Jurisprudencë, Opinione, Shkrime Autoriale

Mesazhe pejgamberike që duhet kuptuar

Autor: Jusuf ZIMERI

Na ka treguar Museddedi, na ka treguar Jahja nga ebu Gafari, na ka treguar ebu Temimete el Huxhejmiju – emri i ebu Temimes është Tarif b. Maxhalid, nga ebu Xhurrejje Xhabir b. Sulejmi i cili ka thënë: e kam parë njeriun nga i cili njerëzit gjithnjë pranonin mendimit e tij, ai nuk thoshte ndonjë fjalë e që njerëzit të mos e përcjellin atë.

Pyeta duke thënë: kush është ky njeri? thanë: ky është i dërguari i Allahut s.a.v.s.. Iu drejtova atij dhe i thash dy herë: aleje s-selamu (mbi ty qoftë paqa – shpëtimi) o i dërguari i Allahut s.a.v.s. Pejgamberi a.s. më tha: “mos thuaj (alejke selam) mbi ty qoftë paqa, sepse përshëndetja “alejke selam” është përshëndetja e të vdekurit, po thuaj: (es-selamu alejke). Transmetuesi tha: i thash: a ti je i dërguari i Allahut s.a.v.s., e ai tha:  po unë jam i dërguari i Allahut i cili nëse të godet një e keqe dhe i lutesh (Allahut në emrin tij), Ai ta largon at të keqe. Nëse të godet ndonjë  vit i thatë dhe i lutesh (Allahut në emrin tij) Ai e bënë të  bereqetshëm për ty. E nëse gjendesh në ndonjë vend të shkretë (pa ujë dhe bimë) dhe të ka humbur kafsha e udhëtimit dhe i lutesh Allahut, Ai ta kthen atë. Atëherë unë i thash: më këshillo me diçka të dobishme. Tha: “mos e shajë askënd, pas kësaj transmetuesi tha: pas kësaj këshille nuk kam sharë askënd as të lirë as rob, as deve as dele. Pejgamberi a.s. tha: “mos nënçmo asgjë nga të mirat, dhe kur ti folish vëllaut tënd, foli me fytyrë të hapur sepse kjo është nga të mirat,  dhe ngrite petkun tënd deri mbi zogun e këmbës, e nëse e urren këtë, atëherë deri te zogu i këmbës, kujdes nga zgjatja e petkut nën zogun e këmbës sepse ajo është nga mendjemadhësia, e vërtetë, Allahu nuk e donë mendjemadhësinë, e nëse dikush të ofendon apo të nënçmon me të metat që i ke, ti mos e nënçmo me të metat që i din tek ai, sepse vërtetë mallkimi është mbi at”.  

 Shpjegim i përgjithshëm i hadithit
 Hadithi në fjalë është i regjistruar te sunenin i ebu Davudit, dhe në brendësinë e tij përfshinë një sërë tematikash dhe këshillash të rëndësishme për besimtarin islam. Mënyra se si ka ardhur deri te kontakti i transmetuesit me pejgamberin a.s. na jep të kuptojmë për përkujdesjen e lartë që e tregonin sahabët për dëgjimin dhe bartjen e fjalëve respektivisht të haditheve të pejgamberit a.s. Ata ishin entuziastë që me interes të madh të dëgjonin çdo fjalë që dilte nga goja e pejgamberit a.s., sepse ata ishin të bindur se ai nuk flet nga hamendja e tij, por vetëm sipas asaj që i shpallej. Në anën tjetër, ky hadith qartë na bënë të ditur, se sahabët shprehnin interesim të madh që sa herë që tu jepej rasti të rrinin në mexhlis me Pejgamberin a.s. ta shfrytëzonin në maksimum kohën për të marrë këshilla fetare, juridike, etike dhe njerëzore, sepse vetëm kështu ata e mësonin fenë e tyre nga burimi i saj. Në kërkesën e transmetuesit për këshilla, Pejgamberi a.s. udhëzon kërkuesin në disa parime të rëndësishme për besimtarët islam. Përmes këtyre këshillave pejgamberi a.s. përcakton principet kryesore, saqë nëse i respektojmë ato principe, jo vetëm shoqërisë islame por edhe shoqërisë njerëzore i sigurojnë qetësi, lumturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri njerëzore. Pra hadithi në fjalë shëron edhe plagë sociale.

Çka kuptojmë nga hadithi.
Nëse bëjmë përpjekje që të bëjmë një elaborim më të hollësishëm mbi hadithin në fjalë, me lehtësi vërejmë se nga ky hadith mësojmë shumë gjëra të rëndësishme të cilat duhet implementuar dhe zbatuar në jetën tonë të përditshme. Nga mësimet më të rëndësishme që i mësojmë nga ky hadith janë:

 

 -I-

 Përkujdesja për dëgjimin dhe bartjen e hadithit
Nisur nga vetë fakti se si e paraqet transmetuesi rastin dhe shkakun e takimit të tij me Pejgamberin s.a.v.s. nënkupton se shokët e pejgamberit a.s. sa herë që takoheshin mes veti, bisedonin dhe informonin njëri tjetrin për  ndonjë hadith të pejgamberit a.s.. Është shumë e natyrshme dhe racionale, se edhe në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. jeta ka pasur dinamikën e saj, e veçanërisht pas shpalljes së Kur’anit ku ndryshimet ishin jo vetëm të mëdha, por edhe esenciale në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga ndryshimi dhe ngritja e vetëdijes që ishte qeliza e parë nxitëse për ndryshimin e besimit nga ai politeist në besim monoteist. Ndryshimi i botëkuptimit se si duhet kuptuar jetën dhe gjërat që e shoqërojnë atë, duke i bërë që njerëzit fillimisht të kuptojnë qëllimin e ekzistimit të tyre në këtë botë. Pra, kjo shoqëri që përjetonte ndryshime radikale, si në planin individual ashtu edhe në atë familjar e shoqërorë, si në sferën e besimit, kulturës, traditës, mënyrës së jetesës dhe ndjenjave të brendshme, ndryshimin e  perceptimit të jetës së kësaj bote dhe asaj që e rrethonte, kishte nevojë për një udhëheqës jo vetëm shpirtërorë, por të ishte edhe burrë shteti, edhe gjeneral i shkëlqyer, edhe mësues, edukator dhe pedagog gjigant, e kush mund të ishte tjetër përveç atij që e edukoi Krijuesi i gjithësisë, pra Muhamed Mustafa s.a.v.s. i cili kishte thënë: “Mua më edukoi Zotim me edukatën më të mirë”. Ky ishte ai i cili i priu këtij ndryshimi dhe tranzicioni fillimisht të brendshëm e pastaj edhe atij social. Shokët e tij (sahabët) edhe pse mirë e kishin kuptuar qëllimin dhe vlerat e ftesës së tij, dhe plotësisht ishin të përkushtuar shpirtërisht dhe fizikisht për ngritjen e islamit, sepse ata shumë mirë e kishin kuptuar se ishin të nënçmuar dhe u ngritën me islamin, por me gjithat në këto ndryshime marramendëse që ndodhën për një kohë shumë të shkurtë në gadishullin arab, ndihej edhe nevoja e jetesës dhe mbi jetimit në aspektin material-ekonomik. Andaj, problemet e mirëmbajtjes së familjes dhe angazhimet e tyre me obligime konkrete në shoqërinë islame, nuk i mundësonin çdo kujt që ta shoqëronte shumë shpesh pejgamberin a.s.. Kjo është edhe arsyeja, që sahabët sa herë që takoheshin mes veti, bisedonin për pejgamberin a.s. dhe fjalët që i kishin dëgjuar prej tij, me qëllim që ti përsëritnin sa më shumë dhe tua mësonin edhe të tjerëve. Këtë e sinjalizon transmetuesi i hadithit kur thotë se kishte dëgjuar për një njeri, që fjalët e tij ishin objekt i bisedimeve mes njerëzve dhe parim i jetës së tyre, e kjo fletë për përkujdesën dhe rëndësinë që i përkushtuan sahabët kësaj çështje.

 -II-

 Përshëndetja islame – selami
Përshëndetja mes besimtarëve islam është selami që donë të thotë, paq, qetësi dhe rehati. Kjo është përshëndetja më e mirë dhe e pa alternativë mes myslimanëve, sepse kjo është edhe përshëndetja e melekëve dhe përshëndetja e xhenetit. Kjo është fjala e parë me të cilën do përshëndetën besimtarët islam kur të hynë në xhenet. Allahu xh.sh. thotë: “E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë” Zumer: 73

Nga kjo nënkuptohet se përshëndetja me selam nuk është përshëndetje arabe, siç pretendon dikush ta trajtojë, por është përshëndetje islame, në gjuhën arabe, që e përdorin myslimanët e mbarë globit në këtë botë pa dallim ngjyre dhe gjuhe, dhe e njëjta do të përdoret edhe në xhenet.

Vërejmë se pejgamberi a.s. menjëherë e korrigjon përshëndetësin për gabimin e bërë në përshëndetje kur kishte thënë: “Alejke es-selam” duke ia mësuar përshëndetjen  e rregullt islame që është “es-selamu alejkum”. Pejgamberi a.s. për të mos e lënë në dilemë përshëndetësin, korrigjimin e tij menjëherë e arsyetoi duke i thënë se kjo është përshëndetje e të vdekurve. Ky është argument i fuqishëm se pejgamberi a.s. nuk ka heshtur asnjëherë kur është ndier nevoja e korrigjimit, andaj, dijetarët islam kanë definuar se edhe heshtja e pejgamberit a.s. konsiderohet argument, sepse nëse pejgamberi a.s. ka heshtur para një veprimi të caktuar, është konsideruar pëlqim dhe si i tillë ngelë argument i sheriatit islam. Në anën tjetër, me këtë reagim, Pejgamberi a.s. nuk kishte për qëllim të tregoj mënyrën se si duhet përshëndetur të vdekurit tanë, sepse sipas sunetit të pejgamberit a.s. është vërtetuar se edhe përshëndetja e të vdekurve sipas islamit bëhet si e të gjallëve, por kishte për qëllim të diferencoj atë që ishte islame, nga ajo që ishte tradicionale te arabët që të vdekurit e tyre ti përshëndesin me fjalën “Alejke s-selamu”.

 -III-

 Si e prezantoi pejgamberi a.s. veten e tij
Ajo që menjëherë na bie në sy gjatë leximit të këtij hadithi, është forma se si e prezantoi pejgamberi a.s. veten e tij, kur pyetësi e pyeti: Ju jeni i dërguari i Allahut. Këtu vërejmë se përgjigja e pejgamberit a.s. ishte konform pyetjes, andaj ai nuk e kishte informuar për prejardhjen e tij familjare, porse për misionin e tij si pejgamberi dhe i dërguar i Allahut xh.sh.. Ia bëri me dije se misioni i tij prej pejgamberllëkut është shpëtimi i njerëzve si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në jetën e botës tjetër, rikthimi i lumturisë dhe harmonisë në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër, zhdukjen e pesimizmit dhe ngurtësisë, si dhe mbjellja optimizmit dhe shpresës së njeriut në të gjitha gjendjet dhe momentet e jetës, andaj i tha: “Unë jam i dërguari i Allahut i cili nëse të godet një e keqe dhe i lutesh (Allahut në emrin tij), Ai ta largon at të keqe. Nëse të godet ndonjë i vit i thatë dhe i lutesh (Allahut në emrin tij) Ai e bënë të  bereqetshëm për ty. E nëse gjendesh në ndonjë vend të shkretë (pa ujë dhe bimë) dhe të ka humbur kafsha e udhëtimit dhe i lutesh Allahut, Ai ta kthen atë.

Kjo përgjigje e thukët, është shumëdimensionale sepse i bënë me dije njeriut, se njeriu pa besimin në Allahun Një, dhe në të dërguarin e tij, edhe në momentet kur posedon të mira në këtë botë, ai nuk është i lumtur, e ai i cili posedon imanin në Allahun dhe të dërguarin e Tij, është i lumtur dhe falënderues edhe atëherë kur e godet ndonjë fatkeqësi apo sprovë në këtë botë. Nëse zemra është e zbrazët nga besimi, ajo është e shkretë dhe nuk i bëjnë mirë edhe bukuritë dhe bereqetet e natyrës, por nëse është e freskët me iman, atëherë ajo është falënderuese ndaj Allahut xh.sh. dhe e freskët, kurse për zemrën e freskët me iman dhe falënderuese, garanca është e Allahut xh.sh. se atij do ti shtohen të mirat dhe bereqetet.

Njëkohësisht pyetësit në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe neve në mënyrë të tërthortë na e bëri me dije se grada e tij e pejgamberit nuk është meritë e tij individuale, porse dhuratë nga Allahu xh.sh., dhe si i tillë ai është edhe krijesa më e dashur te Allahu xh.sh., andaj edhe për hir të kësaj, Allahu xh.sh. ia lejoi ndërmjetësimin dhe shefatin për besimtarët islam. Se pejgamberi a.s. është i dekoruar nga Allahu xh.sh. me ndërmjetësim dhe shefat për besimtarët islam, krahas këtij hadithi, ekzistojnë edhe një sërë argumentesh tjera si nga Kur’ani ashtu edhe nga suneti i pejgamberit a.s., andaj përpjekjet që dikush ta zhveshë nga ky dekorim janë vetëm tentativa sterile.

 -IV-

 Kërkesat dhe këshillat e pejgamberit a.s.
Bashkëbiseduesi i pejgamberit a.s. si duket shumë qartë e kishte kuptuar mesazhin e Pejgamberit nga përgjigja e tij, andaj ai dëshiroi që të shfrytëzoj rastin dhe të marrë mesazhe dhe këshilla konkrete nga pejgamberi a.s. duke i thënë: Më këshillo me diçka të dobishme. Muhamedi a.s. siç thotë Ibni Abasi r.a. ishte më bujari në rruzullin tokësor, bile edhe më bujar se sa era e cila e sjell shiun e bereqetshëm, sepse përmes shiut freskohet toka, e përmes këshillave të pejgamberit a.s. freskohen zemrat e njerëzve. Andaj, përgjigje të kërkesës së tij Pejgamberi a.s. i tha:

 a. “Mos e ofendo – shajë askënd
Ky imperativ dhe kjo këshillë pejgamberike na jep mesazh të qartë se besimtari islam gjithnjë duhet të mbajë kontroll të plotë mbi gjymtyrët e trupit të tij, e veçanërisht mbi gjuhën sepse shumica e mëkateve të mëdha bëhen përmes saj, siç janë sharja, ofendimi, nënçmimi i tjetrit, gënjeshtra, bartja e fjalëve të huaja, përgojimi, etj. Në një hadith të transmetuar nga ebu Hurejra i cili ka thënë: në një rast, për një grua, i është thënë pejgamberit s.a.v.s., o i dërguari i Allahut s.a.v.s. filania falë namaz natën dhe agjëron ditën, por i ofendon fqinjët e saj me gjuhën e saj. Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Nuk ka të mira te ajo, ajo është në xhehenem” Ahmedi dhe ibni Hibani

Sharja, nënçmimi dhe ofendimi i shoqërisë, lënë gjurmë të pa shëruara në zemrat e të tjerëve dhe krijojnë shqetësime në shoqëri, andaj jo rastësisht i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Musliman i vërtetë është ai, që myslimanët janë të mbrojtur- të sigurt  nga gjuha dhe dora e tij”. Përmes gjuhës, njeriu jo vetëm që dëmton të tjerët, por dëmton edhe pronarin e saj duke e zhveshur nga punët e mira, dhe e shpien drejt bankrotimit, andaj Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson All-llahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). El Bekare:264. Në favor të kësaj, pejgamberi a.s. ishte garancë e atyre që arrijnë të mbajnë nën kontroll gjuhën e tyre se do të jenë prej xhenetlinjëve, sepse një numër i konsideruar i besimtarëve islam do të ndëshkohen në xhenet vetëm për shkak të pakujdesis së gjuhës së tyre.

Këtë mesazh dhe këtë këshillë të pejgamberit a.s. pyetësi e kishte kuptuar qartë, andaj edhe thotë: pas kësaj këshille më kurrë nuk kam sharë askënd as njeri  të lirë as rob, as deve as dele, pra as njerëz e as kafshë. Kjo na jep të kuptojmë edhe për seriozitetin e sahabëve, sepse ata çdo këshillë që e merrnin nga pejgamberi a.s. menjëherë e implementonin në jetën e tyre të përditshme, e jo sikur ne që dëgjojmë kur pyesim por nuk e implementojmë në praktikë.

b. mos nënçmo asgjë nga të mirat,
E mira dhe e keqja sikur janë bërë objekt i definimit të çdo individi në shoqërinë bashkëkohore, andaj çdo kush e definon të mirën si të mirë nga këndvështrimi dhe objektivi i tij individual dhe të keqen si të keqe nga objektivi i tij individual. Sipas islamit ka vetëm një definim, i të mirës dhe të keqes që është, çdo gjë që Ligjdhënësi e ka përcaktuar si të mirë ajo është e mirë, dhe çdo gjë që Ligjdhënësi e ka caktuar si të keqe, ajo është e keqe. Ky është definicioni i pranuar për besimtarët islam, dhe vetëm përmes kësaj optike duhet parë gjërat. Andaj besimtari islam ka bërë obligim që të veprojë sipas këtij definomi, të veprojë sipas të mirës dhe njëkohësisht të jetë falënderues. Të mirat janë të shumta, saqë edhe vet Kur’ani fisnik thotë “edhe nëse tentoni ti numëroni begatitë e Allahut, nuk do të mundeni”

c. dhe kur ti folesh vëllait tënd, foli me fytyrë të hapur sepse kjo është nga të mirat,
Përmes kësaj këshille i dërguari i Allahut xh.sh. rregullon raporte sociale në shoqërinë njerëzore duke e porositur besimtarin islam që ndaj vëllait të tij të jetë i hapur, i buzëqeshur dhe të japë shenja lumturie. Allahu xh.sh. në kur’anin famë lartë ka thënë: “Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde para njerëzve” Lukman:18. Në një rast kur ishin ankuar disa besimtarë se nuk po kanë mundësi të shpërndajnë sadeka për të varfëritë, për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, pejgamberi a.s. në mes të tjerave u kishte thënë: “Buzëqeshja në fytyrën vëllait tënd është sadeka..” Pra, buzëqeshja para vëllait tënde jo vetëm që afron zemrat e besimtarëve mes veti, por edhe te Allahu xh.sh. konsiderohet ibadet.

Shkurtimi i pantallonave

 d. ngrite petkun tënd deri mbi zogun e këmbës, e nëse e urren këtë, atëherë deri te zogu i këmbës kujdes nga zgjatja e petkun nën zogun e këmbës sepse  ajo është  nga mendjemadhësia e vërtetë, Allahu nuk e donë mendjemadhësinë,
Në këtë pjesë të hadithit pejgamberi s.a.v.s. trajton një çështje tjetër, shumë të rëndësishme për besimtarët islam. Pajgamberi a.s. përmes këtij teksti objekt të trajtimit ka mendjemadhësinë e cila dëmton rëndë çështjen e besimit dhe raportet ndër njerëzore, por ajo që është interesante në këtë rast se cytjes së temës i bënë përmes shenjave që zakonisht janë shenja të mendjemadhësisë, e që në këtë rast janë rrobet e gjata nën zogun e këmbës, që shkojnë për toke. Ky hadith si dhe shumë hadithe tjerë që trajtojnë veshjen e rrobeve të zgjatura nën zogun e këmbës, kohëve të fundit sikur po keqpërdoret me të madhe në opinion, dhe është bërë si emblemë e krenarisë së një kategorie të njerëzve.

Dijetarët islam kur u morën me shpjegimin e argumenteve të islamit, me qëllim për të rezultuar me dispozitën e shëndoshë islame, i kishin mbanin llogari për të gjitha kriteret domosdoshme për interpretimin e një ajeti apo hadithi. Në bazë të argumenteve të sheriatit Islam, dijetarët e shkencës së usuli fikut, shkencë kjo e cila merret me filtrimin dhe pastrimin e dispozitave islame të përfituar nga argumentete e detajuara,  kishin përcaktuar një rregull ku thotë: “Dispozita gjendet me motivin” Andaj edhe në elaborimin e këtij hadithi dijetarët përdorën këtë kaide të sulit, që nënkuptonë se dispozita- norma ekziston me ekzistimin e motivit. Motivi i cili përmendet qartë nga Pejgamberi a.s. në këtë hadith është mendjemadhësia, që nënkupton se nëse në veshjen e rrobeve të gjata që shkojnë për toke, gjendjet mendjemadhësia, atëherë menjëherë gjendet edhe dispozita e këtij veprimi që është harami. Në të kundërtën, nëse mungon motivi, që në këtë rast është mendjemadhësia, pra njeriu nuk i bartë rrobet e gjata nën zogun e këmbës për shkak të mendjemadhësisë, atëherë mungon edhe dispozita, pra nuk gjendet edhe harami. Saktësia e interpretimit të kësaj forme usuliste, mbështetet dhe përforcohet edhe nga argumentet tjera, si nga Kur’ani ashtu edhe nga suneti. Allahu xh.sh. në kur’anin fisnik thotë: “mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë  lavdërohet” Lukman : 18

Në anën tjetër shumica dërmuese e haditheve të Pejgamaberit a.s. që trajtojnë çështjen e rrobeve të gjata nën zogun e këmbës, njëkohësisht përmendin edhe motivin e ndalimit të kësaj veshje, siç është rasti me hadithin e Ibni Omerit i regjistruar në koleksionin e imam Buhariut, Muslimit Termidhiut, Nisaiut dhe ibni Maxhes, pastaj hadithi i Ebu Seid el Huderiut, poashstu i regjistruar te Buhariiu dhe Muslismi, pastaj hadithi i transmetuar nga ebu Hurejra i regjistruar te ebu davudi etj. Në të gjitha këto hadithe të transmetuara, motivi i ndalimit të nbartjes së rrobeve të gjata që është mendjemadhësia, potencohet nga vetë pejgamberi a.s. dhe atë në mënyrë shumë të qartë.

Argumenti që vërtetonë këtë që e thamë dhe largonë të gjitha dilemat rreth kësaj çështje është hadithi  i regjistruar te imam Buhariu, Muslimssi, ebu davudi dhe Nisaiju, i transmetuar nga Musa b. Ukbe, nga Salim b. Abdullahi, e ky nga babai i tij, e ky nga i dërguari i Allahut s.a.v.s. ku ka thënë: Kush i tërheq rrobat e tij për toke nga mendjemadhësia, Allahu nuk do ta mëshirojë atë ditën e kijametit” Në këtë rast kur pejgamberi a.s. e tha këtë hadith, prezent ishte edhe ebu Bekri r.a., i cili dëshiroj që njëherë e përgjithmonë ta pastrojë këtë dilemë dhe iu drejtua pejgamberit a.s. duke i thënë: O i dërguari i Allahut s.a.v.s., rrobet e mia më shkojnë për toke, edhe pse unë mundohet ti përkushtoj kujdes bskësaj çështjeje. Pejgamberi a.s. e shikoi ebu Bekrin dhe ju përgjigj në mënyrë shumë të qartë duke i thënë: “ Ti nuk je nga ata që e bëjnë këtë nga mendjemadhësia”.

e. e nëse dikush të ofendon apo të nënçmon me të metat që i ke, ti mos e nënçmo me të metat që i din tek ai sepse vërtetë mallkimi i saj është mbi at”.
Hadidthi në fjalë përfundon duke e këshilluar besimtarin islam që të mos e ofendojë tjetrin duke ia përmendur të metat që ika, apo duke ia përmendur gjërat që ai nuk dëshiron të ia përmendësh, sepse ky veprim  shpien në ftohje dhe prishje të raporteve mes besimtarëve islam. Në anën tjetër hadithi na porositë që në rastet kur dikush të përmend apo të ofendon me diçka duke i theksuar të metat tuaja, duhet të përmbahemi dhe të mos reagojmë me hidhërim. Neve si besimtarë islam kemi për obligim që sa më shumë të mbulojmë të metat e tjetrit, e kështu i mbulojmë të metat tona, dhe fitojmë mëshirën e Allahut xh.sh., e në të kundërtën përfitojmë vetëm hidhërimin dhe mallkimin e Allahut xh.sh.

Vallahu ealem.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht