Shkrime Autoriale, Tefsir

Shjegimi i Sures Jasin 12

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Shpjegimi i ajetit 17

All-llahu xh.sh.  thotë:

وَمَا عَلَيْنَا إِلاَّ الْبَلاغُ الْمُبِينُ

“Dhe ne nuk jemi të obliguar për tjetër, përveç t’ju kumtojmë ashtu qartë”.

Pra meqë ju po na akuzoni se ne nuk jemi të Dërguar, por vetëm gënjeshtarë, ne sërish jemi të qetë ngase këtë e din Zoti jonë që ne jemi të Dërguar, por ne pavarësisht nga qëndrimi i juaj ne jemi të detyruar që të kumtojmë dhe predikojmë argumentet e All-llahut qartë e mirë, pavarësisht mendimit tuaj, Ne nuk kemi kompetenca që njerëzve t’ua imponojmë argumentet e as nuk është në kompetencat tona udhëzimi (hidajeti), por ajo që është e jona është vetëm komunikimi. Këtë e vërtetojnë edhe shumë ajete në Kur’anin Fisnik, e në mesin e tyre edhe ajeti ku All-llahu xh.sh. thotë:

لَيْسَ عَلَيْكَ هُدَاهُمْ

“Nuk është obligim yti (Muhammed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), All-llahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do[1]

Pra detyra e Pejgamberëve ka qenë komunikimi e jo edhe udhëzimi, që nënkuptojmë se ne jemi të detyruar që njerëzve t’ua sqarojmë rrugën e vërtet dhe argumentet, e për udhëzimin e tyre t’i lutemi All-llahut xh.sh.. Këtë më së mirë e tregon rasti i Pejgamberit a.s. me xhaxhain e tij Ebu Talibin. Kur Ebu Talibi, xhaxhai i Pejgamberit a.s. i cili e kishte mbrojtur Pejgamberin a.s. duke mos besuar në shpalljen e tij, kur ishte shtrirë për të vdekur kishte shkuar Pejgamberi a.s. te koka e tij dhe me lot në sy i thoshte: O Ebullient Talib, o Xhaxhai im, thuaje fjalën Lailahe il-lall-llah, para se të vdesë, e unë do të ndërmjetësoj te All-llahu xh.sh. për ty. Mirëpo shejtani i cili i rrinte te koka, i thoshte: O Ebu Talib, tërë jetën ke jetuar si burrë, a po turpërohesh tani në fund !?. Ebu Talibi ndërroi jetë, pa e thënë fjalën Lailahe il-lall-llah, e kjo vdekje e dëshpëroi shumë Pejgamberin a.s., andaj All-llahu xh.sh. i zbriti ajetin kur’anor ku i tha:

إِنَّكَ لا تَهْدِي مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَكِنَّ اللَّهَ يَهْدِي مَن يَشَاء وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ

Eshtë e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por All-llahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.[2]

 

Shpjegimi i ajetit 18

All-llahu xh.sh.  thotë:

قَالُوا إِنَّا تَطَيَّرْنَا بِكُمْ لَئِن لَّمْ تَنتَهُوا لَنَرْجُمَنَّكُمْ وَلَيَمَسَّنَّكُم مِّنَّا عَذَابٌ أَلِيمٌ

“Ata (fshatarët) thanë: “Ne parandiejmë kob me ju dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gurëzojmë dhe do të përjetoni ndëshkim të idhët prej nesh”.

Pasi që banorët e fshatit,të Dërguarit e All-llahut xh.sh. i shpallën si gënjeshtarë, ata tani hyjnë në një fazë të re për të dëshmuar injorancën e tyre nga idhujtaria. Ata iu drejtuan Pejgamberëve se prezenca e juaj në vendin tonë është ogurzeze dhe ne parandiejmë rrezik nga ju, andaj duhet të heshtni dhe të largoheni nga ky vend, sepse nëse nuk heshtni, por vazhdoni të plasoni thirrjen tuaj ju do të ballafaqoheni me sanksione të rënda, do t’ju gjuajmë me gurë dhe do t’ju masakrojmë. Sipas asaj që shpjegon Ibni Kethiri, ata iu thanë pejgamberëve se ne nuk po vërejmë se një të mirë në fytyrat tuaja, sepse ju mbjellni vetëm dyshime dhe pafatësi në vendin tonë. Katadet e komentoi se nëse na ndodhë ndonjë e keqe në vendin tonë, atëherë ju do të jeni përgjegjës për këtë fatkeqësi.[3]

Nocioni “tetj-jur” nënkupton parandjenja për diç të keqe që është shndërruar në mitologji, siç qëndronte parandjenja te populli i jonë se nëse lepuri ta pret rrugën duhet kthyer sepse mund të ndodhë diçka fatale. Këto parandjenja janë të pa pranuara sipas Islamit, sepse besimtari islam beson bindshëm në Kadan dhe kaderin e All-llahut xh.sh. dhe ka për obligim të kapet për shkaqet, pra koka e besimtarit islam është e liruar nga këto parandjenja.

Nga ky ajet vërehet se mes të dërguarve të All-llahut xh.sh. dhe banorëve të fshatit ka filluar një debat i cili nxjerrë në pah disa rregulla dhje parime. Të dërguarit e All-llahut xh.sh. paraqitën argumentet e tyre se janë të dërguar, kurse mungesa e argumenteve të banorëve të fshatit, i nxiti ata që menjëherë të shkojnë në ekstremizëm duke filluar t’i kërcënojnë pejgamberët. Kjo na jep të kuptojmë se nëse zhvillohet një debat mes dy palëve, atëherë debati ka kritere dhe rregulla, e nëse ndonjëra palë fillon të ngritë zërin, kjo nuk nënkupton përforcimin e argumenteve por humbjen e tyre. Nëse ai kalon në ofendime dhe fyerje, dëshmon dobësinë e tij për debate. Njeriu i cili ka mendje të dobët dhe mungesë të argumenteve, argumenti i tij është fyerja dhe ofendimi gjatë debatit, kurse fyerja dhe kërcënimi është arma e të dobëtit e jo të fortit.

Andaj fshatarët iu drejtuan pejgamberëve duke u thënë: Nëse nuk heshtni dhe nuk hiqni dorë nga fjalët tuaja se ju jeni të dërguarit e All-llahut, nëse vazhdoni të flitni kështu, atëherë, “lenerxhumennekum”  që donë të thotë: ne do tju gjuajmë me gurë deri në vdekje dhe do t’ju dënojmë me dënime të rënda, pra do t’ju masakrojmë. Ky parim për të mposhtur argumentet jo me argumente por me dhunë dhe kërcënime është parim i idhujtarëve, i atyre që ju mungojnë argumentet, por për fat të keq e gjejmë shumë aktiv nëpër shumë pushtete edhe në shekullin XXI dhe atë nëpër qeveritë të quajtura demokratike. Me këtë arsyetohet dhuna dhe tirania e pushtetarëve ndaj popullit, e veçanërisht ndaj dijetarëve të Ummetit.

 

Shpjegimi i ajetit 19

All-llahu xh.sh.  thotë:

قَالُوا طَائِرُكُمْ مَعَكُمْ أَئِن ذُكِّرْتُم بَلْ أَنتُمْ قَوْمٌ مُّسْرِفُونَ

“Ata (të dërguarit) thanë: “Fati i keq është i juaji, a pse u këshilluat, a (na kërcënoheni)? Jo, por ju jeni popull i shfrenuar!”

Pasi që banorët e vendit i akuzuan Pejgamberët se ata janë fatkeq, ogurzi dhe parandjenjë kob prej tyre, të dërguarit e All-llahut xh.sh. iu përgjigjën me urtësi duke u thënë: Fati i keq, parandjenja e keqe nuk qëndron tek ne, sepse ne vërtetë jemi të dërguar të All-llahut që popullit i sjellim vetëm të vërtetën dhe të mirën, i sjellim shpëtimin e dy botëve,  por fati i keq dhe parandjenja e keqe është fiksuar në kokat tuaja, pra ajo qëndron te ju e jo te ne. Ju a po e konsideroni fat të keq ftesën tonë në rrugën e All-llahut xh.sh., a po na kërcënoni vetëm e vetëm sepse po ju përkujtojmë, sepse ne nuk ju detyrojmë me dhunë të bëheni mysliman. A kërcënimi është arma e juaj për ta ndaluar dhe mposhtur të vërtetën. Po pra ju gjithsesi me këto lëvizje, me këto sjellje dhe këto bindje jeni populli i shfrenuar. Popull që nuk i përmbaheni asnjë kodi as atij të besimit, as kodit moral e as atij njerëzor e shkencor, sepse keni tejkaluar të gjitha normat dhe kufijtë e njerëzores. Me këtë përgjigje të të dërguarve e All-llahut xh.sh.  që e regjistroi në këtë sure të Kur’anit,  na dalin mesazhe të qarta dhe kuptimplote, për gjithë botën njerëzore, e veçanërisht për besimtarët islamë. E mira dhe e keqja nuk vjen nga askush tjetër, por e mira dhe e keqja vjen vetëm nga ti, o njeri.

Bindja e besimtarit islam është e tillë se nuk duhet frikuar nga askush për ta thënë të vërtetën as nga tiranët e as nga diktatorët, ngase ai frikohet vetëm nga All-llahu xh.sh. dhe nga mëkati i tij. Aliu r.a. thoshte: njeriu mos ti frikohet askujt tjetër përveç mëkatit të tij”. Besimtari islam mbanë këtë qëndrim për arsye se është i bindur se askush nuk mund ta mbrojë nga dënimi i All-llahut xh.sh., por All-llahu xh.sh. është Ai i cili e mbron njeriu nga e keqja e çdokujt. Në këtë kontekst vjen edhe hadithi kudsij ku All-llahu xh.sh. thotë: “ O robi im, të gjithë ju jeni të humbur përveç atij që e kam udhëzuar, atëherë kërkoni nga Unë udhëzimin e Unë ju udhëzoj. Sikur i pari i juaj dhe i fundit i juaji, të gjallët dhe të vdekurit tuaj, të të thatët dhe të gjelbrat tuaja të bashkohen dhe të bëhen si zemra e besimtarit më të devotshëm, nuk do të shtonte pushtetin tim as sa një krah i merimangës, por sikur të parët dhe të fundet tuaj, të gjallët dhe të vdekurit tuaj të thatët dhe gjelbrat tuaj të bashkoheshin sikur zemra e një pabesimtari nga robërit e mi, nuk do të pakonin pushtetin Tim as sa një krah i merimangës, sikur të parët dhe të fundet tuaj, të gjallët dhe të vdekurit tuaj të thatët dhe gjelbrat tuaj të bashkoheshin në një vend dhe çdonjëri prej tyre do të parashtronte kërkesa për atë që shpreson, e Unë t’ua plotësoj atyre kërkesat që kërkojnë, në sundimin tim apo pushtetin Tim nuk pakësohet asgjë. Kjo është sikur  dikush nga ju të kalojë pran detit dhe në det e futë një gjilpërë e pastaj e ngritë (a e ka zbrazur detin) sepse Unë jam Bujar Dorëdhënës, bëjë çfarë të dua. Dhënia Ime është vetëm fjalë- shprehje, edhe dënimi im është vetëm shprehje, çështja Ime është se Unë kur dëshiroj të bëjë diçka them vetëm bëhu e ajo bëhet.[4]

–  VAZHDON – 



[1] El Bekare  272

[2] El Kisas  : 56

[3] Ibni Kethir, Tefsirul Kur’anil adhim.

[4] Muslimi nga Ebu Hurejra

Lini një Përgjigje

Maqedonisht