Jurisprudencë, Namazi, Shkrime Autoriale

Namazi: Hyrje

Autor: Jusuf ZIMERI
S’ka dyshim se namazi është shtyllë esenciale e Islamit i cili ngjashëm me ibadetet e tjera islame, është një ibadet që ka për qëllim pastrimin shpirtëror, zemëror dhe atë logjik, duke mos lënë mangu edhe atë fizik të njeriut.

Namazi[1] është i vetmi obligim-farz i cili është bërë farz në qiell, atëherë kur All-llahu xh.sh. Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e ngriti në Miraxh[2], andaj edhe namazi konsiderohet miraxhi i ummetit të Muhammedit Alejhis-selam. Ky është edhe motivi që Islami me tërë fundamentet e tij e veçanërisht në Kur’an dhe hadith i kushtoi rëndësi të veçantë zbatimit të faljes së namazit. Në këtë kontekst vërejmë se në Kur’anin Famëlartë gjejmë shumë ajete që në mënyrë imperativi i drejtohen besimtarit islam për faljen e namazit. Namazi konsiderohet edhe çelësi i Xhennetit dhe vepra më e mirë, më e dashur te All-llahu xh.sh. dhe në këtë kontekst është edhe vepra e parë për të cilën njeriu do të japë llogari para All-llahut xh.sh. Ditën e gjykimit.

All-llahu xh.sh. në mënyrë imperative i drejtohet vulës së Pejgambereve Muhammedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lemeduke i thënë:
اتْلُ مَا أُحِيَ إِلَيْكَ مِنَ الْكِتَابِ وَ أَقِمِ الصَّلاَةَ إِنَّ الصَّلاَةَ تًنْهَى عَنِ الفَحْشَاءِ وَ الْمُنْكَرِ وَ لَذِكْرُ اللهِ أَكْبَرُ وَاللهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ.
“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (
Kur’ani ), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja ( e adhurimeve ); All-llahu e di ç’punoni ju.”[3]

Poashtu All-llahu xh.sh në Kur’anin Famëlartë thotë:
قَدْ أَفْلَحَ المُؤمِنُونَ . وَ الَّذِينَ هُمْ فِي صَلاَتِهِمْ خَاشِعُونَ .
“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.”
[4]

Në anën tjetër për besimtarët islamë të cilët, për shkak të përtacisë nuk i kushtojnë kujdes kryerjes së këtij ibadeti. All-llahu xh.sh. u paralajmëron kërcënime me mjerim dhe shkatërrim duke thënë:
فَوَيْلٌ لِلمُصَلِّينَ . الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلاَتِهِمْ سَاهُونَ
“Pra mjerim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pa kujdesshëm.”
[5]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme namazin e bëri si segment ndarës mes muslimanit dhe jomuslimanit, e për këtë ka thënë: “Mes njeriut dhe politeizmit (shirkut) e pabesimit (kufrit) është braktisja e namazit.”[6]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lemeka thënë: “Kujt i kalon namazi (pa e fal) është sikur të ketë humbur familjen dhe pasurinë e tij.”[7]

Personi, i cili qëndron para All-llahut xh.sh. me zemër të pastër dhe të mbushur me frikë dhe dashuri ndaj All-llahut xh.sh., ai është pendues nga mëkatet dhe i mbështetur te All-llahu xh.sh. me veprat e dukshme dhe të fshehta. Ai përforcon lidhjet e tij me Zotin e tij, dhe është i mirë edhe me njerëzit e tjerë. Ai është në gjendje te respektojë normat fetare, të ndalohet nga ndalesat që i urdhëroi All-llahu xh.sh.

Sikur edhe çdo ibadet tjetër ashtu edhe namazi përmban urtësi esenciale në obligushmërinë e tij. Namazi është edukim shpirtëror, lutje e krijesës ndaj Krijuesit, miraxhi i besimtarit islam, pikënisja e çdo besimtari, falënderim ndaj All-llahut xh.sh duke i kryer obligimet ndaj Tij, pastrim nga mëkatet, është rruga e ngadhënjimit dhe e shpëtimit, pastrim shpirtëror nga anomalitë e ndyta. All-llahu xh.sh. për namazin thotë:
قَدْ أَفْلَحَ المُؤمِنُونَ . وَ الَّذِينَ هُمْ فِي صَلاَتِهِمْ خَاشِعُونَ .
“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët; ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.”
[8]

Prej dobive më esenciale të namazit janë dobitë shpirtërore, sociale, etiko-morale etj.

Krahas dobive tjera në namaz, pa mëdyshje nga ai reflektohen edhe dobia sociale, gjë që nuk mund t’i vërejmë te asnjë shoqëri tjetër njerëzore.

Prej dobive sociale që sjell namazi në shoqërinë islame është njohja e muslimanëve mes veti. S’ka dyshim se njohja e muslimanëve mes veti është faktorë për unitet, ndihmë reciproke në të mirë dhe çiltëri.

Në namaz të gjithë muslimanët në të gjitha këndet e rruzullit tokësor drejtohen drejt një kible, e cila është simbol i bashkimit zemëror te muslimanët.

Mosfalja e namazit ترك الصلاة
Besimtari islam i cili i plotëson kushtet e namazit asnjëherë në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojë mosfaljen e namazit.

All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:
مَا سَلَكَمُمْ فِي سَقَرَ . قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ المُصَلِّينَ
“Çka ju solli juve në Sekar!” Ata thonë :”Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (
që bënin namaz).”[9]

Po ashtu në suren El Maunë All-llahu xh. sh. thotë:
فَوَيْلٌ لِلمُصَلِّينَ . الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلاَتِهِمْ سَاهُونَ
“Pra, mjerim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.”
[10]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lemeka thënë :
مَنْ تَرَكَ صَلَاةً مَكْتُوبَةً مُتَعَمِّدًا فَقَدْ بَرِئَتْ مِنْهُ ذِمَّةُ اللَّهِ)
“Kush e len një namaz të obliguar me qëllim, All-llahu xh.sh. dhe Pejgamberi
Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lemekanë ngritur dorë nga ai.”[11]

Po ashtu Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lemeka thënë: “Dallimi mes nesh dhe atyre (hipokritëve) është namazi e kush e len pa e falur ka bërë kufër.”

Rreth braktisësit të namazit dijetarët islamë, duke u bazuar nëpër argumentet fundamentale të Islamit, dhanë mendime të ndryshme, si vijojnë:

1. Kush nuk e falë namazin duke asgjësuar dhe refuzuar edhe obligushmërinë e tij, sipas konsensusit islam konsiderohet qafir dhe tek ai aplikohen të gjitha rregullat e murtedit (renegatit).

2. Nëse e braktis namazin nga përtacia, atëherë hukmi i tyre është varësisht nga mendimet e dijetarëve si vijon:

a. Sipas hanbelive ai që e lë namazin me përtaci konsiderohet qafir, murted. Ky njeri mbytet, dhe nuk pastrohet kufoma e tij, nuk mbështillet me qefin dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve.

b. Sipas shafive dhe malikive, personi i cili e len namazin nga përtacia kërkohet nga ai që të pendohet, e nëse e refuzon, atëherë mbytet, por jo me motiv të kufrit. Këtij personi i falet namazi i xhenazes dhe varroset në varrezat e muslimanëve.

c. Sipas medhhebit hanefij, braktisësi i namazit me përtaci konsiderohet fasik, e jo kafir. Personit të tillë i vendohen sanksione burgimi derisa të pendohet apo të vdes. Nëse vdes, atëherë i falet namazi i xhenazes dhe varroset në varrezat e muslimanëve.

 Kushtet e obligueshmërisë së namazit  شروط الوجوب

Që namazi të jetë obligim për dikë, patjetër duhet plotësuar këto tre kushte:

1. Të jetë musliman, sepse jomuslimanët nuk obligohen me obligime fetare derisa të pranojnë besimin.

2. Të jetë psikikisht i shëndoshë, që nënkupton se i sëmuri psikik nuk obligohet me faljen e namazit.

3. Të jetë i moshës madhore, në bulug. Sa i përket namazit të fëmijës prindi ka për obligim që të fillojë që fëmija i tij ta mësojë edhe në mënyrë praktike për faljen e namazit dhe atë prej moshës shtatë vjeçare, kurse prej moshës dhjetë vjeçare lejohet edhe kërcënimi duke përdorë rrahjen por jo ta dëmtojë.

Referencat
[1]. Namazi përmendet në Kur’anin famëlartë 92 herë.
[2]. Pra natën e Isras dhe Miraxhit, një vit e gjysmë para hixhretit. Para kësaj kohe ishin obligim dy namaze, namazi para lindjes së diellit, dhe namazi para perëndimit të diellit. (hedijjetul alaijje f.56)
[3] El Ankebut:45.
[4] El Mu’minun:
[5] El Maun: 4-5.
[6] Ahmedi.
[7] Ibni Hibani.
[8] El Mu’mimun: 1-2.
[9] El Mud-deth-thir: 42-43.
[10] El Maune.
[11] Ahmedi

Lini një Përgjigje

Maqedonisht