Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI

Meka në Ku’anin fisnik përmendet me disa emra, prandaj në vazhdim do ti përmendim ashtu si janë përmendur në Kur’anin famë lartë.

01. Emri Mekke, përmendet në suren  Fet’h ajeti  24.
02, Emri Bekke. Përmendet në Suren Ali Imran ajeti  96.
03. Emri Ummul Kura, përmendet në Suren El En’am ajeti 92.
04. Emri El Beled, përmendet në Suren Ibrahim  ajeti 35, dhe në suren El Beled ajeti 2 dhe 3.
05. Emri El Beledul Emin përmendet në Suren Et-tin ajti 3.
06. Emri El Beldetu, përmendet në Suren En Am ajeti 91.
07. Emri Haremun Amin përmendet në Suren El Kasas  ajeti 57,  dhe suren El Ankebut ajeti 67.
08. Emri Vadi gajri dhi zerin përmendet në Suren Ibrahim ajeti 37.
09. Emri Mead përmendet në Suren El kasas, ajeti  85.
10. Karjetun përmendet në Suren Muhamed ajeti 13.
11. Emri El Mesxhidil Haram përmendet në suren El Bakare n ajetet 127, 144,149, 160 dhe në suren Et-teuvbe në ajetin 19

 Vlerat Mekës (Fadiletet e Mekkes)

Allahu xh.sh Meken e dalloi nga vendet tjera me shumë mirësi,  e ndër to;
– E zgjodhi vend që në te të ndërtohet shtëpia e Tij e parë për iradet- adhurim.
– Në të lindi Pejgamberi a.s vula e pejgamberisë, dhe në këtë vend Allahu xh.sh sjellë shpalljen e fundit që ia shpalli Muhamedit a.s. për të dërguar të vetë.
– Bëri atë vend ibadeti –adhurimi, ku myslimanët i obligoi që ta vizitojnë një herë në jetën e tyre,  pasi që t’i plotësojnë kushtet e vizitës, duke hyrë në të i thyer, modest, me devotshmëri, kokë zbuluar dhe të zhveshur nga rrobat e rëndomtë por të mbështjellë me hiram, të mësyerit ndaj saj është falje nga gabimet e bëra.
– Allahu xh.sh. e bëri vend të sigurt, në të nuk lejohet derdhja e gjakut (vrasja) gjërat e humbura nuk lejohet që dikush të merr e ti pronëson për vete, nuk lejohet bartja e armëve, nuk lejohet këputja e gjelbërimeve – bimëve, nuk lejohet që të tremben kafshët e gjuetisë që gjenden në territorin e Haremit, nuk lejohet hyrja e pabesimëtarëve, nuk mund të hyjë në të Dexhali sepse melaiket e mbrojn.
– Rreth qabes duhet bërë tavaf, gjë që në asnjë vend tjetër  në  botë nuk lejohet një rrotullim  i tillë, lejohet të puthet dhe të përshëndetet guri i zi, ndërsa në vende dhe raste tjera nuk lejohet.
– Në Harem shumëfishohen shpërblimet dhe ndëshkimet.
– Ndalohet gjat kryerjes së nevojës të kthyerit e ftyres apo shpinës drejt Qabes.
– Ajo tërheq zemrat e besimtarëve më fortë se sa magneti hekurin.
– Ajo është vendi më i dashur i Pejgamberit a.s.
–  Allahu xh.sh e bëri të ndaluar –haram që atë moment kur krijoi qillrat dhe tokën, etj.

Kufijtë e zonës së Mekkes (Kufijt e Haremit)

Kufijtë e Mekës janë më të gjerë se sa është qyteti i Mekës. Kufijtë e saj përfshijnë një hapësirë gjeografike më të gjerë se sa vet qyteti i banuar, andaj mirësitë e këtij nën qielli përfshijnë jo vetëm hapësirat e banuara historikisht dhe sot, por dëshira e Zotit ishte që dispozitat dhe mirësitë e Tij të përfshijnë një hapësirë më të gjerë se sa vetë Mekja e banuar. Andaj transmetohet se pasi Xhibrili a.s. ia kishte treguar Ibrahimit a.s. kufijt e Haremit, ai i kishte treguar Ibrahimit a.s. për kufijtë e Mekës, dhe e kishte urdhëruar të vendojë gurët kufitar të cilët tregojnë vijën kufitare dhe atarin Mekës. Andaj, kufijtë e territorit, (haremit) dhe të Mekkes janë të ditur që nga koha e Ibrahimit a.s. e deri më sot, e ne në vazhdim do t’i përmendim disa nga pikat kufitare (hyrje – dalje) që lidhin territorin e Mekkes me atë të jashtmin, përndryshe thënë rrugët  të cilat kalojnë nëpër  këto vende dhe distancën mes vendit kufitar dhe xhamisë – Bejtullahit.

Ten’im- Xhamia e Aishes r.a. me largësi prej 7.5 km
Nehle me largësi prej 13 km.
Edaat Leben me largësi prej 16 km.
El Xhi’rane me largësi prej  22 km.
El Hudejbije me largësi prej 22 km.
Xhebel Arafat me largësi prej 22 km.

Mikatet
Mikat quhet vendi në të cilin personi, i cili shkon në haxh apo umre nga jashtë, apo shkon në Qabe nuk guxon që ta kalojë këtë vend pa e veshur haramin, edhe nëse është visit e rëndomtë apo për tregti. Mikatet janë pesë, të cilët janë:
01. Dhul Hulejfe – Ebjar Ali. Me largësi prej 410 km nga Meka për në Medine. Ky mikat gjendet në jug të Medinës me largësi afër 9 km.

02. Karnul Menazil, me largësi prej 80 km nga Meka.
03. Dhatel Irk me largësi prej 90 km nga Meka.
04. Xhuhfe – Rabig me largësi prej 187 km nga Meka. dhe
05. Jelemlem – Esadije me largësi prej 130 km nga Meka.

Pra MIkati më i afërt është Karnul Menazil 80 km kurse më i largëti është Dhul Hulejfe 410 km. Ajo që duhet patjetër të përmendim është fakti se në disa burime hasim, disa të dhëna të tjera të cilat nuk përputhet largësia në kilometra me këto të dhëna që ne i kemi paraqitur, por besoj se mos përputhja qëndron në punimet dhe ndryshimet e akseve rrugore të cilat janë bërë kohëve të fundit.

Qabja – Bejtullahi
Emrat me të cilët përmendet Qabeja në Kur’an janë.
– El Qa’be, përmendet në Suren El Maide në ajetin 95 dhe 97.
– El Bejt përmendet në Suren Al Imran në ajetin 96 dhe 97, pastaj në suren  El Bakare në ajetet  125 dhe 127, pastaj në suren El Enfal në ajetin  35,  në suren El Haxh në ajetin 26, dhe në suren Kurejsh ajetin 3.
– Bejtulla, përmendet në Suren El Bakare në ajetin 125,  në suren Ibrahim ajetin37, dhe në suren El Haxh ajeti 26.
– El Bejtul Haram përmendet në Suren El Maide në ajetet  2 dhe 97.
– El Bejtul Atik përmendet në suren  El Haxh në ajetet 29 dhe 33.
– Kiblet-un përmendet në  suren El Bakare në ajetin 144.

Ndërtuesit e Qabes
Qabja gjatë historisë është ndërtuat (rindërtuar) disa herë. Në bazë të argumenteve autentike nga Kur’ani famë lartë  dhe sunneti i pastër, mësohet që ajo të jetë  ndërtua – rindërtua katër herë. Në secilin rindërtim kishte pësuar ndryshime në formë dhe madhësi – sipërfaqe.

Ndërtimi i parë i cili është i vërtetuar edhe me Kur’an ishte nga Ibarahimi a.s. dhe i biri i tij Ismaili a.s.. Rindërtimi i dytë u bë nga ana e kurejshëve para shpalljes së Pejgamberit a.s.. Rindërtimi i tretë ndodhi nga ana e Abdulla b. Zubejrit derisa ai qeveriste me Meken. Ndërsa hera e katërt në të cilën është rindërtua qabeja është në periudhën e Abdul Melik b. Mervan, pas vdekjes së Abdullah b. Zubejrit. Haxhaxh b. Jusuf Ethekafiju e kishte rindërtua përsëri Qaben. Ndërsa përveç këtyre ndërtimeve – rindërtimeve, për ndërtimin e Qabes nuk ekzistojnë argument të prera Kur’anore apo historike që vërtetojnë një gjë të tillë, ngase argumentet janë vetëm supozuese andaj edhe dijetarët nuk kanë një qëndrim unik, por mes tyre ekzistojnë kundërthënie rreth ndërtimit të Qabes. Andaj jashtë katër herëve të përmendura me argument të prera rindërtim të plotë nuk ka pasur, por disa intervenime dhe meremetime të pjesërishme. Ndërtimet – rindërtimet të cilat supozohet të ketë pasur Qabja janë; Melaiket para Ademit a.s.. Ademi a.s.. Shiti a.s. Amalikët (fis- popull i vjetër i cili kishte sunduar këto troje më herët). Fisi Xhurhum. Kusaj b. Kilab. Sultan Murati i dytë.

