Shkrime Autoriale

Ndikimi i ndjenjes fetare në pengimin e subjektit nga vepra penale

Shkruan; Jdrejtesiusuf ZIMERI

Veprat penale në bazë të parimeve islame krahas faktit se janë vepra penale, ato konsiderohen edhe veprime amorale. Andaj, veprim i ndaluar sipas së drejtës islame konsiderohet çdo veprim i cili nuk përputhet me rregullat dhe parimet esenciale të moralit. Në këtë drejtim juristi (fekihu) islam bashkëkohor Dr. Jusuf el Kardavi thotë:”Në brendësinë e qenies së njeriut ekziston një fuqi e cila nuk mund të shihet me anë të syrit e as me anë të mikroskopëve dhe që nuk e njeh as shkenca e anatomisë. Ajo është një fuqi kuptimore e cila vetëm përjetohet, që njeriun e shpie nga e mira dhe e largon nga e keqja. Kjo fuqi është ajo që dijetarët e etikës e quajtën Ndjenje, e për të cilën Muhammedi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur është pyetur për mirësinë ka thënë: Mirësia është ajo tek e cila pushon shpirti dhe zemra (ndjenja), kurse mëkati (krimi) është ajo në të cilën nuk pushon shpirti dhe zemra (ndjenja)”. Ndjenja është një fuqi e cila i paraprinë veprës. Atëherë kur ekzistojnë zemra të gjalla të mbushura me ndjenja të shëndosha pa mëdyshje se edhe ligji është i drejtë dhe i frytshëm. Mbi këtë parim ngritet edhe urtësia e thënies: Drejtësia nuk qëndron në tekstin e ligjit, por në ndjenjën e gjykatësit”.11

E drejta islame, në princip bënë lidhshmërinë e plotë mes realitetit të ekzistimit të fuqisë absolute, ndjenjës individuale dhe moralit të shoqërisë. Andaj, ndjenja dhe morali në parimin islam nuk ngriten mbi bazat e asaj që njohin njerëzit si të mirë apo të keqe, por ato ngriten mbi bazat fundamentale që i ka përkufizuar Kur’ani dhe Sunneti, mbi të cilat ngritet shoqëria e pastër njerëzore e që në brendësi ka mëshirën dhe drejtësinë.

Në ligjet pozitive, për dallim nga ligjet islame, një sërë veprash të cilat janë amorale dhe nuk përputhen me parimet e përgjithshme të moralit, nuk trajtohet e as nuk gjykohen si vepra penale, siç është rasti me alkoolin dhe prostitucionin, edhe pse shumica e kanë të qartë se këto veprime janë amorale.

Sipas parimeve islame, nëse njeriu arrin që në zemrën dhe shpirtin e tij të përforcojë ndjenjën fetare, pa mëdyshje se ajo do të ndikojë shumë pozitivisht në pengimin dhe largimin e subjektit nga veprat penale. I tërë ky ndikim mund të përfshihet në këto tre segmente që janë:

1. Feja islame është fe dhe sistem nga All-llahu xh.sh. dhe se çdo send që ekziston në univers është krijesë e All-llahut xh.sh.. Nëse njeriu beson në fuqinë absolute, dhe me veprimtarinë e tij krijon lidhjen e fortë me Krijuesin e tij, ajo ndikon që nga shpirti dhe zemra e tij të largohet egoizmi, bigotizmi me të gjitha elementet dhe qelizat shtytëse nga krimi, siç janë zilia, urrejtja, mëria, vardisja ndaj pasurisë etj. Dhe në të njëjtën kohë këtë zbrastirë e kompenson me mëshirë, dashuri, humanizëm, solidaritet, etj. Si shembull i tërë kësaj që thamë le të na shërbejë vetëm obligimi i faljes së namazit, për të cilin All-llahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

وَ أَقِمِ الصَّلاَةَ إِنَّ الصَّلاَةَ تَنْهَى عَنِ الفَحْشَاءِ وَ المُنْكَرِ.

Fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarar.[1]

Po ashtu në këtë kontekst mund të përkujtojmë dhe të bëjmë analizë të thukët mbi ndikimin e agjërimit në këtë drejtim, apo edhe dhënies së zeqatit etj.

2. Sheriati islam është djepi i moralit të lartë, me të cilin ka krijuar një shoqëri me virtyte dhe edukim të lartë, dhe në anën tjetër sanksionon masa ndëshkuese për ata që bëjnë prishjen e rendit dhe moralit. Sheriati islam llogarit se me prishjen e moralit prishet edhe shoqëria, krijohen çrregullime dhe devijime që pa mëdyshje shpijnë në krime- vepra penale.

3. Besimi në All-llahun dhe në cilësitë e Tija paralajmëron dënime jo vetëm të jetës së kësaj bote por edhe të botës tjetër. Besimtari islam i cili vepron ndonjë veprim të ndaluar duke pasur parasysh dënimin e vështirë të jetës së botës tjetër, shpeshherë pendohet në jetën e kësaj bote që të pastrohet nga mëkati. Ai është i vetëdijshëm dhe i bindur se nëse për çdo veprim që e bën pavarësisht se është i mirë apo i keq do të regjistrohet te All-llahu xh.sh. dhe si i tillë nëse arrin të shpëtojë nga dënimi i jetës së kësaj bote nuk do të ketë mundësi të shpëtojë nga dënimi i jetës së botës tjetër.

Përgjegjësia për veprim penal

Në bazë të parimeve dhe principeve fetare islame personi i cili kryen delikt bartë dy përgjegjësi:

Përgjegjësinë për vepër penale në jetën e kësaj bote për të cilën meriton sanksion. Kjo përgjegjësi para së gjithash ka për qëllim pastrimin e vetë vepruesit të krimit në njërën anë, e në anën tjetër ruajtjen e sigurimit, paqes dhe rendit shoqërorë në përgjithësi.

Përgjegjësinë e veprës në jetën e botës tjetër për personin i cili nuk pastrohet nga krimi në jetën e kësaj bote. Në këtë kontekst të potencojmë ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:

يَوْمَ تَجِدُ كُلُّ نَقْسٍ مَا عَمِلَتْ مِنْ خَيْرٍ مُحْضَرًا وَ مَا عَمِلَتْ مِنْ سُوءٍ تَوَدُّ لَوْ أنَّ بَيْنَهَا وَ بَيْنَهُ أَمَدًا بَعِيدًا وَ يُحَذِّرُكُمُ اللَّهُ نَفْسَهُ وَاللَّهُ رَءُوفٌ بِالعِبَادِ.

Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vetes atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që e bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve.”13

Në bazë të këtyre dy përgjegjësive të kombinuara, (karakteristikë kjo e legjislacionit islam nga legjislacionet tjera pozitive) duket se juristët islamë prunë argumente të qarta mbi efikasitetin e të drejtës islame për ruajtjen dhe sigurimin e paqes dhe harmonisë njerëzore në krahasim me të drejtat e tjera pozitive.

Gjykohet kështu ngase shumë krime që ndodhin mbi njerëzit apo pasurinë, moralin e tyre ngelin të pa zbuluara, e vepruesi i shpëton sanksionit. Një gjë të tillë e ka vërtetuar praktika që si shembull do të paraqesim vetëm faktin se në Francë në vitet e fundit thuajse çdo vit ndodhin afër një milionë abortime antiligjore, që sipas ligjit trajtohen delikte. Në anën tjetër, nëpër gjykatat franceze për çdo vit për të shqiptuar dhe ekzekutuar sanksionet e këtij delikti paraqiten dikur vetëm rreth pesëqind gjykime.14

Kodi penal përfshinë ligjet të cilët sqarojnë veprat penale dhe sanksionet e tyre. Ai rregullon raportet-marrëdhëniet e individit me shtetin, shoqërinë nga aspekti i veprimeve që konsiderohen vepra penale e që nëse njeriu i vepron ato konsiderohet jashtë mëshirës së shoqërisë dhe për këtë arsye meriton denim-ndëshkim.15

Vlera njerëzore dhe interesi i përgjithshëm janë dy komponente të pandashme mes veti. Këto synime, intenca të mësimit islam, janë të orientuara drejt mbrojtjes së pesë vlerave themelore të përhershme që përbëjnë thelbin themelor të fesë dhe të drejtës islame. Sipas dijetarëve islamë, me Sheriatin islam imperativisht kërkohet:

1. Mbrojtja e fesë;

 2. Mbrojtja e jetës dhe e trupit;

 3. Mbrojtja e arsyes dhe e syçelësisë

 4. Mbrojtja e pasardhësve, nderit dhe moralit publik,

 5. Mbrojtja e pasurisë private dhe shoqërore;.16

Filozofia e së drejtës islame në ruajtjen e këtyre interesave ngritet mbi garancën e jetës dhe ngritjen e njeriut-personalitetit, andaj mosrespektimi i njërës prej këtyre vlerave paraqet vepër penale për të cilën Legjislatori në shpallje ka paraparë sanksione që quhen Hudud. Nisur nga fakti se ataku mbi këto interesa mund të jetë më i lehtë dhe më i rëndë atëherë patjetër që edhe sanksioni islam për vepër penale të jetë sipas veprës, në atë masë që të ruajë të drejtat e individit dhe shoqërisë, e nuk guxon që dënimi të jetë më i madh se sa krimi, sepse atëherë tejkalohet norma dhe mund të kalohet në veprim penal.

Sa herë që cenohen këto vlera dhe interesa, e drejta islame parasheh sanksione rigoroze, kurse me shqiptimin dhe ekzekutimin e këtyre sanksioneve në shoqërinë njerëzore realizohen këto vlera:

 – Ndërprerja e krimeve- delikteve, sepse pengon njeriun që të kryejë vepra penale. Për ata të cilët shprehin kokëfortësi dhe këmbëngulje në kryerjen e delikteve parashihen dënime rigoroze, kurse për të tjerët parashihen dënime më të buta varësisht nga nevoja që paraqitet.

Realizimi i drejtësisë, sepse kur krimineli kryen vepra penale dhe nuk bëhen intervenime juridike adekuate ndaj kriminelit shkaktohet një panik dhe frikë ndaj njerëzve. Krijohet një dëshpërim dhe hidhërim që motivon humbjen e drejtësisë, andaj me ekzekutimin e sanksionit qetësohen të hidhëruarit dhe realizohet garanca për jetë dhe drejtësi mes njerëzve.

-Përmirësimi dhe rehabilitimi i kriminelit, ngase nëse nuk merren masa adekuate krimineli vazhdon me deliktet e tija duke u larguar nga ndjenjat njerëzore, andaj me rastin e ekzekutimit të dënimit bëhet rehabilitimi i individit që ka bërë krim.



11 Dr. Jusuf El Kardavi, El Imanu vel hajat, f.208 bot. Kajro.

[1] . Suretu el Ankeebut : 45

13 Suretu El Maide : 30

14 Dr. Ab-bud Es-seraxhi, Et-teshriu Elxhezaij El Mukaren fil fikhil Islamij vel kanun Es-surij, Fakulteti Juridik- Universiteti i Damaskut- Damask.

15 Dr. Abdul Kerim Zejdani, El med-hal lidiraseti Sheriatul islamije, f. 333.

16 Nexhat Ibrahimi “Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, faq. 56.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht