Namazi

Namazi: Drejtimi kah kibla dhe nijeti

Autor: Jusuf Zimeri

5. Drejtimi kah kibla استقبال القبلة

Të drejtuarit kah Kibla kur ekziston mundësia është kusht i namazit. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku thotë:
وَ مِنْ حَيْثُ خَرَجْتَ فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ المَسْجِدِ الحَرَامِ وَ إنَّهُ لَلحَقُّ مِنْ رَبِّكَ وَ مَا اللهُ بِغَافِلٍ عَمَّا تَعْمَلُونَ.
“Kah do që të shkosh ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë (
Qabes), kjo është e vërtetë nga Zoti yt. All-llahu përcjell gjithçka që veproni ju.”[1]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme pasi që erdhi në Medine është falë në drejtim të Mesxhidi Aksasë 16 apo 17 muaj derisa i erdhi urdhri i All-llahut xh.sh. që namazin ta falë në drejtim të Qabes.

Për Mekasin është obligim që të drejtohet pikërisht drejt Qabesë sepse tek ai ekziston mundësia që vërtetë të drejtohet drejtë saj, pa marrë parasysh se a ekziston ndonjë perde apo nuk ekziston mes tij dhe Bejtullahit.

Nëse lind dyshimi për anën e kibles dhe nuk ekziston ndonjë njeri vendas që ta drejtojë kah kibla dhe nuk ekziston ndonjë shenjë që dëshmon për drejtimin e kibles siç është mihrabi, në këtë rast musal-liu duhet të bëjë përpjekje për përcaktimin e kibles dhe të fal namazin, edhe nëse e ka gabuar kiblen namazi është i plotë.

Nëse është në namaz dhe i tregohet se gabimisht është i drejtuar atëherë pa e prishur namazin drejtohet kah kibla dhe vazhdon namazin, e nëse i tregohet për kiblen pas namazit, namazi i falur nuk përsëritet sepse kibleja e tij është ana që është përpjekur ai ta gjejë. Mirëpo nëse falet pa u përpjekur fare ta gjejë kiblen, apo pa pyetur askënd në raste kur ekzistonte mundësia për të pyetur, dhe gabon në kible, atëherë duhet ta përsërisë namazin, sepse e ka braktisur obligueshmërinë e kërkimit dhe të pyetjes.

Personi i cili frikohet nga armiku, egërsira apo vjedhësit falet nga ana e cila është më e sigurt, pra kibla e tij është ana më e sigurt e tij. Kjo lejohet edhe për namazet farze edhe për synnete.

 6. Nijetiالنية
Nijeti është dëshirë e prerë zemërore, me të cilin bëhet dallimi mes ibadetit- adhurimit nga adeti- tradita dhe me të vërtetohet sinqeriteti i veprës ndaj All-llahut xh.sh.

Nijeti bëhet në fillim të namazit dhe nuk duhet të bëhet veprim mes nijetit dhe tekbirit që nuk është nga namazi siç është ngrënia, pirja etj. Namazi nuk mund të falet pa nijet të sinqertë me zemër ngase vetëm shprehja e thjeshtë me gojë nuk është e plotë, e vlefshme. All-llahu xh.sh. thotë:
وَ مَا أُمِرُوا إِلاَّ لِيَعْبُدُوا اللهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَ يُقِيمُوا الصَّلاَةَ وَ يُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَ ذَلِكَ دِينُ القَيَِمَةِ.
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, ta japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë”
[2]

Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, nijeti është farz për çdo person i cili plotëson kushtet e obligueshme dhe që di për obligueshmërinë e namazit. Në namazet farze është kusht që të përcaktohet nijeti. Nijeti mund të shqiptohet edhe në gjuhën amtare. Shqiptimi i nijetit është si vijon:
نَوَيْتُ أَنْ أُصَلِّيَ لِلَّهِ تَعَالى صَلاَةَ (فرض-سنة) الفجر-الظهر) أداء مُسْتَقْبِلَ القِبْلَةِ الله اكبر
Vendosa me e falë namazin (farz-sunet) të (sabahut, drekës) eda për hir të All-llahut, u drejtova kah kibla All-llahu ekber”

Shprehja e nijetit në namaz nuk është obligative me përjashtim nëse falësi është i dyshimtë duke menduar se nëse nuk e shqipton nijetin e namazit, namazi i tij nuk është i vlefshëm.

Sipas hanefive në namazet jo farze nuk është kusht përcaktimi i nijetit, por është e mjaftueshme që të bëjë vetëm nijet namazi, edhe pse më e rrugës është që të bëjë nijet me qëllim të ndjekjes së rrugës së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.

Sa i përket Imamit vlefshmëria e namazit nuk kushtëzohet me nijetin e Imamllëkut, me përjashtim kur pas Imamit me xhemat ka edhe gra, atëherë në këtë rast për të qenë bashkëngjitja e tyre e vlefshme kushtëzohet që Imami të bëjë nijetin e Imamllëkut.

Referencat
[1] El Bekare: 149.
[2] El Bej-jine: 05.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht