Autor: Jusuf ZIMERI

Hajzi (Menstruacionet) اَلْحَيْضُ

Shprehja “el hajdu – الحيض” (Hajz) në kuptimin gjuhësor do të thotë rrjedhje.Në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam fjala hajz do të thotë “rrjedhja e gjakut nga mitra e gruas së liruar nga sëmundja dhe lindja e fëmijës”. Hajzi është dukuri e veçantë e gjinisë femërore që ndërlidhet me funksionin e gjinisë së tyre. Po ashtu, hajzi është cikli mujor i cili konsiderohet edhe shenjë për hyrje në moshën e pubertetit (bylykut) dhe vazhdon deri rreth moshës 55 vjeçare.

Koha minimale që mund të zgjasë menstruacioni (cikli mujor) është tri ditë, kurse koha maksimale është 10 ditë[1]. Këtë e vërteton hadithi që transmeton Vail b. El-Eska, ku Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë :

أقل الحيض ثلاثة أيام و أكثره عشرة أيام

“Menstruacioni më i vogël është tri ditë, kurse maksimalja është deri më dhjetë ditë”.

Gjakderdhja e femrës në periudhë kohore më pakë se tri ditë ose më shumë se dhjetë ditë, ose nga tradita e femrës por kalon dhjetë ditshin konsiderohet Istihada. Nëse gjakderdhja e kalon traditën e femrës por nuk kalon dhjetë ditshin, konsiderohen ndryshim e traditës porse ka dispozitën e hajzit.

Periudha më e shkurtë kohore e pastërtisë mes dy menstruacioneve (hajzeve) ose mes lehonisë (nifasit) dhe menstruacionit (hajzit) nëse nuk është në periudhën e nifasit është (15) pesëmbëdhjetë ditë dhe net[2]. Atë që e sheh femra gjatë menstruacionit të saj nga llojet e ngjyrave të gjakut siç janë ngjyra të turbullta, të zeza,të kuqe, të verdha etj, me përjashtim të ngjyrës së bardhë, konsiderohet se është në menstruacione, e kur e sheh të bardhën konsiderohet se ka përfunduar menstruacioni.

Nifasi اَلنِّفَاسُ

Fjala” nifas” në gjuhën arabe do të thotë lindje.

Në terminologjinë e Sheriatit islam, nifas do të thotë gjakderdhja e femrës pas lindjes dhe koha e gjakderdhjes pas saj. Nga kjo nënkuptohet se gjakun, të cilin e sheh gruaja shtatzënë gjatë lindjes apo para lindjes së fëmijës konsiderohet Istihada.

Nëse lind fëmija dhe gruaja nuk vëren gjakun, sipas Ebu Hanifes dhe mendimit të shumicës së fukahave, obligohet të pastrohet, pastrim ky i cili konsiderohet si rezervë, sepse zakonisht lindja e fëmijës nuk bëhet së paku pa pak gjak.

Nifasi nuk ka kohë minimale, kurse sipas mendimit të hanefijve, koha maksimale e zgjatjes së nifasit është 40 ditë, në përjashtim, nëse vërejnë ndërprerjen (pastrimin) para kësaj kohe.

Nëse lindin binjakë, dhe nëse distanca mes lindjes së fëmijëve është më tepër se 6 muaj, atëherë kjo gjendje konsiderohet dy shtatzëni, dy lindje dhe dy nifase, e për këtë janë dakord të gjithë dijetarët. Mirëpo, nëse lindja e binjakëve bëhet me distancë kohore, më pak se gjashtë muaj, atëherë fillimi i nifasit konsiderohet me lindjen e fëmijës të parë, kurse ideti pas lindjes së fëmijës së dytë sepse nifasi, sipas Sheriatit islam konsiderohet gjakderdhja e menjëhershme pas lindjes. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Ebu Jusufit, dhe mendimi i disa dijetarëve të medhhebit shafij.

Nëse gruaja shtatzënë e hedh barrën e saj para kohe dhe te fëmija duken konturat e gjymtyrëve të trupit të tij, siç janë gishtërinjtë, thonjtë apo flokët, atëherë kjo gjendje konsiderohet nifas. Në të kundërtën, nëse te fëmija i abortuar nuk duken këto gjymtyrë të lartpërmendura, por është vetëm gjak i ngjizur apo pjesë mishi, atëherë gjakderdhja nëse është në kohën e hajzit, konsiderohet hajz, e në të kundërtën gjak i prishur.

Çka ndalohet me rastin e nifasit?

Të gjitha ato ndalesa që vlejnë për femrën gjatë hajzit vlejnë edhe gjatë nifasit, e ato ndalesa janë:

1. Gjatë hajzit dhe nifasit nuk mund të falë namaz, pa marrë parasysh se namazi është farz, vaxhib apo sunnet. Tërë këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i transmetuar nga Aisheja r.a. ku i thotë Fatimes, bijës së Ebu Hubejshit:

فَإِذَا أَقْبَلَتِ الْحَيْضَةُ فَاتْرُكِي الصَّلَاةَ فَإِذَا ذَهَبَ قَدْرُهَا فَاغْسِلِي عَنْك الدَّمَ وَصَلِّي

“Kur të vjen hajzi, braktise faljen e namazit, e kur të përfundojë pastroje gjakun nga ti dhe falu”.[3]

Namazin e mbetur pa u falur gjatë hajzit dhe nifasit nuk duhet bërë kaza.

2. Agjërimi. Po ashtu edhe agjërimi ndalohet gjatë gjendjes së hajzit dhe nifasit, pa marrë parasysh llojin e dispozitës së agjërimit farz apo nafile. Mirëpo për dallim nga namazi, agjërimin duhet bërë kaza ditët e ngelura pa u agjëruar. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që e transmeton Aisheja r.a. thotë:

عن عَائِشَةَ فَقُلْتُ كَانَ يُصِيبُنَا ذَلِكَ فَنُؤْمَرُ بِقَضَاءِ الصَّوْمِ وَلَا نُؤْمَرُ بِقَضَاءِ الصَّلاَةِ

“Pas kalimit të hajzit dhe nifasit jemi urdhëruar të bëjmë kaza agjërimin e nuk jemi urdhëruar për kompensimin e namazit”[4]

Shkak i këtij diferencimi mes këtyre dy farzeve është se agjërimi është obligim vjetor, kurse namazi është obligim pesë herë në ditë dhe nëse obligohen me kaza, has në vështirësi.

3. Ndalohet leximi i Kur’anit Famëlartë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

لا تَقْرَأِ الْجُنُبُ وَلَا الْحَائِضُ

“Nuk lexon Kur’an femra në hajz, nifas dhe i papastërti”[5]

4. Ndalohet prekja e Kur’anit me përjashtim nëse Kur’ani është i mbështjellë me mbështjellës që nuk është i ngjitur për të, kurse në të kundërtën ndalohet. Gjithashtu është mekruh prekja e çdo elementi që në të shkruan diç nga Kur’ani, siç janë qaforet e ndryshme, levhatë, etj.

5. Ndalohet marrëdhënia intime. All-llahu xh.sh. thotë:

يَسْأَلُونَكَ عَنِ المَحِيضِ ، قُلْ هُوَ أَذىً فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي المَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ

“Të pyesin ty për menstruacionin, thuaj: Ajo është gjendje e neveritshme, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre derisa të pastrohen.”[6]

Sipas konsensusit islam, veprimi i këtij akti duke besuar se vepra e tillë është e ndaluar, konsiderohet mëkat, prej mëkateve më të mëdha, kurse ai i cili e di ndalimin, por nuk e beson se është haram, si dhe kryen këtë vepër, ai person bën kufër. Në rastet kur femra është në menstruacione, lejohet për mashkullin të dëfrehet me të deri në kërthizën e saj.

Sipas konsensusit islam lejohet fjetja me bashkëshorten gjatë menstruacioneve në një shtrat, andaj sipas parimeve islame nuk është i logjikshëm largimi nga shtrati sepse kjo veti është veti e çifutëve.

6. Ndalohet tavafi rreth Qabes edhe nëse është nafile.

Tavafi është në kuptim të namazit, andaj edhe ndalohet tavafi në rastet e menstruacionit. Nëse gruaja bën tavaf duke qenë në menstruacione, tavafi i saj është i vlefshëm, por me haram. Megjithatë ajo obligohet të presë kurban një deve, nëse është fjala për tavafin farz (zijaret), kurse obligohet me kurban një dele për tavafin vaxhib, me përjashtim nëse e përsërit pasi të pastrohet. E njëjta dispozitë vlen edhe për të papastrin.

3. Istihada اَلإِسْتِحَاضَةُ

Me fjalën “istihada” në terminologjinë e Sheriatit Islam nënkuptojmë: Gjakderdhjen nga mitra e femrës jashtë afatit të hajzit dhe të nifasit.

Andaj çdo gjakderdhje që teprohet nga afati i hajzit apo më pak se zakonisht, apo paraqitet gjakderdhja para kohës së pubertetit quhet istihada.

Gjakderdhja e istihadës mund të jetë e përhershme dhe përkohshme. Mirëpo kjo gjakderdhje nuk pengon dhe nuk ndalon ato gjëra që ndalohen gjatë menstruacioneve të rregullta, sepse femra nuk konsiderohet e papastër sikur në kohën e hajzit. Dispozita e gjakderdhjes së istihadës është ngjashëm sikur dispozita e ndyrësirave që rrjedhin nga organizmi i njeriut, siç është urina apo plaga, e cila nuk shërohet.

Sahibi udhër

Sahibi udhër quhet personi të cilit i paraqitet diçka pa ndërprerë që ia prishë abdesin. I tillë është personi që nga plaga e tij i rrjedh gjak, apo urina, e gjithashtu edhe gruaja gjatë istihadës.

Sahibi udhri duhet të marrë abdes për çdo kohë të namazit dhe gjatë asaj kohe mund të falë namaz sa të dëshirojë, mirëpo posa të kalojë koha duhet ta përsërisë abdesin.

Referencat
[1]. Nuk është kusht që gjakderdhja të jetë e vazhdueshme sepse ndërprerja në një kohë brenda kohës konsiderohet Hajz. Merakijel felah, Shirinbilali.
[2]. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Menstruacioni (hajzi) më i shkurtë është 3 ditë e më i gjati dhjetë ditë, kurse koha më e shkurtë mes dy menstruacioneve është pesëmbëdhjetë ditë“.
[3]
Mutefikun alejhi.
[4] Mutefikun alejhi.
[5] Termidhiu.
[6] El Bekare.

Shkrime të ngjashme