Shkrime Autoriale

Nxitimi në vepra të mira

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Transmetohet nga Ebu Hurejrete r.a., se vërtetë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “ Nxitoni, shpejtoni (në punë të mira)  para se të ndodhin shtatë punë; nuk ju pret tjetër përveç varfërisë së harruar, ose pasurisë së tepruar, ose sëmundjes shkatërruese, pleqërisë së dobësuar, vdekjes së shpejtë, apo dexhalli si e keqe që ju pret, ose kiametit që është më i vështirë dhe më i hidhur” (Termidhiu)

Shpjegimi i përgjithshëm i hadithit

Të nderuar ky hadith[1] i Pejgamberit s.a.v.s. deri te besimtarët islamë përcjellë jo vetëm një mesazh që detyrimisht besimtarët islam duhet kuptuar, por është edhe një imperativ që në vete ngërthen vlerat e besimit, moralit dhe veprimit. Aktualiteti i këtij hadithi është i qëndrueshëm në mënyrë permanente në të gjitha kohët, derisa sa të ekzistojë jeta e njeriut mbi rruzullin e tokës, sepse ky hadith trajton çështjen e edukimit shpirtërorë dhe fizik të besimtarit islam.  Hadithi përkujton besimtarin islam për vlerat e përgjithshme islame dhe shoqërore, sepse jo rrallë herë njeriu ose nga injoranca ose nga pagjendshmëria e tij në këtë botë, ose i nxitur nga interesi individual i anashkalon këto parime.

Të nderuar besimtarë, njeriu jeton mes të kaluarës, të cilën nuk ka mundësi ta rikthejë, dhe në mes të ardhmërisë të cilën nuk e din se do ta përjetojë apo jo, e edhe nëse e përjeton, nuk e din se a do të ketë mundësi veprimi apo jo. Gjithashtu jeton edhe me të tanishmen, të cilën njeriu ose ka mundësi ta shfrytëzojë në maksimum me veprime të mira dhe frytdhënëse, ose edhe e tanishmja të largohet nga ti pa e ndier dhe përjetuar atë, e më pas të pendohesh atëherë kur nuk vlen pendimi. Për të mos ndodhë kjo, pra për të mos na ikur e tanishmja pa e jetuar dhe përjetuar, pa e shfrytëzuar me veprime të mira, të bereqetshme dhe frytdhënëse, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na përkujton duke na urdhëruar që të shpejtojmë me vepra të mira, para se të na ikë mundësia e veprimit të punëve të mira. Punët e mira janë të shumta dhe të nduarnduarta, duke filluar nga namazi, zeqati, lëmoshat e ndryshme, ndihma nevojtarëve, skamnorëve, dhikreve të shumta, leximit, marrjes me dituri, e deri te siç thotë Pejgamberi a.s. edhe buzëqeshja e ëmbël në fytyrën e vëllait tënd konsiderohet sadeka. Nga kjo nënkuptohet se askush nuk mund të ankohet dhe të justifikohet se kinse kishte dëshirë që të bëjë ndonjë punë të mirë, por nuk pati mundësi, sepse i mungonin mjetet materiale.

Në anën tjetër, përmes këtij hadithi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na jep mesazh të qartë për motivin e ekzistimit tonë në jetën e kësaj bote. Nëse njeriu nuk arrin të dijë motivin e ekzistimit të tij, nëse nuk dinë objektivin, nga erdhi dhe ku është nisur, atëherë  lëvizjet dhe veprimet e tij janë të pa vlefshme, të pa shëndetshme dhe sterile. Nëse njeriu nuk e din pse gjendet në atë vend, atëherë gjykohet me pa mendësi, dhe përfundimi i tij është pa asnjë rezultat.

Veprat e mira janë monedhë e xhennetit

Objektivi të cilin na e përshkruan i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përmes këtij hadithi është veprimtaria e mirë dhe produktive, veprimtari kjo me të cilën adhurohet Allahu xh.sh. kurse frytet e saja janë të dobishme si për individin ashtu edhe për shoqërinë njerëzorë. Se objektivi i njeriut është veprimtaria e mirë, këtë e vërteton edhe ajeti Kur’anor, ku Allahu xh.sh. thotë:

حَتَّى إِذَا جَاءَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُون. لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ كَلاَّ إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا وَمِن وَرَائِهِم بَرْزَخٌ إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ

“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen” (El Mu’minun :99-100)

Në momentin e vdekjes, kur të vjen meleku i vdekjes, askush nga ne nuk do të dëshironte asgjë më shumë se sa në thesarin e tij të ketë të regjistruara vepra të mira, sepse punët e mira janë monedha e botës tjetër, monedha e xhenetit. Andaj njeriu do të shprehte dëshirë dhe kërkesë nga Krijuesi i tij, që t’ia mundësojë edhe njëherë të kthehet në këtë botë për ta realizuar objektivin e tij, pra të punojë punë të mira, por tani është vonë, nuk ekziston mundësi. Ndoshta këtu fshehët edhe sekreti i porosisë së Pejgamberit a.s. kur thotë shpejtoni në punë të mira para se tu bëhet vonë.

Qëllimi i krijimit të njeriut nuk është që ai vetëm të lëvizë dhe të bëjë veprime të pa koordinuara, të pa frytshme pa kurrfarë objektivi, ose për ndonjë objektiv mediokër nga sfera e interesit të jetës së kësaj bote, sepse me këto veprime nuk dallohet nga krijesat tjera. Ajo që e ngritë njeriun nga poshtërsia, krahas besimit të tij, është edhe veprimtaria e mirë, e shoqëruar me edukatë të mirë, andaj Allahu xh.sh.  përmes Kur’ani kerimit e urdhëroi Pejgamberin a.s. që t’i përgëzoj besimtarët islam duke i thënë:

وَبَشِّرِ الَّذِين آمَنُواْ وَعَمِلُواْ الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الأَنْهَارُ

“E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj… (El Bekare : 25)

Nga këtu besimtari islam e ka të qartë se cili është çmimi i xhenetit, çmimi i jetës së përhershme dhe çka duhet të përgatisë për të. A ka mundësi që një njeri të niset për në ndonjë udhëtim jashtë shtetit të tij e me vete të mos ketë asgjë nga lekët (monedhat). Si do të udhëtojë, çka do të hajë, etj. Nëse kjo është absurde, atëherë vëlla i nderuar, si mendon se do të nisesh për në botën tjetër pa monedhë, pa veprime konkrete. Besimtari islam duhet patjetër ta dijë se veprimtaria e mirë është monedha e xhenetit. Allahu xh.sh. thotë:

فَمَن كَانَ يَرْجُو لِقَاء رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلا صَالِحًا

“e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë” (El Kehf: 110).

Imperativi për nxitim në vepra të mira nuk është thjesht vetëm nxitje në vepra të mira, por nënkupton që ti të i kërkosh ato veprime e jo veprimet të kërkojnë ty. Nga kjo nënkuptohet se nëse një dikujt i troket dikush në derë dhe kërkon ndihmë nga ai, e i përgjigjet ndihmës së tij, kjo nënkupton që ky njeri pretë që dikush t’ia sjellë punën e mirë te dera, kurse, besimtari islam duhet që ai të hulumtojë, të kërkojë dhe vrapoj pas veprës së mirë e jo vepra pas tij. Duhet që ti të kërkosh ndonjë të varfër e ta ushqesh, ndonjë jetim e ta ndihmosh, ndonjë student e ta financosh, të respektosh dhe nderosh prindin babanë dhe nënën dhe t’u bësh mirë atyre, pra ti të hulumtosh punët e mira e të mos presin që ato të vijnë te ti. Kështu e kishin kuptuar mesazhin e Pejgamberit a.s. ata që ai ua shpalosi drejtpërdrejtë, pra shokët e tij, pastaj gjenerata tjetër, dijetarët dhe besimtarët islamë. Raste të tilla kemi me qindra, por në këtë rast do të kisha përmendur vetëm një rast të Abdullah b. Omerit r.a., i cili një ditë Ramazani kishte shtruar sofrën modeste të iftarit. Duke pritur momentin e fundit,dikush trokiti në derë. Doli Abdullahi dhe pa se një lypës po kërkonte ushqim. Omeri r.a. u kthye te sofra e tij, mori tërë atë që pati në sofër, ia dha lypësit dhe kthye në dhomë duke qarë. Gruaja e tij, nuk u shqetësua për gjestin e tij human, përkundrazi u mburr me të, por e mahnitur e pyeti bashkëshortin, Pse qanë? Abdullahi iu përgjigj: e nuk e pa, lypësin që kërkoi de porta e jonë? Po tha gruaja, ai kërkoi dhe ju ia plotësuat kërkesën, andaj pse ke nevojë të qash?  Abdullahi tha: Po qaj sepse e rrugës ka qenë që unë ta kërkojë të varfërin,  e ti dhuroj atë që ka nevojë, e jo ai të më kërkoje mua. Ky është kuptimi i vërtetë i urdhrit të pejgamberit a.s. shpejtoni në vepra të mira.

 

= V a z h d o n ë =



[1] Nëse shfletojmë koleksionet e haditheve, gjejmë ngjashëm me këtë hadith gjejmë edhe  hadithe tjera që trajtojnë këtë tematikë, e që nënkuptojnë për vlerën dhe rendësin e të kuptuarit të drejtë dhe të saktë të kësaj tematike. Në sahihun e Imam Muslimit gjejmë edhe dy hadithe tjera të transmetuara poashtu nga Ebu Hurejreja në këtë tematikë, pastaj në koleksionin e Imam Ahmedit dhe Imam Taberaniut gjejmë hadithin e transmetuar nga Abis El Gafariu

Lini një Përgjigje

Maqedonisht