Opinione, Shkrime Autoriale

Luftë për diploma, apo për dituri !

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Gjatë bisedës me një mik timin, i cili është njohës i shkëlqyer i shkencave juridike islame dhe i zhvillimit të arsimit në përgjithësi, duke pirë një kafe shtjelluam disa çështje që ndërlidhen me jetën tonë të përditshme dhe për problemet që sfidojnë shortinë tonë. Në mes të shumë bisedave edhe pse ishin të shkurta, ajo që më së miri më mbeti në memorien time ishte tregimi i tij kur më tha: Në Bagdad, prej ku rrezet e diturisë rrezatonin mbi globin e tokës, kur pushteti kishte vendosur që sistemin arsimor ta fusë nën kontroll, dijetarët Islam kishin shpërthyer në vajë. Kjo fjali e tij, në shikim të parë duket pak sa irracionale, por meqë ishte veprim i dijetarëve nuk munda ta kontestoj, sepse vetëm mendjelehtët veprimet e dijetarëve i kontestojnë pa kurrfarë analize. Kjo fjali më nxiti të meditoj pa ndërprerë dhe të tërheqë paralele mes asaj kohe dhe kësaj që ne po jetojmë sot në shekullin XXI.

Lufta për dituri është e shenjtë, por njëkohësisht është e përhershme, e mundimshme, e lavdishme, dhe e ndershme, por e këndshme. Këtë dinë ta tregojnë she shpjegojnë vetëm ata që e kanë përjetuar dhe e përjetojnë këtë rrugë. Andaj thuhet kjo luftë fillon nga lindja dhe përfundon me vdekjen. Mirëpo, sipas trendëve bashkëkohore që po zhvillohen nën ombrellën e demokracisë, lirisë së mendimit dhe shprehjes, kjo rrugë sikur gjithnjë e më shumë po zbehet, po amortizohet, ngase për interesa të politikës ditore po shembet shenjtëria e diturisë, po hapen hendeqe të vështira për tejkalim për të mos thënë të pa kaluara.

Në anën tjetër, lufta për diploma është aktualitet dhe trend që shpërblehet në këtë shoqëri të brishtë që në fund, të dekorohet me një vend punë të mirë. Të vjetrit gjithnjë kanë thënë, e keqja fshehët pas të mirës, e këtë e konfirmuan edhe librat e shenjta, sepse askush të keqen nuk e blenë për të keqe, por pasojat janë pak më të vonshme. Sipas bindjes sime, sipas asaj që unë kam arritur të konceptoj, rrugën e shenjtë  të diturisë e ngulfatën parimi se duhet të investohet për të pasur një diplomë e cila të sjellë të mira materiale, e jo të investohet për të pasur dituri.

Ndoshta dikush nuk mund ta dallojë, apo më mirë thënë, nuk dëshiron ta dallojë luftën për diplomë dhe luftën për dituri, ose e trajton si strategji të ndërtuar mbi interesin e vlerave madhore, duke e justifikuar me nevojën e kuantitetit, por që përmes këtij koncepti baltosë nevojën e kualitetit. Të tillët po harrojnë ose po injorojnë faktin se madhështia nuk qëndron në numër, por në vlera.

Shkollat si institucione në shoqërinë njerëzore janë qendra edukativo-arsimore e shkencore ku kultivohen vlerat e diturisë, e nuk janë fabrika e as reparte politike për dizajnimin e diplomave për militantët partiak. Institucionet edukativo shkencore duhet të konfirmojnë vlerat shkencore, e jo të merren me licencimin e militantëve partiak për interesa mediokre ditore. Hapja e shkollave të mesme si shkolla të natës, në formë eksperimentale për ti afruar mundësinë çdo kujt që, kinse nuk kishte mundësi të vazhdojë shkollimin në kohën e tij, është vetëm një fjalë e ëmbël që tingëllon bukur në veshin e tjetrit, por gjithsesi shija e sajë do të jetë e ithtë. Kjo sikur po na rikthen kah gjysma e shekullit XX pas përfundimit të luftës së dytë botërore, kur sistemi i atëhershëm një partiak për të arsimuar militantët e vet, kishte hapur shkolla nate në të gjitha vendet, për të formuar kuadro. Pastaj, çfarë ndodhi, pikërisht ato kuadro të prodhuara brenda natës, e sollën popullin aty ku e dimë të gjithë ne se ku përfunduam.

Me këtë nuk po bëjmë asgjë tjetër përveç se në mënyrë të qetë, lë lirshme, transparente dhe të legjitimuar po bëjmë transferimin e vlerave nga dituri në një copës letër të dizajnuar bukur me një nënshkrim origjinal i falsifikuar i mbështetur mbi parimin e dëshmisë së rrejshme.

Ky veprim është ana e kundërt e ekstremit tjetër i cili pa kurrfarë licencimi, nën emrin e analistit merr mbi supe të drejtën e interpretimit dhe shpjegimit të të gjitha sferave si ato shkencore, fetare, politike ekonomike, sociale etj. Koncepti i tyre është se nuk është me rëndësi diploma, me rëndësi është dituria, pra e kundërta e veprimit të parë, s’është me rëndësi dituria me rëndësi është diploma!

Duke menduar mbi gjendjen e arsimit, mbi mënyrën e lehtë të ardhjes deri te diploma, natën dhe ditën, mbi presionin që gjenden pedagogët për të firmosur nënshkrime të rrejshme për kundër dëshirës së tyre (normal jo te të gjithë) si dhe për procesin edukativo-arsimor e shkencor që po zhvillohet sot në shoqërinë demokratike të vendit tonë,  e kuptova qartë dhe bindshëm pse paskan qarë dijetarët atëherë kur pushteti vuri dorë mbi arsimin.  Tash e kam të qartë se politizimi i arsimit prodhon vetëm militant të errësirës por jo edhe të dritës.

One thought on “Luftë për diploma, apo për dituri !

  1. Allahu xh.sh. ju shpërbleft me ma të mirat profesor shumë i nderuar Jusuf. Ja keni qëlluar siç duhet pikës me këtë punim, pra opinion domethënës. Mjerë për ne që po jetojmë në këto kohë të zymtë e të turbulltë, ku vlera përdhoset, ndërsa çdo gjë jo normale e prishtë vlerësohet. Por, prapseprap Allahu xh.sh. Insha Allah na përforcon në Dinin e Tij të bukur dhe na ndihmon që t’i tejkalojmë këto barieara si është më së lehti, Amin!

    Edhe një herë profesor i dashur Zoti i Madhërishëm ju shpërbleftë për këtë opinion plotë dritë, si dhe për punën që po bëni me vetmohimin ma të plotë në të mirë të Islamit tonë të dashur, Amin!

    Me respekt të jetë të thellë,
    Daim Abazi, Kosovë.

    Esselamu alejkum ve rahmetull-llah!

Lini një Përgjigje

Maqedonisht