Përkthime

Pendimi

Autor: Prof. Dr. Vehbi Ez-Zuhejli
Nga Arabishtja:
Jusuf ZIMERI

,,Shpejtimi i gjuhës për kërkimin e faljes, është pendimi i gënjeshtarëve, e pendimi yt, kërkon pendim !. Ali b. Ebu Talib r.a.

Pendimi është një veprim që në vete përmban dhe përforcon bindjen dhe vendosshmërinë për mos përsëritjen e gabimit të mëparshëm. Ky veprim realizohet në mënyrë që njeriu të tërhiqet nga vepra e keqe – gabimi me bindje të fortë juridike dhe racionale, ose duke u transferuar nga e keqja në të mirë, duke u penduar për atë që e ka bërë, dhe njëkohësisht  është i vendosur për mos praktikumin e kësaj të keqe në të ardhmen.

Juristët islam, në aspektin terminologjik pendimin e definuan; kthimi prej rrugës së gabuar në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, kurse bindja dhe vendosshmëria  janë nga shtyllat e kthimit të vërtetë që e transferojnë njeriun nga veprat e liga në të mira. Mirëpo, patjetër të ekzistojë ndonjë faktorë i pastër personal apo fetar që është nxitës për këtë kthesë, bindje dhe vendosshmëri që ka nevojë për fuqi dhe dëshirë.  Nga kjo nënkuptohet se nëse njeriu është tërhequr nga ndonjë veprim i keq për ndonjë arsye tjetër, si bie fjala për shkak të dobësisë fizike, apo për shkak të dënimit material, ose për shkak të kërcënimit me arrestim nëse e vepron ndonjë punë, apo për shkak se tërheqja i imponohet nga organet e sistemit, në këtë rast nuk është arritur pendimi i dëshiruar islamikisht dhe nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara fetarisht, që është falja apo pastrimi i mëkateve në jetën e botës tjetër, edhe pse në realitetin sipërfaqësor janë dhënë rezultate të dukshme që janë ndërprerja e krimeve dhe garantimi i sigurisë dhe qetësisë në jetën e kësaj bote.

Kushtet e pendimit
Dijetarët islam, për vlefshmërinë e pendimit kanë kushtëzuar kushte të caktuara të cilat ndryshojnë varësisht nga lloji i gabimit apo mëkatit, varësisht se gabimet ndërlidhen mes njeriut dhe Krijuesit të tij, ose kanë të bëjnë vetëm me të drejtat ndërnjerëzore.

Nëse gabimi – mëkati prekë çështjet që kanë të bëjnë mes njeriut dhe Krijuesit të tij dhe nuk cenojnë të drejtën e ndonjë individi tjetër, në këtë rast vlefshmëria e pendimit varet nga tre kushte që janë:

  1. Largimi i menjëhershëm nga gabimi – mëkati,
  2. Pendimi për atë që e ka bërë
  3. Vesdosshmëria që në të ardhmen asnjëherë të mos përsërisë gabimin apo mëkatin e bërë.

Pra, pendimi në këtë rast ka tri shtylla esenciale mbi të cilat ndërtohet që janë; largimi nga vepra e keqe, pendimi dhe vendosshmëria për mospërsëritje. Në këtë rast  nëse humbet njëra nga këto tri shtylla, atëherë pendimi është i pa vlefshëm.

Nëse gabimi – veprimi ka të bëjë me të drejtat individuale ndërnjerëzore, atëherë për vlefshmërinë e pendimit kushtëzohen katër kushte, tre kushtet e më parë përmendura dhe kushti i katërt është që të kërkohet falje nga personi që i është bërë dëm, e nëse është çështje ekonomike si psh, vjedhja, kushtëzohet kompensimi ose dëmshpërblimi e më pas pendimi.

Shkallën më të kompletuar të pendimit na e përkufizon Alij b. Ebu Talibi r.a. që transmetohet nga Xhabiri r.a. se një ditë një arab kishte hyrë në xhaminë e Pejgamberit s.a.v.s.  dhe kishte thënë: ,,O Zoti im, unë kërkojë falje nga Ti dhe te Ti pendohem,. Pas kësaj lutje kishte marrë tekbirin dhe ishte lidhur në namaz. Pasi përfundoi namazin Aliu r.a. iu kishte afruar dhe i  tha: ,,Shpejtimi i gjuhës me kërkimin e faljes, është pendimi i gënjeshtarëve, e pendimi yt, kërkon pendim,,. Personi i tha: O sunduesi i myslimanëve, çështë pendimi ?. Aliu r.a. tha: Pendimi është emër që përfshinë gjashtë kuptime: për mëkatet që i ke bërë në të kaluarën të pendohesh, për farzet e humbura ti kompensosh, atij që i ke bërë padrejtësi, tia kthesh të drejtën, të shkrish veten tënde në nënshtrueshmëri ashtu si e ke edukuar në mëkate, të shijosh hidhësin e nënshtrueshmërisë, ashtu si e ke shijuar ëmbëlsirën mëkatin, qarja për çdo qeshje që ke qeshur.

Pendimi i cili ka plotësuar  tërësisht kushtet e tija konsiderohet pendimi i sinqertë për të cilën flet Kur,ani famëlartë ku thotë: ,,O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë,,Tahrim :8. Pastaj ajeti: ,,Nuk ka dyshim se Unë e falë atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet në rrugën e drejtë,, Taha: 82.

Dijetarët islam rreth përkufizimit të pendimit të sinqertë kanë zhvilluar biseda dhe debate të shumtë, që në literaturën përkatëse mund të gjesh mbi njëzet e tre mendime, kurse në këtë rast po theksojmë vetëm atë që e ka thënë imam Kurtubiu ku thotë: Pendimin e sinqertë e përfshijnë katër gjëra që janë, Kërkimi i faljes me gjuhë,  largimin fizik nga e keqja, vendosshmëria për mos tu kthyer në të dhe emigrimi nga tç këqijat e kota.

Dispozita e pendimit
Të gjitha burimet esenciale të legjislacionit islam duke filluar nga Kurani, suneti, konsensusi i dijetarëve referojnë drejt përshpejtimit të pendimit pas rënies në mëkat i cili kërkon pendim, andaj dijetarët islam janë të mendimit se vetë prolongimi apo vonimi i pendimit në afat kohor shndërrohet në mëkat. Andaj burimet islame detyrojnë në pendim të menjëhershëm me qëllim që të arrihet dhe realizohet qëllimi i plotë që është të liruarit nga barra, përfshirja në mëshirën e Allahut xh. sh. në jetën e botës tjetër, kënaqësia e njeriut në jetën e kësaj bote, pastrimi i shoqërisë nga krimet dhe mëkatet si dhe pengimi i devijimit në mënyrë që mos të përsëritet vepra e keqe në të ardhmen, si dhe të mira tjera. Të mirat që pasojnë pas pendimit, e që mund të kuptohen nga lexuesi i Kuranit dhe sunetit të pejgamberit s.a.v.s. janë të shumë llojshme. Ajetet uranore këto të mira na i paraqesin si vijon: Allahu xh,.sh. ka thënë:,, Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë në mënyrë që të gjeni shpëtim,,En-Nur:31, pastaj ajeti: ,, E të kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) te Ai, se Ai do t,ju mundësojë përjetime të mira,, Hud:3, pastaj ajeti: ,,Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije pastaj shpejt pendohen,, En-Nisa :17, pastaj ajeti: ,,Kush bënë ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun falës dhe mëshirues,, En-Nisa:110

Hadithet e pejgamberit s.a.v.s. që flasin për pendimin e që disa prej tyre përforcojnë dispozitën e asaj që përshkruhet në Kuran, disa janë sqarues, por ato janë të shumtë e ne po theksojmë disa nga to. Transmetohet nga ebu Hurejre r.a. se Pajgamberi s.a.v.s. ka thënë: Pasha Allahun, unë kërkoj falje nga Allahu dhe pendohem tek Ai më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë,, Buhariu. Transmetohet nga Agr b. Jesari se pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:,,O ju njerëz, pendohuni te Allahu dhe kërkoni falje prej Tij, sepse unë pendohem njëqind herë në ditë,, Muslimi.

Dijetarët islam nga këto dy hadithe të pejgamberit s.a.v.s. kanë përfituar dispozitën se është e preferuar (mustehab) që njeriu i cili është penduar për një veprim, sa herë ti kujtohet të ripërsërisë pendimin dhe të përforcojë bindjen dhe vendosshmërinë për mos kthim në atë vepër.

Pendimi nuk është patjetër që të bëhet nga mëkati, sepse i dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte bërë mëkate që të pendohet aq shumë si paraqiten në këto dy hadithe, porse këto janë nxitje dhe mësime për myslimanët, udhëzime për ta dhe hapje e portës së pendimit. Çdo kush ta gjejë veten aty ku është, dhe të jetë përgjegjës për veprimtarinë e tij, sepse i dërguari i Allahut s.a.v.s ishte i mbrojtur nga mëkatet.

Për cilat veprime duhet penduar
Besimtari islam ka për obligim të pendohet për të gjitha mëkatet dhe të këqijat, andaj nëse njeriu pendohet për disa mëkate, pendimi i tij është i vlefshëm për atë që është penduar, kurse mëkatet tjera ngeli varë mbi supet e tija.

Me nocionin mëkat është për qëllim çdo veprim i njeriut që është bërë në kundërshtim me urdhrin e Allahut xh.sh. pavarësisht se urdhri ka qenë për veprim apo mos veprim. Argumenti i cili argumenton se lejohet pendimi për të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me dispozitat islame është ajeti ku Allahu xh.sh. ka thënë: ,,Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije pastaj shpejt pendohen,, En-Nisa :17. Ky ajet është gjithë përfshirës  ku përfshinë edhe kufirin (mosbesimin), sepse çdo kush që ka bërë mëkat ndaj Allahut konsiderohet i pa dijshëm derisa të largohet nga ai mëkat. Imam Katadete ka thënë: Të gjithë sahanët, shokët e pejgamberit s.a.v.s. janë unik në mendimin e tyre se çdo mëkat bëhet prej mosdijes pavarësisht s’bëhet me qëllim apo pa dije.

Andaj parimi i përgjithshëm është që pendimi të bëhet menjëherë pas mëkatit, por kjo nuk nënkupton se pendimi më vonë është i pa pranuar. Pra, pranimi i pendimit mund të bëhet gjatë tërë jetës së tij, e kjo është mëshirë e pa kufizuar e Allahut xh.sh., lehtësim, tolerancë, hapje e portës së shpresës si dhe largimi i njerëzve nga pesimizmi i tyre, sepse çdo bir i Ademit është mëkatar, e mëkatari më i mirë është ai i cili pendohet. Se pendimi është i vlefshëm tërë jetën, sqaron hadithi i pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: Vërtetë Allahu pranon pendimin e robit të Tij, derisa nuk i ka ardhur shpirti në qafë,. Termidhiu.

Ikrimete duke e komentuar ajetin kur’anor ’’ pastaj shpejt pendohen’’ se tërë jeta është afër, kurse Dahaku ka ka thënë: Çdo send që është para vdekjes është afër. Në një hadith tjetër pejgamberi s.a.v.s ka thënë: Nuk ka ndonjë rob besimtar që një muaj para vdekjes pendohet e vetëm se ka për ta pranuar Allahu pendimin  tij qoftë edhe më pak se ajo (një muaj) para vdekjes së tij  një ditë ose një orë, e vetëm se Allahu ka për ta pranuar.

Dijetarët islam kanë thënë se pendimi është i vlefshëm qoftë edhe vetëm një ditë para vdekjes, sepse shpresa për përmirësimin e njeriut ngelë, andaj pendimi dhe vendimi i tij për mospërsëritje të gabimit është i vlefshëm. Mirëpo ata të cilët bien në agoni gjatë jetës si rasti i Faraonit i cili besoi Allahun në momentin kur uji i arriti deri në fyt për ngufatje, atëherë pendimi është i pa vlefshëm. Në momentin e agonisë së vdekjes nuk pranohet besimi, sepse në këto momente njeriu shkarkohet nga obligimi. Allahu xh.sh. duke e treguar ngjarjen e Faraonit thotë: ’’Ne i kapërcyem beni israilët përtej detit, e faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht  derisa e përfshiu atë përmbytja e ai tha: Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, dhe unë jam nga myslimanët. Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve’’ Junus:90-91. Këtë e përforcon edhe ajeti tjetër ku thotë:’’Nuk është pendim i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur ti vjen vdekja ndonjëri prej tyre thotë: unë tash u pendova, e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtar. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër’’ En-Nisa:18.

Këto dy ajete Kur’anore na japin të kuptojmë se pendimi nuk është i pranuar në momentin e agonisë së vdekjes. Ky është mendimi i ibni Abasit, ibni Zejdit dhe shumicës së komentatorëve të Kur’anit. Mirëpo një numër i dijetarëve të medhhebit hanefij shkojnë ka mendimi se edhe pendimi në momentin e dëshpërimit është i pranuar, por jo edhe besimi i tyre. Këtë e vërtetojnë me ajetin Kur’anor ku thuhet: ’’Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe di çka punoni’’.Eshura:25.

 

Premtimi i garantuar me arritjen e pranimit të pendimit

Allahu xh.sh. ka premtuar faljen për ata të cilët janë larguar nga mëkatet e mëdha ku ka thënë: ’’Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm. Nisa:31. Nga kjo nënkuptohet se nëse njeriu largohet nga mëkatet e mëdha të cilat janë ndaluar për veprim, Allahu ua falë mëkatet e gabimeve të vogla, do ta fusë në xhenet si shpërblim për ruajtjen e tij nga mëkatet e mëdha dhe durimin e tij ndaj tyre, si dhe vendosshmëria e tij që të qëndrojë në rrugën e vërtetë. Këto janë premtime nga Allahu dhe Ai është besnik në premtimin e Tij, pra të pranojë pendimin e mëkatarëve nga robërit e Tij. Këtë e vërteton ajeti ku thotë: ‘’A nuk e ditën ata se Allahu është ai që pranon pendimin e robërve të vet,..’’Tevbe:104. Pastaj ajeti : ’’Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë’’. Taha:82.

Imam Kurtubiu thotë: Paralajmërimi që Allahut xh.sh. paraqet për ndonjë çështje, që e ka obliguar vetveten e Tij, nënkupton obligueshmërinë e ndodhjes së atij paralajmërimi. Shikuar çështjen nga konteksti i besimit, logjikisht Allahut nuk mund ti obligohet asgjë, kurse ajo që dëgjohet sipërfaqësisht është pranimi i pendimit nga penduesi. Si përfundim i tërë kësaj është se ajetet kur’anore garantojnë premtimin nga Allahu xh.sh., e në premtimin e Tij nuk ka ndryshim, andaj Ai pranon pendimin i cili ka plotësuar kushtet e vlefshmërisë së tij, që janë katër kushtet e cekura më parë.

Logjikisht pranimi i pendimit nuk është detyrimor, me përjashtim të Mutezilës, sepse ai i cili detyron kushtëzohet të jetë më superior se sa ai i cili detyrohet. Kurse e vërteta është se Allahu xh. sh. është Krijuesi i krijesave, Sunduesi i tyre dhe Ai është që detyron ata, andaj nuk kemi të drejtë që këtë veprim ta cilësojmë si detyrimor sepse Ai është i lartësuar nga Ajo.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht