Mevludi, Sunnet i mirë apo bidat (3)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Tentativa për ndalimin e Mevludit

Krahas këtyre shumë argumenteve që i theksuam rreth dispozitës së Mevludit, ekzistojnë edhe disa zëra që vazhdimisht tentojnë të mënjanojnë këtë manifestim të muslimanëve për të dërguarin e tyre, respektivisht nën moton e bidatin, bëjnë përpjekje që ta ndalojnë këtë ceremoni. Dijetari i parë i cili i cili tha se manifestimi i Mevludit është Bidat është Imam Muhamed ibn Abduselam (El Izzu Abduslam) i cili ka vdekur vitin 660 h. dhe Imam Shatibiu i cili ka vdekur vitin 790h.

Mirëpo atë që duhet pasur parasysh është fakti se historianët janë të mendimit se manifestimi i mevludit në këtë formë ka filluar në kohën e Fatimive, d.m.th. në gjysmën e parë të shekullit të katërt hixhrij. Gjithashtu vërtetohet se manifestimi i mevludit ka qenë edhe në kohën e halifëve Abasit. Nëse marrim parasysh këto të dhëna, nënkuptojmë se mevludi është përdorur më shumë se dy shekuj para se të lindë El Izzu Abduselami i cili thotë se mevludi është bidat. Para tij kishte dijetarë që jetuan bashkërisht me mevludin dhe askush nuk e kishte thënë se ky veprim është bidat, e kjo nënkupton se ishte formuar Ixham Sukuti (konsesus në heshtje), kurse mendimi i Abduselamit është kundërshtim me konsensusin (ixhmain). Disa dijetarë janë të mendimit se Abduselami dhe Imam Shatibiu, me kontestimin e tyre të mevludit duke e cilësuar si bidat, nuk kishin për qëllim kontestin esencial, porse veprimet e ndaluara që e shoqëronin mevludin.

Në anën tjetër, edhe nëse nuk i marrim parasysh këto fakte, dhe pranojmë mendimin se Mevludi është Bidat, atëherë themi se vërtetë nocioni Bidat në aspektin gjuhësor donë të thotë risi, por në aspektin termilogjik islam, mevludi është nga risitë që janë të mira. Pra bidat është çdo risi e cila nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit a.s., por se bidati mund të jetë i mirë dhe mund të jetë i keq. Këtë e vërteton edhe Imam Sahfiu r.a. thotë: Bidati është dy lloje që janë: Bidat i lavdëruar dhe bidat i ndaluar. Bidat i lavdëruar është çdo risi që harmonizohet me sunnetin, pra që nuk kundërshtohet me sunetin është i lavdëruar, kurse çdo bidat që kundërshtohet me sunetin është i ndaluar.

Në mesin e atyre dijetarëve islamë që mevludin e trajtoi si bidat dhe e ndaloi manifestimin e lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ishte edhe dijetari i famshëm nga medhhebi Malikij Taxhudin Omer b. Alij El-Lahmiju el Iskenderij i njohur me emrin El Fakihani,[1] i cili në veprën e tij[2] thotë:”Unë nuk di ndonjë bazë në Kur’an dhe në Sunnet për çështjen e mevludit, dhe këtë veprim nuk e transmeton ndonjë nga dijetarët e ummetit që vërtetë kanë fuqi intelektuale dhe që janë fortë të kapur për sunnetin e të parëve. Mevludi është bidat (risi) që e kanë shpiku njerëzit e prishtë, dhe ata që janë të dhënë pas kënaqësive të ngrënies. Këtë e vërtetojmë me faktin, se nëse dëshirojmë të dimë dispozitat fetare themi se janë: vaxhib (farz) mendub, mubah, mekruh dhe haram. Andaj ekziston konsensus se mevludi nuk është farz (vaxhib) e as mendub, sepse mendubi është: vepra që e kërkon ligjdhënësi, por mosveprimi i tij nuk është mëkat. Për Mevludin nuk ka lejuar Ligjdhënësi, e as që e kanë vepruar sahabët, as tabiinët e as dijetarët e mirë. Kjo është përgjigja ime te Allahu xh.sh. nëse pyetem për të” Mevludi as nuk është i lejuar që të jetë Mubah, sepse risitë (bidatet) në fe janë të ndaluara sipas konsensusit të dijetarëve islamë. Atëherë, nëse mevludi nuk radhitet në këto tre dispozita, nuk ka alternativë tjetër përveç se të klasifikohet në dy dispozitat e fundit që janë Mekruhi apo Harami

