MUHTESARI I IMAM KUDURIUT (1)

MUHTESARI I IMAM KUDURIUT (1)

Jusuf  Zimeri

LIBRI I PASTËRTISË كتاب الطهارة

 قال الله تعالى: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ . (ألآية)

Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri te dy zogjtë.”(Sure El Maide:6)

 Sikur të gjithë librat tjerë të Fikut Islam, edhe Imam Kuduria veprën e tij fillon me librin e pastërtisë (Kitabu Et-tahare كتاب الطهارة ), sepse pastërtia është parakushti themelorë i të gjitha adhurimeve. Shejh Abdulganij El Midani, në veprën e tij “El-lubab” me të cilën shpjegon Muhtesarin e Kuduriut thotë: Autori i dhënë përparësi adhurimeve për shkak të vlerës së tyre, ngase njeriu është krijuar vetëm për ta adhuruar Allahun Fuqiplotë, pastaj prej adhurimeve i ka dhënë përparësi namazit, sepse namazi është shtylla e fesë, e prej namazit i ka dhënë përparësi pastërtisë, sepse pastërtia është çelësi i namazit[1].

Fillon me “Kitabu et-tahareti كتاب الكهارةِ “ libri i pastërtisë, dhe me vetë këtë titull autori sinjalizon se në vazhdim do të përmenden çështje të shumta që kanë të bëjnë me pastërtinë. Nocioni “ ar. Kitabun كتاب” në kuptimin gjuhësor do të thotë, bashkim, grumbullim, andaj edhe libri quhet “Kitab” ngase bashkon shkronjat dhe fjalët mes veti dhe i jep kuptim.[2]

Nocioni “Et-taharetu” në vete ngërthen dy llojet e pastrimit, pastrimin diapozitiv (ar. Taharetu hukmije), është pastrim i veçantë që nuk ka për qëllim pastrimin nga ndyrësira e dukshme, siç është abdesi, si dhe pastrimin i vërtetë (ar taharetu hakikaten) që është pastrimi nga ndyrësia e vërtetë.[3]

Ajetin që u theksua në fillim, është ajeti i gjashtë i sures el maide, ajet ky me të cilin shumica dërmuese e fukahave në librat e fikut fillojnë me këtë ajet, sepse përveç se është argument për pastërtinë, ai në vete ngërthen edhe një sërë sekrete tjera.

Në ajetin e gjashtë të sures el maide na bëhet e qartë se ajeti obligon marrjen e abdesit në rastet kur dëshirojmë të falim namazin, sepse namazi nuk mund të falet pa abdes. Ajeti thotë: “Kur të ngriheni për të falur namazin”, kurse Ibni Abasi kur shpjegon këtë ajet thotë: “Kur të dëshironi të falni namaz, atëherë patjetër duhet pasur ose marrë abdes. [4] Abdesi nuk është obligimi të merret për çdo namaz, nëse personi ka abdes, e këtë e shpjegon Taberani në tefsirin e tij 6/110 kur është pyetur Ikrimete se, a për çdo namaz duhet të marrim abdes? Ai ka thënë: Ibni Abasi ka thënë:” nuk merret abdes, vetëm nëse nuk ke abdes.

Në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibni Handhale i cili thotë se vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kishte urdhëruar të merret abdes për çdo namaz pavarësisht kishte abdes apo jo, e meqë kjo u vështirësua urdhëroi për përdorimin e Misvakut në fillim të çdo namazi, dhe e anuloi përsëritjen e abdesin, vetëm nëse nuk ka abdes.[5]

         Abdesi

فَفَرْضُ الطَّهَارَةِ: غَسْلُ الْأَعْضَاءِ الثَّلَاثَةِ وَمَسْحُ الرَّأْسِ‏ وَالْمِرْفَقَانِ وَالْكَعْبَانِ يَدْخُلَانِ فِي الْغَسْلِ‏ وَالْمَفْرُوضُ فِي مَسْحِ الرَّأْسِ مِقْدَارَ النَّاصِيَةِ‏ ‏:‏ لِمَا رَوَى الْمُغِيرَةُ بْنُ شُعْبَةَ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَتَى سُبَاطَةَ قَوْمٍ فَبَالَ وَتَوَضَّأَ وَ مَسَحَ عَلَى نَصِيَتِهِ وَ خُفَيْهِ.

Farzet e abdesit janë: Pastrimi i tri gjymtyrëve të trupit dhe dhënia mes kokës. Gjatë pastrimit të krahëve në pastrim përfshihen edhe bërrylat, ashtu edhe gjatë pastrimit të këmbëve përfshihen edhe nyejt e këmbëve. Gjatë dhënies Mes’h kokës është obligim (farz) që të përfshihet tërë pjesa e përparme e kokës (1/4 e kokës). Kjo vërtetohet me transmetimin se Mugire ibn Shu’bes se vërtetë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme u largua pak nga njerëzit dhe urinoi, e pastaj mori abdes dhe i dha Mes’h pjesës ballore të kokës dhe mestave të tij”.

Duke u mbështetur në ajetin kur’anor që e lexuam në fillim, qartë vërehet se Farzet e abdesit janë katër, larja me ujë e tri gjymtyrëve dhe dhënia Mes’h e një gjymtyre, e që janë:

  1. Larja e fytyrë: Në larjen e fytyrës përfshihet tërë fytyra duke filluar nga lart ku fillojnë flokët e deri në fund të mjekrës poshtë si dhe anash pjesa që gjendet mes veshëve.
  2. Larja e krahëve. Larja e krahëve me ujë një herë është Farz, sepse urdhri për larje nuk shpie në përsëritje të veprimit. Imam El Kuduriu qartë na shtjellon se në larjen e krahëve përfshihen edhe bërrylat. Mendim të kundërt ka imam Zuferi nga medhhebi hanefij i cili thotë se përfshirja e bërrylave në larje nuk është farz. Argumenti i imam Zuferit është se bërryli që përmendet në ajet “deri në bërryla” është caku e nuk hynë në pastrim. Ngjashëm është edhe urdhri për agjërim, ku Allahu xh.sh. thotë: “plotësoni agjërimin deri në mbrëmje” (El Bekare : 187), por nata nuk përfshihet në agjërim. Mirëpo, sipas mendimit të dijetarëve tjerë hanefij nocioni “ jedun– dorë” përfshinë një gjymtyrë të njeriut që fillon nga maja e gishtërinjve e deri në shpatull, e sikur të mos përmendej bërryli në ajet, atëherë pastrimi do të ishte farz deri në shpatull, por përmendja e bërrylit, eliminon larjen pas bërrylit.[6] Mendimi se pastrimi të bërrylave është Farz, që paraqet edhe imam Kuduriu argumentohet edhe me hadithin e transmetuar nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur merrte abdes dhe e pastronte krahun, kur arrinte te bërryli e sillte ujin rreth bërrylit.[7]
  3. Dhënia Mes’h kokës. Dhënia mes’h kokës një herë me dorë të lagur është një nga farzet e abdesit. Imam kuduriu sinjalizon se dhënia Mes’h pjesës ballore të kokës që përfshinë ¼ e kokës plotëson farzin, e ky njëkohësisht është mendimi i Ebu Hanifes që transmetohet përmes Hasanit[8]. Këtë e vërteton me hadithin e Pejgamberit a.s. që e transmeton Mugire ibn Shu’bes se vërtetë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme u largua pak nga njerëzit dhe urinoi, e pastaj mori abdes dhe i dha Mes’h pjesës ballore të kokës dhe mesteve të tij”[9] . Me këtë hadith bëhet qartësimi i ajetit kur flet për Mes’hin. Me përcaktimin e ¼ së kokës, imam Kuduriju, sinjalizon se në përcaktimin e sasisë së dhënies Mes’h kokës ka divergjenca[10] mes fukahave, por ai paraqet mendimin e medhhebit hanefij. Për gjininë femërore, nuk lejohet dhënia mes’h kokës mbi shami, e kjo vërtetohet me hadithin e Aishes r.a. e cila kur mori abdes, e futi dorën nën shami dhe i dha mes’h kokës e pastaj tha: Kështu më ka urdhëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.[11]
  4. Larja e këmbëve. Larja e këmbëve me ujë një herë gjatë marrjes së abdesit është farz, e kjo vërtetohet me ajetin ku thotë; “e këmbët lani deri te dy zogjtë” Maide:6. Në larjen e këmbëve gjatë abdesit përfshihen edhe zogjtë e këmbës.

[1] Abdulganij el Gunejmi el Midani, El-lubab fi sherhil kitab, 1/30.

[2] Jusuf Zimeri, Fikhu Islam,, f. 45

[3] Kasani, Badaiu sanai, 1/91.

[4] Mevsiliju, El ihtijar 1/39.

[5] Hadithi e ka bë tahrixh <zahmedi (21960) Ebu Davudi (48) Hakimi 1/156, Bejhekiju 1/37-38

[6] Kasani, Bedais sanai, 1/98.

[7] Hadithin e bënë tahrixh Darekutni 1/83, Bejhekiju 1/56,

[8] Kasani Bedai sanai, 1/102.

[9] Hadithi është përpiluar nga dy hadithe që i ka transmetuar Mugire Allahu qoftë i kënaqur me të, e që e ka bë tahrixh Muslimi në librin e pastëritisë, kapitulli “Mes’hi mbi pjesën ballore dhe kësulë (Umame) (274) e kanë regjistruar edhe tjerë.

[10] Imam Maliku është i mendimit se Mes’hi nuk plotësohet nëse nuk i jept mes’h tërë kokës ose shumicës së kokës, për dallim nga fukahat e medhhebit Shafij që janë të mendimit se dhënia Mes’h kokës realizohet me prekjen e thjeshtë të kokës me dorë të lagur, qofshin ato edhe vetëm disa qime.

[11] Bejhekiju në veprën Sunenul kubra 1/61.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *