Shkrime Autoriale, Tefsir

Shpjegimi i Sures Jasin (8)

Nga: Jusuf ZIMERI

Eudhubil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s

All0llahu xh.sh. thotë:

 وَسَوَاء عَلَيْهِمْ أَأَنذَرْتَهُمْ أَمْ لَمْ تُنذِرْهُمْ لاَ يُؤْمِنُونَ

Dhe për ata është e njëjtë, a ua tërhoqe vërejtjen a nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.

Njëllojshmëria e sjelljes së argumenteve vlen për ta e jo për Pejgamberin a.s. andaj atyre si u solle argumente si nuk u solle është e njëjtë. Me këtë ajet sikur Allahu xh.sh. i thotë Pejgamberit a.s., Ti mos u dëshpëro, sepse ti ke kryer misionin tënd, pasi që atyre ua ke sjellë argumentet dhe ua ke bërë ftesën drejt rrugës së drejtë. Pavarësisht nga kjo, qafirat nuk besojnë, kurse ata që do të besojnë dhe të përgjigjen ftesës suaj janë:

إِنَّمَا تُنذِرُ مَنِ اتَّبَعَ الذِّكْرَ وَخَشِيَ الرَّحْمَن بِالْغَيْبِ فَبَشِّرْهُ بِمَغْفِرَةٍ وَأَجْرٍ كَرِيمٍ

Ti ia tërheq vërejtjen vetëm atij që përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet mëshiruesit edhe kur është vetëm (i pa pashëm prej njerëzve), pra jepeju myzhde atij për falje dhe shpërblim të mire”

Me këtë ajet Allahu xh.sh. i drejtohet Muhamedit a.s. duke i thënë. Vërejtja e jote o Muhamed zën vend dhe ka ndikim vetëm te ata të cilët besuan Kur’anin, lexuan Kur’anin, mësuan Kur’anin dhe e implementuan në jetën e tyre të përditshme. Ata të cilët i frikohen Allahut xh.sh. dhe besuan në përcaktimin e tij, besuan në vdekjen dhe jetën pas vdekjes dhe në llogarinë për punët e tyre. E ata që i plotësojnë këto kritere dhe cilësi, atyre jepu përgëzime dhe muzhde se janë të falur nga Allahu xh.sh. dhe të shpërblyer me shpërblime të mira. Pra o Muhamed nuk ka vend hidhërimi apo dëshpërimi për një grup që nuk iu përgjigjen ftesës suaj.

Frika e cila përmendet në ajet ka për qëllim frikën e besimtarit islamë atëherë kur është në vetmi, larg opinionit dhe syve të njerëzve, sepse ky është i bindur në besimin e tij dhe në përgjegjësinë e  tij për të gjitha veprat. Sekretet që i paraqet Allahu xh.sh. në këtë ajet janë të shumta, siç janë besimi në jetën tjetër, ringjallja, llogaria, xheneti xhehenemi etj, e besimtari islamë beson në këto çështje andaj edhe ndikimi i vërejtjes së Pejgamberit a.s. tek ai zënë vend. Njerëzit e tillë përgëzoj, jepu myzhde, e myzhdeja zakonisht jepet për një punë para se të jepet shpërblimi, kurse shpërblimi pason pas veprës. Allahu xh.sh. nuk jep shpërblimin pa e pastruar prej mëkateve, e pasi të bëhet pastrimi i tij prej mëkateve atëherë pason edhe shpërblimi.

 

Ringjallja dhe ballafaqimi me veprat tona

 

Allahu xh.sh. thotë:

إِنَّا نَحْنُ نُحْيِي الْمَوْتَى وَنَكْتُبُ مَا قَدَّمُوا وَآثَارَهُمْ وَكُلَّ شَيْءٍ أَحْصَيْنَاهُ فِي إِمَامٍ مُبِينٍ  Vërtetë, Ne i ngjallim të vdekurit dhe i shkruajmë veprat dhe gjurmët e tyre dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Lehvi Mahfudh).

 Shkaku i zbritjes

Për shkakun e zbritjes së këtij ajeti, imam Bejhekiu transmeton nga Ebu Seid el Huderiu i cili ka thënë: Fisi Beni Seleme në Medine jetonin në periferi të Medinës, largë xhamisë së Pejgamberit a.s. e për të qenë më të rregullt në faljen e namazit me xhematë në Xhaminë e Pejgamberit a.s. ata dëshiruan të shpërngulen dhe të vijnë diku më afër xhamisë, por pasi që Allahu xh.sh e zbriti ajetin e lartpërmendur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i thirri ata dhe u tha: Vërtetë Allahu regjistron gjurmët tuaja (hapat tuaj), e pastaj ua lexoi ajetin në fjalë, e ata u tërhoqën nga ideja e shpërnguljes”[1] Ngjashëm me këtë transmetim gjejmë edhe në tefsirin e Imam Taberiut nga Ikrime dhe Ibni Abbasi r.a. Në koleksionin e Imam Muslimit gjejmë edhe hadithin e transmetuar nga Xhabiri r.a. i cili ka thënë: Fisi Beni Seleme dëshiruan ti shesin shtëpitë e tyre dhe të afrohen afër xhamisë së Pejgamberit a.s., por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha:O Fisi Beni Seleme rrini në shtëpitë tuaja sepse Allahu regjistron gjurmët dhe hapat tuaj”[2]

 

Shpjegimi i ajetit

 

Pasi që Allahu xh.sh. deri më tani vërtetoi se çka është Kur’ani, cila është rruga e drejtë, dhe i përkujtoi njerëzit se Ai kishte dërguar edhe Pejgamber i cili ua tërhoqi vërejtjen në jetën e kësaj bote, e për derisa ata nuk e panë të vërtetën dhe nuk i besuan të vërtetës, atëherë detyrimisht këto kanë me i pa në jetën pas vdekjes, ku do të ballafaqohen me veprimtarinë e tyre.

Fillimisht Allahu xh.sh. përforcon bindjen se Ai i cili do të kryejë procesin e ringjalljes, është po Ai i cili bëri krijoi edhe procesin e jetës, pra Allahu është xh.sh.  Ai i cili krijoi edhe jetën. Kjo bindje argumentohet edhe shumë herë nëpër ajete të ndryshme në Kur’anin Fisnik, e në mesin e tyre edhe ajeti ku Allahu xh.sh., thotë:

الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلا وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi”.[3]

Nga ky ajet përfitohet mesazhi i Allahut xh.sh. me të cilin na përkujton se edhe ai i cili i përgjigjet dhe nënshtrohet normave të Kur’anit,  edhe ai i cili e mohon dhe nuk i nënshtrohet normave të Kur’anit, që të dy do të vdesin. Pra sa i përket jetës së kësaj bote vdekjen do ta shijojë çdo krijesë e gjallë, dhe nuk ngelë asgjë tjetër përveç Madhërisë së Allahut xh.sh.. Por, ti o njeri që i nënshtrohesh Kur’anit, i beson atij dhe impelementon në praktikë normat e Kur’an, ti beson se vdekja është vetëm një proces kalimtar për të kaluar në jetën e amshimit, në jetën ku do të japësh llogari për çdo veprim dhe mosveprim të jetës së kësaj bote, andaj edhe bënë përgatitje për të, kurse ai i cili nuk i beson Kur’anit, nuk i nënshtrohet dhe nuk implementon në jetën e përditshme, ai mendon se vdekja ëshë edhe fundi i jetës, dhe pas kësaj nuk ka më as ringjallje e as përgjegjësi. Për këtë arsye ai i nënshtrohet epshit të tij dhe kotësisë, realisht i nënshtrohet djallit. Për këtë arsye Allahu xh. sh. na tregon se vdekja është proces në dorën e Tij, ashtu si është edhe jeta në dorën e Tij, kësaj nuk mund ti ikë askush si ata që i besuna Allahut xh.sh. si ata që nuk i besuan, por çka do të ndodhë me regjistrin to ku Allahu xh.sh. ka regjistruar çdo send, si do të jetë përgjegjësia jonë për veprat tona, edhe këtij procesi nuk do të mund ti ikë askush.

Disa nga komentuesit[4] e Kur’ani Fisnik shpjegojnë se ky ajet në mënyrë alegorike sqaron ringjalljen nga shirku (idhujtaria) dhe kufri dhe kalimin tyre në Islam, ashtu siç thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë:

أَوَمَنْ كَانَ مَيْتًا فَأَحْيَيْنَاهُ

Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë,.[5]

Ajeti në fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë u jep përgjigje pabesimtarëve të cilët mohojnë ringjalljen dhe jetën e botës tjetër e shohin si të pa besueshme sepse ata mendojnë se me përfundimin me vdekjen përfundon çdo gjë dhe se nuk ka mundësi të ringjallet njeriu pasi të vdesë dhe trupi i tij të tretet në dhe.

 = V A Z H D O N =

Ligjeratë e mbajtur në Ramazan pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fsh. Llojan nga Jusuf Zimeri



[1] Muhamed b. Alij b. Muhamed Esh-shevkani, Tefsir Fet’hul Kadir, Darul Ma’rife 2004.

[2] Muslimi

[3] El Mulku : 02

[4] Muhamed Tahir Ibni Ashur,  Et-Tahriru vet-tenvir.

[5] El En’am : 122

Lini një Përgjigje

Maqedonisht