Mevludi, Sunnet i mirë apo bidat (4)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Dyshime, që duhet flakur

Për të mos lënë asnjë hapësirë më të vogël të këtyre dyshimeve që po mundohen ti fusin në ceremoninë e mevludit, në vazhdim do të debatojmë, ndriçojmë faktet dhe të demantojmë tërësisht se bindja e tyre është e pa bazë.

Dyshimi nr. 01.

“Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe njerëzve të mirë, nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, as të sahabëve, e kjo nënkupton se ky veprim është Bidat !

Theksuam dhe argumentuam edhe më parë se, disa nga dijetarët islamë që i përmendëm më parë kontestojnë që mevludi të jetë Bidat, ngase për të ekziston bazë juridike për ligjësimin e mevludit. Këtë e përforcon edhe vet fakti se mevludi ka qenë prezent edhe në kohët më të hershme nga zyrtarizmi i manifestimit të Mevludit në kohën e mbretit Mudhafer Kevkeburi në vitin 630.

Është e vërtetë se në kohën e Hulefai rashidinë menifestimi i mevludit nuk bëhej në këtë formë siç bëhet sot, por tek ata manifestohej në aspektin e besimit dhe të sjelljeve edukativo shpirtërore. Në atë kohë ata nuk i tubonin njerëzit siç po ndodhë sot, por ata këtë ngjarje madhështore e manifestonin me format e adhurimit të diktuar nga bindja e tyre e thellë shpirtërore. Një sqarim shumë shkencor për këtë e jep edhe Prof. Dr. Jusuf El kardaviu i cili thotë: sahabët nuk e festuan në këtë formë as lindjen e pejgamberit a.s. e as ngjarjet tjera siç janë hixhreti, Bedri dhe ngjarjet tjera nga arsyeja sepse realisht ata praktikisht jetuan dhe përjetuan këto ngjarje. Ata gjithnjë në trurin e tyre kishin të freskëta këto ngjarje, andaj nuk ndihej nevoja e manifestimit në këtë formë siç e bëjmë ne sot. Derisa me largimin e gjeneratave dhe njerëzit filluan të largohen dhe pak a shumë të harrojnë këto ngjarje dhe rëndësinë e tyre, lindi nevoja që manifestimi të bëhet në këtë formë siç e bëjmë ne sot, dhe kjo nuk ka asnjë të keqe.

Në anën tjetër se Mevludi ka qenë i regjistruar si ngjarje historike edhe te gjeneratat e mëhershme vërteton edhe transmetimi nga Tabiiju Hasan El Basriju i cili ka vdekur në vitin 110 h. i cili ka thënë: “Sikur unë të kisha në pronësi një kodër sa kodra e Uhudit me ari, do ta kisha shpërndarë për lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, [1] Pastaj ngjashëm vërteton edhe Imam Xhunejd El Bagdadi i cili ka vdekur vitin 298 h ka thënë: Kush prezanton në mevludin e Pejgamberit a.s. dhe e madhështon atë, ai ka shpëtuar me besimin e tij. Më pas dijetari Ebu Mahfudh i njohur me emrin Ibni Fejruz El Kerhiju i cili ka vdekur në vitin 200 h ka thënë: Kush për hir të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme shpërndanë ushqim dhe i tubon muslimanët (vëllezërit) ai ka ndezur një dritë , ka veshur rrobe të reja, është parfumuar dhe është zbukuruar për nderë të madhërimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, atë Allahu xh.sh. ditën e ringjalljes do ta ringjallë me grupin e parë të Pejgamberëve[2].

Në anën tjetër, edhe nëse nuk i marrim parasysh këto fakte, dhe pranojmë mendimin se Mevludi është Bidat, sërish nuk kemi përfituar argumentin për ndalimin e mevludit, sepse nuk mund të ndalohet thjesht vetëm nëse i japin trajtim të bidatit. Për këtë ka sqarime sepse vërtetë nocioni Bidat në aspektin gjuhësor donë të thotë risi, por në aspektin termilogjik islam, ajo është nga risitë që janë të mira. Pra bidat është çdo risi e cila nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit a.s., por se bidati mund të jetë i mirë dhe mund të jetë i keq. Imam Sahfiu r.a. këtë e argumenton duke thënë: Bidati është dy lloje që janë: Bidat i lavdëruar dhe bidat i ndaluar[3]. Bidat i lavdëruar është çdo risi që harmonizohet me sunnetin, pra që nuk kundërshtohet me sunetin është i lavdëruar, kurse çdo bidat që kundërshtohet me sunnetin është i ndaluar.

Dijetari i famshëm Ibni Rexheb El Hanbeliu në veprën “Xhamiul Ulumi vel hukmi”, duke e komentuar hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku thotë: “Çdo risi është bidat, e çdo bidat është në humbje – dalalet” thotë: me nocionin Bidat janë për qëllim risitë që nuk kanë bazë në sheriatin islam, kurse risitë që kanë një bazë apo mbështetje në sheriatin islam, ato nuk konsiderohen bidate në aspektin terminologjik islam, por vetëm në aspektin gjuhësor. Bidatin ngjashëm me Ibni Rexhebin e shpjegon edhe Ibni Haxher Askalani. Edhe vetë Muhamed Abduselami i cili thotë se mevludi është bidat, bidatin e ndanë në pesë lloje që janë vaxhib, haram, mekruh, mustehabe dhe mubah.

Ibni Haxher Askalani vërteton se me nocionin “risi-bidat” është për qëllim një risi-bidat, e cila nuk ka bazë në fe, kjo në terminologjinë e sheriatit njihet me termin Bidat, kurse risia e cila ka bazë në islam, nuk konsiderohet bidat.

Disa nga dijetarët islamë janë të mendimit se edhe vetë Pejgamberi a.s. Bidatin e ndau në dy lloje, në të mirë dhe të keq, porse ai këto risi nuk emëroi me bidat por me nocionin Sunne. Kjo vërtetohet me faktin se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush hap një rrugë të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë, pa iu pakësuar shpërblimi, e kush e hapë një rrugë të keqe ai ka dënimin për këtë rrugë dhe dënimin e atyre që e pasojnë pa iu pakësuar dënimi”.[4] Pra kush bëhet shkaktar që me ndonjë risi të tij të fillojë një punë të mirë në islam, që nuk është në kundërshtim me bazat e sheriat, ai ka bërë një sunet të mirë dhe për të shpërblehet, e kush shpik ndonjë risi të keqe që është në kundërshtim me normat e sheriat, ai ka dënim sepse ka hapur një rrugë të keqe.

Nëse bidatin nuk e kuptojmë në këtë formë, atëherë duhet patjetër të konstatojmë se të gjithë selefi i ndershëm e edhe sahabët paskan qenë bidatxhinjë, sepse është e vërtetë se në kohën e tyre janë hapur shumë rrugë të mira të islamit që nuk kanë qenë në kohën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. por që nuk m,und të jenë bidate të ndaluara për shkak të faktit se dikush nuk arrin të kuptojë bidatin.

 Dyshimi nr. 02

 Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk na ka urdhëruar që të festojmë lindjen e tij, andaj sikur të kishte të mira në manifestimin e lindjes së tij, ai do të na kishte urdhëruar, sepse nuk ka lënë punë të mirë pa na urdhëruar për veprim!

Po, është e vërtetë se Pejgamberi a.s. nuk na ka urdhëruar të festojmë lindjen e pejgamberit a.s., por në anën tjetër ekziston edhe fakti tjetër është i vërtetë se ai as nuk na ka ndaluar të manifestojmë lindjen e tij. Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: “Cka t’ju japë Pejgamberi, atë merrni, e çka t’ju ndalojë, përmbaju dhe kini frikë All-llahun,[5]”, e nuk ka thënë: “e çka nuk ju ndalojë, ndalohuni”. Ky ajet është shumë i qartë, dhe nuk mund të jetë argument i atyre që ndalojnë mevludin, por argument kundër tyre, sepse Allahu xh.sh. ka urdhëruar të marrim atë në ka urdhëruar të marrim dhe të largohemi prej atyre që na ndaloi, e këtu nuk kemi urdhër për ndalim.

Pastaj në këtë çështje duhet vepruar sipas rregullit: “Çështjet në esencë janë të lejuara, me përjashtim të atyre që ndalohen me argument” e kur jemi të çështja e manifestimit të lindjes nuk ka argument për ndalimin e këtij veprimi.

Thënia se sikur në mevlud të kishte diç të mirë, atëherë do të na kishte urdhëruar për veprim vetë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, nuk ka fuqi as logjike e as shkencore dhe është e pa pranuar, sepse e vërteta është si i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme na ka udhëzuar në parimet dhe principet esenciale të së mirës dhe arritja e shpërblimeve prej tyre, e jo në çështjet e detajuara apo më mirë me thënë në degët e saja. Ai na mësoi si të kapemi për esencën e sendeve, për parimin për sistemin dhe për drejtësinë, kurse mjetet tjera ngelin që ne t’i përpunojmë me mendjen tonë konform parimeve të përgjithshme.

Pastaj është shumë e vërtetë se ka shumë argumente autentike se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme na ka urdhëruar që të duam Pejgamberin a.s., ta madhërojmë etj, ngase në fund të fundit dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është kusht i vlefshmërisë së imanit-besimit[6] kurse mjetin, mënyrën dhe rrugën për ta realizuar dashurinë tonë ndaj Pejgamberit a.s. e la në duart tona, e në mesin e këtyre rrugëve dhe metodave të shprehjes së dashurisë dhe gëzimit tonë ndaj Muhamedit a.s. është edhe dita e lindjes së Muhamedit a.s., ditë kjo ku tërë bota u mbush me dritë, drejtësi dhe mëshirë.

 Dyshimi nr.03

 Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është festë, kurse ne muslimanët kemi vetëm dy festa, që janë festa e fitër bajramit dhe festa e kurban bajramit.

Është e vërtetë se këto dy ditë janë festa islame, ashtu si e vërteton edhe hadithi i transmetuar nga Enes b. Maliki r.a. i cili ka thënë: Erdhi i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. në Medine, e atje i gjeti njerëzit se kishin dy ditë ku luanin dhe dëfreheshin në ato dy ditë, e u tha: ”Çka janë këto dy ditë”? ata i thanë: Në këto dy ditë ne luanin në xhahilijet (kohën para ardhjes së islamit). Pejgamberi a.s. tha: “Vërtetë Allahu ua ndërroi këto dy ditë me ditë më të mira se këto: dita e kurban bajramit dhe dita e fitër bajramit”[7]

Megjithatë, këto dy ditë të përcaktuara nuk kufizojnë se vetëm këto ditë janë ditë feste, sepse ekzistojnë edhe hadithe tjera që vërtetojnë se Pejgamberi a.s. edhe ditë tjera ka përshkruar si ditë feste, siç janë dita e Arefatit, dhe dita e xhuma. Në një transmetim nga Ukbe b. Amir El Xhuheniju, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dita e Arefatit, dita e kurban bajramit dhe ditët e Teshrikut janë festa për muslimanët, e ato janë ditë të ngrënies dhe të pirjes”[8] Autorët e suneneve transmetojnë nga Omer b. Hatabi r.a. se ai ka thënë: “Ky ajet (sot kompletova fenë tuaj..) ditën e xhuma, ditën e Arefatit, dhe të dy këto ditë duke iu falënderuar Allahut janë festë për ne”

Transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “sot në këtë ditë janë bashkuar dy festa (festa e bajramit dhe e xhumasë), ai që dëshiron shpërblim nga namazi i xhumasë (le të prezantojë) ne do ti bashkojmë inshalla (dë të falin bajramin dhe xhumanë).[9]

Këtë e vërteton edhe rasti kur Muavije b. Sufjani e kishte pyetur Zejd b. Erkamin duke i thënë: A është e vërtetë se ti ke prezantuar me pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur dy festat (bajrami dhe xhumaja) janë bashkuar me një ditë ? Tha: Po. Muavije tha: Si veproi këtë ditë Pejgamberi a.s.? Pejgamberi a.s. na e fali namazin e bajramit dhe na liroi nga xhumaja dhe tha: “por kush donë të falë namazin e xhumasë, le ta falë”[10]

Duke u mbështetur në këto hadithe dhe shumë transmetime tjera, nënkuptojmë se festat islame nuk janë vetëm dy, siç pretendohet, porse ato janë më shumë se kaq siç shpjegojnë hadithet. Mendoj se aty dy festa janë më të theksuara për shkak që të dy ndërlidhen drejtpërdrejtë me nga një preh shtyllave islame që janë haxhi dhe agjërimi. Në shpjegim të kësaj, dijetari Xhadilhak Alij Xhadilhak, ish rektori i Universitetit të Az’harit suke e shpjeguar këto hadithe dhe shtjelluar këtë çështje thotë: “Nuk ekziston tekst i cili ndalon gëzimin, harenë dhe festimin jashtë këtyre dy ditëve, pra kurban dhe fitër bajramit, andaj nuk ka pengesë që edhe në rastet tjera të shprehet festimi, gëzimi e hareje pavarësisht se gëzimi është individual apo grupor, i përkohshëm apo i vazhdueshëm”

Me tërë këtë që e shpjeguam demantohet se manifestimi i mevludit, duhet të ndërpritet për faktin se manifestimi i ditëve tjera përveç këtyre dy bajrameve është bidat, dhe veprim që i përngjet feve tjera, siç potencon Ibën Bazi.

 Dyshimi nr. 04.

 Hadithi i transmetuar nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Kush shpikë një risi në çështjen tonë që nuk është nga ajo, ai veprim është i pa pranuar”[11] në disa transmetime thuhet:”kush shpikë në fenë tonë që nuk është nga feja, është e pa pranuar”

Hadithi është i vërtetë dhe është shumë i qartë si në aspektin gjuhësorë ashtu edhe atë kuptimorë, kuptohet për ata që dëshirojnë ta kuptojnë dhe kanë kapacitet intelektual dhe shkencor për ta kuptuar, e nëse dikush është i prirë të manipulojë me kuptimin e hadithit, vetëm e vetëm për të arritur te një qëllim individual apo grupor atëherë është çështje tjetër. Hadithi thotë: Çdo risi në fenë tonë që nuk është nga feja jonë është e pa pranuar, ky është kuptimi tekstual shprehimor, kurse ajo që kuptohet nga hadithi është se, çdo risi që është nga feja jonë është e veprim i mirë dhe i pranuar. Hadithi është shumë i qartë dhe, shumë bukur shpjegon se çdo risi që nuk ka bazë në islam, dhe që kundërshtohet me argumentet autentike, me parimet e islamit, me çështjet esenciale dhe me shtyllat e islamit, është risi e pa pranuar dhe bidat që duhet refuzuar, kurse çdo risi që nuk është në kundërshtim me argumentet autentike islame, ma parimet dhe me çështjet esenciale islame, e që ka një mbështetje islame, është veprim i lejuar, i mirë dhe duhet pranuar dhe vepruar. Ky është shpjegimi dijetarëve islamë, fukahave dhe muhadithëve. Andaj, ky hadith nuk është argument për ndalimin e mevludit, por përkundrazi është argument që përforcon manifestimin e mevludit, e veçanërisht kur merren parasysh të gjitha ato argumente me të cilat vërtetuam se mevldui është çështje e lejuar sipas islamit.

Në anën tjetër dijetari Abdullah Esid-dik në shpjegimin e këtij hadithi thotë: ky hadith specifikon (tahsis) e hadithit “çdo bidat është në dalalet” sepse nëse ky hadith është gjithëpërfshirës në kuptimin e tij me nocionin “kulun-çdo”, kurse hadithi i Aishes bënë përjashtimin nga ky hadith dhe na jep të kuptojmë se risitë janë dy lloje, që janë:

Risitë që nuk janë nga feja, ose risitë që kundërshtohen me rregullat, principet dhe argumentet e fesë, e këto Siri janë të pa pranuara,

Risitë që nuk kundërshtohen me argumentet dhe parimet e islamit dhe që mund të përforcohen me argumente.[12] Pra, hadithi në fjalë nuk mund të jetë argument bindës për ndalimin e manifestimit të mevludit.

 Dyshimi nr. 05.

 Tubimi i njerëzve për të manifestuar lindjen e pejgamberit a.s., për të bërë dhikr (përmendur Allahun xh.sh) për të lexuar Kur’an dhe mbajtur ligjërata është Bidat, dhe si i tillë është i ndaluar!.

Tubimi i njerëzve në ditë apo kohë të caktuar për të biseduar, për të bërë dhikr, për të përkujtuar ndonjë ngjarje, për të lexuar Kur’an apo për të mësuar nga njëri tjetri nuk është Bidat, as që ka lidhje me bidatin. Vlerësimi dhe klasifikimi i këtyre mexhliseve si bidate mund të rrjedhë vetëm nga njerëzit e pa informuar mirë me historinë e Pjgamberit a.s. dhe me historinë e islamit.

Imam Termmidhiu regjistron një ngjarje me transmetim nga Ibni Abbasi r.a. ku thotë: Disa njerëz nga shokët e Pejgamberit a.s. ishin mbledhur dhe e pritnin Pejgamberin a.s. atë. Pejgamberi a.s. doli dhe iu afrua atyre derisa dëgjoi fjalët e tyre ku përkujtonin pejgamberët. Njëri prej tyre tha: Çudi, vërtetë Allahu xh.sh. e zgjdopi Ibrahimin a.s. për mik, tjetri tha: Çka është më e çuditshme se s e Musait i foli All-llahu me fjalë, tjetri tha: isa a.s. është fjala e Allahut dhe shpirti i Tij, tjetri tha: Ademin e zgjodhi Allahu xh.sh.. pastaj u paraqit pejgamberi a.s. iu dha selam dhe tha: “ Dëgjova fjalët tuaja dhe i kuptova çudinë tuaj, vërtetë Ibrahimi është miku i Allahut, poashtu Musanë e shpëtoi Allahu, poashtu Isan është shpirti i Allahut dhe fjala e Tij, poashtui edhe Ademi është i zgjedhuri i Allahut, por Unë jam i dashuri i Allahut por nuk është lavdratë kjo, në jam bartës i flamurit të falënderimit ditën e Kiametit jo për lavdratë, Unë jam i pari që ndërmjetësoj dhe që kërkohet ndërmjetësimi nga unë ditën e kijametit,nuk është për lavdrim, unë jam i pari që e lëvizë dorëzën e xhennetit dhe Allahu xh.sh. e hapë për mua që të hy në të e me mua ka edhe besimtarë të varfër por jo për lavdratë, unë jam më fisniku i të parëve dhe të fundit, por sështë lavdartë kjo.

Nga ky hadith vërejmë se pejgamberi a.s. grupin e sahabëve e gjeti duke biseduar për pejgamberët e mëparshëm, në këtë rast ai nuk ua tërhoqi vërejtjen se tubimet e tilla janë të ndaluara sipas islamit, por përkundrazi i informoi edhe për vlerën dhe prioritet që Allahu xh.sh. ia ka dhuruar Pejgamberit të fundit Muhamedit a.s.

Në hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku r.a. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të kaloni pran kopshteve të xhenetit, pushoni. Të pranishmit pyetën: Cilat janë ato kopshte të xhenetit o i dërguari i Allahut?. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: “Mexhliset ku përmendet emri i Allahut[13]

Këto mexhlise të quajtura kopshte të xhenetit, ku besimtarët islam përfitojnë prej tyre duke pushuar, janë mexhlise edhe të melekëve të cilët marrin pjesë në to duke iu lutur Allahut xh.sh. për besimtarët islam. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga ebu Hurejra r.a. ku Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme Musnedi i Malikut dhe Musnedi i Ahmedit ka thënë: “Vërtetë Allahu ka melekë shëtitës nëpër tokë që hulumtojnë për mexhliset e dhikrit, e kur të gjejnë mexhlise të tilla ulen edhe ato me njerëzit dhe i luten Allahut[14].

Këto hadithe të pejgamberit a.s. në mënyrë të qartë vërtetojnë se mexhliset e hajrit janë të preferuara dhe të lavdëruara, andaj teoria se këto mexhlise janë bidate, vërtetë jo që nuk kanë bazë islamë por përkundrazi janë shumë sterile dhe qesharake.

 Dyshimi nr. 06.

 Manifetimi i lindjes së pejgamberit a.s. është ekzagjerim – ekstremizëm në fe, e Pejgamberi a.s. ka thënë: “keni kujdes, nga ekzagjerimi në fe, sepse vërtetë janë shkatërruar para jush ata që kanë ekzagjeruar në fe”, pastaj pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos më rritni mua, ashtu si e rritën të krishterët Isan birin e Merjemes, sepse vërtetë unë jam rob i Tij (Allahut), por thuani: Robi i Zotit dhe i Dërguari i Tij”.

Mendoj se në mexhliset për manifestimin e lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. nuk ka kurrfarë ekzagjerimi apo ekstremizmi sepse askush absolutisht askush nga muslimanët nuk i dha trajtim Muhamedit a.s. atë trajtim që i dhanë të krioshterët Isa a.s. Askush nga Muslimanët asnjëherë nuk ka menduar se Muhamedi është djali i Allahut, andaj ky hadith absolutisht nuk ka të bëjë me këtë çështje, sepse ne përmes këtyre mexhliseve vetëm që mësojmë nga biografia e Muhamedit a.s. në mënyrë që ai të jetë shëmbëlltyra e veprimeve tona në jetën e përditshme. Në këto mexhlise thuhet shehadeti që citon, dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, pikërisht ashstu ci thotë hadithi i Pejgamberit a.s.

 Dyshimi nr. 07.

 Gjatë këndimit të Mevludit muslimanët në një moment ngritën në këmbë, duke menduar se në atë moment ka arritur shpirti i Muhamedit a.s. në mexhlisin e tyre, ky veprim është i ndaluar, andaj mevludi është i ndaluar.

Kjo hipotezë është vetëm një trillim që dëshirojnë të nxisin dyshimin në mesin e muslimanëve, sepse vërtetë askush jo nga dijetarët islamë por as nga besimtarët e thjeshtë nuk ka menduar ndonjëherë e as që mendon se në momentin kur ngrihemi në këmbë për respekt të Pejgamberit a.s. se në atë rast po prezanton shpirti i Muhamedit a.s. në mexhlisin tonë. Thjeshtë thënë kjo është vetëm një trillim dhe gënjeshtër e turpshme. Kësaj shpifje i përgjigjem me përgjigjem e Imamit tonë Imam ebu hanifes Zoti e mëshiroftë kur një djalë i ri i kishte thënë: O Ebu Hanife. Ti je kafir, ti je heretik ! Ebu Hanifja nuk reagoi ashpër por ngriti duar drejt qiellit dhe tha: O Zoti im, ti e din se unë nuk jam ai që thotë ky djalosh. Nëse unë jam ai që thotë ky, atëherë kërkojë falje, e nëse nuk jam ai që thotë ky djalë, kërkoj ta falësh këtë.

 Dyshimi nr.08

 Veprimet që ndodhin nëpër disa tubime me rastin e manifestimit të lindjes së pejgamberit s.a.v.s. janë në kundërshtim me argumentet e sheriatit islam, siç është rasti i përzierjes së femrave me meshkuj etj, andaj nga këto veprime gjykojmë se ky manifestim është i ndaluar !

Po, kjo është e vërtetë, pra përzierja e meshkujve me femra është veprim i ndaluar, por megjithatë do të ishte irracionale që për këtë shkak të ndalohet manifestimi i lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. ngase këto veprime nuk guxojnë të ndikojnë drejtpërdrejtë në veprimin e mevludit. Çka sikur një veprim i tillë do të kishte ndodhur në namazin e xhumasë, pra sikur të përziheshim meshkuj e femra në xhematin e namazit të xhumasë, a do të ishte e logjikshme të themi se falja e namazit të xhumasë është haram?!! Apo sikur të ndodhte një veprim i tillë në namazin e teravisë, ado ta zgjidhnim problemin duke thënë se namazi i teravisë është i ndaluar ?!!

