Nata e Kadrit, garancë e paqes së përhershme dhe stabile

Autor: Jusuf ZIMERI

“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit” Suretu el Kadr.

Fenomeni që më së shumti nëpër kohë si në të kaluarën e edhe në të tashmen e ka shqetësuar dhe i ka munguar njeriut, është paqja dhe siguria, kurse sëmundja që më së shumti e ka dëmtuar shoqërinë njerëzore si në rrafshin individual ashtu edhe në atë kolektiv është frika dhe pasiguria. Njeriu që në të kaluar ishte i hidhëruar, tani i shqetësuar dhe për të ardhmen i frikësuar, hulumton pandërprerë atë që më së shumti ka nevojë për të, të gjejë qetësinë, sigurinë dhe rehatinë shpirtërore. Për shkaqet e frikës dhe të pasigurisë dijetarët, sociologët dhe psikologët kanë bërë hulumtime të shumta dhe këtë çështje e kanë trajtuar nga kënde të ndryshme, andaj edhe rezultatet janë të llojllojshme dhe sterile, sepse realiteti i këtij fenomeni që shumë pakë e kanë shtjelluar sociologët jo islam, është zbrastësira dhe mungesa e besimit të pastër dhe të sinqertë që është shkaktuar në zemrën e njeriut. Vlerësimi i tërë asaj që na rrethon vetëm nga këndvështrimi fizik-material, nuk ka gjasa që asnjëherë të arrijë deri te bari efikas për rehatin shpirtërore të njeriut që i takon metafizikës. Kjo mungesë nuk ka mundësi të kompensohet me begatit dhe të mirat materiale të jetës së kësaj bote, nuk ka mundësi të kontrollohet apo menaxhohet as nga ndonjë normativë sado që të jetë e mirë dhe progresive nëse është e zhveshur nga besimi i pastër në Allahun xh.sh. Këtë e vërteton fakti i pa kontestuar se sot bota posedon pasuri dhe të mira materiale më shumë se kurdoherë më parë, por, aq sa shtohen begatitë dhe të mirat materiale aq më shumë shtohet edhe pasiguria dhe shqetësimi. Bile historia njerëzore ka dëshmuar dhe po dëshmon se njerëzit pa besim sa më shumë kanë pasuri apo sa më lartë që janë në funksione aq më shumë janë të shqetësuar dhe të pasigurt, dhe këto dy fenomene i japin shkas edhe padrejtësive në shoqëri, andaj edhe të tillët pas veti shoqërohet me dhjeta qindra e mija truproje, dhe sërish të pasigurt. Pra, gjykohet kështu ngase besimi i pastër dhe i sinqertë në një Zot, është i vetmi burim i cili pandërprerë te individi dhe shoqëria prodhon qetësi dhe stabilitet. Nuk mund të ketë qetësi, kënaqësi dhe rehati shpirtërore pa besim të plotë. Allahu xh. sh. këtë e vërteton në ajetin Kur’anor ku thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”.El En’am:82

Në anën tjetër, Kur’ani famëlartë na vërteton faktin, se pa besimtarët dhe idhujtarët në zemrat e tyre e kanë të rrënjosur frikën dhe trishtimin dhe asgjë nuk ju bënë mirë në këtë jetë. Allahu xh.sh. thotë: “Ne do të mbjellim frikën në zemrat e atyre që nuk besuan sepse ata All-llahut i trillojnë e i mveshin zota të tjerë, duke mos pasur për këtë kurrfar fakti, ndaj vendbanimi i tyre do të jetë xhehennemi. Sa i shëmtuar është vendi i mizorëve”Ali Imran:151

Pikërisht ndoshta këtu qëndron edhe urtësia që Allahu xh.sh. fillimin e zbritjes së Kur’anit, me ftesën për lexim dhe studjim hapi rrugën dhe shtigjet që njeriu të përshëndetet me injorancën dhe të jetojë nën dritën e besimit që siguron paqe stabilitet dhe prehje shpirtërore. Thirr njeriun të largohet nga idhujtaria në besim në Zotin një, besim ky, i cili e afron njeriun afër Krijuesit të tij, dhe në këtë formë ai ndihet i mbrojtur dhe i sigurt, kurse përmes normave juridike të sistemuara në Shpallje që ka filluar natën e kadrit, Allahu xh.sh. garanton paqe për tërë qenien njerëzore. Ky imperativ hyjnor ka ndodhur pikërisht natën e kadrit, kur fillon zbritja e Kur’anit famëlartë, andaj edhe në suren el Kadr pasi Allahu xh. sh. na tregon për vlerën, rëndësinë dhe ngjarjen e kësaj nate, përfundon me citatin ku thotë: “Ajo (Nata e kadrit), është paqe deri në agim të mëngjesit”. El Kadr :05

Pasojat e këtyre dy anomalive sociale që gjithnjë janë evidente në shoqërinë njerëzore, janë pasoja të prodhuara nga vetë qenia njeri, sepse bota njerëzore duke rënë nën ndikim e plotë të materies dhe duke harruar komponentin tjetër  të përbërjes së tij, shpirtëroren, ka rënë nën ndikim e ligjit të vetëvlerësimit, që nënkupton zbatimin e ligjit të më të fuqishmit, i cili është sistem e botës shtazore, e jo botës njerëzore. Pra, sikur njeriu t’i përmbahet ligjeve hyjnore të përcaktuara mbi kriterin e bindjes, besimit, drejtësisë, barazisë njerëzore, respektit reciprok, sigurisht se në botë do të dominonte paqja, mëshira dhe dashuria njerëzore.

Nata e kadrit është nata në të cilën Allahu i lartë madhërishëm e zbriti Kur’anin famëlartë nga “Levhi Mahfudhi” në qiejt e tokës. Këtë natë sigurisht se ne, nuk do ta  dinim vlerën e saj, po të mos na e tregonte dhee vlerësonte vetë Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë, në vetë suren el Kadr ku e quajti natë të begatshme ku Allahu xh.sh. thotë: Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! ..El Kadr. Pastaj, Allahu xh.sh. në suren Ed-Duha në versetine  tretë thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në një natë të bekuar, (natën e begatshme të kadrit.

Nata e kadrit si njësi kohore, nuk ka ndonjë specifikë apo peshë të veçantë nga netët tjera, mirëpo neve jemi të vetëdijshëm se nata vetëm si njësi kohore nuk ka peshë, sepse rëndësia, pesha dhe vlera e njësisë kohore, vlerësohet sipas ngjarjeve dhe ndodhive që ngjajnë në atë kohë. Andaj, duke u nisur nga ky parim fetar dhe shkencorë, si dhe duke pasur parasysh ngjarjet që kanë ndodhur këtë natë, dhe rëndësinë e tyre në të ardhmen, konstatojmë se kjo natë është shumë më e frytshme dhe më e begatshme se jo vetëm shumë net të tjera, por edhe më e begatshme se sa potencon dhe vërteton edhe Kur’ani famëlartë ku thotë, më e vlefshme se sa një mijë muaj, që janë të barabartë me 84.vjet e katër muaj, pra një jetë e tërë e njeriut.

Si të mos jetë më e begatshme dhe më e vlefshme se netët tjera, kur këtë natë Allahu i lartë madhërishëm zbriti Kur’anin fisnik nga “levhi mahfudhi” në qiejt e kësaj toke. Këtë natë bëhet lidhja e botës së lartë me planetin tonë të quajtur tokë. Kjo natë është një moment kur njëherë e përgjithmonë rrënohet fronti i padrejtësisë dhe injorancës. Këtë natë Allahu xh.sh. përcakton sistemin e Tij hyjnor në rruzullin tokësorë, sistem ky i cili nuk do të jetë i kufizuar në fise, popuj, kohë dhe vend. Sistem ky, i cili do të ndërrojë jo vetëm pamjen e jashtme të botës, por do të shkaktoj evolucion të thellë te vet qenia njeri, duke krijuar së pari besim, bindje, moral e më pas veprim praktik. Sistem ky i cili përmes citateve të tija, dhe ajkës së tij, do të ndërrojë imazhin e qenies njerëzore, duke e pastruar shoqërinë njerëzore nga politeizmi, injoranca, vrazhdësia, shtazëria, padrejtësia, diskriminimi i të gjitha llojeve, tipave dhe steriotipave, mendjemadhësia, bigotizmi, dhe anomalitë tjera që e kishin përfshirë dhe vazhdimisht po e përfshijnë botën njerëzore. Këto janë elemente që i luftoi islami përmes shpalljes – Kur’anit që zbriti natën e kadrit, sepse paqja dhe mëshira nuk mund të jenë të qëndrueshme derisa këto dukuri dhe fenomene dominojnë mbi tokë. Pra thënë shkurtë dhe qartë, ky sistem hyjnor tërësisht gërshetohet në shpalljen e Allahut xh.sh. që quhet Kur’an, e që është shpallur pikërisht natën e kadrit. Pra nga kjo nënkuptohet se këtë natë Allahu xh.sh. shpalli librin e besimit, moralit, dhe kushtetutën e Tij hyjnore. Siguria, qetësia dhe rehatia shpirtërore por pse jo edhe ajo fizike, sigurohen vetëm me një mobilizim të tërësishëm të besimit të pastër në Allahun xh.sh. i cili pa ndërprerë prodhon shpresë në jetën e kësaj bote, sepse pasoja e humbjes së shpresës  krijon skepticizëm dhe pesimizëm që është shumë i dëmshëm për njeriun dhe shoqërinë sepse pesimizmi e pasivizon dhe e mbytë shpirtin dhe zemrën e njeriut. Humbja e shpresë për besimtarin islam nënkupton hyrje në një betejë për të luftuar pa armë apo siç potencon Prof. Jusuf el Kardavi hyrje në betejë pa dorën që e mbanë armën. Njeriu i mobilizuar me besim të pa luhatshëm në Allahun xh.sh. gjithnjë jeton nën shpresën dhe mëshirën e Allahut xh.sh. dhe gjithnjë është i përgëzuar me premtimin e Allahut xh.sh. ku thotë; E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej. Fusilet:32

Çështja tjetër që e trajton sistemi hyjnor i shpallur pikërisht natën e kadrit e që garanton paqe dhe siguri është çështja e moralit-etikës, për të cilën i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari me imanin më të kompletuar, është ai që ka edukatën më të mirë” Termidhiu. Nëse bëjmë përpjekje të definojmë se çka është morali-etika nga këndvështrimi islam, sigurisht se askush nuk do të kishte mundësi ta definonte më bukur se sa e ka definuar Aisheja r.a. në rastin kur shokët e pejgamberit s.a.v.s. e kanë pyetur për edukatën dhe moralin e Pejgamberit s.a.v.s. në familje kur ka thënë: “Edukata e tij ishte, vetë Kur’ani”. Pra njeriu me besim të pa luhatshëm në Allahun xh.sh., me edukatë të lartë që buron dhe menaxhohet nga imani i tij, jo vetëm që ai jeton në paqe, qetësi, dashuri dhe harmoni, porse këtë ua mundëson edhe të tjerëve në shoqërinë njerëzore, e pse jo edhe krijesave tjera.

Në anën tjetër, Kur’ani përveç se është libër i shenjtë i cili ndërton besimin e drejtë monoteist, dhe rregullon normat etike-morale, ai në vete ngërthen edhe çështjet juridike, të cilat sistemojnë dhe sigurojnë funksionimin e jetës normale, stabilitetin dhe paqen në jetën e kësaj bote. Pra, Kur’ani i zbritur natën e kadrit qenka kushtetutë hyjnore, e cila në sferën e jurisprudencës ngërthen kryesisht dy kapituj të mëdhenj, nën të cilët radhiten dispozita të shumta juridike islame. Këto dy kapituj që i përmbledhë Kur’ani  fisnik janë:

  1. Të drejtat dhe obligimet e njeriut ndaj vetvetes dhe Krijuesit të Tij, që juristët islam e quajtën “Ibadat”. Në këtë kapitull përfshihen të drejtat e njeriut ndaj vetes së tij siç janë, jeta, ushqimi, veshmbathja, ruajtja e shëndetit, gjumi, kënaqësia, dëfrimi, etj pastaj obligimet e tija ndaj krijuesit të Tij siq janë: adhurimi, namazi, agjërimi, zekati, haxhi lutja, etj.
  2. Të drejtat dhe obligimet e njeriut ndaj vetes dhe shoqërisë njerëzore,.Në këtë kapitull përfshihen të drejtat e individit dhe obligimet e tija ndaj shoqërisë njerëzore në përgjithësi, dhe në veçanti ndaj shoqërisë islame. Këto grumbuj rregullash dijetarët islam-juristët, i grumbulluan dhe i kodifikuan nëpër kode, varësisht nga lëmia që i takon. Pra, Kur’ani famëlartë në vete ngërthen, të drejtën civile, penale, trashëgimore, gjyqësore, publike, të drejtën e pronësimit sistemin zgjedhor, administrativ, kushtetuese, shtetërore dhe atë ndërkombëtare etj. Këto norma të shpërndara nëpër kode, të ndryshme zgjedhin dhe sistemojnë gjendjen e shoqërisë si në gjendje të rëndomtë, gjendje paqe, ashtu edhe në momentet aksidentale pra gjendje lufte.

Nga kjo që u tha më lartë pamë se Kur’ani famëlartë është  bazë autentike për sistemimin e jetës së njeriut, duke përcaktuar sjelljet e njeriut në harmoni me natyrshmërinë e krijimit të tij. Andaj në aspektin global të jurisprudencës islame mbështetur mbi autenticitetin e shpalljes sqarohet se ky sistem është përcaktuar për ruajtjen e pesë vlerave pa të cilat nuk ka stabilitet, paqe dhe dashuri në rruzullin tokësor, e që janë:

  • Ruajtja e fesë, dhe kultivimi i saj
  • Ruajtja jetës – gjallërisë,
  • Ruajtja e nderit, –
  • Ruajtja e pasurisë,
  • Ruajtja e qenies njerëzore- familjes

Këto pesë vlera nuk janë e drejtë e dikujt që t’ia dhuroj dikujt tjetër, apo t’ia ndaloj dikujt. Këto vlera sipas parimeve islame janë jetike, andaj nuk konsiderohen thjesht si të drejta të njeriut, por ruajtja e tyre konsiderohet si obligime islame. Nga kjo nënkuptohet se Islami nuk është vetëm fe besimi dhe bindje vetanake, por është sistem që përfshinë tërë shoqërinë njerëzore. Pra Islami nuk është vetëm fe por është fe dhe shtet, besim, moral dhe praktikë, sistem që për dallim nga sistemet tjera, është i përcaktuar mbi bazat e besimit.

Meqë Allahu, xh. sh. është krijuesi i njeriut, Ai më së miri din e natyrshmërinë e tij, andaj kushtetutën e tij e shpalli për botën njerëzore pikërisht në natën e kadrit që ajo të jetojë në paq, dashuri dhe harmoni me vlerat e mëparshme.

Dhe krejt në fund, me zbritjen e Kur’anit u siguria paqja dhe stabiliteti njerëzorë, e përplasjet dhe frika që akoma po e ndjekin botën njerëzore janë vetëm pasojë e mungesës së besimit të paluhatshëm dhe të pastër, pasoj e moralit dhe pasojë e mos respektimit të ligjeve hyjnore të shpallura nga Allahu xh. sh. natën e kadrit.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *