Pasi që të bëhet lidhja e kontratës së martesës pasojnë edhe obligimet bashkëshortore mes vete. Në vazhdim do të flasim për obligimet e burrit ndaj gruas.

 1.Obligueshmëria e bashkëshortit për mbulimin e shpenzimeve të bashkëshortes

Bashkëshorti është i obliguar që gruas së tij t’ia mbulojë shpenzimet e nevojshme sipas mundësisë, siç janë shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes, vendbanimit etj. Tërë këto shpenzime, si në aspektin fetar ashtu edhe në aspektin juridik, janë të domosdoshme për burrin. Nëse bashkëshorti nuk ia mbulon gruas së tij shpenzimet e nevojshme për arsye jo logjike ose jo juridike, atëherë personi i tillë tek All-llahu xh.sh. konsiderohet mëkatar.

Kundër personit të tillë edhe në jetën e kësaj bote, nga gjykatësit Islam merren masat juridike duke ia shqiptuar dënimin e merituar. All-llahu xh.sh. thotë: “…i ati i fëmisë është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregulli…” (El Bekare: 233).

Sa i përket furnizimit të gruas derisa ajo është në idet pas shkurorëzimi, edhe atëherë duhet t’i mbulohen shpenzimet e të mos flasim për shpenzimet që duhet kryer gjatë jetës bashkëshortore.

Rreth kësaj çështje nuk janë të pakët edhe hadithet e Pejgamberit a.s..

Pejgamberi a.s. me rastin e haxhit lamtumirës përpos tjerash tha: “Keni kujdes në gratë, sepe ju i keni marrë ato me amanetin e All-llahut, organet gjenitale të tyre ju janë lejuar në emër të All-llahut. Për këtë prej jush kërkohet furnizimi, veshmbathja si është rregulli…“ (Ibn Hisham 2/604).

Në një rast tjetër Pejgamberi është pyetur: Ç’thua (ç‘porositë) për gratë tona?” Pejgamberi a.s. është përgjigjur: “Ushqeni ato siç ushqeheni, mbathni ato me rrobe sikur që mbatheni, mos i rrihni e as mos i nënçmoni.” (Ebu Davud, 2/244, nr.2142, nga Hakim b. Muavije).

Transmetohet për Hindin, bashkëshorten e Ebu Sufjanit, e cila në një rast i thotë Pejgamberit a.s.: “O i dërguari i All-llahut, Ebu Sufjani është njeri koprrac. Ai nuk m’i mbulon  shpenzimet që më nevojiten mua dhe birit tim”.

Pejgamberi a.s. i tha: “Merr prej pasurisë së tij aq sa të mjafton ty dhe fëmijës tënd:” (Es-sunbnu-l-Kubra lil Bejhekij, 7/466).

Kur i takon furnizimi bashkëshortes?

a) Furnizimi i bashkëshortes nga bashkëshorti bëhet obligim pas arritjes së kontratës së shëndoshë. Ndërsa pas prishjes së kontratës burri nuk obligohet për shpenzimet e gruas, madje as kur arrihet kontrata e martesës pa prezentimin e dëshmitarëve.

Gjithashtu, furnizmi nuk është obligim i burrit edhe pas arritjes së kontratës së pavlefshme, si p.sh. martesa me zjarrputiste apo ateiste.

b)Nëse gruaja ia pengon burrit të vet dëfrimin me të pa kurrfarë shkaku, atëherë edhe pse i takon furnizimi prej bashkëshortit në këtë rast asaj i ndërpritet. Në këtë situatë burri nuk është i obligueshëm që ta furnizojë bashkëshorten,  mirëpo, nëse ia lejon dëfrimin, atëherë burrit sërish i mbetet obligim për ta furnizuar atë. Burri nuk është i obliguar që t’ia mbulojë shpenzimet bashkëshortes e cila pa kurrëfarë arsye nuk pranon që të transferohet në shtëpinë e tij. Gjithashtu, burri nuk është i obliguar t`i mbulojë as shpenzimet e gruas së mitur, ngase me të, s’do mend se, nuk mund të dëfrehet.

Për të qenë shpenzimet obligim për burrin duhet që gruaja të jetë moshërritur, e mençur dhe e shëndoshë.

Sa i përket gruas së sëmurë me të cilën nuk mund të ketë marrëdhënie intime, burri është i obliguar që t’ia heqë shpenzimet e saj, natyrisht nëse sëmundja është paraqitur pas lidhjes së kontratës.

Në këtë rast nuk është me rëndësi ajo se a është gruaja në shtëpinë e saj, në shtëpinë e burrit  apo në shtëpinë familjare, porse është kusht që ajo mos ta refuzojë ftesën kur ai e thëret që të shkoj në shtëpinë e tij. Nën këtë dispozitë përfshihen të gjitha femrat e sëmura, me kusht që ajo sëmundje të mos jetë e atij lloji që i pengon marrëdhëniet intime.

c) Bashkëshortja nuk guxon të jetë rrebele, gjegjësisht, nuk gixon të mos i nënshtrohet bashkëshortit në ato çështje që sheriati Islam ia ka obliguar asaj. Ta zëmë, nëse pa lejen e bashkëshortit gruaja largohet prej shtëpisë së burrit dhe shkon te shtëpia e saj dhe e refuzon hyrjen e burrit në atë shtëpi, në këtë rast shpenzimet e saj nuk e obligojnë burrin, edhe atë përderisa ajo të mos i nënshtrohet atij. Dhe, atëherë ky furnizim asaj i takon vetëm prej atij momenti që i nënshtrohet sërish.

Gjithashtu, burri nuk obligohet për mbulimin e shpenzimeve të gruas nëse ajo udhëton pa lejen e tija. Mirëpo, nëse gruaja udhëton për në haxh, pa lejen e burrit, në këtë rast, shpenzimet a janë obligim për burrin?

Nëse udhëtimi i saj për në haxh është nafile, atëherë burri nuk obligohet t’ia mbulojë shpenzimet, kurse nëse udhëtimi i saj për në haxh është farz, atëherë burrit i takon mbulimi i shpenzimeve, „ngase nuk ka nënshtrim për asnjë krijesë në atë që i bëhet mëkat All-llahut“, (hadith). Nëse femra nuk e kryen farzin atëherë konsiderohet mëkatare. Në këtë rast, burri është i obliguar që t`ia mbulojë shpenzimet përderisa ajo të qëndrojë në haxh,  edhe atë aq sa janë shpenzimet e saj në shtëpi, por nuk është i obliguar që t`ia mbulojë shpenzimet e udhëtimit. Ndërkaq, femra e cila është e punësuar apo ka ndonjë profesion e që është me punë jashtë shtëpisë dhe kthehet në mbrëmje, atëherë a i takon burrit të shpenzojë për të?

Nëse ajo është në punë me lejen e bashkëshortit, atëherë i takon që bashkëshorti t’ia mbuloj shpenzimet. Nëse shkon në punë pa lejen e burrit, asaj nuk i takon që burri t’ia mbulojë shpenzimet, ngase nuk i është nënshtruar urdhrit të tij. Doemos duhet potencuar se, kur bisedojmë për punën e gruas jashtë shtëpisë, këtu bëhet fjalë për detyrën e saj të ndershme, të pastër në shoqëri. Nëse, në të kundërtën, ajo punon në mesin e shoqërisë jo të shëndoshë, dhe e përzier me burra të huaj, atëherë është e drejtë e burrit që jo vetëm t’ia ndërpresë shpenzimet por edhe ta ndalë nga puna e tillë, në mënyrë që ta ruaj nderin e saj dhe autoritetin e fëmijëve e të familjes së vet.

Kur bashkëshorti dëshiron që bashkëshortja e tij të transferohet me të në një vend tjetër, mirëpo ajo refuzon, atëherë a i takon burrit t’ia mbulojë shpenzimet dhe ky refuzim i saj a konsiderohet jonënshtrim ndaj burrit?

Sa i përket kësaj çështjeje dijetarët e medhhebit hanefij i gjejmë të ndarë në dy mendime:

a). Dijetaret e vonshëm hanefij thonë se, nëse femra nuk dëshiron ta shoqërojë burrin për shkak të frikës se ndoshta mund të dëmtohet ajo, atëherë ka të drejtë të mos e shoqërojë.

b). dijetarët e mëhershëm thonë se bashkëshortja duhet ta shoqërojë burrin, sepse ajo duhet të jetojë me burrin, pavarësisht se ku jeton ai. Mendimi i dijetarëve hanefij të mëhershëm është më i përshtatshëm për kohën e sotshme, ku shumica e punëtorëve vazhdimisht janë të detyruar të transferohen nga një vend në një vend tjetër.

Duke i pasur parasysh mendimet dhe, duke i respektuar ato të të dy palëve, vërehet se, nëse femra është e sigurte nga ai transferim dhe nuk dëmtohet, atëherë është e obliguar ta shoqërojë bashkëshortin e saj. Por, nëse këtë urdhër nuk e respekton, atëherë konsiderohet rrebele, ndërsa frika e thjeshtë e saj nuk është arsyetim për mosshoqërimin e tij. Mirëpo nëse me të vërtetë do të dëmtohet ajo nëse  e shoqëron burrin, atëherë rrugëdalja e saj nga ky labirint është në duart e veta, gjithnjë duke pasur para vete dy alternativa: ose të kthehet në vendbanimin e mëparshëm, ose të kërkojë shkurorëzimin për shkak të dëmtimit të saj. E tërë kjo dilemë mund të shprehet nëse nuk është kushtëzuar ky shoqërim në kontratën e martesës. Mirëpo nëse në kontratë është kushtëzuar që gruaja të mos e lëshoj vendlindjen, në fakt, të mos udhëtojë me bashkëshortin, atëherë veprohet sipas kushtit dhe shpenzimet e gruas përsëri ngelin obligim për bashkëshortin.

Sasia e furnizimit

Sasia e furnizimit mes bashkëshortëve caktohet sipas mundësisë së tyre materiale.[1] Nëse bashkëshortët janë të shtresës së lartë, pasanikë, atëherë edhe furnizimi duhet të jetë furnizim pasaniku, e nëse janë të shtresës së varfër, atëherë ai furnizim ofrohet aq sa kanë mundësi të varfrit. Mirëpo nëse njëri nga bashkëshortët është i varfër kurse tjetri është i pasur, atëherë bëhet furnizimi mesatar.

Nëse gruaja kërkon furnizimin e saj nga bashkëshorti, ndërsa këtë ai e refuzon, atëherë gruaja posedon të drejtën që kërkesën e saj ta ngrisë në gjyq. Në këtë rast gjykatësi e obligon burrin që t’ia ofrojë furnizimin, apo t’ia kompensojë me vlerë të atij furnizimi. Nëse burri realizon kërkesën e gjykatësit, atëherë realizon qëllimin, por nëse burri refuzon edhe urdhrin e gjykatësit, atëherë gruaja me lejen e gjykatësit ka të drejtë të marrë nga pasuria e burrit aq sa i mjafton për furnizim. Porse, nëse burri është i varfër, atëherë bashkëshortja, me lejen e gjykatësit, ka të drejtë të marrë hua apo borxh të cilin burri është i obliguar ta rikthejë kur të pasurohet.

Bashkëshorti është i obliguar për mbulimin e shpenzimeve edhe ndaj gruas e cila është e shkurorëzuar me shkurorëzim rexhi’ij apo bain kubra dhe sugra, natyrisht gjer sa ajo të jetë në idet.

Sa i përket prishjes së martesës për ç´gjë shkaktar është burri, në këtë rast burri obligohet që t`ia mbulojë gruas shpenzimet. Nëse për atë prishje shkaktare është gruaja porse me arsyetim të pranuar, përsëri furnizimi mbetet obligim për burrin.

Nëse për prishjen e kurorës, shkaktare është gruaja, edhe atë  pa kurrfarë arsyetimi, atëherë burri nuk është i obliguar që ta furnizojë atë, madje kësaj gruaje as që i takon diç nga burri. Sa i përket gruas e cila është në idet pas vdekjes së burrit, për të nuk ka mbulim shpenzimesh, ngase ajo trashëgon nga pasuria e burrit.

