Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Shitblerja me kapar (Bej’ul arbun)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Me titullin shitblerja me kapar është për qëllim kur blerësi i paguan një sasi të caktuar shitësit të pasurisë me atë që nëse plotësohet blerja, ato para llogariten në çmimin e sendit, e nëse nuk realizohet atëherë ajo pagesë i ngelë shitësit si dhuratë.

Juristët islamë i gjejmë të ndarë në dispozitën e këtij lloji të kontratës së shitblerjes. Shumica dërmuese e juristëve islamë, që përfshihen nga shkollat juridike islame Hanefij, Malikij dhe Shafiij, dhe disa juristë nga medhhebi Hanbelij e kanë ndaluar këtë lloj të kontratës së shitblerjes. Kjo kontratë e shitblerjes sipas tyre nuk është e lejuar për shkak se në te ka kushte jovalide. Ndalimi i kësaj kontrate ka bazën juridike në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme të transmetuar nga Amr b. Shuajbi ku ka thënë: “Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka ndaluar shitjen e sendit me kapar”.[1] Motivi i ndalimit të shitblerjes me kapar, është sepse ky lloj i kontratës së shitblerjes konsiderohet si keqpërdorim dhe ngrënie e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë.[2] Shitblerja me kapar është kontratë e pa vlefshme sepse në këtë kontratë janë implikuar dy kushte që janë faside, të prishura, e që janë kushti i dhurimit, dhe kushti i kthimit.[3]

Është fakt se shumica dërmuese e fukahave islam e ndaluan shitblerjen me parapagim, mirëpo ngelë të sqarohet çështja shumë me rëndësi, se nëse bëhet shitblerja me parapagim, atëherë cilat janë pasojat e kësaj kontrate në aspektin juridik islam?.

Sipas mendimit të fukahave nga medhhebi hanefij kjo kontratë e shitblerjes edhe pse ishte veprim i ndaluar që shpien drejt haramit, respektivisht mëkatit, megjithatë kontrata nuk konsiderohet e prishur (faside), për arsye se kjo kontratë i plotëson kushtet e lidhjes së kontratës si dhe kushtet e vlefshmërisë së kontratës. Ndalimi nuk ka të bëjë me esencën e kontratës e as me cilësinë, porse është çështje nga jashtë kontrata. Në këtë rast vepruesi i kësaj kontrate nuk mund të lirohet nga mëkati, por kontrata është e vlefshme.[4] Imam Serahsiju thotë: kjo ndalesë është ngjashëm sikur ndalesa e shitblerjes në kohën e thirrjes së ezanit[5]. Kjo është edhe arsyeja që dijetarët e medhhebit hanefij, kontratën e shitblerjes me kapar, nuk e radhisin te kontratat batile e as ato faside por te kontratat e ndaluara siç është me kontratën e shitblerjes në kohën e ezanit.

Me këtë mendim të shumicës së juristëve islam nuk pajtohet Imam Ahmed b. Hanbeli i cili është i mendimit se shitblerja me kapar është veprim i lejuar sipas normave islame. Këtë mendim e mbështetë në transmetimin nga Nafi b. Abdulharith i cili nga Safvan b. Umeje kishte blerë një shtëpi për Omerin r.a. që ai ta shndërrojë në burg,[6] e në rastin e kontratës si shitblerjes së kësaj shtëpie kishte dhënë një sasi të pagesës dhe kishte thënë, nëse Omeri r.a. pajtohet me këtë kontratë atëherë do të zbatohet e nëse jo atëherë nuk zbatohet.

Është interesant se studiuesi Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, në veprën e tij el Fikhul islami ve edil-letuhu, shpreh mendimin e tij duke thënë: sipas mendimit tim, kontrata e shitblerjes me kapar është veprim i lejuar dhe kjo ka mbështetje edhe në traditën. Mendoj kështu ngase hadithet e transmetuara si për ata që e lejojnë si për ata që e ndalojnë shitblerjen me kapar janë hadithe të dobëta. Ky është edhe mendimi i akademisë së fikhut Islam në konferencën e saj të tetë mbajtur në Brunej në vitin 1414h.[7]



[1] Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe.

[2] El Kurtubi, el xhamiu li ahkamil kur’an, 5/150

[3] El Hatib Esherbiini, mugni el muhtaxh 2/30, shih: el menavi, fajdul kadir, sherh xhamius-sagir 5/332, San’ani 3/17.

[4] Studim nga Fajze Ahmed Jusuf Sijam me temën: shitblerja me kapar, mentor Dr. Afif Hamdi, 2007, pran Universitetit el Kuds, marrë nga Musa Kamil, Ahkamul muamelat, muessesetu errisale Bejrut, bot. Dytë 1998 f. 293

[5] Es-Serahsiu, kitabul mebsut, darul ma’rife Bejrut, 13/23.

[6] Buhariu

[7] Vehbe Zuhjeli, el fikhul islamij ve edil-letuhu, Darul fikri, botimi 4, 5/3435. Damask

Lini një Përgjigje

Maqedonisht