Autor: Jusuf ZIMERI

Meqë njeriu është qenie e gjallë, që është krijuar për të njohur dhe adhuruar Krijuesin e tij, sepse vetëm përmes kësaj njohje arrin të njohë vetën e tij dhe të realizojë pikësynimet e krijimit të tij. Gjithashtu është krejt racionale që kjo qenie e quajtur njeri, aq sa e përsosur aq edhe e komplikuar që gjatë jetës së tij të sprovohet me sfida të shumëllojshme dhe të natyrave të ndryshme, sepse përmes sprovimit të tij rezulton edhe vlera e tij.

Pra, nëse e kemi kuptuar këtë çështje në esencë, atëherë me automatizëm u kemi dhënë përgjigje të sakta shumë çështjeve dhe dilemave që njeriu i parashtron para vetës së tij, dhe në këtë mënyrë kemi kuptuar pikënisjen tonë, qëllimin e krijimit tonë si dhe përfundimin e jetës sonë. Në këtë udhëtim tonin sa të gjatë aq edhe të shkurtë, sa të këndshëm dhe hareshëm aq edhe të pakëndshëm dhe të hidhëruar, njeriu ballafaqohet me batica dhe zbaticat e jetës që ndonjëherë ia shtrëngojnë zemrën dhe ngushtojnë frymëmarrjen saqë njeriu të gjendet në një udhëkryq që njeriu të mos dijë nga të udhëtojë.

Këto dilema paraqiten te të gjithë njerëzit, pavarësisht nga pozita e tij,  por dallimi mes tyre qëndron në faktin se besimtari islam i cili jetën e tij e menaxhon sipas udhëzimit të Kur’anit Fisnik, edhe në këto raste të ngushtimit kur gjendet para këtyre sprova, gjen rrugëdaljen e vërtetë duke e hapur kartën e quajtur Shpallje- Kur’an.

Këto ngushtime të gjoksit nuk i përjetojmë vetëm ne sot, porse këto i kishte përjetuar edhe njeriu më i dashur i Allahut xh.sh., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. andaj Allahu xh.sh. për tu liruar prej këtyre gjendjeve të palakmueshme na e mëson ilaçin dhe shërimin prej këtyre sëmundjeve. Pikërisht ilaçi i kësaj sëmurje është në Kur’anin Fisnik, ku Allahu xh.sh. i drejtohet Pejgamberit a.s. në mënyrë direkte dhe mbarë muslimanëve në mënyrë indirekte duke i thënë: ”Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).

O Muhamed dhe ju o besimtar islamë që më keni besuar Mua për Krijues, për Dhurues dhe për Shërues, kur të ngushtohet shpirti dhe gjoksi nga dertet, gajlet dhe të problemet e kësaj jete duhet të bëni tri punë që janë:

Të thoni fjalën Subahanall-llahi velhamdulilahi ve lailahe il-lall-llahu, vall-llahu ekber / I pastër je nga të metat o Allah, të falënderojmë vetëm Ty o All-llah për të gjitha begatitë që na i dhurove, Nuk ka zot tjetër përveç Al-lllahu, All-llahu është më i Madhi/.

Transmeton Enes b. Maliku r.a. duke thënë: Vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pran një peme (druri)  që kishte gjethe të shumtë, dhe me shkopin që e kishte i ra pemës, e nga pema ranë gjethet. Në këtë rast i Dërguari s.a.v.s. tha: Vërtetë shprehja falënderimi (Hamdi) i takon Allahut, I pastër është Allahu nga të metat (Subhanall-llah) dhe nuk ka Zot tjetër përveç Allahut (Lailahe il-lall-llah) dhe Allahu është më i madhi (All-llahu ekber), shkaktojnë rënien e mëkateve nga robi i All-llahut ashtu si bien gjethet e kësaj peme (nga rënia e shkopit). (Termidhiu). Pra përderisa I dërguari në hadith potencon nocionin rob, nënkupton se mëkatet bien nga trupi dhe shpirti i tij, sepse nocion abd nënkupton njeriun kur është i gjallë pra derisa shpirti dhe trupi janë bashkërisht.

Ummu Hani, bija e Ebu Talibit thotë: Kaloi i dërguari i Allahut s.a.v.s. pran meje, e unë i thash: O i Dërguar, ujë jam shtyrë në moshë dhe jam dobësuar, nuk mund të bëjë shumë punë, por më mëso (urdhëro) me ndonjë punë që mund ta bëjë ulur, e ai më tha: Thuaj Subhanall-llah njëqind herë, sepse ato njëqind tesbihe janë të barabarta (në sevape) me lirimin e njëqind robërve nga bijt e Ismailit, thuaj njëqind herë Elhamdulil-lah sepse ato njëqind tahmide, janë të barabarta me dhënien sadeka të njëqind kuajve për luftë në rrugën e Allahut xh.sh., Thuaj Allahu ekber njëqind herë sepse ato njëqind tekbire janë të barabarta me dhënien sadeka të njëqind deveve, dhe thuaj Lailahe il-lall-llah njëqind herë sepse atë e mbushin zbrastirën mes qiellit dhe tokës, e askush nuk mund të shpërblehet më shumë se sa ty vetëm ai i cili ka bërë të njëjtën vepër.

Subhanall-llah, tërë këto shpërblime të mëdha për fjalë të shkurta që mund të thuhen ulur dhe pa mundi, dhe të pastrosh trupin dhe shpirtin tënd! Çka pret vëlla i nderuar musliman, shpejto shëroje zemrën dhe shpirtin tënd përmes këtyre fjalëve.

Çështja e dytë është ti shtosh sexhdet – përuljet ndaj Allahut, Krijuesit tënd dhe të gjithësisë, sepse përmes sexhdes arrin afrimin tënd më të afërt me Krijuesin tënd- Allahun xh.sh. sepse njeriu më afër krijuesit të tij është atëherë kur gjendet në sexhde. Pikërisht për këtë arsye kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndiente ngushtim të gjoksit dhe të shpirtit, ndiente lodhje nga monotonia e kësaj jete, i thoshte Muezinit të tij Bilal Habeshiut “Na pusho me namaz o Bilal. Po pra, sepse përmes namazit tënd përtërinë lidhjet tua me krijuesin tënd, je në lidhje direkte me Allahun xh.sh. dhe kështu pastron zemrën tënde nga ngacmimet djallëzore që eventualisht kanë mund të ndodhin mes namazeve tuaja.

Të vazhdosh me adhurim ibadet derisa të vijë e vërteta e ajo është vdekja, pra deri në vdekje. Kështu kishte vepruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.,shokët e tij dhe pasuesit e tij, andaj ishin gjithnjë të freskët në zemra dhe në shpirtë. Mënyrat e adhurimit janë të shumta, pra çdo punë që e punon e që është e lejuar për besimtarin islam nëse punohet për hir të Allahut konsiderohet adhurim, bile edhe gjumi konsiderohet adhurim nëse bëhet për Allah duke e falënderuar Allahun. Edhe largimi i jotë nga ndalesat për Allah konsiderohet Ibadet, pra besimtar islam jeta e juaj është e tëra ibadet, andaj mos harro këtë recetë që Allahu xh.sh. na e dhuroi falas pa kurrëfar kompensimi.

Nga këto ajete Allahu xh.sh. na e paraqet recetën dhe ilaçin më efikas që mund ta shërojë shpirtin dhe zemrën e njeriut, e njeriu kurrë nuk ka qenë më i sëmurë shpirtërisht se sa sot në këtë botë të materjalizuar, andaj vëlla qetësoje shpirtin tënd përmes këtij receti, përmes këtij ilaçi.

Shkrime të ngjashme