

لاَ يَمَسُّه إِلاَّ المُتَطَهِّرُونَ

“Atë nuk e prek kush vetëm të pastrit .”[12]

– Ndalohet (është haram) tavafi rreth Qabes, për shkak se të papastërit i ndalohet hyrja në xhami.

– I ndalohet leximi i Kur’anit edhe nëse është më pak se një ajet, nëse lexuesi ka për qëllim lexim Kur’ani. Nëse ai ka për qëllim që të lexojë dua (lutje) atëherë, nuk i ndalohet. Lejohet për femrën e cila është në menstruacione që të tjerëve t’ua mësojë Kur’anin nga një fjalë nga një fjalë.[13]

– Gjithashtu ndalohet prekja e Kur’anit Fisnik dhe të gjitha shpalljeve hyjnore. Për të papastërtin dhe personin i cili nuk ka abdes, ndalohet edhe prekja e Mus’hafit edhe nëse e prek në vendin ku nuk ka shkrim, kurse në vendet jashtë Mus’hafit, ku ka shkrime të ajeteve nuk ndalohet prekja e letrës, por vetëm prekja e shkrimit, me përjashtim nëse është i mbështjellë me diçka.

– I’tikafi dhe hyrja në xhami sipas hanefijve është rreptësisht e ndaluar për të papastrin qoftë edhe vetëm për të kaluar nëpër te[14]. Ky mendim mbështetet në hadithin e Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë:

إِنَّ الْمَسْجِدَ لَا يَحِلُّ لِجُنُبٍ وَلَا لِحَائِضٍ

”Nuk i lejohet hyrja në xhami të papastërit dhe femrës në menstruacione”[15]

Referencat
[1] Suretu El Maide : 6.
[2] Muslimi dhe Ibni Maxheh.
[3]. Nga ky rregull bëjnë përjashtim bota jo njerëzore, i vdekuri dhe fëmija që nuk është i aftë për marrëdhënie intime. Merakijel felah, Tahtavi.
[4].Nocioni “El medhij” është lëngu i bardhë i hollë i cili del në momentet e epshit, por, ndodh që të mos hetohet dalja e saj, kurse nocioni “el Vedju” është lëngu i bardhë por i trashë që nuk ka aromë i cili mund të dalë pas kryerjes së urinës e edhe para. Edhe e Medhiu edhe el Vedju janë të pa pastra të cilat e prishin abdesin sikur urina, por nuk obligojnë pastrimin. Merakijel felah Shirinbilali.
[5] Merakijel Felah, Shirinbilali
[6] El Bekare 222
[7] Buhari
[8]
Farzi kifaje është obligimi kolektiv i cili nëse e kryejnë një grup prej besimtarëve, shkarkohen nga përgjegjësia të gjithë, e nëse nuk e vepron askush këtë obligim të gjithë myslimanët konsiderohen mëkatar.
[9]Ambigjini konsiderohet personi i cili posedon elementet e dy gjinive, edhe asaj femërore edhe asaj mashkullore, por nuk ka shenja më të dukshme as të gjinisë mashkullore e as të asaj femërore. Njeriu i tillë nuk pastrohet pas vdekjes së tij, porse i jepet Tejemum. Kështu qëndron në Tenvirul ebsar dhe Hashijetu Ibni Abidin.
[10] Muslimi.
[11] El Maide 6.
[12] El Vakia 79.
[13] Hashijetu Ibni Abidin.
[14] Nëse dikush ka fjetur në xhami dhe ka ëndërruar dhe është bërë i papastër, atëherë në këtë rast merr tejemum dhe, me shpejtësi del nga xhamia. Hashijetu Ibni Abidin.
[15] Ibni Maxheh.

 


[1] Suretu Et-tevbe: 108
[2] Muslimi

Lini një Përgjigje

Maqedonisht