Rëndësia e Analogjisë në jurisprudencën islame

Autor: Jusuf  ZIMERI

Nga burimet bazë të sheriatit islam përmes së cilës përfitohet njohja e dispozitës juridike islame është edhe analogjia e cila në terminologjinë islame njihet me nocionin Kijas. Nëse i bëjmë një vështrim të gjitha sistemeve që kanë funksionuar apo që funksionojnë në shoqërinë njerëzore, me lehtësi vërtetohet fakti se asnjë sistem nuk i ka përfshirë të gjitha normat juridike për të gjitha çështjet jetësore në mënyrë tekstuale qofshin ato veprime aksidentale apo novacione që ndodhin me kohën, por s’do mend se në sistemin juridik përcaktohen principet e përgjithshme bazë, rregullat dhe kushtet që diktojnë për të shpalosur apo përcaktuar një dispozitë juridike për një rast konkret. Kjo është edhe arsyeja që vazhdimisht juristët të merren me shqyrtimin dhe plotësimin e ligjeve, përmes amendamenteve dhe anekseve që i bëhen ligjit, por ajo që është më e rëndësishmja në këto ndryshime është se juristët asnjëherë nuk guxojnë të largohen nga principet e përgjithshme bazë të sistemit juridik.

Nëse nisemi nga kjo logjikë, dhe nga ky realitet, me lehtësi vërejmë se në sistemin juridik islam, përdorimi i analogjisë bartë me vete këtë mesazh për juristët islamë, të cilët në bazë të përpjekjeve të tyre maksimale (ixhtihadit) kanë për obligim islam dhe moral që të bëjnë kodifikimin e normave islame për kohën, vendin, rrethanat dhe ngjarjet që ndodhin në të. Përmes burimit të analogjisë si produkt i ixhtihadit, e veçanërisht i ixhtihadit kolektiv, dijetarët islam arrijnë të të gjejnë zgjidhje për besimtarët islam, të formojnë atmosferë jetike dhe disponim të përhershëm për besimtarët islam, dhe njëkohësisht vërtetojnë faktin se e drejta islame (sheriati) është i vlefshëm në të gjitha kohët dhe vendet. Dijetarët eminent islamë nëpër shekuj e vende të botës, mirë e kishin kuptuar këtë qëllim të këtij burimi legjislativ, andaj jo vetëm që i përkushtuan rëndësi të veçantë kësaj sfere, por ata ishin të vetëdijshëm se aplikimi i analogjisë është edhe i domosdoshëm. Muxhtehidët përmes këtij fundamenti arritën që të përfitojnë zgjidhje dhe të përcaktojnë norma islame për ngjarjet dhe ndodhitë të cilat paraqiten me rrjedhat e kohës, e për të cilat nuk ekziston tekst autentik për zgjidhjen e tyre. Andaj mund të themi se analogjia është një promotor nxitës përmes së cilit dijetarët – muxhtehidët arrijnë që të ruajnë fleksibilitetin, freskinë dhe vlefshmërinë e jurisprudencës islam në çdo kohë dhe vend.

Sigurisht se ky është edhe motivi kryesor, që dijetarët islamë, respektivisht dijetarët e shkencave juridike islame nga Ehli Suneti, thuajse janë unik në domosdoshmërinë e përdorimit të analogjisë, me përjashtim të Dhahirive në krye me Ebu Hazm Dhahiriun dhe disa nga shiat Imamije që jo vetëm se nuk preferojnë përdorimin e analogjisë, por edhe e ndalojnë një gjë të tillë. Jam i mendimit se nuk ka nevojë të elaburohen qëndrimet e tyre sepse vërtetë nuk çojnë peshë në mesin sunive.

Përkufizimi i analogjisë (kijasit)

Me nocionin analogji, që në terminologjinë e sheriati islam njihet me nocionin Kijas, në aspektin gjuhësor nënkuptojmë, barazim, krahasim, matje etj, kurse në aspektin terminologjik të sheriati islam me nocionin kijas nënkuptohet: Krahasimi i një çështjeje që për dispozitën e saj juridike nuk ekziston tekst, me një çështje tjetër që për dispozitën e saj ekziston tekst, e që kanë motivin e përbashkët. Ose përkufizimi tjetër që është nga Sadru Esh-sheria Ibni Mes’udi i cili analogjinë e definon: bartja e dispozitës nga baza në degë për shkak të motivit të përbashkët, por që nuk njihet thjesht vetëm përmes gjuhës.

Nga përkufizimi i analogjisë, vërejmë se bëhet fjalë për bartjen dhe përfshirjen e dispozitës së një çështje për të cilën ekziston tekst autentik për lejimin apo ndalimin e saj, tek çështja për të cilën nuk ekziston tekst autentik për të, por elementi që i bashkon këto dy çështje në mënyrë që të kenë edhe dispozitën e njëjtë është motivi i tyre. Në anën tjetër, për të ekzistuar dispozita, patjetër të ekzistojë edhe motivi pavarësisht se ne e njohim apo jo motivin e dispozitës, andaj veprohet në bazë të rregullit ku thotë: “Dispozita qarkullon me motivin në ekzistim dhe në mosekzistim” pra nëse ekziston motivi, atëherë ekziston edhe dispozita e nëse nuk ekziston motivi nuk ekziston as dispozita. Që lexuesi i këtij artikulli ta ketë më të qartë se për çka bëhet fjalë, në po e ilustrojmë me shembull konkret.

Nëse dëshirojmë të dimë se cila është dispozita e verës, në të drejtën islame, atëherë fillimisht hulumtojmë në tekstet autentike dhe gjejmë ajetin Kur’anor ku Allahu xhs.h. thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”El Maide : 90

Nga ky tekst kur’anor qartë nënkuptohet se pija alkoolike e quajtur verë, për të cilën po hulumtojmë për dispozitën e saj është pije që dispozita e saj është e ndaluar-haram. Forma e argumentimit përmes këtij teksti, për të arritur dispozitën e ndalimit – haramit, është imperativi “largohuni” që qartë nënkupton ndalesë afrimi. Pra nëse afrimi te vera është dispozitë e ndaluar, atëherë pija dhe përdorimi i saj për çështje tjera është edhe më prioritar për ndalim-haram.

Motivi i dispozitës së ndalimit të pirjes së verës është dehja “el iskar”, që do të thotë, mbyllje, mbulesë etj. e cila s’ka dilemë se rezulton shumë pasoja si te individi ashtu edhe shoqëria.

Në anën tjetër, përderisa kuptuam qartë dispozitën e verës, si dhe motivin e saj i cili normalisht se për njohjen e motivit kërkohet angazhim dhe qasje studiuese, muxhtehidët pa u hamendur këtë dispozitë të ndalimit përmes analogjisë e përcaktuan për të gjitha llojet e pijeve alkoolike që nuk janë të theksuara në tekst, por që kanë të njëjtin motiv, si p.sh., rakia, birra etj, pavarësisht nga emri i tyre.

Historiku i analogjisë.

Dijetarët që u morën me historinë e së drejtës së sheriatit, si dhe juristët që u morën me përfitimin e dispozitave islame, vërtetojnë qartë se analogjia (kijasi) si burim i jurisprudencës islame ishte i pranishëm dhe i aplikuar që në kohën e shpalljes. Fundament i cili jo vetëm që nxitë dhe mbështetë aplikimin e analogjisë, por edhe në mënyrë imperative i detyron dijetarët islam që të shkoqisin çështjet fikhore përmes analogjisë është ajeti 2 i sures El hashr ku thotë: Fa’tebiru ja ulil elbab – merrni përvojë o ju të zotët e mendjes”. Ajeti në fjalë fillimisht rrëfen për ngjarjen se çka i kishte ndodhur fisit Beni Nadir, të cilët përmes tradhtive të tyre kishin bërë përpjekje të kryenin atentat mbi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., e për veprat e tyre Allahu xh.sh. i dënoi ata. Në fund ajeti i drejtohet muslimanëve dhe atë duke përdorën formën urdhërore  që të marrin përvojë prej tyre, dhe mos ti veprojnë punët e tyre, sepse edhe ata do të pësojnë ngjashëm.

Në anën tjetër, vërejmë se në suren Jasin, Allahu xh.sh. sjell një përgjigje për idhujtarët të cilët mohonin ringjalljen, duke thënë: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur”? . Në këtë dilemë të parashtruar në formën e pyetjes mohuese, Krijuesi Suprem, Aallahu xh.sh. u përgjigjet pabesimtarëve duke përdorur një analogji shumë bindëse dhe të këndshme duke u thënë: “Thuaj (o Muhamed)I ngjallë ai që i krijoi për herë të parë”. Pra vërejmë se në këtë ajet ringjallja është bërë një analogji me krijimin e njeriut për herë të parë, pra Ai i cili ju krijoi juve për herë të parë, Ai sërish edhe ju ringjallë. Pastaj gjithashtu në suren El Bekare vërejmë se Allahu xh.sh. përmes analogjisë iu përgjigj atyre pabesimtarëve të cilët nuk pranonin krijimin e Isas a.s. pa babë, duke u thënë se: “Shembulli i Isas te Allahu xh.sh. është ngjashëm si shembulli i Ademit “ . Pra përderisa Ai krijoi Ademin a.s. pa baba dhe pa nënë, atëherë krijimi i Isas a.s. vetëm pa babë nuk vihet fare në diskutim. Shembuj të tillë kemi mjaft në Kur’anin Famëlaratë.

Duke u mbështetur në këto argumente nga Kur’ani Famëlartë, Pejgamberi a.s. ishte i motivuar që të përdorë analogjinë për çështjet që kërkonin zgjidhje dhe për to nuk kishte tekst. Ekzistojnë shumë hadithe që vërtetojnë këtë çështje por ne do të përmendim vetëm disa prej tyre.

Në koleksionin e Imam Ebu Davudit gjejmë hadithin e transmetuar nga Abdulla b. Zubejri i cili tregon se një ditë duke qëndruar te pejgamberi s.a.v.s. erdhi një burrë nga fisi Hath’am, dhe iu drejtua Pejgamberit a.s. me këto fjalë: babai im e pranoi Islamin, por ai është plak i lodhur dhe nuk mund të qëndrojë mbi mjetet e udhëtimit, kurse haxhi i është bërë obligim, a ta kryej haxhin për të ?. pejgamberi s.a.v.s. e pyeti: A ti je fëmija i tij i madh?. Po iu përgjigj ai. Çka mendon nëse babai yt ka borxh dhe ti në vend të tij ia shpaguan atë, a do të ishte larja e borxhit i pranuar? I tha Pejgamberi a.s.. Po, i tha ai. Atëherë bëre haxhin për të. I tha pejgamberi a.s..

Pra nga ky hadith qartë vërehet se i dërguari i Allahut s.a.v.s. për ti dhënë përgjigje, respektivisht për të përcaktuar dispozitën e veprimit të tij për shkuarjen në haxh për babain e tij, kishte bërë analogji me shpagimin e borxhit për prindin. Pra ky hadith është argument për ligjësimin dhe domosdoshmërinë e të vepruarit me analogjinë.

Kurse në hadithin e transmetuar nga Muadh b. Xhebeli, i cili ishte i autorizuar nga Pejgamberi a.s. të ushtrojë postin e gjykatësit në Jemen, i pyetur nga Pejkgamberi a.s.: Nëse nuk gjenë dispozitën në Kur’an dhe në sunet, me çka do të gjykosh? Muadhi tha: Do të bëjë ixhtihad dhe nuk do lë mangët. Në këtë rast Pejgmberi a.s.jo vetëm që pranoi ixhtihadin e Muadhit, por në shenjë gëzimi edhe falënderoi Allahun xh.sh. për këtë bindje të Muadhit. Pra, pranoi ixhtihadin e Muadhit, e ixhtihadi është përpjekja e dijetarit për të shpalosur dispozitën e sheriatit, i cili në vete ngërthen edhe analogjinë, si pjesë e saj.

Ngjashëm vepruan edhe sahabët e pas tyre nga tabiinët, e kështu me radhë, edhe pse atëherë fushëveprimi i analogjisë ishte më i ngushtë. Tërë këtë në mënyrë shumë të qartë e vërteton shkresa e Omer b. Hatabit r.a. dërguar Ebu Musa Eshariut, mëkëmbësit të tij në Basra të Irakut, ku përveç tjerash i kishte thënë: Mësoni gjërat e ngjashme, e pastaj bëni analogji midis atyre çështjeve. Ata kur dëshironin të njihni dispozitën e ndonjë veprimi, fillimisht kërkonin në argumentet autentike nga Kur’ani dhe suneti, e nëse dispozitën e kërkuar nuk e gjenin në tekste autentike, atëherë kërkonin për ndonjë fetva të dhënë rreth çështjes për të cilën kërkonin dispozitën juridike islame. Nëse gjenin ndonjë fetva, nda dijetarët e mëparshëm, atëherë vepronin sipas saj, e nëse nuk gjenin edhe fetva të caktuar që përcaktonte normën e kërkuar, atëherë angazhoheshin që deri te norma të vijnë përmes analogjisë duke iu përmbajtur disiplinës që lejon këtë veprim. Duke u bazuar në këto fakte të shumtë Imam Gazaliu në veprën e tij “El Mustesfa” sjell mendimin se shumica e dijetarëve islam janë të mendimit se analogjia është fundament i jurisprudencës islame nga e cila shpalosen dhe mësohen dispozitat e sheriatit.

Shtyllat (ruknet) e analogjisë

Me nocionin shtyllë (rukn) në shkencën e usuli fikhut nënkuptojmë: çështjen nga e cila varet ekzistimi i dispozitës dhe është pjesë thelbësore dhe përbërëse e saj. si p.sh. rukui apo sexhdeja në namaz, janë shtylla (rukne) nga të cilat varet dispozita e namazit, dhe në të njëjtën kohë ato janë pjesë përbërëse të namazit. Nga kjo nënkuptohet se nëse mungon shtylla, apo ka mangësi në shtyllën e sendit, dispozita e këtij veprimi është jo-legjitime dhe nuk mund të radhiten pasojat nga ajo dispozitë.

Në bazë të kësaj, nënkuptojmë se shtyllat (ruknet) e analogjisë, janë pjesët përbërëse të saja, pa të cilat nuk mund të legjitimohet vlefshmëria e dispozitës. Andaj, dijetarët e usuli fikhut, për të konfirmuar vlefshmërinë e dispozitës së shpalosur nga analogjia kushtëzuan përmbushjen e katër shtyllave (rukneve të kijasit që janë:

1. Çështja bazë (el aslu)ose siç e quajnë disa juristë “el mekisu alejhi”. Çështja bazë ose sipas juristëve islamë është çështja për të cilën ekziston dispozita e vërtetuar me tekst apo me konsensus, kurse sipas akiodologëve çështja bazë është teksti i cili shpien drejt dispozitës. Nga kjo vihet në pah se nëse e marrim shembullin e lartpërmendur çështja bazë është vera, për të cilën ekziston teksti, ajeti kur’anor për ndalimin e saj. Që analogjia të jetë e vlefshme kushtëzohet çështja bazë të mos ketë dispozitë specifike e vërtetuar me tekst tjetër të veçantë që nënkupton se ajo dispozitë vlen vetëm për rastin konkret. Si shembull i kësaj është dëshmia e sahabiut Huzejme b. Thabit që dëshmia e tij është e barabartë me dëshminë e dy burrave tjerë. Kjo dispozitë se dëshmia e tij është e barabartë me dëshminë e dy burrave tjerë, vërtetohet përmes hadithit të pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “Atij që i dëshmon hazimja, i mjafton dëshmia e tij”,andaj në këtë rast nuk lejohet që të bëhet analogji ndonjë person tjetër me Huzejmen, për shkak se kjo dispozitë është specifikë për te në këtë çështje.

2. Çështja dytësore (el fer’u), ose “el mekisu”. Çështja dytësore (el fer’u) është çështja që për dispozitën e saj nuk ekziston tekst e as konsensus i fukahave islamë, që sipas shembullit është alkooli. Çështja dytësore e cila bëhet analogji me çështjen bazë duhet që motivi i tyre të jetë identik. Gjithashtu për vlefshmërinë e analogjisë kushtëzohet që analogjia të mos kundërshtohet me argumentet autentike apo me konsensusin, sepse nëse bie ndesh me to atëherë analogjia është e pa vlefshme.

3. Dispozita e çështjes bazë (el hukmu), është dispozita juridike për të cilën ekziston tekst për te ose konsensus i fukahave islamë, e cila bartet edhe te çështja dytësore, që në rastin konkret është ndalimi – harami. Dispozita për të cilën bëhet analogji me të, duhet të jetë nga sfera praktike e sheriatit islam dhe e argumentuar me tekst apo konsensus (ixhma), ngase dispozitat praktike janë tematika e fikhut. Dispozita duhet të jetë e  asaj natyre që mendja e njeriut mund ta kuptojë motivin e saj, sepse nëse mendja e njeriut nuk ka mundësi ta kuptojë motivin e dispozitës, siç janë numri i rekatëve në namaz, mënyra e adhurimit etj, atëherë nuk mund të bëhet analogji me të.

4. Motivi (el Il-letu). Motivi është cilësia mbi të cilën është ngritur dispozita e çështjes bazë, e cila në këtë rast është dehja (el iskar). Kur kjo cilësi ekziston e përbashkët te çështja bazë dhe ajo dytësore, atëherë edhe dispozita e dy çështjeve është e njëjtë.

Nga kjo që u tha deri më tani nënkuptojmë se kemi verën, si çështje bazë, tekstin kur’anor që sqaron dispozitën mbi çështjen bazë, alkoolin si çështje dytësore e cila kërkon dispozitë, por meqë kanë të njëjtë cilësi me verën që është dehja, atëherë ky është motivi që edhe alkooli apo të gjitha pijet dehëse të kenë dispozitën e çështjes bazë. Me këtë shembull mund të krahasihen edhe shumë shembuj tjerë nga sfera e jurisprudencës islame.

Lini një Përgjigje