I pari i cili i kishte hedhur themelet e Qabes me urdhrin e Allahut xh.sh.  ishte Ibrahim a.s., themele këto të cilat edhe ishin hedhur para më shumë se pesëmijë vjet ato edhe sot e kësaj dite janë të njëjtat dhe të pandryshuara. Të gjithë rindërtimet tjera që iu bënë asaj, themelet nuk ju preken dhe nuk iu ndryshuan,  por rindërtimi i Qabes u bë mbi të njëjtat themele. Studimet që janë bërë gjatë historisë rreth themeleve të Qabes vërtetojnë se, ato janë të qëndrueshme për bartjen e Qabes deri ditën e Kiametit, e kjo është edhe një mrekulli e Qabes. Intervenimet e  fundit dhe më serioze që iu bënë Qabes janë ato të Sultan Muratit në vitin 1040 h-1630 m dhe në periudhën saudite në vitin 1417h.

Dimensionet e Qabes
Qabja përafërsisht ka formë katrore me dimensione 12m x 12m, (të gjitha anët ndryshojnë për disa cm nga ana tjetër), ndërsa e lartë është 14 m.

Guri i zi
Guri i Zi është gur i sjellë nga xheneti, gjatë ndërtimit të Qabes nga ana e Ibrahimit a.s Allahu xh.sh. i a kishte zbritur nga xheneti që ta vendonte në këndin jugor të Qabes. Në periudhën kur mekasit rindërtuan Qaben (18 vite para hixhretit) Muhamedi a.s. (kishte 35vjet) me duart  e tij të ndershme  kishte rivënduar gurin e zi në atë kënd në të cilin kishte qen me mijë vjet. Ky gur ishte i bardhë, por mëkatet e njerëzve e kishin nxirë. Në lidhje me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “guri i zi kishte zbritur nga xheneti, ishte më i bardhë se sa qumështi, por gabimet – mëkatet e njerëzve e kishin nxirë”: Të dhënat historike pohojnë se brendia e gurit ti zi ende është i bardhë ashtu siç ka zbritur. Të mos lëmë në harresë faktin se, nëse mëkatet kanë ndikuar në gurin, atëherë ndikimi i mëkateve në zemrat e njerëzve është edhe më fuqishëm dhe më me ndikim.

Guri i zi është i venduar në këndin jugor të Qabes në lartësi nga toka prej 1,10 m, i gjatë 25cm dhe i gjerë 17cm. Ky gur ishte një copë, por pasi që Karamitët e kishin nxjerrë nga vendi i vet dhe dërguar në Ihsa (vend në Saudi), atje e kishin coptuar,  dhe pas disa viteve kishin kthyer vetëm disa copa nga ai, prandaj tetë copat e kthyera janë të vënduara në një gur tjetër, dhe të mbështjellur me kornizë – unazë të argjendit. I pari i cili e kishte rrethuar gurin e zi me kornizë argjendi ishte Abdulla b. Zubejri, pastaj sa herë që kishte nevojë prijësit e myslimanëve vepronin ngjashëm me Abdulla b. Zubejrin, e i fundit që i vuri kornizë të argjendit gurit të zi është Suud b. Abdulaziz në vitin 1375h -1955m.

 Mekami Ibrahim
Mekami Ibrahim quhet guri mbi të cilin qëndronte Ibrahimi  a.s. gjatë ndërtimit të Qabes së bekuar. Mrekullia e këtij guri është se ky gurë përdorej për skele që nënkupton se aq sa Ibrahim a.s ngrite murin  e Qabes, aq u ngrihej ky gur vetvetiu (me fuqinë e Allahut xh.sh.), ashtu që mekami Ibrahim shërbeu si skele për ndërtimin e Qabesë. Po ashtu thuhet se nga ky gur Ibrahim a.s kishte thirr njerëzit për në haxh.

Prej të mirave – fadileteve të këtij guri është se, Allahu xh.sh urdhëroi myslimanët që të falen afër tij, ashtu që pas çdo tavafi, sipas mundësisë dy reqatet e tavafit duhet të falen afër këtij mekami. Gjatë faljes së namazit mekami të jetë mesë falësit – namazliut dhe Qabesë. Edhe ky gur është nga gurët e xhennetit, për të cilin Pejgamberi ka thënë; “Rukni (guri i zi) dhe mekami janë dy korund (Jakut – gur të çmueshëm) nga xhenneti, sikur të mos i kishin nxirë mëkatet e njerëzve, ato do të kishin ndriçuar – rrezatuar prej lindjes deri në perëndim”. Nga të mirat e këtij guri është se, te ky gur pranohen lutjet.

Në makami Ibrahim ekzistojnë argument hyjnore dhe mrekulli të Ibrahim a.s. Allahu xh.xh. në Kur’anin e ndershëm thotë; “ Me të vërtetë, Faltorja e parë  e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekkë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë) vendi i Ibrahimit (mekami  Ibrahim). Ali Imran 96-97. Nga shenjat – argumentet e mekami Ibrahimit mund të numërojmë;
– Lënia gjurmë e këmbëve të Ibrahim a.s, në këtë gur (kjo është shenjë, se Allahu xh.sh  çdo gjë ia nënshtroi – përulë besimtarit të devotshëm i cili ka besim të pa luhatur).
– Ngritja e tij në ajër  sipas ngritjes së murit të Qabes, derisa ajo ishte kompletuar tërësisht, e që është veprim kundër ligjeve të fizikës.
– Ngelja dhe ekzistimi i gjurmëve të këmbëve të Ibrahimit a.s, edhe sot e kësaj dite, përderisa nuk ka ndodhë që të ketë ngelur gjurmë nga Pejgamberët pas vdekjes së tyre. Gjatë historisë kishte pasur disa herë tentative për ta vjedhur atë, e veçanërisht në rastet kur  bejtullahu ishte goditur me përmbytje të ujërave, por me gjithë atë ai kishte mbijetuar ato, edhe pse më parë ai nuk ishte i venduar në ndonjë kafaz për ruajtje ekskluzive.

Allahu xh.sh kishte mbrojtur që idhujtarët e Mekës të adhuronin atë, sepse idhujtarët kishin adhuruar lloj lloj guri tjetër. Pra idhujtarët kishin respektin ndaj gurit të zi dhe mekami Ibrahim ato asnjëherë nuk i kishin adhuruar ato.

Guri i Mekami Ibrahimit është i lartë 20 cm, thellësia e njërës këmbë 10 cm, kurse tjetrës 9 cm. Gjatësia e gjurmëve të dy këmbëve është 22 cm dhe gjerësia 11 cm. Në mekami Ibrahim shenjat e gishtërinjve të këmbëve nuk vërehen, e shkaku i mos vërejtjes së tyre është, se, mekami gjatë historisë nuk ishte i mbuluar, e kur njerëzit shkonin në Qabe fshinin duart  e tyre për mekamin për bereqet, ashtu që gradualisht kishin humbur gjurmët e gishtërinjve .

Mekami Ibrahim  më herët qëndronte në një dhomë me dimensione 3 x 6 m, por me që kjo dhomë pengonte zhvillimin e tavafit rreth Qabes, u ndie nevoja për të intervenuar në këtë fenomen. Kështu që pas pëlqimit të marrë nga Liga Islame në vitin 1967 ajo u zëvendësua me një dhomëz më të vogël nga kristali. Më pas në vitin 1416 h me urdhrin e mbretit të Saudis  ajo u ripërtëri, dhe pas ripërtrirrjes morri formën e kafazit. Ky kafa u përpunua me bakër të lyer me ar, me qelq të dukshëm me trashësi prej 10 mm, i cili është rezistues nga djegia dhe zjarri. Kafazi është i venduar në fundament të përgatitur nga graniti, kështu që mekami – këmbët mund të shihet shumë qartë dhe lehët (ky rindërtim i kafazit kishte kushtuar 2 milion real Saudi)

Distanca mes kafazit të Mekami Ibrahim dhe Gurit të zi është 14,5 m, mes Mekami Ibrahim dhe Ruknu Shami 14 m, mes Mekami Ibrahim dhe bunarit të zemzemit 12,5 m.

Burimi i Zemzemit
Zemzemin me urdhrin e Allahut xh.sh. e kishte hapur Meleku, pasi që Haxherja, bashkëshortja e Ibrahimit a.s. kishte vrapuar 7 herë mes kodrave të Safas dhe Merves për të kërkuar ujë për foshnjën e saj Ismailin.  Pas një periudhe të gjatë bunari i zemzemit ishte mbuluar dhe i kishin humbur gjurmët. Abdulmutalibi gjyshi i Pejgamberit a.s e kishte rihapur përsëri bunarin e zemzemit. Deri më vitin 1953 nxjerrja  e ujit bëhej me kovë, në këtë vit për nxjerrjen e ujit u instaluan pompat të cilat përcjellin ujin në rezervuar, e prej atje nëpër çeshmet e haremit. Distanca mes bunarit të zemzemit dhe Qabes është 21m, kurse kapaciteti i ujit të zemzemit që buron nga bunari është mes 11dhe 18,5 litra ujë në sekondë. Thellësia e bunarit gjithsej është 30 m, kurse thellësia e bunarit i cili është pa ujë është 4 m.  Thellësia e burimeve – damarëve prej ku rrjedhë uji i zemzemit është 13 m, e gjerësia e bunarit sillet mes 1,46 – 2,66m. Deri më vitin 1388h mbi bunarin e zemzemit kishte një objekt me dimensione prej 8.3 x 10.7 m, i cili pengonte rrotullimin e hanxhinjve rreth Qabesë, në këtë vit ky objekt u largua, ndërsa uji i zemzemit u transferua në podrum të xhamisë, me 220 çeshme. Në pjesën e podrumi të dedikuar për meshkuj dhe 120 çeshme për femrat, gjithsej 350 çeshme. Ajo që duhet të përmendim se në podrum në këndë të tij qartë shihet bunari dhe pompat e ujit.

Mirësitë e zemzemit
Nga mirësitë e zemzemit mund të veçojmë; ai është ujë nga burimet e xhenetit i cili filloi së ekzistuari mes xhibrilit a.s. dhe buron në vendin më të shenjtë në rruzullin tokësorë. Ai është fryti i parë që ia dhuroi Allahu xh.sh Ibrahimit a.s, për lutjen që e bëri në rastin kur  ai u largua nga ky vend duke i lënë pas vete bashkëshorten dhe birin e tij Ismailin të vetmuar. Ky ujë është shkak që Mekkja të bëhet vendbanim. Me këtë ujë është larë dhe pastruar disa herë zemra e të Dërguarit a.s., uji i zemzemit shërben për atë që pirësi e vendosë – bënë nijet, nuk shteret asnjëherë. Ai është bunari më i parë në botë mbi më shumë se pesëmijë vjet. Të përmendim, se, me ujë të zemzemit furnizohet jo që vetëm Haremi i Mekkes por me zemzem furnizohet edhe Haremi i Medinës dhe më gjerë.

Safa dhe Merve
Safa dhe Merve janë dy kodrina në jug lindje të Qabes, me distancë prej 130 m nga Qabja. Ecja mes Safas dhe Merves për haxhiun është vaxhib, ndërsa distanca mes Safas dhe Merves e që duhet ecur 7 herë është 394,5 m, lartësia e katit përdhes është 11,75m ndërsa katet tjerë me lartësi 8,5 m.

Mesxhidul Haram (Xhamia)
Mesxhidul Haram përfshin, Qaben dhe për rreth saj, siç është hapësira rreth Qabes e përgatitur për tavaf, objekti i xhamisë dhe oborri i saj me të gjithë zgjerimet që përfshin xhamin e Mekkes.

Zgjërimet e Mesxhidul haramit
Mesxhidul Harami gjatë historisë islame është zgjeruar nëntë herë, por më me rëndësi janë pesë, në fillim të përmendim periudhat  e  të gjithë e zgjerimeve, pastaj të përmendim diç më tepër për zgjerimet më të rëndësishme.
– Zgjerimi në kohën e Omer b. Hattab 17 h = 639 m.
– Zgjerimi në kohën e Othman b. Affanit 26 h = 648 m.
– Zgjerimi në kohën e Abdulla b. Zubejrit 65 h = 685 m.
– Zgjerimi në kohën e Velid b. Abdulmelik 91h -709m.
– Zgjerimi në kohën e Ebi Xhafer Mensur 137h -755m.
– Zgjerimi në kohën e Muhamed Mehdi Abbasi 160h -777m.
– Zgjerimi në kohën e Muëtedid Abbasi284h -897m.
– Zgjerimi në kohën e Muktedir Abbasi 306h -918m.
– Zgjerimi në kohën e mbretit Saudit Abdulaziz El Saudi 1370h -1955m dhe
– Zgjerimi në kohën e Mbretit e Fehd b. Abdulaziz 1409h – 1988m.

Zgjerimi në periudhën e Omer b. Hatab
Në kohën e Pejgamberit a.s. dhe Ebu Bekrit xhamia nuk kishte ndonjë rrethoj apo mur që e ndante xhaminë me shtëpitë rreth saj, ngase shtëpitë e rrethonin Qaben nga të gjitha anët. Kur numri i besimtarëve u shtua, sa që xhamia nuk i nxinte, Omeri r.a. u detyrua që shtëpitë për rreth xhamisë ti blen dhe në këtë mënyrë të zgjeron hapësirat e xhamisë. Rrethoi xhamin me mur, hapi disa dyer kurse hapësirën ku bëhet tavaf e shtroi me rërë.

Zgjerimi në periudhën e Mehdi Abbasi
Zgjerimet të cilat i ishin bërë kësaj xhamie ishin vetëm në lindje, perëndim dhe veri ndërsa në jug nuk kishte pasur zgjerime, për shkak të luginë ku gjatë shirave  kalonin ujëra të mëdhenj. Nga kjo nënkuptohet se Qabeja nuk ishte në mes të xhamisë, e për këtë  Mehdiu urdhëroi që xhamia të zgjerohet në atë mënyrë që Qabja të bëhet në mes të xhamisë. Inxhinierët dhe arkitektët kishin njoftuar se për këtë projekt nevojiten investime të mëdha, sepse tërësish duhet t’i ndërrohet rrjedha ujit të shirave. Zgjerimi doemos të bëhet edhe nëse do ti zbraz të gjithë arkat, ishte përgjigja e Mehdiut. Xhamia në bazë të urdhrit të tij ishte zgjerua ashtu që Qabja u pozicionua mu në mes të xhamisë. Ajo që argumenton se zgjerimi ishte i përpiktë dhe me mjeshtëri të fortë është se kjo xhami nuk pësoi ndryshime apo rindërtime prej 785 e deri më 1571 (tetë shekuj) dhe se disa nga shtyllat e kësaj periudhe ekzistojnë në xhami sot e kësaj dite,

Rindërtimi i haremit në periudhën Osmane
Pasi që në ndërtesën e Haremit kishin filluar disa plasaritje, në vitin 979 h = 1571 m Sultan Sulejman Kanuni kishte urdhëruar që xhamia e haremi të rindërtohet tërësisht nga themeli. Në vitin 1572 kishin filluar punimet për realizimin e rindërtimit të projektit, ndërsa punimet kishin mbaruar në periudhën e birit të sultan Sulejmanit respektivisht sultan Muratit në vitin 984h = 1576 m. Në këtë rindërtim nuk kishte pasur zgjerime por vetëm se xhamia u rindërtua tërësisht me të njëjtën hapësirë. Vlen të përmendet se ky rindërtim qëndron me të njëjtën arkitekturë edhe sot e kësaj dite, që nënkupton se ndërtimi ishte i fortë dhe solid.

Mesxhidi Harami në periudhën Saudite

Periudha e parë
Meqë numri i haxhinjëve sa vinte dhe u shtohej edhe atë si rezultat i përparimit të mjeteve transportuese sa që hapësira e xhamisë nuk mundte ti përfshinte të gjithë, sepse në hapësirën ekzistuese xhamia kishte kapacitet vetë për 50. 000 xhemat,  mbreti i Arabisë Saudite Abdulaziz b. Saudi në vitin  1344 h = 1925 m kishte dhënë disa konstruksione dhe udhëzime për  zgjerimin e xhamisë. Në vitin 1368h = 1948 m edhe zyrtarisht kishte deklaruar për vendimin e marrë për zgjerimin e xhamisë, kështu që pas studimeve, përgatitjeve dhe planifikimeve të duhura rindërtimi i xhamisë edhe zyrtarisht kishte filluar në vitin 1365h – 1955m. Ky zgjerim kishte zgjat afër njëzet vjet dhe kishte kushtuar më shumë se një miliardë (1 miliard) rial Saudi.

Periudha e dytë
Në vitin 1409 h = 1988 m mbreti i Arabisë Saudite Fehd b. Abdulaziz kishte hedhur gurin themeltar për zgjerimin e haremit. Punimet për këtë zgjerim zgjatën afër pesë vjet, ku në vitin 1413h = 1993m edhe zyrtarisht u mbyllën punimet rreth zgjerimeve. Në këtë zgjerim për herë të parë në historinë e haremit, ndërtesa e xhamisë kishte edhe podrum edhe atë me sipërfaqe prej 19.000 m2. Podrumi është i lartë 4 m, kurse kati përdhes 9,80 m, e  kati i parë është i lartë 9,64 m, lartësia e pamjes së jashtme –muri i jashtëm i xhamisë 20,96 m. Xhamia zbukurohet me 9 minare me lartësi prej 89 m, ka 7 ndërtesa për shkallë dhe ashensor të cilat shërbejnë për qarkullimin e njerëzve prej podrumit deri në terasë  dhe shumë hyrje me 95 dyer.

Hapësira e haremit dhe kapaciteti i saj
Para zgjerimeve saudite, do të thotë deri para vitit 1955 hapësira e xhamisë ishte 29,000 m2, përfshirë këtu hapësirën ku bëhet tavaf dhe ndërtesa e xhamisë e ndërtuar në periudhën Osmane. Kapaciteti i saj (para se të hiqeshin disa objekte të cilat ishin të ngritura në hapësirën e tavafit, siç është mekami Ibrahim, bunari i zemzemit etj) ishte 50.000 xhematë, ndërsa pas heqjes së objekteve nga  hapësira e tavafit arrinte deri më 72.000 xhematë.

Zgjerimet saudite i dhuruan xhamisë një hapësirë bukur të madhe, të gjithë ndërtimet dhe zgjerimet saudite, përfshirë  tërë hapësirën  e cila është e përgatitur për namaz, siç  është podrumi, hapësira e tavafit, kati përdhes, kati i parë dhe terasa arrin një sipërfaqe 278,000 m2, me kapacitet 607.000 xhematë. Xhamia posedon oborr me sipërfaqe prej 88.000 m2 i cili po ashtu është i përgatitur për faljen e namazeve dhe ka kapacitet 220.000 xhematë.

Hapësirat e haremit momentalisht të përgatitura për namaz arrijnë 366.000 m2 dhe me kapacitet 914.000 persona në gjendje normale, ndërsa periudhën e kallaballëkut si në kohën e haxhit dhe ramazanit edhe mbi një milion xhematë. Të përmendim se zgjerimet dhe ndërtimet janë duke vazhduar edhe sot, atëherë pa dyshim se kapaciteti i saj është në vazhdim e sipër. Zgjerimi i fundit është i klimatizuar,

Për klimatizimin e xhamisë është ndërtuar bazë e cila freskon hapësirat e xhamisë dhe e cila është larg xhamisë vetëm 600 m.

Mina
Mina është mes Mekkes dhe Muzdelifes, Brenda kufirit të haremit, 7 km në verilindje të xhamisë së haremit – Qabes, ndërsa 4 km përmes tunelit që lidhë Qaben me Minen.

Muzdelife
Muzdelifeja gjendet mes Arafatit dhe Mines,  dhe ka sipërfaqe 12.25 km2.

Arafati
Arafati është në jug lindje të Bejtullahit në largësi prej 22 km dhe është jashtë kufijve të haremit, me sipërfaqe 10,4 km2,

Xhebelu Rahmet (kodra e mëshirës)
Kodrinë e përbërë me rasa të mëdha të gurëve në lindje të Arafatit mes rrugës nr 7 dhe 8, me maje të rrafsh. Mbi të është ndërtuar një shtyllë me lartësi 8m dhe me  gjerësi prej 1.80 m e që shihet nga të gjitha anët e Arafatit. Lartësia e kësaj shtylle është 65 m, ndërsa lartësia mbi detare e kodrinës është  372 m, i gjatë (veri – jug) 370 m i gjerë (lindje – perëndim) 270 m.

Shkrime të ngjashme