Opinione, Shkrime Autoriale

Recensim librit “DËSHMI KOHE – Historiku i Muftinisë së Kumanovës” Autor: H. Enver ZEQIRI.

Shkruan: Jusuf ZIMERI

  Këto ditë me dëshirën e Allahut xh.sh. si dhe me punën dhe këmbëngulësinë e pa lodhshme e të autorit H. Enver Zeqiri, dhe me ndihmën materiale të dashamirëve të fjalës së shkruar shqipe, doli nga shtypi edhe një botim ri me titullin: “DËSHMI KOHE – Historiku i Muftinisë së Kumanovës”, me volum prej 430 faqe të formatit B5. Libri në fjalë është një thesar shumë i çmuar i kulturës dhe traditës sonë fetare dhe kombëtare të këtyre trojeve për të cilat flet autori.

Fillimisht më duhet patjetër të paraqesë zgjuarsinë e autorit, i cili me shkathtësi kishte vrojtuar zbrazëtirën e kësaj periudhe kohore, andaj i motivuar që edhe kjo periudhë të ndriçohet. Autori sigurisht se i vetëdijshëm se do të ballafaqohet me peripeci dhe sfida të shumta, ai me përkushtim dhe seriozitet të thellë vendosi t’i qaset kësaj pune madhore, vetëm e vetëm që lexuesit shqiptar t’i ofrojë dëshmi kohore për veprimtarinë e bujshme të një periudhe kur pushteti monist me çdo kushte bënte përpjekje për asfiksimin e popullatës islame dhe shqiptare të këtyre vendeve. Gjithashtu jam i mendimit se ky punim u paraqit në skenë pikërisht në kohën dhe momentin e duhur, sepse po të ishte azhurnuar më tutje, sigurisht se do të zbehej edhe autenticiteti i materies që përfshinë kjo vepër.

Vepra “Dëshmi kohe” në brendësinë e saj përfshinë itinerarin pesë dekadash të islamit dhe të myslimanëve të këtij nën qielli në sistemin më të egër që ka njohur historia e religjioneve, dhe frymëmarrjen dy dekadash më të lehtë në sistemin pasmonist, po me klithma të shumtë si pasojë e shtypjes dhe plagëve gjysmë shekullore të mëparshme. Sistemi ideoplotik  me premisa shoviniste përmes elaborateve të përgatitura në kuzhinat sllave kishte bërë përpjekje maksimale për zhveshjen dhe tjetërsimin e myslimanëve dhe shqiptarëve të këtyre trojeve nga trungu i tyre, andaj edhe pse pamëshirshëm kishte arritur të rrëmbejë të mirat materiale të myslimanëve përmes formave më barbare, asnjëherë nuk arriti të shuaj shpirtin e identitetit fetar dhe kombëtarë të këtyre trojeve. Këtë mesazh, autori në këtë vepër, e përcjell përmes fakteve dhe dëshmive, se gjendja e vështirë ekonomike, asnjëherë nuk ndaloi aktivitetin përkushtueshmërinë jo vetëm të prijësve fetar në këto troje, por as veprimtarinë e shumë intelektualëve tjerë dhe bujarëve që vetësakrifikonin pa mëshirshëm për të mbajtur të gjallë shpirtin e identitetit fetar dhe kombëtar.

Andaj, mendoj se lexuesi shqipfolës përmes kësaj vepre ka mundësi të njihet më për së afërmi me këto dëshmi dhe njëherë  të ripërkujtojë veçanërisht gjeneratën e re se këtë histori e kemi ndërtuar me shumë sakrifica, andaj ngelë obligim i tyre që të kaluarën ta ruajnë me fanatizëm, kurse të ardhmen ta ndërtojnë mbi parime të shëndosha.

Autori në këtë vepër hedhë rreze drite mbi më shumëse 200 figura fetare shkencore e bujare që kush më pak e kush më shumë ka kontribuuar për çështjen fetare. Ndoshta, dhe sigurisht se këtu autorit i kanë shpëtuar dhe i janë përvjedhur shumë informata që është dashur të shënohet, e ndoshta ka edhe hiperbolizime të disa figurave, por gjithsesi kjo vepër do të jetë prijatare dhe model ne vendin tonë për shumë studiues të rinj.

Nëse veprën e kundrojmë nga këndvështrimi kritik, sigurisht se ka mangësitë e veta, por mendoj që pikërisht mangësitë janë ato që do të prekin dhe zgjojnë ndjenjat e të tjerëve për një vazhdimësi të mëtutjeshme të veprimtarisë shkencore. Unë thellë jam i bindur se pikërisht pozicioni kritik ndaj një vepre shkencore si kjo, e bënë edhe më madhështore veprën, sepse të gjithë e dimë se shkenca dhe dituria asnjëherë nuk ka limite, apo thënë shkurtë nuk posedon pikë, por vetëm presje.

Për ta përfunduar të këtë, mendoj se kjo vepër duhet të jetë model edhe i Muftinive tjera në RM, me qëllim të kompletimit por jo edhe të përmbylljes së një objektivi në trojet tona shumë shekullore ku graviton shpirti i jonë fetar dhe kombëtar.

Dhe krejt në fund, studiuesit tanë të rinj, me këtë vepër kanë përfituar dhe janë pasuruar edhe me një thesar të çmuar, andaj do të ishte humbje nëse lexuesi jonë nuk do ta kishte këtë vepër në tavolinën dhe bibliotekën e tij personale, kurse autorit i dëshirojmë shëndet dhe sukses të mëtutjeshëm, me shpresë që kjo vepër të mos jetë qëllimi i tij final, por të vazhdojë edhe me vepra tjera. All-llahu e shpërbleftë për punën e bërë.

 

Lini një Përgjigje

Maqedonisht