2.Sjelljet e mira dhe respekti ndaj gruas

Burri është i obliguar që ndjenjat dhe personalitetin e gruas ta respektojë ashtu si i ka hije. Që të kemi sjellje të mira ndaj gruas, na urdhëron edhe vetë Kur’ani: “…çoni jetë të mirë me to…” (En Nisa:19).

Lidhur me këtë Muhamedi a.s. ka thënë: “Besimtarët me besim më të përsosur janë ata që e kanë moralin më të lartë, kurse më të moralshmit prej jush janë ata që kanë sjellje të mira me gratë e veta.“ (Tirmidhiu nga Ebu Hurejra, 3/466, nr.1162).

Pejgamberi a.s. ndaloi sharjen e gruas, rrahjen fytyrës dhe nënçmimin e saj në prezencën e njerëzve, madje edhe nëse ajo e meriton atë. Në një rast Pejgamberi a.s. është pyetur: „Cili është haku i bashkëshortes prej burrit të saj? Pejgamberi a.s. tha: „Ta ushqesh kur të ushqehesh, ta veshmbathësh kur të veshmbathesh. Mos i bjer fytyrës, mos e nënçmo, mos e përbuz, vetëmse në shtëpi.” (Ebu Davudi, nga Habim b. Muavije, 2/244, nr.2142).

Nga kjo nënkuptohet se, te gruaja ndonjëherë mund të gjendet ndonjë sjellje apo cilësi që burrit nuk i pëlqejnë, porse burri në këtë rast nuk duhet reaguar menjëherë, dhe për këtë nuk duhet të shikojë vetëm prej një këndi. Atë cilësi apo sjellje të saj burri duhet ta vështrojë nga të gjitha këndet dhe të bëjë një lloj baraspeshimi mes cilësive të mira dhe të liga të saj. Ka raste kur ndonjë sjellje të gruas burri e urren, porse ai duhet pasur në konsideratë edhe ndonjë sjellje të mirë të saj. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari nuk duhet ta dëmtojë besimtaren për shkak të urrejtjes së ndonjë sjellje të saj…“ (Muslimi nga Ebu Hurejra 10/57.)

Një hadith i Pejgamberit a.s. e konfirmon këtë: “Femra është krijuar prej brinjëve të shtrembëta të burrave, dhe ndoshta nuk të përshtatet në atë që dëshiron ti. Edhe nëse dëfrehesh me të, dëfrehesh ashtu siç është ajo e shtrembër. E nëse tenton ta drejtosh, atëherë e ke thyer atë, e thyerja e saj është shkurorëzimi.” (Muslimi nga Ebu Hurejra, 10/57).

3. Ruajtja e të drejtave bashkëshortore

Të drejtat bashkëshortore vazhdimisht duhet të kihen parasysh Plotësimi i dëshirës për marrëdhënie intime është një e drejtë që duhet të respektohet sepse kësisoj mbyllem shtigjet e tradhëtisë e cila është një  zullum që ndikon shumë negativisht te femra. Në anën tjetër, Islami na urdhëroi që ti zbatojmë obligimet që kemi ndaj grave tona ashtu siç i kemi ndaj vetes sonë dhe ndaj All-llahut xh.sh. Pejgamberi a.s. në një rast i ka thënë Abdullah b. Amr b. Asit: „O Abdullah, jam informuar se ti agjëron ditën dhe falesh natën!“  „Po“ – iu përgjegj Abdullahu! Pejgamberi a.s. i tha: “Agjëro, dhe bën iftar, falu dhe pusho sepse edhe ndaj trupit tënd ke (hak) borxh, edhe ndaj syve të tu ke hak, edhe ndaj bashkëshortes tënde ke hak.” (Buhariu nga Abdullah b. Amri b. Asi 9/745.)

4. Ruajtja e sekretit bashkëshortor

Burri nuk ka të drejtë që ta zbulojë sekretin e gruas së tij para askujt, sepse zbulimi i sekretit të saj shpie në shkëputjen e marrëdhënieve bashkëshortore, shkaktohet zilia dhe shpirtkeqësia, tipare këto të një morali të dobët. Rreth kësaj Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njeriu më i lig ndër njerëz dhe me pozitën më të ulët në Ditën e gjykimit para All-llahut, është ai njeri i cili e shpalon sekretin e bashkëshortes së vet dhe pastaj e hap atë.” (Imam Muslimi nga Seid Huderiu 10/8.)

5. Të lejuarit e gruas për ta vizituar familjen e vet

Burri është i obliguar t`i japë leje gruas së tij kur ajo dëshiron ta vizitojë familjen e saj. Vizita e familjes është një nga obligimet që i ka femra ndaj familjes së saj. Ky është edhe urdhër i Islamit. Gruaja që e viziton familjen e vet zbaton një pjesë të fesë Islame.

6.Të ndihmuarit, veçanërisht në momente kritike

Fukahatë Islam thonë se burri obligohet që t`i shërbejë bashkëshortes kur ajo është e sëmurë. Gjithashtu, burri duhet t`i ndihmojë bashkëshortes nëse ajo është e papërgatitur për mbikqyrjen e vetvetes, gjegjësisht, nuk është e aftë për mirëmbajtjen e vetvetes, edhe pse nuk lëngon prej ndonjë sëmurje.

Burri nuk është i obliguar që bashkëshortes së vet të aftë për mirëmbajtjen e shtëpisë t´i sigurojë shërbëtore. Pejgamberi a.s. u ndihmonte grave të veta, i shërbente familjes së tij, fshinte, pastronte rrobet, këpucët etj.

7.Të respektuarit e pronës së gruas

Për burrin nuk lejohet të shërbehet me pasurinë e gruas, me përjashtim nëse ajo e lejon apo e autorizon atë.

Femra, sipas parimeve Islame, ka të drejtë qeverisjeje në pasurinë e vet. Ajo mund ta shpenzojë atë si të dëshirojë. Po ashtu, ka të drejtë ta autorizojë kënd të dëshiron. Të drejtën e pronësisë Islami femrës ia kompletoi qysh para katërmbëdhjetë shekujve.

Islami i lejoi asaj tërë qeverisjen me pasurinë e vet, ashtu siç ia lejoi edhe burrave. Prej atëherë kur lindi drita Islame femra arriti këtë pozitë të lartë të qeverisjes me pasurinë e vet e që, edhe sa shumë femra në botë ëndërrojnë për një liri të tillë.[2]

All-llahu xh.sh. thotë: „…Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato…” (En Nisa:32).

(Ky tekst është shkëputë nga libri “E drejta familjare Islame” autor: I.Abazi, T. Bislimi, F. Ebibi dhe J. Zimeri, botuar 1996 në Shkup)


[1]    Sipas Hanefive duhet pasur parasysh se furnizimi nuk mund të jetë nën nivelin e nevojave të domosdoshme jetësore, sado që të jetë gjendja e dobët materiale e burrit.

[2]    Islami femrës i dha të drejtën e posedimit të pasurisë kurse në fetë e tjera ajo nuk ka të drejtë të posedojë pasuri, sepse femra te ato konsiderohet vetëm si vegël dhe e drejta e saj është e konfiskuar. Femra në Angli nuk kishte të drejtë që të qeverisë me pasurinë e vet. Sa për ilustrim po paraqesim vetëm disa shtete, të quajtura progresive, ku do të shihet se deri ku femra nuk kishte të drejtë qeverisjeje me pasurinë e vet. Të drejtën e posedimit të pasurisë, femra në Angli e arriti më vitin 1882, në Itali më 1919, në Gjermani më 1905, në Zvicër më 1907, në Portugali dhe Francë në vitin 1938. Nga kjo vihet në pah se para kësaj etape femra nuk e kishte të drejtën e posedimit të pasurisë. Edhe më e keqja që është, atëherë femra në botën joIslame shitej, edhe atë jo ilegalisht por në mënyrë legale duke u mbrojtur me ligj shitja e saj. sipas ligjit anglez më vitin 1805 lejohet shitblerja e gruas. Shtrohet pyetja: si u arrit kjo liri. Vill Divad thotë: „Si t`i komentojmë traditat dhe adetet që ishin në botën krishtere dhe këtë ndryshim të shpejtë. Shkaku i këtij ndryshimi është pasuria e shpejtë, kurse për lirinë e femrës shkak është produkti i revolucionit industrial“.

Shkrime të ngjashme