Këtij mendimi Imam Sujutiu iu përgjigj fjalë për fjale ku thotë: Thënies së Imam Fakihanit se, unë nuk di ndonjë bazë në Kur’an dhe sunnet, për çështjen e Mevludit, i përgjigjemi ma faktin se: mos dituria për një çështje, nuk mohon ekzistimin e çështjes. Mendimin e Fakihanit e demanton edhe Ibni Haxher Askalani i cili duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibni Abbasi i regjistruar te Sahihu i Buhariut dhe Muslimit, ku Perjgamberi a.s. qartë tregon se motivi i agjërimit të ditës së hënë është lindja e tij në këtë ditë. Pra sipas Ibni Haxherit Mevludi ka bazë në sunnet. Kurse Imam Sujutiu mendimin e Fakihanin se mevludi nuk ka bazë në Kur’an dhe sunnet, e demanton me hadithin e regjistruar te Imam Bejhekiu me transmetim nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka therë kurbanë (Akika) për veten e tij pas pejgamberllëkut, që nënkuptonë se mevludi ka bazë në sunnet.

Imam Sujutiu, thënien e Fakihanit se “Mendubi është vepra që e kërkon Ligjdhënësi, e në këtë rast për veprimin e mevludit nuk kemi kërkesë”. Imam Sujutiu thotë se kërkimi i mendubit ndonjëherë bëhet përmes tekstit, e ndonjëherë bëhet përmes kijasit (analogjisë) nëse nuk ka ndonjë tekst tjetër që ndalon këtë veprim.[3]

Më vonë çështjen e ndalimit të Mevludit e aktualizuan disa nga dijetarët saudijan të ndikuar nën frymën e ideve të Muhamed Abdulvehabit. Mënyra e argumentimit të këtyre dijetarëve është shumë indikativë, ngase jo rrallë herë në vend se të merren me çështjen e vërtetimit të dispozitës së Mevludit, ata dinë të bëjnë edhe nënçmimin dhe degradimin e dijetarëve të mirëfilltë islamë dhe të muslimanëve që lejojnë manifestimin e mevludit. Mendoj se kjo është forma më indikative sepse nga kjo dukuri nuk ishte e as nuk është atribut e dijetarëve islamë. Këtë që e thash do ta vërejë edhe vet lexuesi më poshtë, në momentin kur do të sjellim mendimet e tyre për moslejimin e bidatit.

Dijetari Saudijan Shejh Abdulaziz Abdulla Ali Shejh[4] mufti i përgjithshëm i Arabisë Saudite, dhe kryetar i asamblesë së dijetarëve të mëdhenj, i cili është i njohur në mesin e muslimanëve si thirrës i ideologjisë vehabiste, në fetvan e tij publikuar në gazetën Saudite El Medine, të datës 12. 03. 1431 h – 25 . 02. 2010 thotë:[5]Manifestimi për lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është Bidat (risi) për të cilën nuk ka bazë islame. Unë nuk di ndonjë bazë islame për lejimin e manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  as nga sunneti i të Dërguarit a.s., as nga metodologjia e Hulefai Rashidinëve e as dijetarëve të mëdhenj. Besimtari islam gjithnjë është i përkushtuar dhe i lidhur ngushtë me sunnetin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,, andaj sunneti i Pejgamberit a.s. e shoqëron atë, në çdo kohë, në vendlindje, në udhëtim, natën ditën, gjatë ngrënies pirjes, duke qenë zgjuar dhe në gjumë, pra në çdo lëvizke të tij.. Besimtari islam nuk guxon që asnjëherë për asnjë moment të largohet nga metodologjia e Kur’anit dhe Sunneti. Andaj, një njeri që plotëson këto atribute a ka nevojë që ndonjë natë apo ndonjë ditë të caktuar të reflektojë publikisht harenë dhe dashurinë ndaj Pejgamberit a.s., përmes recitimeve dhe ligjëratave që nuk kanë lidhje me sunnetin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,. Pastaj vazhdon e thotë: Atë që po dëgjojmë se njerëzit po tubohen dhe po festojnë natën e dymbëdhjetë të muajit Rebiul Evel, këtë njerëzit e kanë shpikur pas disa shekujve, e shpiku kush e shpiku, ndoshta qëllimi ka qenë i mirë, por kjo është çështje që është në kundërshtim me sheriatin (Islamin). Andaj qëllimi i mirë nuk mund që sendin e keq ta shndërroj në të mirë, e as bidatin – risinë nuk mund ta bëjë sunnet, ngase vepra nuk pranohet nga Allahu xh.sh. vetëm nëse është vepruar për All-llah dhe të jetë në harmoni të plotë me atë që na ligjësoi Pejgamberi i jonë Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,”[6]

Në pyetjen, çka është dallimi mes manifestimit të “javës së Shejh Muhamed Abdulvehabit” dhe manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, për ata që e lejojnë të parën por e ndalojnë të dytën, është përgjigjur Muftiu i Saudisë Muhamed b. Salih El Uthejmin[7] i cili tha: “Dallimi sipas mes këtyre dy manifestimeve sipas asaj që dimë ne është në dy aspekte:

Aspekti i parë: Java e Shejh Muhamed Abdulvehabit Allahu e mëshiroftë nuk konsiderohet afrim te Allahu xh.sh., porse me të është për qëllim evitimi i dyshimeve nga shpirti e disa njerëzve që kanë për këtë njeri, dhe t’u sqarohet atyre se çfarë u ka dhuruar Allahu xh.sh. muslimanëve me këtë njeri.

Aspekti i dytë: Java e Shejh Muhamed Abdulvehabit Allahu e mëshiroftë nuk përsëritet ashtu si përsëriten festat, kjo çështje u është e qartë njerëzve, u shkrua çka u shkrua, dhe këtë javë u bë e qartë shumë njerëzve e vërtetat e këtij burri që nuk ishin të njohura para kësaj jave.”[8]

Shejh Ibni Uthejmini[9] thotë: Sikur manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, të ishte nga punët e dashura te Allahu xh.sh. dhe te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, atëherë do të ishin të ligjësuara dhe do të ishte i ruajtur, sepse Allahu xh.,sh. Garantoi ruajtjen e islamit (sheriatit). Sikur ky veprim të kishte qenë i ruajtur, atëherë nuk do ta kishin braktisur Hulkefai Rashidinët e as sahabet tjerë. Derisa ata nuk vepruan një veprim të tillë, nënkupton se kjo çështje nuk është nga feja, andaj këshillojë vëllezërit tanë musliman që të largohen nga këto çështje që nuk janë të ligjësuara nga Kur’ani dhe Sunneti[10]

Shejh Abdulazit b. Abdullah ibn Bazi thotë[11]: Nuk lejohet manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e as manifestimi i lindjes së dikujt tjetër, sepse një veprim i tillë është Bidat (risi) në fe, ngase një veprim të tillë nuk e ka praktikuar Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,, as Hulefai Rashidinët e as sahabët tjerë. Ata ishin njerëzit që më së miri e dinin sunnetin e Pejgamberit a.s. dhe që më së shumti e donin Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme Është vërtetuar nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, se ka thënë: “Ai që shpikë një risi në çështjen (fenë) tonë e që nuk është nga feja jonë, është e pa pranuar” Bhurai Muslim. Pastaj Pejgamberi a.s. në hadithin tjetër thotë: Jeni të obliguar të pasoni sunetin tim dhe sunnetin e Hulefai Rashidinëve të drejt pas meje, kapuni për të (sunnetin) dhe kin i kujdes nga risitë sepse çdo risi është Bidat, e çdo bidat është humbja (dalalet)”

Shejh Salih El Fevzani me rastin e përcaktimit të dispozitës së manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme thotë[12]: Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është veprim i ndaluar, i pa pranuar, dhe atë për disa arsye, që janë:

-Një veprim i tillë nuk është nga sunneti i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e as nga suneti i Hulefai rashidinëve. Për derisa është kështu, atëherë është bidatet e ndaluara, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  ku thotë:”Jeni të obliguar të pasoni sunnetin tim dhe sunnetin e Hulefai rashidinë të udhëzuar pas meje..”[13]

-Manifestimi për lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e shpikën Shiat Fatimitë me qëllim që ta prishin fenë e muslimanëve. Fevzani konsideron se një bidat i tillë është shtesë në islam, e kjo është në kundërshtim me ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Sot plotësova për ju fenë tuaj”[14]

-Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, i përngjet veprimeve të krishterëve sepse ata festuan lindjen e Mesihut (Isa a.s.), kurse ngjasimi me ta është nga ndalimet (haramet) më të rrepta. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, ka thënë: “Kush i përngjet një populli, ai është prej tyre”[15] si dhe hadithi tjetër ku thotë: Ndryshoni- mos u përngjisni idhujtarëve[16]

Fevzani siç paraqet në veprën e tij,[17] shkon edhe më larg duke bërë edhe akuza të rrepta ndaj atyre që lejojnë manifestimin e mevludit dhe thotë: “Lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e festojnë vetëm injorantët nga muslimanët dhe dijetarët (ulematë) e devijuar”. Nga ndalesat që e shoqërojnë këtë manifestim janë kasidet dhe ilahitë grupore që i këndojnë përmes tupanit, pastaj përzierja e meshkujve me femra, që shpien drejt fitnes dhe hapjes së rrugëve për veprim të bidateve tjera, thotë Fevzani.

Njëri nga dijetarët bashkëkohorë Shejh Muhamed Nasirudin Albani duke folur për dispozitën e sheriatit rreth manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që e praktikojnë muslimanët sot, përveç tjerash thotë:“Dua të sqarojë se manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, nuk ka bazë në sheriatin Islam, porse ky manifestim thjeshtë është i ndikuar nga ndjenjat e njerëzve, por ne jemi të vetëdijshëm se i Dërguari jonë ka ardhur me fe të kompletuar. Veprimet që i kanë shpikur njerëzit pas vdekjes së Pejgamberit a.s. e veçanërisht pas tre shekujve të dëshmuar me mirësi pa dyshim se janë çështje të shpikura, e ju mirë dëgjuat kur thash se: Çështjet më të këqija janë ato që shpiken, sepse çdo shpikje është risi (bidat) e çdo bidat është në humbje dalalet) e çdo dalalet është në zjarr të xhehenemit”. Andaj ne dhe ata jemi unik në faktin se mevludi është çështje e shpikur, sepse nuk u manifestua në kohën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e as në kohën e tre shekujve të dëshmuar. Pejgamberi a.s. nuk festoi lindjen e tillë, sepse ai ishte i vetëdijshëm se festimi i lindjes së ndonjë njeriu, është metodologji krishtere që nuk e njeh Islami[18].



[1] El Fakihani është një dijetar islam nga shkolla juridike malikite. Është autor i veprës: “El Mevridu fil kelami ala amelil mevlidi”. Ka vdekur në Aleksandri në vitin 731 h.

[2] El Fakihani, El Mevrid fi amelil mevlidi.

[3] Ibni Halife Aljevij, hadhihi akidetu es-selefi vel Halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve ef’alihi vel xhevabu es-sahih,.

[4] Shejh Abdulaziz Abdulla Ali Shejh është një nga nipat e Muhamed Abdulvehabit. Ka lindur në Mekë më 30. 11. 1943. Kishte ushtruar disa poste përfshirë këtu edhe profesor universitar. Pas vdekjes së Abdulaziz ibn Bazit, me dekret të mbretit emërtohet muftij i përgjithshëm i Arabisë Saudite dhe kryetar i unionit të dijetarëve të mëdhenj për hulumtime shkencore dhe për fetva.

[5] Gazeta e përditshme Saudiane “El Medine” më 25. 02. 2010 Medine Munevere.

[6] Të përkujtojmë lexuesin se i njëjti Dijetarë Islam, vetëm pas disa muajve i pyetur për lejimin apo moslejimin e manifestimit të festës kombëtare të Saudis, më datën 24.10. 1432h – 23. Dhjetor. 2011 në gazetën “Ukadh” Nr. 3750 Saudite nxori fetvanë kontraverze me të parën kur tha: Është obligim që kjo ditë të shndërrohet në ditë falënderimi ndaj Allahut dhe të përkujtohen begatitë e Allahut xh.sh. dhe të ruhet falënderimi ndaj Allahut për begatinë e paqes dhe garancës..”

[7] مجموع فتاوى و رسائل الشيخ محمد صالح العثيمين المجلد السادس عشر – باب صلاة العيدين.

[8] Fetvaja është publikuar në gazetën “Tariku-l-Islam” të datës 22 Dhulhixhe 1427 h / 12. 01. 2007

[9] Shejh Ibni Uthejmini ka lindur më 29 Mars 1929 në Anize të Arabisë Saudite, kurse ka vdekur më 11 Janar 2001. Dhe është varrosur në mekke. Kishte ligjëruar disa herë si në Qabe ashtu edhe në Xhaminë e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e veçanërisht në kohën e haxhit dhe gjatë verës.

[10] www.emasjid.net/

[11] Marrë nga: Fetava Ulema beledil haram, 996-998

[12] كتاب حقوق النبي صلى الله عليه وسلم بين الإجلال والإخلال ص 139

[13] Imam Ahmedi 4/126 dhe Termidhiu 2676

[14] Suretu El maide : 05

[15] Ahmedi 2/50, Ebu Davudi 4/314

[16] Muslimi 1/222

[17] Kitabu Et-Tevhid, Salih El Fevzani f. 159-163.

[18] Faqja zyrtare: www.alalbany.net

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *