Shkruan: Jusuf ZIMERI

Parathënie

Është parim i njohur dhe tanimë i trasuar me shekuj, se dijetarët islamë sa herë që dëshirojnë të trajtojnë ndonjë çështje islame, menjëherë pikë referimi e kanë Kur’anin Fisnik dhe sunnetin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme më pas konsensusin e dijetarëve e nëse edhe këtu nuk gjejnë zgjidhe për çështjen konkrete, atëherë përmes përpjekjes maksimale bëjnë përpjekje që për sendin që kërkon zgjidhje, të bëjnë analogji me ndonjë send tjetër që kanë motiv të përbashkët. Nga kjo nënkuptohet se, sipas konsensusit (ixhmait) të Ehli Sunetit, burimet e njëzëshme prej ku dijetarët islamë përfitojnë dispozitat juridike islame, dhe ku patjetër duhet t’i referohen këtyre burime për njohjen e dispozitës, janë këto katër burime, që janë Kur’ani, Sunneti, Ixhami dhe Kijasi[1]. Kjo nuk nënkupton se sheriati islam nuk ka edhe burime tjera, siç janë maslahatul mursele, urfun-nas, sheru ma kablena, etj, porse përdorimi i këtyre burime për përfitime të dispozitës islame është çështje diskutuese mes dijetarëve islam, andaj quhen edhe burime të dorës së dytë.

Andaj, kur jemi të çështja e trajtimit dhe përcaktimit të dispozitës për lejim apo moslejimit të çështjeve dhe risive që nuk kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit Alejhis-selam apo edhe të sahabëve, gjejmë se juristët islamë (fukahatë) në elaborimin dhe zbërthimin e atyre çështjeve nuk e mbyllën në vetvete, as në kohë e hapësirë, porse me largpamësinë e tyre ata u mbështetën mbi platformën e çështjeve, mbi parimet ekzakte dhe përmes këtyre rregullave dhe definicioneve vlerësuan dhe u deklaruan për dispozitat e çështjeve që kërkonin zgjidhje. Ashtu edhi siç vërtetojnë dijetarët islamë në përgjithësi e veçanërisht dijetarët e shkencës së Usuli Fikhut, se për të arritur deri te dispozita, nuk mjafton vetëm ekzistimi tekstit autentik nga Kur’ani dhe sunneti, por për të zbërthyer tekstin dhe për të përfituar dispozitën e saktë, ndihet nevoja permanente e muxhtehidit. Kjo formë mbyllë dyert të gjithë atyre që kanë dëshirë të përfitojnë dispozita nga tekstet autentike, por që u mungon aftësia dhe përgatitja shkencore. Kur jemi te kjo çështje patjetër të theksojmë një fakt të pa kontestuar që muxhtehidët gjithnjë e kishin parasysh si kriter vendimtarë, si Islami si sistem është i pa kufizuar në kohë dhe vend, pra është i vlefshëm për të gjitha kohët, vendet dhe popujt, dhe si i tillë trason një rrugë të sigurt dhe të shëndetshme për ti dhënë përgjigje çdo dukurie apo çështje që paraqitet me kohën. Në të kundërtën, mbyllja e islamit në vetveten e vet, nga disa të vetëquajtur muxhtehid, dëmton rëndë islamin në tërësi, por më së shumti çështjet e sheriati islam që duhet implementuar në praktikë. Kjo e paraqet islamin si të mangët, çalues, jo produktiv dhe të pa aftë për zgjidhjen e problemeve nëpër fazat e jetës, me të cilat ballafaqohet dhe sfidohet besimtari islam. Kjo tezë e rrezikshme vetëm sa përforcon bindjen e afetarëve se islami ishte për kohën e Muhamedit Alejhis-selam, e për tani nuk vlen sepse është i vjetruar, çështje kjo që nuk ka aspak me realitetin objektiv!.

Në hulumtimin  për arritjen e dispozitave të sheriatit Islam, për çështjet të cilat nuk ishin të regjistruara në kohën e Pejgamberit Alejhis-selam, dijetarët islamë lëvizën mbi parimin e shëndoshë se, “Vepra duhet të veprohet nëse për veprën nuk ekziston tekst që e ndalon, dhe sipas rregullit se “Çështjet në esencë janë të lejuara, derisa të sjellet argumenti i ndalimit”. Mendimi i një grupi të dijetarëve islamë se, “Vepra nuk duhet të veprohet, nëse nuk është urdhëruar për veprim” është i atyre dijetarëve që interesin e përgjithshëm (maslahatul mursele) dhe analogjinë- kijasin nuk e pranojnë si burim të sheriatit islam. Mendoj se ky është pozicionim i gabuar që në start për shqyrtimin e çështjeve, ngase është në kundërshtim me parimin Kur’anor dhe të sunetit të Pejgamberit Alejhis-selam dhe nuk i bënë nderë as islamit e as muslimanëve.

Mendoj, se këto çështje në detaje i shtjellon shkenca e Usuli Fikhut, kurse meqë për shtjellim në këtë temë kemi dispozitën e Mevludit, atëherë preferoj të kthehemi në temën përkatëse për të përfituar dispozitën e mevludit në bazë të argumenteve autentike islame dhe shkoqitjes së Dijetarëve islam që kanë bërë për këtë lëmi shekuj me radhë.

Gjatë hulumtimeve që i kam bërë për renditjen e disa fjalëve për këtë çështje, ajo që më së shumti ma tërheq vëmendjen time dhe më shpien drejt një dyshimi të pa zgjidhur, është fakti i pa kontestuar se ata cilët janë përcaktuar për dispozitën e ndalimit të mevludit, nën motivin e Bidatit me shumicë janë dijetarë të Nexhdit dhe Hixhazit, kurse dijetarët e vendeve tjera islame anekënd botës, thuajse janë unik në dispozitën e lejimit të mevludit, bile disa për këtë sjellin edhe ixhma. Mendoj se kjo çështje i ka rënë në sy shumë studiuesve islam, andaj vërtetë duhet pasur në konsideratë një fenomen të tillë. Si do qoftë, në vazhdim do të sjellim argumentet e shumta nga Kur’ani, sunneti i pastër dhe burimet tjera të sheriatit islam, si dhe shumë argumente tjera racionale të mbështetura në analogjinë e dijetarëve islamë, duke i zbërthyer ato ashtu si i kanë zbërthyer dijetarët eminent islamë nëpër shekuj.

I.1. Mendimet e dijetarëve islam për lejimin e Mevludit

Që në fillim të theksojmë ky grup i dijetarëve përfshinë shumicën dërmuese të dijetarëve eminent, e disa sjellin edhe konsensus (ixhma) për këtë çështje, mirëpo në pamundësi të përmendim mendimet e të gjithë dijetarëve islam, ne do të përmendim vetëm mendimet e disave prej tyre më eminent.

Imami dhe Muxhtehidi Ebu Shame El Makdisij,[2] mësuesi i Imam Neveviut, në veprën e tij “El bevaithu ala inkaril bid’a vel havadithi” thotë: “Nga risitë më të mira që po vërehet në ditët tona është manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku po shpërndahen shumë këshilla në të mirë dhe ndalime nga e keqja dhe shumë lëmosha për nevojtarët dhe skamnorët. Po shfaqet gëzimi dhe hareja. Këto veprime edhe për rreth faktit se këto raste gëzojnë të varfëritë, besimtari islam ndjen edhe dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe madhrimin ndaj Tij”.[3]

Shejhul Islami Ahmed Ibni Haxher El Askalani,[4] kur ishte pyetur për dispozitën e manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, – Mevludin dhe se Mevludi a është bidat apo jo? kishte thënë: “Mevludi në esencë është bidat sepse vërtetë një veprim i tillë nuk ishte praktikuar nga selefi i ndershëm në tri gjeneratat e para, mirëpo në anën tjetër është e vërtetë se ky veprim përfshinë veprime të mira dhe jo të mira. Andaj ai i cili gjatë këtij manifestimi ka bërë veprime të mira dhe është zhveshur nga veprimet e liga, atëherë mevludi është bidat i mirë, e në të kundërtën nuk lejohet[5]

Dijetari Hafidh Ibni Rexheb El Hanbelij[6] thotë: “Prej begative më të mëdha për këtë Ummet është lindja e Muhamedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe pejgamberllëku i tij për këtë ummet, andaj ai e sheh të preferuar agjërimin këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. për begatinë e dhuruar”.

Dijetari dhe njëkohësisht Hafidhi i Shamit Shemsudin Nasirudin Ed-Dimeshkij[7] në veprën e tij “Mevridu es-sadij fi mevlidil hadij” thotë: “Është e vërtetë se Ebu Lehebit i lehtësohet dënimi i tij në Xhehenem çdo të hëne për shkak të gëzimit të tij që pati për lindjen e Muhamedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, andaj çfarë duhet të mendojmë për besimtarin islam i cili tërë jetën e tij është i gëzuar me Muhamedin dhe ka vdekur si musliman

Dijetari Ez-Zerkani në veprën e tij “Sherhul Mevahib lil Kastalani”thotë: Vërtetë Ibni Xhezriu,[8] dijetar dhe imam i leximeve të Kur’anit që ka vdekur vitin 833, në komentimin e hadithit të regjistruar në sahihun e imam Buhariut, që rrëfen për gëzimin e Ebu Lehebit për lindjen e Muhamedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe lirimin e robëreshës së tij Thuvejbes thotë: “Nëse ky Qafir për të cilin ka zbritur Kur’an për kufrin e tij, i lehtësohet dënimi në zjarr të xhehenemit për shkak të gëzimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme atëherë çfarë mund të thuhet për një musliman nga Ummeti i Muhamedit Alejhis-selam i cili gëzohet për lindjen e Pejgamberit dhe në shenjë falënderimi bënë atë mundësi që ka për dashurinë ndaj tij?

Dijetari hafidh Shemsudin Es-Sehavi[9] thotë: “Mevludi është shpikur pas tre shekujve të parë të islamit dhe që atëherë e deri më sot muslimanët në të gjitha këndet e botës e festojnë duke shpërndarë sadeka- lëmosha dhe duke shtuar aktivitetet e punëve të mira përfshirë këtu edhe leximin e Mevludit.

Imam Hafidh Xhelaludin Es-Sujutiu[10] duke komentuar fjalët e dijetarit Ibni El Haxhi për manifestimin e lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme thotë: “Nga fjalët e tij kuptohet se ai preferoi manifestimin e lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam dhe preferoi që këtë muaj të shtohen veprat e mira, shpërndarja e lëmoshave dhe veprime tjera që konsiderohen vepra që afrojnë te Allahu xh.sh.. Në këtë kontekst trajtohet edhe Mevludi, sepse në këto manifestime nuk ka diç tjetër përveç leximit të Kur’anit, ushqimi i të varfërve përmes sadekave vullnetare, e këto veprime konsiderohet veprime të mira dhe afrim te Allahu xh.sh. Në një rast kur Sujuti është pyetur për manifestimin e mevludit në muajin Rebiu-l-evvel, se ç’është dispozita e këtij veprimi? A është veprim i lejuar apo është mëkat? Vepruesi i tij shpërblehet apo jo? Ai tha: “Veprimi i ceremonisë së Mevludit që bëhet përmes tubimit të njerëzve, tubim ky në të cilin lexohet Kur’an, pastaj shpjegohen ngjarje nga jeta e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, shpjegohen mrekullitë e Muhamedit Alejhis-selam duke filluar nga lindja e më tej, pastaj shtrimi i sofrës ku do të hanë bashkërisht pa e tepruar me ndonjë veprim të ndaluar, ky veprim është bidat (risi) i mirë[11]

Dijetari Ali b. Burhanudin El Halebij Eshafiij[12] ka thënë: “Nga tradita që zbatojnë shumica e njerëzve kur ata dëgjojnë pjesë nga mevludi në shenjë respekti ndaj Muhamedit Alejhis-selam ngritën në këmbë. Edhe kjo ngritje është bidat për të cilin nuk ka bazë tekstuale, por kjo ngritje është bidat i mirë, sepse çdo bidat nuk konsiderohet i keq. Imam Shafiu ka thënë: Çdo risi (bidat) që është në kundërshtim me Kur’anin apo sunnetin ose me konsensusin e dijetarëve islamë, konsiderohet bidat i keq, i ndaluar, kurse çdo bidat që nuk është në kundërshtim me argumentet burimore islame konsiderohet bidat i lavdëruar- i mirë.[13]

Shejh Xhadilhak Alij Xhadilhak[14] ish Shejhul Az’har thotë: “Meqë nuk ekziston ndonjë tekst që ndalon harenë dhe gëzimin jashtë këtyre dy festave (fitër dhe kurban bajramit), atëherë s’ka pengesë që të shpaloset gëzimi edhe në rastet tjera, qoftë manifestim individual apo kolektiv, i përkohshëm apo i vazhdueshëm. Pastaj vazhdon e thotë: Ajo që është me rëndësi të veçantë është se tërë manifestimi duhet të kalojë brenda kufijve të të lejuarës islame”.

Shejh Seid Hava[15] thotë: “Nëse besimtari islam me manifestimin e mevludit ka për qëllim përkujtimin e njerëzve biografinë e të Dërguarit të Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe cilësive të tij, atëherë s’ka gjë të keqe në mevludin, nëse muaji i mevludit trajtohet si muaj që në të duhet të rriten ndjenjat e dashurisë drejt Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,, edhe kjo s’ka gjë të keqe në të,, e edhe nëse muaji i mevludit ka për qëllim që në këtë muaj të flitet më shumë për çështjet islame, gjithashtu s’ka gjë të keqe për të.

Iamam Muhamed Muteveli Esha’ravi[16] thotë: Nëse njerëzit janë gëzuar për lindjen e tij në këtë botë, pastaj edhe krijesat e ngurta u gëzuan për lindjen e tij, u gëzuan edhe bimët, u gëzuan edhe kafshët për lindjen e tij, u gëzuan edhe xhinët për lindjen e tij, atëherë pse po na ndaloni që edhe ne të gëzohemi për lindjen e tij

Fetvaja e Shejh Ahmed Esherbasi[17] thotë: Edhe pse ky veprim është bidat (risi) është një traditë e mirë nëse është i pastër nga gjërat e ndaluara dhe nuk e shoqëron ndonjë çështje që është e ndaluar.

Imam Abdulhalim Mahmudi[18] ish Shejhul Az’har thotë: Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme konsiderohet një rrugë e mirë, dhe atë duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku thotë: “Kush hap një rrugë të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë, pa iu pakësuar shpërblimi”.[19]

Shejh Atije Sakar[20], ish kryetar i komisionit për fetva në Az’har thotë: “Unë mendoj se s’ka gjë të keqe në mevludin në këtë kohë kur rinia jonë kanë filluar të harrojnë fenë dhe Pejgamberin e tyre, e sidomos kur janë të ngulfatur me manifestime të tjera.

Prof Dr. Ahmed Omer Hashim[21], ish kryetar i Universitetit të Al Azharit thotë: “Manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, nuk është Bidat, sepse i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka manifestuar lindjen e tij përmes agjërimit, andaj kur është pyetur për shkakun e agjërimit të ditës së hënë ka thënë: “Këtë ditë kam lindur”.



[1]. Krahas këtyre katër burimeve të njëzëshme ekzistojnë edhe disa burim e tjera që quhen buri jo të njëzëshme, për shkak se dijetarët islamë janë të ndarë në mendime për argumentueshmërinë me këto burim. Burimet jo të njëzëshme të sheriatit islam janë: Maslahatul mursele (interesi i pakufizuar apo i përgjithshëm), Istihsani, El Urfu (tradita) Istis’habi, Sheriati i atyre që ishin para nesh, Medhhebi i sahabiut, dhe Sed-du Edherai (preventiva). Të gjitha këto argumente në formë të detajuar i studion shkenca e Usuli Fikhut.

[2] Ebu Shame El Makdisij, Shihabudin Ebul Kasim El Makdisij –Ed-Dimeshkij i njohur me emrin Ebu Shame. Ka lindur në vitin 599 h = 1202m në Damask, kurse ka vdekur vitin 665h=1267. Ishte Fikhist, historian, gramaticient dhe muhadith.

[3] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij, f.41

[4] Shihabudin Ahmed b. Muhamed b. Alij b. Mahmud b. Ahmed ibn haxher El Askalani. Askalani ka lindur në vitin 773h në Egjipt, kurse ka vdekur vitin 852. Njihet me titullin “Emirul Mu’minine në shkencën e hadithit. Imam Ibni Haxheri, kishte ushtruar shumë poste në Egjipt, por më e rëndësishmja që është që ai pas vete ka lënë mëse 15 vepra, e nga më të njohurat janë: Fet’hul Bari sherh sahihuil Buhari 15 volume, Tehdhibu tehdhib, El Isabetu fi temjizi es-sahabeti, ed-dirajetu fi tahrixhi ehadithil hidajeti etj.

[5] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij, f.35-36.

[6] Imam Hafidh Zejnudin Abdurrahman b. Ahmed b. Abdurrahman b. El Hasan b. Muhamed b. Ebu el Berekat, el Bagdadi Ed-Dimeshkij el Hanbelij, i njohur me emrin Ibni Rexheb. Ka lindur vitin 736h në Bagdad kurse ka vdekur vitin 795h. Rrjedh n ga një familje dijetarësh dhe kishte mësuar nga shumë dijetarë të vendeve të ndryshme. Ibni Rexhebi ka shkruar shumë vepra, e nga më të njohurat janë: Xhamiul ulumi vel Hukmi, Ehlul kuburi, tefsir suretu en-nasr, Fet’hul Bari sherh sahihul buhari, nga Ibni rexhebi etj.

[7] Shemsudin Nasirudin Ed-Dimeshkij ka lindur në vitin 777h në Damask, kurse ka vdekur në vitin 842 h. Si dëshmor në një fashta fër Damaskut. Veprat e tij më të njohura janë: Iftitahul Kari li sahihil buhari, Er-reddul vafir, el mevlidu en-nebij, në tre volume, Mevridu es-sadij fi mevlidil hadij etj.

[8] Muhamed b. Muhamed b. Muhameds b. Alij b. Jusuf El Xhezriju Ed-Dimeshkij.El Xhezriju ka lindur në vitin 751h në Damask ku u rrit dhe u arsimua, kurse ka vdekur në vitin 833h. Kishte mësuar nga shumë mësues të shquar. Vepprat e tij janë të shumta e nga më të njohurat janë: el bidajetu fi ulumi erivajeti, et-tevdih fi sherhil mesabih, et-ta’rifu fi mevlidi esherif, Urfu et-ta’rif fi mevlidi esherif, dhe shumë vepra tjera.

[9] Shemsudin Ebu-l Hajr Muhamed b. Abdurrahman b. Muhamed b Es-Sehavi. Ka lindur dhe jetuar në Kajro – Egjipt në vitin 831h =1428 kurse ka vdekur në vitin 902h në Medine. Ishte Historian i madh, muhadith, mufesir dhe letrar i njohur. Veprimtari a etij shkencore është shumë e gjerë ngase ka shkruar më shumë se 200 vepra, por nga veprat më të njohura tël tij janë: Ed-davul-lamiu fi eajani el karnil et-tasi” El mekasidu el hasene fil ehadithi el mushtehireti alel elsineti, el gajetu fi sherhil hidajeti fi ilmi er-rivajeti,, sherh shemailu en-nebevijeti nga Termidhiu dhe shumë vepra tjera.

[10] Abdurrahman b. Kemal ebu Bekr b. Muhamed Sabikudin Han Es-Sujuti, i njohur me emrin Xhelaludin Es-Sujuti. Sujuti ka lindur në Kajro në vitin 849h=1445 dhe ka vdekur në vitin 911h=1505 m. Është interesant se Imam Sujutiu, ka jetuar në një kohë kur bota islame ka pasur shumë dijetar eminent, por kjo nuk e frikoi aspak Imam Sujutin që në moshën e tij 17 vjeçare të botojë librin e tij të parë të quajtur “sherhul istiadheti vel besmele”. Imam Sujuti vërtetë ishte një gjigant me plotë kuptimin e fjalës. Ishte shkencëtar në shumë lëmi, si në Fikh, Usuli fikh, tefsir, hadith, gjuhë dhe letërsi, logjikë, matematikë, etj. Botimet e tij janë të shumtë saqë disa dijetarë thotnë se Imam Sujuti ka afër 600 botime, në shumë lëmi shkencore. Kjo vetë dëshmon se për çfarë kalibri të dijetarit kemi fjalën.

[11] Imam Sujuti, Husnul Maksidi fi amelil mevlidi, Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij f. 39.

[12] Burhanudin El Halebij Ebul Vefa Ibrahim b. Muhamed b. Halil Et-Tarablusij Esh-shafiij ka lindur në vitin 1352 në Haleb të Sirisë kurse ka vdekur në vitin 1438 poashtu në Haleb të Sirisë. Njihet si dijetar shumë i spikatur i medhhebit Shafij, e veçanërisht në lëmine e hadithit. Veprat e tij më të njohura janë:Nuru enibras ala sireti ibni sejjidin ennas, 4 volume, nakdu en-naksan fi mi’jaril mizan, et-tebjiin lkiesmail mudel-lisin, Et-telkih fi sherhi sahihil buharij 4 volume etj.

[13] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij f. 42-43

[14] Shejh Xhadilhak Alij Xhadilhak, ishte rektori dhe kryeplaku i Universitetit Al Az’har, ka lindur në Dekahlije të Egjiptit në vitin 1917, kurse ka vdekur në vitin 1996. Kishte ushtruar shumë poste, por nga viti 1978 deri vitin 1982 kishte ushtruar postin e Muftiut të përgjithshëm të Egjiptit, ku në këtë periudhë kishte dhënë mëse 1387 fetva zyrtare. Në vitin 1982, emërohet Ministër i vakfit, por vetëm disa muaj dhe nga ky post, kalon në postin e Rektorit të Az’harit. Veprat e tij më të njohura janë: Buhuth fetava islamije fi kadaja muasire, risaletun fil ixhtihadi ve shurutuhu, risaletul fil kadai fil islam, el fikhul islamij murunetugu ve tetavurugu etj.

[15] Seid b. Muhamed Dib Havva, ka lindur në vitin 1935 në qytetin Hama – Siri, kurse ka vdekur vitin 1989 në një spiotak të Amanit dhe është varriosur në Amman – Jordani. Ishte një aktivist i pa lodhur në fushën e thirrjes islame, duke mos lënë anash edhe aktivitetin e tij poltik. Seid havva pas veti kishte lënë shumë vepra të rëndësishme në fushën e thirrjes islame, e nga veprat e tij më të njohura janë: El esasu fi et-tefsir” 11 volume, el esasu fi es-sunne ve fikhiha” 14 volume, xhndullahi thekafeten ve ahlakan, All-llah xhel-le xhelaluhu, kitabu Er-resule, dhe shumë vepra tjera.

[16] Muhamed Muteveli Esh-sha’ravi ka lindur në vitin 1911 në një fshat afër Dekahlisë në Egjipt, kurse ka vdekur në vitin 1998 në Kajro. Sha’raviu ishte dhe ngeli nga figurat më eminente islame dhe mendimtari më i spikatur gjatë shekullit njëzetë. Ka ushtruar disa funksione të larta duke filluar nga mësimdhënësi nëpër shumë universitete e deri te posti i ministrit të Vakfit në Egjipt. Veprimatri a e tij shkencore vërtetë është shumë kolosale, kurse pas veti ka lënë një numër shumë të madh të botimeve. Nga botimet e tij më të njohura janë: Tefsioru esh-sha’ravi lil kur’anin kerim, El Insanukl Kamil, Muhamedun s.a.v.s., El Ehadithul kudsijeti, El xhihadu fil islam, Edhulmu vedhalimune, dhe shumë e shumë vepra tjera.

[17] Dr. Ahmed Esh-Sherbasi ka lindur në vitin 1918 poashtu në rrethin e Dekahlisë në Egjipt, kurse ka vdekur vitin 1980. Edhe ky ka ushtruar poste të rëndësishme në jetën e tij. Ka një begati të bujshme shkencore, dhe pas veti ka lënë disa botime e n ë mesin e tyre më të njohura janë: Mevsuatu esmail mustafa, El Hitab eshirbasije, hareketul keshfi etj.

[18] Adbulhalim Mahmudi ka lindur në vitin 1919 në Egjipt, kurse ka vdekur vitin 1978 në Egjipt. Llogaritet nga dijetarët eminent të Az’harit dhe me ndikim shumë të madh dhe shumë i respektuar në kohën e tij. Kishte ushtruar postin e ministrit të vakfit në Egjipt, kurse nga viti 1973 deri vitin 1978 ishte edhe Rektor i Universitetit të Al Az’harit. Është shumë e rëndësishme të theksohet se në kohën kur ai ishte si rektor i Universitetit të Az’harit, ky universitet përjetoi ditë të lumtura dhe u zgjerua shumë duke themeluar institucione të rëndësishme shkencore si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

[19] Transmeton Muslimi

[20] Shejh Atije Muhamed Atije Sakar ka lindur në vitin 1914 në Zekatik të Egjiptit kurse ka vdekur vitin 2006, Konsiderohej nga figurat kyçe dhe nga dijetarët eminent të Az’harit. Disa vite kishte udhëhequr edhe komisionin për çështje të fetvas në Universitetin e Al Az’harit. Kishte vizituar shumë qendra islame nëpër botë, dhe me këtë kishte dëshmuar praktikisht se gjithnjë ishte në shërbim të thirrjes islame. Pas veti ka lënë të botuara 31 e vepër shkencore, e në mesin e tyre nga më të njohurat janë:Ed-da’vetul islamijetu, da’vetul ilmijetun, Dirasat islamije li ehemil kadaja el muasire, el amelu vel ummalu fi nadharil islam, el hixhabu ve amelul mer’eti, etj.

[21] Prof. Dr. Ahmed Omer Hashim ka lindur vitin 1941 në Egjipt. Është profesor i shkencës së hadithit, në Universitetin e Az’harit në Kajro, kurse më parë ka ushtruar edhe postin e kryetarit të Universitetit të Az’harit. Nga veprat e tij më të njohura janë:El islamu ve binau eshahsijeti, min huda es-suneti en-nebevijeti, el islamu vesh-shebabi, etj.

Shkrime të ngjashme