Magjia, falli, shikimi i fatit dhe hajmalitë

Pyetja:
Esselamu alejkum,
Profesor i nderuar, ç’është qëndrimi islam në lidhje me magjinë, fallin, shikimin e fatit dhe hajmalainë?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Elhamdu lilah, ves-salatu ves-selamu ala resulil-lah ve ba’d.
 

I nderuar, magjia, falltarët dhe parashikimi i fatit janë veprime të ndaluara islamikisht (haram), e për këtë vendim (dispozitë) të sheriatit islam ekziston konsensus i dijetarëve muslimanë. Për personin i cili merret me këtë çështje, pra me sihr, fall dhe punë tjera të djallit, dijetarët e medhhebit hanefi, maliki dhe hanbeli janë të mendimit se ai është kafir, dhe ndaj tij zbatohen dispozitat e murtedit (renegatit).

Se ai që bën sihër (magji) konsiderohet qafir (jobesimtar), vërteton ajeti Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Po Sulejmani nuk ishte i pafe, djajtë ishin të pafe, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bëjë i pafe!” (El Bekare, 102). Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik thotë: “E magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.” (Ta Ha, 69)

Sihri, falli dhe parashikimi i fatit konsiderohen prej mëkateve të mëdha, sepse këtë e ka definuar Pejgamberi alejhis-selam në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. ku ka thënë: “Largohuni shtatë mëkateve të mëdha. Të pranishmit i thanë: Cilat janë ato o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi alejhis-selam tha: Shirku ndaj Allahut (ti përshkruash Allahut shok), sihri (magjia), mbytja, e njeriut me pa të drejtë, vetëm se kur e meriton atë, ngrënia (përdorimi) e kamatës, ngrënia (keqpërdorimi) e pasurisë së jetimit, ikja nga vija e frontit dhe shpifja me kurvëri ndaj grave besimtare të ndershme.”

Meqë veprimi në esence është i ndaluar, edhe shkuarja tek këta njerëz është e ndaluar (haram). Ai që shkon te këta persona dhe u beson atyre, edhe ai mund të konsiderohet kafir. Argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ue seleme ka thënë: “Ai i cili shkon te një falltar dhe i beson atij, ai vetëm se ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit s.a.v.s.” (Ahmedi: 429)

Sa i përket hajmalisë, i nderuar dijetarët muslimanë kanë diskutuar gjerë e gjatë për këtë çështje, e do të ishte absurd të përmendim të gjithë mendimet e tyre, por vlen të theksohet se shumica e tyre hajmalinë e kanë lejuar nëse plotësohen këto tre kushte:

– Hajmalia të jetë e shkruar me ajete të Kur’anit, dhe të mos keqpërdoret;
– Të jetë me shkrim të qartë që mund të lexohet;
– Të mos besohet se hajmalia shëron sepse shërues është vetëm Allahu xh.sh., porse ajo të jetë vetëm si mjet. Në të kundërtën hajmalia që nuk i plotëson këto kritere është e ndaluar (haram), siç janë hajmalitë me vizatime të ndryshme, të pa lexuara, me lloj lloj shenje dhe ikone etj.

Ve bil-lahi teufik.
____________
Jusuf Zimeri
Qershor, 2011

Shkrime të ngjashme