Namazi, Pyetje-Përgjigje

Radhitja e xhematit, dhe çfarë nëse ndërpritet saffi?

Pyetja:
Esselamu alejkum! Profesor i nderuar, dua të pyes në lidhje me rregullimin e safëve (rreshtave) në namaz, kur bëhet xhemati dhe si radhitet ai? Gjithashtu, desha të mësoj të vërtetën rreth një akti që kanë ndërmarrë disa xhematlinjë në Shkup, ku pjesën e skajit, midis murrit dhe minberit të xhamisë e kanë zënë me pllaka gipsi, dhe si arsyetim thonë se nuk lejohet të falen njerëzit në atë pjesë, pasi që shkëputet safi. Sa është e vërtetë kjo?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahium

I nderuar, namazi me xhematë realizohet nëse falen dy e më shumë njerëz bashkërisht. Sipas mendimit të shumicës së fukahave muslimanë, nëse imami falet vetëm me një xhematë, atëherë xhemati qëndron në anën e djathtë të imamit qoftë edhe fëmijë (mumejjiz), e nëse është femër atëherë qëndron pas imamit. Pra nëse qëndron në anën e majtë apo pas imamit është mekruh[1].

Nëse janë më shumë se një xhematë, atëherë falen në saf të veçantë pas imamit. Nëse janë dy xhematë dhe njëri falet në anën e djathtë e tjetri në anën e majtë të imamit, ky veprim është mekruhi tenzihen, e nëse janë më shumë xhemat atëherë është mekruhi tahrimen, sepse dalja e imamit para xhematit në namaz është vaxhib, me përjashtim nëse vendi ku falen është i ngushtë.

Safët – rreshtat duhet të drejtohen mirë pas imamit, pas tij pasojnë meshkujt, pastaj fëmijët, të cilët po qese nuk janë shumë në numër përzihen me meshkujt, pastaj pasojnë ambigjinitë, e në fund femrat nëse gjenden në xhemat. Kjo vërtetohet me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “Drejtoni safët (rreshtat) dhe mos i ndani që të ndahen zemrat tuaja, pas meje le të falen burrat, pastaj ata që vijnë e pastaj ata që vijnë”[2]

I nderuar, sa i përket rastit konkret, mendoj se këto thënie të disa njerëzve nuk mbajnë, nuk kanë as bazë islame, as shije, por ja që të tillë ka që për tu treguar para dikujt se janë kinse dijetarë, duhet të nxjerrin diç të re, se kinse me mija e mija dijetarë para tyre nuk e kanë ditur. Nuk dua të merrem me këtë çështje, por çka bëhet pra me namazin tonë në Qabe,  që safin  na e ndërpresin minberi, shtyllat e Qabesë, gjithashtu, e njëjta gjë, ndodh edhe në Xhaminë e Pejgamberit a.s. Prandaj marrja me këto çështje është humbje kohe, e ne nuk kemi kohë për të humbur.

Allahu e di më së miri!
___________________
[1] Me këtë mendim nuk pajtohet imam Ahmed b. Hanbeli i cili thotë, nëse është vetëm një xhematë dhe ai falet në krahun e majtë të imamit dhe atë një reqatë të plotë, namazi i tij prishet. (kitabul fikhi ala medhahibil erbeati, 1/432.)
[2] Imam Muslim nga Ebu Mes’udi.

___________________
Jusuf Zimeri
Janar, 2011

Lini një Përgjigje

Maqedonisht