 Dyshimi nr. 09

 Muaji Rebiul Evel, nuk është vetëm muaji i lindjes së Pejgamberit s.a.v.s., por është edhe muaji i vdekjes së Pejgamberit a.s., atëherë cilën do ta festonin lindjen apo vdekjen, pra të gëzohemi apo të dëshpërohemi ?

Fillimisht të themi se lindja e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është nga begatitë më madhështore për Ummetine tij, kurse vdekja vërtetë është humbja më madhore për këtë Ummet, mirë Islami na nxitë dhe na porositë që të reflektojmë falënderimin për begatitë dhe të durojmë, bëjmë sabër për fatkeqësitë. Islami na urdhëron të therim akika për lindjen, e me këtë nënkuptojmë të reflektojmë falënderim për lindjen, e për vdekje nuk na ka urdhëruar për therje të ndonjë kafshe, por për kundrazi na ka urdhëruar që të përmbahemi nga hidhërimi dhe mënyrat e reflektimit të hidhërimit.



[1] Ed-Dirshevij, Muhemd Nurij Shjhu Reshid, Damask, Darul Elban 259.

[2] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij.

[3] Mendime për afërsisht të ngjashme kanë edhe dijetarët tjerë të sheriatit siç janë: Kadi Ebu Bekr ibnul Arabij, Imam Neveviju, Ebu Muhamed Abdulaziz Abduselam, Ibni Ethiri, Hafidh, Zejnudin ibni Rexheb el Hanbelij, Ahmed b. Haxher El hejtemij, Shejh Muhamed Behiti e shumë e shumë të tjerë.

[4] Transmeton Muslimi

[5] Suretu El hashr : 07

[6] Mevludi te shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 Prill 2009,

[7] Ebu Davudi.

[8] Suneni i Ebu Davudit nr. 2419

[9] Suneni i Ebu Davudit, Ibni Maxhe, Bejhekiju.

[10] Ahmedi 4/372, Ebu Davudi 1070, Nisaiju 1591, Ibni Maxhe 1310, Darimiju 1612.

[11] Buhariu dhe Muslimi

[12] Vehbi Sulejman Gavoxhi El Albani, Kelimetun ilmijetun hadijetun fil bid’ati ve ahkamiha, daru imam Muslim Liban.

[13] Musnedi i Malikut dhe Musnedi i Ahmedit

[14] Imam Muslimi

4 komente
  1. HAHAH.. Allahu te drejtofte, mevduli sunnet i mire.. a ka sunnete qe s’i ka praktiku pejgamberi alejhi selam a?!

    1. Vahedin, shumë qesharake tu duik a ? ngadal se po te bjen te fikët duke qeshur. Do ishte më mirë të humbish kohën duke lexuar këtë njësi, sesa të humbish kohë pa qeshur, sepse kjo që e keni bërë ju nuk është asgjë tjetër veç mosnjohje e sunnetit të p.a.s.
      nuk kam kohë të humbi me ju për këso frazologji të zbrazta, unë kam shpalosur qëndrimin tim përmes shkrimit, bënie edhe ju të njëjtën.

  2. Allahu Ju shperbleft me Xhenet per kete teme qe keni shkruar qe keni permbledh theniet e dijetareve tane te medhenj dhe te udhezuar ne rruge te drejt shume e vertet kjo dhe nuk duhet te mos festohet MEVLUDI SEPSE SJELL VETEM DOBI NUK SJELL ASGJE TE DEMSHME NE ISLAM SELAM ALEJKUM

  3. MEVLUDI NA SJELL VETEM DOBI DUHET TE FESTOHET DHE NA SJELL MIRESI TE PA KUFISHME NUK DUHET TE LIHET ANASH TE MOS FESOHET ALLAHU TE SHPERBLEFT ME XHENET PER PUNON QE KENI BERE QE KENI PERMBLEDH THENIET E BESIMTAREVE TE VERTET TE DEVOTSHEM
    SELAM ALEJUKUM

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *