Ndikimi i Mevludit në fushën e thirrjes islame në trojet tona

Jusuf Zimeri

Hyrje

Parapërgatitjet për pritjen e muajit të Mevludit

Dashuria, respekti dhe përkushtimi ndaj Allahut Fuqiplotë, të dërguarit të Tij dhe Islamit, janë motive të mjaftueshme që në mesin e myslimanëve në përgjithësi, e në trevat tona në veçanti të formohet një traditë për të bërë parapërgatitjet shpirtërore dhe materiale të nevojshme për pritjen madhështore të muajit të agjërimit, dhe pritjen e muajit Rebiul Ev-vel, i cili në terminologjinë e popullatës sonë njihet si muaji i Mevludit.

Në pritje të muajit të mevludit, besimtarët islam në trevat tona, krahas takvimeve ku regjistrohej fillimi i muajit të mevludit, ata tradicionalisht informoheshin përmes ligjëratave dhe derseve që mbaheshin nëpër xhami. Në mungesë të mundësisë së shfrytëzimit të mjeteve tjera të informimit të gjënë, opinioni i gjerë për fillimin e muajit të mevludit, informohej edhe nga flamujt që konsideroheshin flamuj islam duke i vendosur nëpër minaret e xhamive. Ajo që nuk mund të anashkalohet në këtë rast, e që vërtetë pati jehonë të madhe në opinion, e veçanërisht te gjenerata më e re, është se kur shihnin flamujt islam të vendosur nëpër minare, me automatizëm e dinin se po shënohet ndonjë ngjarje e rëndësishme te myslimanët, dhe në këtë zgjohej kureshtja për të pyetur për rastin e ngritjes së flamurit. Me këto veprime, hapeshin shtigjet e të menduarit që secili nga besimtarët islam i prirë nga dashuria ndaj Allahut Fuqiplotë dhe të dërguarit të Tij, të bëjë përpjekje dhe të gjejë forma të ndryshme për të falënderuar Allahun fuqiplotë dhe për të përkujtuar lindjen e më të dashurit të Allahut xh.sh. Muhamedit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme).

Përveç formave të organizimit publik të ceremonisë së mevludit, që organizoheshin me rastin e shënimit të datëlindjes së Muhamed Mustafas s.a.v.s forma këto që në trevat tona shqiptare filluan të manifestohen vetëm në dekadën e fundit të shekullit njëzet, e që më parë ishte ekskluzivitet i xhamive, myslimanët organizonin edhe ceremoni mevludi edhe nëpër shtëpi dhe gjirin e tyre familjarë.
Andaj, manifestimi i lindjes së Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) që njihet me nocionin Mevlud, në trevat tona ka zënë dhe vazhdon të zen vendin e merituar në familjen dhe shoqërinë tonë islame, në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjënë. Kjo traditë e mevludeve nëpër familjet tona islame, ku ftoheshin familjarët, miqtë, fqinjët dhe dashamirët, përveç se shënonte gëzimin për lindjen e dritës së njerëzisë, duke e përkujtuar me vargje të rimuara, ai mundësonte edhe mësimin e islamit, por ajo që është e pa kontestuar në këtë çështje është gëzimi dhe hareja që e përjetonin fëmijët e asaj familje, si dhe zgjerimi i rrethit ku njerëzit njiheshin dhe përforconin miqësinë e tyre mes veti.

Organizimi i ceremonisë së mevludit në trevat tona edhe pse në shikim të parë duket se është thjesht një veprim thuajse tradicional i cili manifestohet përmes formave të ndryshme të organizimit, ai në realitet nuk është vetëm kaq, ngase në esencë bartë mesazhin e dashurisë sinqeritetit dhe çiltërisë si në dimensionin vertikal ndaj Krijuesit absolut, ashtu edhe në atë horizontal ndaj krijesave të Tij. Kjo ceremoni e quajtur mevlud, simbolizon dashurinë dhe përkushtimin e besimtarit islam ndaj Krijuesit të tij, dhe krijesës më të dashur te Allahu xh.sh. dhe përfundon me dashurinë e tij ndaj asaj që e rrethon njeriun, dhe si i tillë, Mevludi në vete ngërthen veprime të nduarnduarta duke filluar nga leximi i Kur’anit famëlartë, këndimi i salevateve dhe selameve mbi Muhamedin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), përshkrimit të jetës dhe biografisë së më të dashurit të Allahut, duke nxjerrë porosi dhe mesazhe për jetën tonë të përditshme, dëgjimin e ligjëratave dhe porosive hyjnore që kanë të bëjnë me besimtarin islam e deri te lutja e përbashkët. Në anën tjetër mexhliset e manifestimit të Mevludit krahas tërë kësaj që u theksua, nuk anashkalohen pa përfshirë edhe karakterin e humanizmit dhe solidaritetit mes myslimanëve. Nisur nga fakti se të gjitha këto veprime njëkohësisht janë edhe porosi kur’anore dhe pejgamberike për besimtarin islam, këto tubime – mexhlise sipas dijetarëve islam konsiderohen mexhlise të bereqetshme dhe të frytshme apo thënë shkurtë sipas terminologjisë islame mexhlise të dhikrit, për të cilat Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) në hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku r.a. ka thënë: “Kur të kaloni pran kopshteve të xhenetit, pushoni. Të pranishmit pyetën: Cilat janë ato kopshte të xhenetit o i dërguari i Allahut ?. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) tha: “Mexhliset ku përmendet emri i Allahut”[1]

Këto mexhlise të quajtura kopshte të xhenetit, ku besimtarët islam përfitojnë prej tyre duke pushuar, janë mexhlise edhe të melekëve të cilët marrin pjesë në to duke iu lutur Allahut xh.sh. për besimtarët islam. Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga ebu Hurejra r.a. ku Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë: “Vërtetë Allahu ka melekë shëtitës nëpër tokë që hulumtojnë për mexhliset e dhikrit, e kur të gjejnë mexhlise të tilla ulen edhe ato me njerëzit dhe i luten Allahut”. [2]

Mevludi mjet i thirrjes islame

Nuk ka dilemë në faktin se njeriu ka një qëllim të caktuar, qëllim ky që besimtari islam gjithnjë duhet ta ketë parasysh, sepse njeriu po nuk diti qëllimin e krijimit të tij thjesht konsiderohet si një materie në formën e njeriut, dhe i hutuar në këtë univers, andaj, për të arritur te qëllimi i tij patjetër duhet pasur mjete të cilat janë legjitime dhe juridikisht të lejuara. Në drejtim të kësaj, edhe mjetet e thirrjes islame (da’ves) duhet të jenë nga veprimet e lejuara, dhe legjitime, pavarësisht se lejimi është tekstual, ose sipas asaj që përfshinë rregulli dhe parimi që dijetarët islam (Usulistët dhe fukahat) kanë venduar duke thënë: Çështjet në esencë janë të lejuara.[3]

Dijetarët islam në të gjitha kohët dhe vendet, përfshirë edhe dijetarët e trevave tona, maksimalisht ishin vigjilent dhe të përkujdesshim në ndjekjen e sunetit –traditës së pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) e veçanërisht në metodologjinë dhe mjetet nga thirrja Islame. Dihet fare mirë fakti se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) për të arritur qëllimin e tij në përhapjen dhe zgjerimin e islamit si dhe për të publikuar të vërtetën madhore, kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme të asaj kohe. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), thirrjen islame e kishte mision të shenjtë, andaj, për të zbatuar këtë mision të shenjtë krahas hutbeve të tija në xhami, ai thirrjen e bënte në çdo hap duke filluar nga familja e tij e ngushtë, në lagje, në rrugë, në treg në Bejtullah, ecte nëpër familje dhe fise dhe gjithkund ku kishte njerëz të tubuar. Shfrytëzonte edhe delegacionet e haxhit dhe të tregtarëve që vinin në Meke për ti thirrur në Islam, derisa shpeshherë rrezikohej edhe me jetë. Ai të vërtetën e publikoi jo vetëm në vendbanime, porse edhe në kodrën e Safasë duke i thirrur njerëzit në të vërtetën madhore, ashtu si e shfrytëzonte edhe rastin e da’ves edhe atëherë kur ishte hipur mbi deve duke udhëtuar etj. Andaj dijetarët islam duke u mbështetur në këto fakte, konstatuan se thirrësi islam ka për detyrë dhe obligim që të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të depërtuar te zemrat e njerëzve dhe për të realizuar qëllimin e shenjtë përmes këtyre mjeteve.

Kjo sjellje dhe metodë e thirrjes Islame që e zbatoi Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) duke i përdorur të gjitha mjetet legjitime, na jep të kuptojmë për shumë gjëra që ne do ti theksojmë dy nga to, e që mendoj se janë shumë të rëndësishme në jetën tonë të përditshme për zbatimin e da’ves e që janë.
1- Se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) të shumtën e kohës së tij e kalonte me njerëzit duke ua mësuar atyre fenë e Allahut xh.sh.. Ky veprim na jep mesazhe të qarta se shkëputja e kontakteve të thirrësit islam nga populli i tij, nënkupton edhe shkëputjen e thirrjes islame. Kështu e kanë kuptuar dijetarët eminent nëpër kohë dhe vende, andaj edhe gjithnjë bënin përpjekje që të jenë sa më afër popullit të tyre.

Dijetari i famshëm Ibni Kajimi ka thënë: “Bereqeti i një thirrësi islam është tua mësojë të mirën njerëzve kudo që gjenden, ti këshillojë të gjithë ata që mblidhen rreth tij”.

Të jesh në mesin e xhematit dhe të veprosh për dobinë e tyre është edukatë fisnike dhe islame dhe argument se nuk je egoist dhe vetjak. Andaj, drejtimi i njerëzve kah thirrësi islam për tu ndihmuar në nevojat e përditshme jetësore dhe fetare është mjeti më i rëndësishëm për tua përfituar zemrat e tyre, sepse bamirësia ndikon te njeriu deri në atë masë saqë hidhërimin e shndërron në dashuri.

Pikërisht për këtë edhe dijetari dhe thirrësi i famshëm islam bashkëkohorë Prof. Dr. Abdusabur Shahini thotë: “Dijetari islam, thirrësi duhet të jetë si një fletore e hapur dhe e lexuar për të gjithë dhe e kuptuar nga të gjithë[4] ”

Mesazhi i dijetarëve tanë me veti ka bartur ndjenjat e nënës për fëmijën e saj të sëmurë që është frika se do ti shkatërrohej nga sëmundja po nuk u përkujdes për te, ose sjelljet e tyre ishin sikur sjelljet e mjekut human ndaj pacientëve të tij.
Dijetarët islam shumë fuqishëm e kishin kuptuar mesazhin e pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) të lëshuar përmes hadithit të tij ku thonte: “Ai i cili ia largon një brengë të dunjas besimtarit Islam, Allahu atij do t’ua largojë një brengë të ahiretit… ” (Muslimi)

2. Hapë mundësinë e zgjerimit të mjeteve të thirrjes islame, dhe në të njëjtën kohë obligon thirrësit islam që varësisht nga koha dhe nevoja që paraqitet të përdoren të gjitha mjetet legjitime të thirrjes islame, me të vetmin qëllim që njerëzve tu mësohet dhe komunikohet e vërteta islame, duke mos e fiksuar thirrjen islame vetëm nëpër objektet fetare.

Jo që mendoj, por jam shumë i bindur në këtë, që këtë mesazh të lëshuar nga Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) dijetarët tanë të mëhershëm në trevat tona e kishin kuptuar shumë qartë dhe bindshëm [5], andaj bënë përpjekje maksimale që këto dy mesazhe, pra, të jenë afër dhe në mesin e popullit, e që i realizonin përmes mjeteve legjitime që në mesin e tyre ishin edhe mevludet, kelimeti tevhidet, dasmat, sunetet etj, ti zbatojnë me përkushtueshmërinë dhe sinqeitetin më të madhe.

Gjykojmë kështu ngase dijetarët tanë islam në trevat tona përmes ceremonisë së mevludit dhe mexhliseve tjera të dhikrit përfituan nga rasti që të bëhen referencë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve të tyre, veprime këto me të cilat përfitonin shumë gjëra si:

– Ua mësonin njerëzve arbitrimin me ligjin e Allahut xh.sh.,
– I përfitonin zemrat e tyre,
– E përforconin shoqërinë myslimane, duke shtuar dashurinë mes tyre,
– Pengonin edhe harxhimin e pasurisë së tyre pa nevojë nëpër avokatë duke paditur njëri tjetrin, ngase vazhdimisht në mexhliset e mevludit trajtonin çështje nga më të ndryshmet të karakterit fetar dhe njerëzorë, duke mos lënë anash pa shqyrtuar edhe çështjet e mosmarrëveshje eventuale duke i shndërruar në marrëveshje dhe falje.

Roli i mevludit në trevat tona

Krahas të gjitha vlerave dhe dobive që vijnë nga mevludi e që disa prej tyre i theksuam më parë, mevludi në trojet tona shqiptare ka luajtur edhe një rol të veçantë për dallim nga shumë vende tjera të botës të banuar me myslimanë.

Nëse kemi parasysh rrethanat ideo politike që dominuan në Ballkan prej rënies së perandorisë osmane e këndej, presionet e vazhdueshme dhe terrori që pamëshirshëm ushtrohej mbi popullatën islame në këto troje, elaboratet greko sllave të ndihmuara dhe përkrahura nga qendra të ndryshme botërore për asimilimin e kësaj popullate islame-shqiptare, qoftë në tabanin fetarë apo atë kombëtar, orvatjet e tyre të një pas njëshme për pastrim nga të gjitha simbolet fetare dhe kombëtare, duke i eliminuar të gjithë faktorët që motivonin në zhvillimin institucional të jetës islame në këto troje, atëherë nuk kemi vështirësi për të kuptuar rolin e vetorganizimit të myslimanëve përmes formave dhe mjete të ndryshme, e që në mesin e tyre është edhe organizimi i ceremonisë së Mevludit.

Pastaj, pas përfundimit të luftës së dytë botërore, kur bota mori një fizionomi krejtësisht tjetër, fati i shqiptarëve dhe myslimanëve në Ballkan ishte që në aspektin fizik – gjeografik të jenë të shpërndarë nëpër shumë shtete fqinje, kurse në aspektin shpirtërorë dhe ideologjikë mbi myslimanët me dhunë ishte instaluar sistemi totalitar monist, përfshirë edhe shtetin amë i cili besimin islam dhe vlerat e tij i konsideronte si besëtytni. Ky regjim totalitar për myslimanët jo që ishte vetëm i dhunshëm, gradualisht ngushtonte frymëmarrjen e myslimanëve duke ngushtuar rrethin e organizimit institucional të islamit dhe myslimanëve, siç ishte fillimisht nacionalizimi, eksproprijimi dhe marrja me dhunë e pronës së myslimanëve, me qëllim që islami të mos ketë bazë ekonomike për ekzistencë, pastaj rrënimi i një numri të konsiderueshëm të institucioneve islame si xhamia, mektebe, teqe, dhe objekte tjera, si dhe ekzekutimi dhe arrestimi i një numri të konsiderueshëm të dijetarëve islam si dhe censura e pa parë e jetës islame, ishin arsye të fuqishme që dijetarët islam të hartojnë strategji dhe të gjejnë rrugëdalje për ruajtjen e Islamit në këto troje. Nga format më adekuate që praktikuan dijetarët islam për ruajtjen e islamit ishte ceremonia e mevludit që organizohej nëpër familje. Ndoshta por edhe sigurisht se ky ishte edhe motivi kryesor që dijetarët e mirëfilltë islam, ceremoninë e mevludit, nuk e kufizuan vetëm me rastin e shënimit të datëlindjes së Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), porse shpeshherë mevludin e përdorën si alibi edhe për gëzime tjera familjare, siç ishin sunetimi i fëmijëve, hyrja në shtëpitë e reja, lindja e fëmijëve etj.

Nëse kemi parasysh formën e realizimit të mevludeve familjare, me lehtësi konstatohet se përveç leximi të një pjese nga Kur’ani, salevatet dhe këndimit të mevludit i cili përmes rreshtave të tij përcjellën shumë mesazhe dhe porosi për besimtarët islam, pas përfundimit të lutjes së përbashkët, mexhlisi i mevludit edhe më tutje vazhdon me biseda, nasihate dhe pyetje e përgjigje nga të pranishmit, që i përngjet një tryeze të pastër shkencore islame. Aty shtjellohen shumë çështje nga lëmia e fesë, dhe shërohen shumë plagë sociale duke u ndihmuar mes veti besimtarët islam.

Kjo formë e organizimit të myslimanëve nga prijësit fetar, është dëshmi e qartë se udhëheqësit islam edhe në kohët më të vështira, kur dominonte censura e sistemit monist, me ndihmën e Allahut xh.sh. si dhe me besimin dhe bindjen e tyre të pastër, ditën që me mençuri dhe shumë sakrifica ta mbajnë gjallë dhe të organizuar islamin dhe popullatën myslimane në këto troje, dhe atë pikërisht përmes mevludeve, kelimeti tevhideve etj.

Dhe krejt në mbyllje të kësaj bisede, tani në kohën që po jetojmë, edhe pse ekzistojnë mundësi të shumta dhe të ndryshme për organizime fetare, kur mjetet e thirrjes islame janë shumë të zgjeruara, dhe të elektornizuara, të shpejta dhe efikase, edhe pse aty këtu dëgjohen disa zëra kritik ndaj kësaj ceremonie duke harruar realitetin nëpër të cilin kanë kaluar, sërish mendojë dhe jam shumë i bindur, se rrolin dhe rëndësinë e organizimit të mevludit nëpër familjet tona nuk mund ta zëvendësojë asnjë mjet apo medium tjetër, sepse të gjitha këto janë të vobekta me shpirtin manifestiv që e krijon mevludi në familje. Mungesa e organizimit të mevludeve nëpër familjet tona islame, atmosferën dhe gëzimin që e formon kjo ceremoni në familje islame, janë të pa përshkruara me fjalë dhe vetëm mund të përjetohen me idealin shpirtërorë i nxitur nga besimi i pastër, andaj apelojmë që kjo formë e manifestimit të lindjes së Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) të vazhdojë të ruhet dhe kultivohet në familjet tona islame.

Porosia tjetër që sugjeroj myslimanët e trevave tona është, që Mevludet të organizohen sa më shumë nëpër ambientet familjare, pra nëpër shtëpi, sepse organizimi i tyre nëpër lokale publike asnjëherë nuk mund ta ruaj shpirtin e Mevludit. Përmes organizimit të këtyre mexhliseve, dëshmojmë se shtëpitë tona janë të gjalla dhe të freskëta, falet namazi, lexohet Kur’ani, përmendet Allahu xh.sh., dërgohen salevate mbi pejgamberin a.s. lexohen mevlude etj, dhe se nuk janë shtëpi që i përngjasin varreza të rregulluara nga mermeri.

Vallahu ealem.

______________
Fusnotat:
• Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor “Mevludi tek shqiptarët”, 29, prill, 2009., Prishtinë, nën patronatin B. Islame të Kosovës.
[1] Musnedi i Malikut dhe Musnedi i Ahmedit.
[2] Imam Muslimi.
[3] Nga ky rregull i suli fikut nënkuptohet se sendet në esencë janë të lejuara nëse nuk ekziston tekst i cili ndalon veprimin e tillë.
[4] Hutab Esh-shejh Muhamed el Gazali fi shuuni ed-din vel hajat, Darul I’tisam Kajro.
[5] Për dallim nga ne gjeneratat më të reja ku mesazhet e islamit bëjmë përpjekje që xhematit tonë tua përcjellim vetëm nga larg, nga ekranet televizive apo internetit duke mos kontaktuar direkt me masën

______________
Literatura e konsultuar
1. Dr. Abdulkader Abdurreuf, Dirasat fi ed-da’veti el islamijeti, Daru Et-tibaatul muhamedijetu- Kakro.
2. Dr. Muhamed Jusuf Kerit- Menhexhul Kur’ani ves-sun-neti fi ed-da’veti ilall-llahi teala, matbaatu en-nehdatul arabijetu , Kajro
3. Dr. Muhamed Tal’at ebu sajri, Ed-duatu ilall-llahi fil kur’anil kerimi ve menahixhuhum, Kajro.
4. Dr. Abdullah Abdulhaj Muhamed, Dirasat tahlilijetu fi ed—da’veti ved-duati, Daru Et-tibaatu el Muhamedijetu, Kajro
5. Hutab Eshejh el Gazali fi shuuni ed-dini vel hajati, Darul i’tisam, Kajoro.

Shkrime të ngjashme