Mos na i ofendoni hoxhallarët tanë!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Islami në trojet tona jo vetëm që po mbijeton, por edhe po jetoteyemmumn në shekullin e shtatë. Kjo vetvetiu nënkupton se mbijetesa e Islamit të shëndoshë në këto treva nuk është as mrekulli e as rastësi, por është kontribut i hoxhallarëve që flijuan shumëçka për ta ruajtur e kultivuar Islamin dhe për ta mbajtur njëherësh popullin nën hijen e freskët të fesë Islame. Kontributi i tyre ndërtohej mbi urdhërin fetar dhe kombëtarë për ruajtjen e jo vetëm të identitetit të tyre individual, por edhe identitetit kombëtar e fetar. Ata e kishin shumë të qartë sintezën e tyre se njeriu është nderuar vetëm atëherë kur mishërohet me të vërtetën madhore dhe të njëjtën të vërtetë ia dëshiron edhe shoqërisë në tërësi.

Me këtë punim të shkurtë, nuk kam ndërmend të bëj ndonjë studim të thukët rreth veprimtarisë, sfidave dhe rolin e hoxhallarëve tanë në këto treva, por para se gjithash kam për qëllim të shpreh një falënderim ndaj tyre si akt më i ulët moral dhe një lutje tek Allahu Lavdiplot që t’i mëshirojë ata dhe t’i shpërblejë me begatit e Tij. Njëkohësit përmes këtij shkrimi kaq të shkurtër i tërheq vërejtjen vetes sime, më pas edhe kolegëve të mi për anashkalimin dhe amullinë tonë (gjithnjë me përjashtime) që po e tregojmë ndaj tyre. Por qëllimi përfundimtar i këtij shkrimi kaq modest është që të nxjerr në letër një bindje timen e cila do të ishte si përgjigje modeste ndaj shumëkujt nga hoxhallarët e ri, të cilët në mënyrë shumë cinike dhe të pa përgjegjshme po i nënçmojnë hoxhallarët e vjetër siç i thonë ata. Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se një mohim i vetvetes, simptomë megalomanie dhe labiliteti e servilizmi, vardisje dhe vasalitet ndaj materializmit.

Nuk jam përkrahës i përgjithësimit të gjësendeve, qoftë në aspektin pozitiv apo atë negativ, sepse jam shumi i bindur se kjo është cilësi e atyre që botën e shohin vetëm me dy ngjyra, bardh e zi. Unë jam shumë kureshtar që vlerësimet e mia t’i mbështes mbi rezultatet e nxjerra nga itinerari përplot sfida dhe peripeci.

“Më mirë vdekje e ndershme në atdhe, se sa jetë të turpshme në dhe të huaj” “Mos i braktisni këto vende të cilat paraardhësit tonë i mbrojtën me gjak” “Mos u bë shka” “Ai që shkon në Turqi, ai është pa fe” “Vetëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak, vetëm sakrifica e bijve të tij e rritë atë” e të ngjashme. Këto dhe disa fjalë e fjali tjera të shumta të kësaj natyre, ishin shndërruar në parime te hoxhallarët tanë të ndershëm, parime këto mbi të cilat ata ndërtuan rezistencën e tyre dhe kështu rrënjosën thellë në zemër identitetin e tyre fetar e kombëtar.

Metodologjia e veprimtarisë së tyre si në rrafshin fetar ashtu edhe atë kombëtar ishte gatishmëria e tyre për të sakrifikuar çdo gjë, përveç fesë dhe atdheut, sepse kishin bindje se mbi bazën e këtyre dy vlerave mund të ndërtojnë kopshtin e harmonisë si në jetën e kësaj bote ashtu edhe të botës tjetër. Itinerari i tyre që ua predikonin njerëzve si rrugë më e shëndoshë dhe e domosdoshme për të arritur realizimin e këtyre vlerave, ishte bashkimi dhe uniteti i besimtarëve islamë.
Kur të flasim për metodologjinë shkencore Islame të veprimtarisë së tyre, nuk mund të themi se ata kishin ndonjë metodologji të veçantë për përfitim dhe aplikim të normave islame, por thjesht ishin ndjekës të denjë të metodologjisë shkencore që shekuj me radhë e ndjekën dijetarët islamë. Në aspektin e apologjetikës – besimit, ishin ndjekës të metodologjisë Esharite, gjegjësisht maturidite, me këtë i bashkoheshin pjesës tjetër të Umetit Islam që përbën mbi 95 për qind, kurse në aspektin e praktikës së rregullave juridike Islame ishin ndjekës të medhhebit hanfeij. Sipas bindjes sime, ekskluziviteti i zbatimit të dispozitave ligjore nga Medhhebi Hanefij. Kjo nuk ishte shenjë e fanatizmit, por simbol i respektit dhe ruajtjes së unitetit të muslimanëve që ata i përfaqësonin.
Një parim tjetër që hoxhallarët tanë ia kishin detyruar vetes së tyre, ishte përcaktimi i tyre që ata të jenë njerëz të popullit, të jenë pjesë e pa ndashme e popullit. Të jenë pjesëmarrës në gëzime dhe hidhërime me popullin. Ata ishin me popullin në Xhami, në ndeje, në oda, në pajtime, në gëzime, në hidhërime, në dasma e në vdekje, në mevlude, sunete e qelime, gjithkund ku i kërkonte nevoja ata ishin aty. Ata asnjëherë nuk i thanë popullit se ne jemi në Xhami, ne mbajmë nasihat në Xhami kush të donë le të vjen. Po, po, aty ishin, sepse ata kishin vendosur t’i shkonin popullit atje ku ishin ata, sepse e kishin kuptuar mirë se ky është parim Islam. Atje ku shkonin, ku ata prezantonin, mexhliset e tyre i shndërronin në tribuna të vërteta shkencore e fetare, shtjelloni dhe shpjegonin çështje fetare nga lëmi të ndryshme, pastaj pas shpjegimeve u vinte radha xhematit të parashtrojnë pyetje për ta mësuar fenë e tyre. Ata ishin të gatshëm të viktimizohen për gjeneratat e reja duke ua mësuar atyre shkronjat e Kur’anit. Hoxhallarët siç e dimë ne shumë mirë se shumë prej tyre krahas zhvillimit të mësim besimit me të rinjtë nëpër mektbe, në momentet kur ajo ndalohej apo reduktohej, hoxhallarët jo rrallë herë shtëpitë e tyre i kishin shndërruar në mektebe e shkolla. Ata, nuk ua mësonin njerëzve vetëm shkronjat e Kur’anit, por aty i mësonin edhe dituri tjera si bie fjala shkencat përpikëta, matematika etj. Kjo ishte metodologjia e tyre më efikase për ruajtjen dhe shpjegimin e Islamit, ku mbollën farën e Islamit që ajo të lulëzojë në të ardhmen, Allahu i shpërbleftë me Xhenetin Firdevs .

Por ne sot!

Ne sot që kemi arritur të studiojmë nëpër Universitete botërore, si në Kajro, Bagdad, Damask, Riad, Medinë, Aman, Stamboll, Sarajeve etj, mbase kohëve të fundit edhe në vendlindje, Tiranë, Prishtinë e Shkup si qëndron puna jonë? Është fatmirësi dhe fatbardhësi për ne që sot posedojmë aq shumë diploma të shkollimit të lartë dhe tituj shkencor. Në anën tjetër është fatbardhësi që sot jetojmë në kushte dhe rrethana të tilla si ekonomike ashtu edhe sociale e politike shumë më të volitshme se hoxhallarët tanë para nesh. Duke i analizuar këto rrethana dhe të arritura që i shohim dhe i prekim çdo ditë, më vajti mendja të pyes veten: Meritë e kujt është tërë ky sukses? Sa jemi të dinjitetshëm ndaj parimeve islame? Sa i qëndruam besnik amanetit që na e lanë hoxhallarët tanë të mëparshëm? Sa është rritur efikasiteti i veprimtarisë sonë në krahasim me veprimtarinë e hoxhallarëve tanë të mëhershëm, gjithnjë duke pasur parasysh edhe faktorët kushtet dhe rrethanat që jetuan ata dhe që po jetojmë ne?  Në kontekst të kësaj ka edhe shumë pyetje tjera që kërkojnë përgjigje të analizuar mirë dhe të sinqertë, andaj çdo kush le të japë versionin e tij.

Në këtë rast më lejoni që unë sot përmes këtij shkrimi të japë vetëm një mendim tim si përgjigje e pyetjes: Meritë e kujt është i tërë ky sukses?. Unë jo vetëm që mendoj por jam shumë thellë i bindur, se meritë e tërë këtij suksesi që ne sot e kemi para vete, janë pikërisht hoxhallarët e vjetër, të cilët ne shpeshherë dimë ti asgjësojmë. Mendoj kështu, sepse rezultatet e veprimtarisë sonë, do të reflektohen në të ardhmen, normalisht nëse kemi lënë diçka.

Prandaj kjo është pika shqetësuese e imja, kur disa nga teologët e rinj, sepse disa e ndiejnë për nënçmim të quhen hoxhallar, me apo pa vetëdije kanë rënë nën ndikimin e ideve të huaja se hoxhallarët e vjetër nuk kanë ditë asgjë. Disa të tjerë, shkojnë deri në skajshmëri (ekstremitet) saqë marrin guximin t’i akuzojnë hoxhallarët e vjetër se ata njerëzve ua kanë mësuar edhe besimin e devijuar, sepse u kanë mësuar dispozitat e besimit nga metodologjia esharite dhe maturidite! Ata paskan qenë të pa ditur, andaj edhe dispozitat praktike të Sheriatit Islam, duke filluar nga namazi e më pas, njerëzve nuk ua kanë mësuar sipas sunetit të Pejgamberit alejhi selam, por sipas bidateve. Ata paskan qenë hoxhallarë të mevludeve, qelimeve, tallkinave, bidateve etj dhe jo hoxhallarë të sunetit të Pejgamberit alejhi selam! Disa të tjerë shkojnë në skajin tjetër duke i akuzuar se ata kanë qenë fanatikë, duam një Islam gjallërues e të përparuar! Ne duhet të shpjegojmë një dhe kultivojmë një islam të reformuar të quajtur shkencor e të ngjashme. Më kujtohen shumë mirë, madje edhe juve të nderuar kolegë ju kujtohen shumë mirë thëniet e atyre komunistëve kur ishin gjallë, kam fjalën në pushtet e na thoshin: Ju hoxhallarët e ri, ju nuk jeni si ata të vjetrit të pa ditur, të pa arsimuar, ju jeni intelektual, të ngritur, të moderuar e jo fanatikë si ata! Ndoshta dikujt kjo parullë i ka ngelur në kokë, edhe pse unë gjithnjë e kam konsideruar tendencioze e jo dashamirëse. Pikërisht këta, sipas tyre tani kanë marrë mbi supet e tyre obligimin e mbjelljes së Islamit të shëndoshë, sipas Ehli Sunetit, sipas Kur’anit dhe Sunetit. Këta tani po dalin shpëtimtarët e vërtetë që do ti shpëtojnë muslimanët e këtyre trojeve nga zjarri i Xhehenemit duke ua përmirësuar akiden dhe duke i larguar nga bidati hanefit!

Të nderuar lexues, unë jam shumë i vetëdijshëm se jo të gjithë hoxhallarët e vjetër kanë qenë të ngritur në dituri në nivelin e duhur, ashtu siç ekziston çështja edhe sot, por kjo nuk toleron gjithëpërfshirje. Edhe ata kanë gabuar, sepse nuk kanë qenë imun nga gabimi, por në fund të fundit ai i cili punon ndonjëherë edhe gabon, për dallim nga ai i cili nuk punon, ndonjëherë edhe ia qëllon. Të mos gabosh nuk është njerëzore, thoshte Alija Izetbegoviçi.

Mirëpo si strategji veprimi e kësaj çështje, është zgjedhur metoda më e zymtë metoda më e pandershme, e cila që në hapin e parë t’i shkëpusin besimtarët Islamë nga dijetarët e tyre. Sipas kësaj metodologjie besimtarët Islam duhet të riformatizojnë trurin e tyre dhe të ngelin si delet pa barinj! Ky është turpi i jonë fetar dhe kombëtarë nëse tolerohen këto veprime, këso shpëlarje truri, këso riformatizimi.

Të mohosh të parët tanë, të mohosh dijetarët që na mësuan Islamin, ata që flijuan shumë për ne, nënkupton të mohosh identitetin, të mohosh kulturën tënde dhe të vërtetosh injorancën tënde. Të mohohet kontributi i dijetarëve – hoxhallarëve të mëhershëm është njësoj sikur të thuash: Unë jam, ekzistoj edhe pse babai im ka qenë impotent, kurse nëna ime sterile. Kurse nga dola unë, nga rrënja e lisit, apo jo? Jo pra asnjëherë nuk duhet të pranojmë teorinë e rrënjës së lisit!
Në fund i lutem Allahut e Gjithëmëshirshëm që hoxhallarët tanë, hoxhallarët e tyre e kështu me radhë, Allahu Lavdiplot ti shpërblejë me Xhenneti Firdevs.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *