Shkrimi është shenjë në rrugë,…

Shkrimi është shenjë në rrugë,...

Mr. Iljasa Salihu

(Kumtesë e recensentit gjatë promovimit të librit “Pak më ndryshe” autor Jusuf Zimeri, mbajtur më 13. 12. 2014 në Kumanovë).

Asnjëherë nuk e kisha menduar se unë si një lexues adoleshent i veprave të Jusuf Zimerit, një ditë do të bëhesha recensent i një prej shumë librave të tij. Dikur me kënaqësi ia lexoja shkrimet, librat dhe përkthimet, pastaj edhe ia dëgjoja ligjëratat e tij tejet të qarta, duke pasur për qëllim të përfitoja sa më shumë prej diturisë së tij që e ndante me një siguri të plotë me të gjithë ata që dëshironin të mos e ruanin bardhësinë e mendjes ashtu të bardhë, ngaqë pikërisht atëherë ajo merrte ngjyrë të zezë dhe përpos errësirës nuk prodhonte diçka tjetër. Kurse tani, deshi Zoti që unë përpos përfitimit të diturisë së dobishme, veprave të hoxhës së nderuar t’i qasem me një qasje kritike. Kjo nuk do të thotë se tani unë u bëra i madh, por kjo mund të lexohet dhe kuptohet se unë dita të përfitoj prej atyre që nuk punuan me qëllim që të hiqen si njerëz të mëdhenj, por që dëshmuan se janë në gjendja të bëjnë vepra të atilla, që i përkasin vetëm njerëzve të mëdhenj, por modest.

Të shkruarit është dëshmi se shkrimtari është guximtar dhe intelektual i mirëfilltë. Arë e shkrimtarit është fleta e bardhë, që në një stinë tjetër kjo fletë do të trajtësohet në një libër pjellor. Natyrisht, duhet ditur se njeriu nuk shkruan vetëm sa për t’u shfryrë, por përmes shkrimeve mëton ta gatuajë vetëdijen e shoqërisë. Njeriu duhet të punojë, duke mos e humbur veten në malin e suksesit, ngaqë suksesi është në dorë të Atij që ka në dorë çdo gjë. Shkrimi është shenjë në rrugë, përmes së cilave do të arrijmë ta kuptojmë se për ku jemi nisur, si dhe ku duam të mbërrijmë. Po i ndoqëm shenjat në rrugë, kurrë nuk do ta humbasim rrugën dhe qëllimin e atij udhëtimi! Mes tjerash, shkrimi është pasqyrë mendimesh. Ndërsa, mendimet janë të frytshme vetëm pasi të arrijnë të dalin prej kokës, përndryshe mos hedhja e mendimit në letër apo në hapësirë që është e mbushur me njerëz, do të jetë i përcaktuar të fashitet prore, porsi fjollë bore në një mot të nxehtë. Ajo që është strukur në ndonjë skaj të kokës, duhet lëvizur, sepse gjërat që nuk lëvizin janë të prira të ndryshken. Mbase ky është ligji i mos lëvizjes.

Kësodore, shkrimi rron gjatë. Aq gjatë, sa edhe atëherë kur eshtrat e shkrimtarit të jenë bërë copë e hi, sërish shkrimtari guximshëm do të debatojë dhe do t’i kritikojë njerëzit e gjallë. Përmes shpalosjes së mendimit, arrijmë të kuptojmë se njeriu ka guxim të mendojë gjatë, aq gjatë sa që edhe prej varrit do të shëmbëllejë gjallëri në një botë tjetër krahas asaj të varrit.

Jusuf Zimeri përmes librit të tij të radhës, edhe një herë, për të satën herë me radhë, dëshmoi se është i guximshëm dhe se është intelektual i mirëfilltë. Vetëm se kësaj herë në librin e tij “Pak më ndryshe” ndryshe do të na paraqitet, njëherësh duke mos ia cenuar vetes aspak fushën profesionale. Autori i mbështetur në trungun e pemës islame, përpiqet të jep mendime për politikën, politikanët, intelektualët, fshatin e tij të lindjes, pasojat e përçarjeve mes nesh, padrejtësitë, shkollat, studentët, profesorët, moralin, hoxhallarët. Ai fuqishëm i bie borisë për një zgjim intelektual, përndryshe do të vdesim qysh duke qenë gjallë. Ai e kritikon mos guximin e intelektualëve për të kritikuar përmes një shkrimi në këtë libër me titull heshtja vret. Heshtja është një këmishë e shëmtuar në trupin e bukur të intelektualit. Heshtja është frikë, përmes së cilës ndonjëherë dikush mëton të paraqitet si i urtë, ngaqë shpeshherë na u tha se të urëtit heshtin. Hoxhë Jusufi kritikon ashpër tempujt e diturisë, të cilët duken se aftësinë e vetme e kanë dhënien e diplomave gjithë atyre që u është kujtuar se duhet regjistruar në ndonjë shkollë përkatëse, që për fat të keq, regjistrimi i tyre u kuptua dhe u barazua me diplomimin e tyre të sigurt. Kurse ky rezultat, shoqërinë tonë patjetër se do ta shpie në një të sotme dhe të ardhme të pasigurt.

Këto shkrime janë shkruara ndërmjet viteve 2008  – 2014. Autori jo që nuk ka shkruar edhe më herët, por për shkaqe të vlimeve shpeshherë të pakuptueshme përgjatë kësaj periudhe, autori gjithnjë e më shumë përpiqej që ngrohtësinë e ujit ta kuptonte përmes shkrimit. Mbase jo vetëm ngrohtësinë, por edhe arsyen, për të ardhur kështu deri te njohja dhe asgjësimi i mundshëm i pasojave. Nuk janë shkrime që me paraqitjen e muzgut të parë së bashku me gazetat ditore të dhurohen në cilësi të letrave për ndezje apo për asgjësim. Këto shkrime janë të qëndrueshme, nuk kanë afat skadimi, ashtu siç përurimi dhe ruajtja e moralit që është e qëndrueshme. E keqja është e keqe, ashtu siç e mira që është e mirë, pavarësisht shkallës së zhvillimin apo të prapambeturisë së shoqërisë. Autori mu këtu godet! Godet aq fuqishëm sa krisma e saj dëgjohet shumë larg, që vetëm ata të cilët kanë veshë, por nuk dëgjojnë, mund të mos e dëgjojnë këtë krismë që ka për qëllim zgjimin e atij që ka zgjedhur jetesën në Shpellën e Letargjisë.

Jusuf Zimeri ka dy cilësi që rrallë kush i ka. Ai përpos që shkruan me një laps të mprehur, ai njëherësh është edhe një gojëtar i thekur. Mua që shpeshherë më ka rastisur ta dëgjoj duke ligjëruar, leximi me sy zhbirues i këtij libri në cilësinë e recensentit nuk më është dukur i vështirë, sepse kam parë një mendim dhe brengë të njëjtë, mirëpo të hedhur në dy enë të ndryshme, prej së cilës mund ta shuajnë etjen të gjithë ata që kanë arritur ta hetojnë të paktën se kanë etje. Duke e trajtuar temën rreth diturisë, autori lexuesit ia përkujton se armiq kryesor të njeriut janë padituria dhe djalli, kurse padituria dhe djalli janë miq të ngushtë të njëri-tjetrit. Këto dy armiq nuk janë të pamposhtur, madje shumë lehtë mposhten; mjaftojnë që me sinqeritet të nisemi udhës së diturisë, si dhe ta hedhim hapin e parë drejt qëllimit të mirë, sepse hapi i parë drejt mirësisë është vetë hedhja e hapit.

Unë nuk do të shtoja më tepër, pos që dua t’i dëshiroj sukses hoxhë Jusuf Zimerit në këtë udhë të ndritshme, duke e këshilluar që të mos ndalet së punuari intelektualisht, deri atëherë kur ndalja dhe mos ndalje fare të mos varen prej vullnetit të tij, por prej vullnetit të Atij që ka dorë vullnetin e çdo njërit. Lus Zotin Lavdiplotë që edhe më tej të na freskojë me eliksirin e librave!

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *