Jurisprudencë, Opinione

Po, Kiameti (kataklizmi) është afër!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

All-llahu xh.sh. thotë:

Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Cështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm All-llahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)” (el earaf : 187)

Hyrje

Nuk ka dilemë se çdo gjë që ka fillim, është i gjykuar që patjetër të ketë edhe përfundimin e vet. Atëherë, edhe ky univers bashkë me njeriun në të, ka fillimin e vet dhe patjetër do të ketë edhe përfundimin e vet. Ky parim, as nuk është ndonjë risi e as ndonjë filozofi që frikon apo dëshpëron njerëzit, përkundrazi është parim që i përkujton njeriut që ardhmërinë e vet ta konfirmojë me veprat e tij. Ky parim ngritë vetëdijen dhe përgjegjësinë e qenies njeri, dhe si i tillë është frytdhënës në nxitjen e njeriut në veprimtari konstruktive që përputhet me natyrshmërinë e krijimit të tij.

Pra, kiameti gjithsesi do të ndodhë dhe ai është afër sado që të jetë larg. Është afër për çdo njeri, për çdo krijesë në univers, sepse çdo sekondë dhe minutë që kalon njeriu është gjithnjë e më afër tij. Është afër, ngase është prej momenteve që vjen, e çdo gjë që vjen është afër. Kur’ani fisnik kështu e përshkroi ardhjen dhe afërsinë e Kiametit duke thënë: “Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar,”[1] Enes b. Maliki r.a. tregon se një ditë i dërguari i Allahut s.a.v.s. një ditë duke ligjëruar para shokëve të tij derisa ishte koha pak para perëndimit të diellit, iu drejtua shokëve të tij duke u thënë: Pasha Atë që shpirtin tim kas në dorën e tij, nuk ka mbetur nga kjo botë në krahasim me atë që ka kaluar vetëm se sa ka ngelur nga dita e juaj sot në krahasim me atë që ka kaluar. Po pra, kiameti është afër, sepse ajo që është para nesh gjithnjë e më shumë është më afër nesh, në krahasim me atë që është pas shpinës sonë, e cila gjithnjë e më shumë largohet nga ne.

Njeriu si gjenie më e nderuar nga Krijuesi i tij, vlerësohet në bazë të besimit të tij, moralit dhe veprimtarisë së tij në jetën e kësaj bote, kurse momenti prej ku fillon përgjegjësia e tij islame, morale dhe juridike është me pubertetin e tij. Veprimtaria e tij përfundon me ndarjen e shpirtit nga trupi, pra me vdekjen, e më tutje nuk ka obligime, por fillon faza e përgjegjësisë për veprimtarinë e tij. Pra, kiameti shikuar nga aspekti individualizmit është në momentin e vdekjes së tij, e vdekja është gjithnjë e shoqëron njeriun në çdo moment. Ajo është aq afër njeriut saqë nuk mund as ta paramendojmë, andaj kiameti është afër për ne.

Andaj, nëse ndodhinë e kiametit si përfundim i botës, e kundrojmë nga aspekti islam, me lehtësi vërejmë se të besuarit në kataklizmin dhe në ringjalljen që përfshihen me nocionin kiamet, është kusht prej kushteve të besimit, që nënkupton se mosbesimi në këtë ngjarje e nxjerrë njeriun nga islami, dhe konsiderohet jobesimtarë. Kjo është shumë e qartë, dhe e argumentuar përmes argumenteve autentike islame.

-I-

Nga ajeti në fjalë kuptojmë shumë çështje të rëndësishme në jetën tonë të përditshme. Çështjen e parë që na e bënë të ditur ky ajet kur’anor, është fakti se momenti i ndodhjes së fundit të botës është enigmë, fshehtësi të cilën Krijuesi absolut e la vetëm në diturinë e Tij, e nuk i tregoi as njerëzve më të dashur, që ishin të Dërguarit e Tij. Sigurisht se arsyeja e mos shpalosjes së kësaj diturie për qenien njeri, fshehet në mëshirën absolute të Krijuesit absolut. Kur është pyetur i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. për momentin e ndodhjes së kiametit, për shkatërrimin e universit, për fundin e botës, Krijuesi dhe Pronari i universit i tregon Muhamedit a.s. përmes shpalljes duke i thënë: Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Cështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm All-llahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)”[2]

Komentuesit[3] e kur’anit fisnik, gjatë shkoqitjes së këtij ajet, na e bëjnë me dije se pyetësit ishin nga idhujtarët e Mekës[4], të cilët jo që dëshironin të dinin realitetin e kësaj ngjarje, por për ta provokuar Muhamedin a.s. i thoshin: nëse vërtetë je i dërguar i Allahut, ashtu siç pretendon, atëherë na trego kurë do të bëhet shkatërrimi i universit, kiameti? Përgjigjen e kësaj pyetje e tregoi Alllahu xh.sh. përmes  ajetit të lartëpërmendu, duke u treguar qartë botës  njerëzore se  çështje e përfundimit të kësaj bote (kiametit)  nuk është as në kompetencat tuaja as në mundësinë tuaj të njohjes së  kësaj ngjarjeje madhore. Andaj do të ishte racionale, islame dhe njerëzore që njerëzit më shumë të merren me veprimtarinë e tyre, se sa me angazhimin dhe lodhjen e tyre për të gjetur momentin e ndodhjes së fundit të botës. Jo vetëm kaq, pra jo vetëm që asnjëherë nuk do të dini se kur do të ndodhë fundi i botës edhe për krah lodhjes suaj për ta gjetur, por për këtë lodhje do të bartni edhe përgjegjësi, ngase shkatërrimi i botës nuk do ndodhë si rezultat i ndonjë veprimi apo zbulimi njerëzorë. Çështja e fundit të botës nuk është çështje që i takon rregullit dhe kritereve të fizikës, por është çështje që i takon vullnetit dhe dëshirës së krijuesit absolut. Njeriu është qenie aq e dobët sa asnjëherë nuk ka arritur të dijë kur është fundi i tij personal në këtë botë, e si të ketë mundësi intelekti të kenë njohuri dhe të dijë se kur është fundi i universit !?.

-II-

 Interesimi i njerëzve për të ditur momentin dhe datën e saktë të fundit të botës, në konfiguracion me rezultatet eventuale të kësaj dije, janë dy llojë, që janë:

Tentativa e idhujtarëve- pabesimtarëve për të ditur momentin e fundit të botës, nuk është për ndonjë interes tjetër, por vetëm për shkak të ekzibicionizmit, ekstravagancës dhe ekzaltimit të tyre në jetën e kësaj bote. Në anën tjetër nuk janë raste të rralla kur përcaktimi i datave bëhet për arsye ekstrafitimi nga individë të ndryshëm, të cilët kinse e dinë të ardhmen e botës përmes profecisë së tyre.

Qëllimi i besimtarëve islamë për të ditur se fundi i botës është afër apo largë, është krejtësisht i kundërt me tentativat e idhujtarëve dhe pabesimtarëve. Nëse besimtari islam interesohet të dijë për momentin e kësaj ngjarje, ai pyet krejtësisht për të ditur se edhe sa kohë i ka ngelur në diskonim për të adhuruar Allahun xh.sh. në jetën e kësaj bote, për t’u përgatitur me vepra të mira dhe profitabile.  Kjo i përket shembullit të studentit i cili pyet për momentin e provimit, studenti i mirë pyet për të ditur edhe sa kohë ka në diskonim për të mësuar dhe studiuar, që të përgatitet për provim, kurse tjetri pyet, edhe sa kohë ka provimi që ky të vazhdojë me aventurat e tij.

Këtë më së miri na e sqaron  Enes b. Maliki r.a. i cili rrëfen duke thënë: Një njeri nga arabët e pyeti Pejgamberin a.s. për kiametin – fundin e botës, duke i thënë: O i dërguari i Allahut, kur është Kiameti ? Pejgamberi s.a.v.s. i tha: (meqë po pyet për ditën e kiametit) çka ke përgatitur për këtë ditë ? Pyetësi tha: Asgjë të veçantë, por vërtetë unë e dua All-llahun dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s.! Pejgamberi a.s. i tha: Ti je me atë që e donë. Enesi r.a. tha: Nuk na ka gëzuar asgjë më shumë në jetë se sa fjala e Pejgamberit a.s. kur i tha atij: Ti je me atë që e donë. Enesi tha: Unë e dua Pejgamberin s.a.v.s. Ebu Bekrin, Omerin radiallahu anhum dhe shpresoj që të jem me ta për shkak të dashurisë sime ndaj tyre, edhe pse nuk kam punuar sikur ata.

Kjo është logjika islame përmes së cilës besimtarët islamë duhet të kuptojnë përfundimin e botës, sepse ata janë të vetëdijshëm se qëllimi i krijimit të jetës së kësaj bote nuk është dëfrimi i thjesht në këtë botë, por qëllimi i krijimit  të njeriut është adhurimi Allahun xh.sh,.. Besimtarët islamë janë të bindur se kjo botë është vetëm arenë ku zhvillohet beteja për të fituar jetën e përhershme. Kjo botë është arenë ku duhet sfiduar e keqja, sepse bota tjetër është ajo e përhershmja, ku do të marrim llogarinë e veprimeve tona.

-III-

Përcaktimi i ditës së kiametit, respektivisht i fundit të botës është çështje që me të merren vetëm pabesimtarët dhe idhujtarët, sepse besimtarët islamë besojnë në Krijuesin absolut dhe këtë çështje e kanë mbështetur në diturinë e tij.

Të dhënat hipotetike të profecive të ndryshme nga kulturat dhe civilizimet e lashta pagane siç është rasti edhe me civilizimin MAJA[5], që pretendojnë se që pretendonin se sipas kalendarit të tyre dita e fundit të botës do të ndodhë më 21 Dhjetor 2012, nuk janë asgjë tjetër përveç se një teori hipotetike e pa bazuar në asnjë fakt logjik apo shkencor dhe si e tillë ngelë vetëm një gënjeshtër e kulluar, por profitabile për disa faktorë. Kjo datë do të kalonte në heshtje shumë të rëndë, po të mos ekzistonte edhe fenomeni e interesit ekonomik, siç është rasti me kyçjen e korporatës më të madhe filmike botërore “Hollivood”.

Bëhet fjalë për filmin e regjisorit të famshëm holivudian Rolanda Emerecha titulluar “2012”, premiera e së cilës u shfaq në nëntor të vitit 2009. Ky film provokoi emocione masive të frikës dhe ankthit kolektiv por vetëm te pabesimtarët, ngase besimtarët e dinin se kjo është vetëm gënjeshtër me karakter profitabil ekonomik.

Se kjo çështje është gënjeshtër e kulluar, vërtetoi edhe Organizata e vetme zyrtare në botë që merret zyrtarisht me kërkime shkencore për planetin e tokës, kozmosin dhe universin, që kontrollon çdo lëvizje në planetin tokë, kur për këtë thotë: Asgjë e keqe nuk do të ndodhë në Tokë në vitin 2012. Planeti ynë ekziston prej miliarda vjetësh dhe shkencëtarët në mbarë botën nuk shikojnë ndonjë rrezik lidhur me 2012.

Për në fund mendoj se nuk ka pozicion që njerëzit në përgjithësi e myslimanët në veçanti të merren me këtë çështje, nuk ka arsye të besohen profecitë, sepse besimi në fjalët e tyre konsiderohet idhujtari.

Pra të nderuar lexues, e gjithë ajo që do të ndodhë pas 21 dhejtorit është se do të fillojë 22 dhetori



[1] Suretu El Kijame: 01

[2] El earaf: 187

[3] Shih tefsir Ibni Kethirit, tefsirin: el xhamiu li ahakamil kur’anil, nga Kurtubiu dhe tefsirët tjerë.

[4] Disa komentues të Kur’anit janë të mendimit se këtë pyetje e kishin parashtruar çifutët pejgamberit a.s. në mënyrë të vërtetohen se vërtetë Muhamedi a.s. është i dërguar, apo është gënjeshtar dhe vetëm pretendon se është i dërguar! Sipas bindjes së tyre, nëse Muhamedi a.s. do tua përcaktonte kohën e fundit të botës, atëherë ai është gënjeshtar, e nëse diturin për ndodhjen e kiametit e mbështetë në diturinë e Allahut xh.sh., atëherë vërtetë është i dërguar, por megjithatë ata nuk e besuan.

[5] Sipas të dhënave ekzistuese materiale- historike, civilizimi i lashtë MAJA ka ekzistuar shumë më parë, por kulmin e përparimit të vrullshëm të saj e arrin në periodën 250- 900 p.e.s. Shtrihej në një hapësirë gjeografike të kontinentit të sotëm të Amerikës Qendrore (në mes të Guatamalës, Belizesë, Hondurasit dhe Salvadorit të sotëm).

Lini një Përgjigje

Maqedonisht