Jurisprudencë, Tefsir

Shpjegimi i Sures Jasin (2)

Nga: Jusuf ZIMERI

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s. Të nderuar xhematë, në ligjeratën e kalume shpjeguam për vlerën e sures Jasin, kurse sot do të shpjegojmë  për

”  Dispozita e leximit të sures Jasin për të vdekurit”,

duke u mbështetur në argumente dhe mendimet e dijetarëlve islamë rreth kësaj çështjeje.

Imam Taberani[1] në veprën e tij “El Mu’xhemeul Kebir”regjistron hadithin me transmetim nga Abdullah b. Omeri r.a. i cili ka thënë: E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: “Kur të vdesë ndonjëri nga ju, mos e vononi por shpejtoni atë për te varri i tij, pasi të varroset te koka e tij le të këndohet sureja El Fatiha, kurse te këmbët e tij ajetet e fundit të sures El Bekare[2] Imam Hafidh Ibni Haxher El Askalani në veprën e tij “Sherh Sahihul Buhari” ka thënë: Imam Taberani këtë hadith e ka transmetuar me sened Hasen (të mirë). Kështu e kanë kuptuar edhe sahabët e Pejgamberit s.a.v.s., pra e kanë lejuar leximin e Kur’anit për të vdekurit te varri i tyre. Kjo vërtetohet nga Sahabiu i ndershëm Abdullah b. Omer El Hatabi r.a. se ai kishte lexuar te varri fillimin dhe përfundimin e sures El Bekare. Këtë ngjarje e ka transmetuar Imam Bejhekiu, dhe e ka vlerësuar Imam Neveviju në veprën e tij El Edhkaru.

Në bazë të këtyre argumenteve që i përmendëm, dijetarët e shkollave juridike hanefite, shafiite dhe hanbelite, formojnë konkluzën e tyre se leximi i sures Jasin në agoninë e vdekjes së një besimtari është mendub, dhe atë duke u mbështetur në hadithin ku Pejgamberi a.s.ka thënë: të vdekurve tuaj, këndojani suren Jasin”[3]. Gjithashtu juristët e këtyre shkollave juridike[4] janë të mendimit se leximi i Kur’anit te varri i të vdekurit është veprim i lejuar dhe i preferuar (mustehab). Ky mendim mbështetet në shumë transmetime, por veçanërisht në transmetimin nga Enesi r.a. e ky nga Pejgamberi a.s. ku ka thënë: “Kush hynë në varreza dhe e lexon suren Jasin, All-llahu xh.sh. ua lehtëson atyre atë ditë, kurse atij i regjistrohen mirësia sa numri i shkronjave të kësaj sureje”. Këtë e përforcon edhe testamenti i Ibni Omerit r.a. kur kishte thënë që kur të varroset t’i këndohet te varri i tij sureja El Fatiha, fillimi i sures El Bekare dhe fundi i sures El Bekare.[5]

Në veprën “Hashjeta el Kaljubij dhe Umejrij” thuhet: Transmetohet nga Selefi i ndershëm se ai i cili e lexon suren Ihlas (kul huall-llahu ehad) njëmbëdhjetë herë dhe sevapet e fituara nga ai lexim ia dhuron të vdekurve, atij i falen mëkate sa numri i të varrosurve në ato varreza.[6]

Imam El Karrafi[7] thotë: leximin e Kur’anit mbi varr e ka shtjelluar Ibni Rushdi në veprën e tij “El Exhvibetu” dhe Ibnul Arabij, në veprën e tij “Ahkamul Kur’an, pastaj Kurtubiu në veprën e tij “Et-tedhkiretu”, ku kanë thënë: I vdekuri ka dobi nga leximi i Kur’anit që i lexohet te varri ose në shtëpi ose në një vend tjetër nëse sevapet e atij leximi i dhurohen të vdekurit.[8]

Muhadithi, gjuhtari dhe juristi i njohur islam Muhamed Murteda Ez-Zubejdi,[9] në veprën e tij “Sherh Ihja ulumud-din” nga Imam Gazaliu citon: Imam Sujuti në veprën Sherhu es-sudur thotë: Leximi i Kur’anit mbi varr, është veprim i ligjësuar nga dijetarët tanë.

Dijetari i famshëm Muhamed b. Isa El Askalani El Kennani i cili ka vdekur vitin 318h, e ky është edhe njëri nga mësuesit e Ibni Haxher El Askalanit, në një rast ishte pyetur: A arrin sevapi i leximit të Kur’anit deri te i vdekuri? Në këtë pyetje El Askalani ishte përgjigjur përmes një libri që e kishte titulluar: El kallu bil ihsani-l-amimi fi intifai-l-mejiti bil kiraetil radhimi” dhe në të kishte thënë: Shumica e dijetarëve thonë se, të vdekurit i arrin sevapi nga leximi i Kur’anit. Kështu ka thënë edhe Imam Ahmedi, pasi që kishte thënë se leximi i Kur’anit mbi varr është bidat. Pra transmetohet nga ai se ai ka thënë se të vdekurit i arrin sevapi i çdo gjëje nga sadekatë e ndryshme, nga namazi, haxhi, agjërimi, i’tikafi, leximi i Kur’anit, dhikri etj.  Gjithashtu transmetohet edhe nga Imam Shafiu se ka thënë se i vdekuri ka dobi nga leximi i Kur’anit te varri i tij. Shihabudin Ibni Ukajli transmeton se imam Shafiu kishte vizituar imam Lejth b. Sa’din te varri i tij, kishte lexuar një hatme të Kur’anit dhje kishte thënë: Shpresoj që kjo të zgjasë.

Disa nga dijetarët eminent islamë si argument për lejimin e leximit të Kur’anit te varri i të vdekurit, dhe dobia nga ky lexim për të vdekurin e argumentojnë edhe me hadithin e transmetuar nga Abdullah b. Abasi r.a. i cili ka thënë: Një ditë i dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pran dy varrezave dhe tha:”pronarët e këtyre dy varrezave po ndëshkohen, këty nuk po ndëshkohen për ndonjë mëkat të madh. Njëri prej tyre po ndëshkohet sepse nuk ruhej nga urina, kurse tjetri barte fjalë të huaja”. Atëherë Pejgamberi a.s. e mori një filiz të njomë të një druri, e ndau në dy pjesë, dhe njërën pjesë e vëndoi mbi varrin e njërit dhe tjetrën pjesë mbi varrin e tjetrit. Të pranishmit u mahnitën nga ky veprim dhe e pyetën: O i Dërguari i Allahut pse e bëre këtë: Pejgamberi a.s. tha: “ndoshta do tu lehtësohet ndëshkimi derisa të thahet ky filiz. [10]

Dijetari i famshëm Hafidh Ebu Abdullah El Xhuzxhani në veprën e tij “El Ebatilul menakir” thotë: Ky hadith është argument se vënduarja e një peme mbi varr është veprim i preferuar (mustehab). Kurse Imam Neveviju në veprën e tij “Sherhul Muslimi” thotë: Duke u bazuar në këtë hadith, dijetarët kanë rezoltuan me dispozitën se leximi i Kur’anit te varri është veprim i preferuar (mustehab). Argumentimi bëhet me faktin sepse nëse shpresohet lehtësim në varr me vënduarjen e një filizi të njomë mbi të, atëherë lehtësimi me leximin e Kur’anit është më me prioritet.

Transmetohet nga Alij b. Musa el Hadadi i cili ka thënë: Një herë isha me Imam Ahmed b. Hanbelin r.a. në përcjellje të një kufome. Me ne ishte edhe Muhamed b. Kudame El Xhevherij dhe Ebu Xhafer El Bagdadi. Pasi u varros xhenazja, erdhi një njeri dhe filloi të lexojë Kur’an te varri i tij. Imam Ahmedi i tha: O ti,leximi i Kur’anit te varri është bidat. Pasi u larguam nga varrezat Muhamed b. Kudame i tha imam Ahmedit. O Imam, çka mendon për Mubeshir b. Ismail El Halebij Ebu Ismail El Kelbij (që ka vdekur vitin 200h në Halep)? Ahmedi tha. Ai është i besueshëm dhe i fuqishëm. A ke regjistruar diçka nga ai, e pyeti imam Ahmedi.  Muhamed b. Kudame iu përgjigj: po, dhe vazhdoi: më ka informuar Mubeshir b. Ismail nga Abdurrahman b. El Alai b. El Xhulaxhij Esh-shamij. Ebu El Hasan b. Ismail el Xhulaxhi, babai i El Ala el Gatafanit kurse Xhulaxhi prindi i Halid Amiriut, se ai kishte lënë testament, se kur të varroset te koka e tij t’i lexohet sureja Fatiha, fillimi i sures el Bekare dhe fundi i sures el Bekare. Dhe tha. E kam dëgjuar birin e xhaxhait tim r.a. duke lënë testament këtë gjë. Atëherë Ahmedi tha: Kthehu te ai njeriu dhe thuaj atij le të lexoj Kur’an te varri i tij.[11]

Kurse Imam Taberaniu të njëjtin tregim e tregon por me transmetim nga Abdurrahman b. El Alai b. El Xhulxhai i cili ka thënë: Më ka thënë mua babai im. O biri im, kur të më lëshosh në varr, thuaj: Bismil-lahi ve fi sebilil-lahi ve ala mil-leti resulil-lahi, pastaj mu mbulo me dhe, e pastaj te koka ime lexoma suren El Fatiha, fillim e sures el Bekare dhe fundin e sures El Bekare, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë këtë.

Imam Ahmed b. Muhamed El Merveziu ka thënë: E kam dëgjuar Ahmed b. Hanbelin rhimehull-llah duke thënë: Kur të hyni në varreza lexoni suren El Fatiha pastaj dy kuleudhat (kul eudhu birabil jelek dhe kul eudhu biraçin-nas), pastaj suren Ihlas (kul huall-llahu eha), dhe sevapet e leximit të këtyre sureve dhuroni banorëve të varrezave sepse ato sevape i arrijnë atyre.

Në enciklopedinë e Fikhut, imam Tahtaviu ka thënë: Kur të përfundoni me varrimin është mustehab të uleni pak te varri aq kohë sa therret një deve dhe shpërndahet mishi i saj

Në bazë të kësaj që u tha deri më tani dhe shumë argumenteve tjera të pa theksuara për lejimin e leximit të Kur’anit për të vdekurin konstatohet se ky veprim është i preferuar, pra mustehab, për shkak të shumë argumenteve. Mirëpo disa të cilët mendojnë se leximi i Kur’anit pët të vdekurin është bidat dhe i pa ligjësuar është mendim i cili nuk mbanë dhe është në kundërshtim me argumentet dhe parimet e përgjithshme islame. Vlerësimet se të gjitha këto argumente nga hadithes e Pejgamberit a.s. janë të dobëta, andaj nuk mund të merren si argumente, është vlerësim tendencioz dhe jo i saktë, e veçanërisht kur ekzistojnë shumë hadithe që flasin për një lëmi, edhe pse janë të dobët, ato përforcojnë njëri tjetrin. Vlerësimi se këto hadithe janë hadidthe të dobëta është motiv që i nxiti disa të pretendojnë se nuk mund të jetë argument për lejimin e leximit të Kur’anit për të vdekurin. Mirëpo, këtë pretendim kategorikisht e hedh poshtë Imam Neveviju në parathënien e veprës së tij “El Erbeine En-Nevevije” me fakti se ekziston konsensus mes dijetarëve të mirëfilltë islam se, lejohet veprimi me hadithin e dobët në punët e mira. Me këtë nënkuptojmë se hadithi i dobët nuk mund të përdoret për argument në çështjet thelbësore islame, siç janë çështjet e besimit.

(Kjo ligjëratë është mbajtur më 03. Ramazan – respektivisht  më 22. 07. 2012 pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fshatit Llojan nga Hoxhë Jusuf Zimeri)

Vazhdon


[1] Imam taberani është: Ebul Kasim Sulejman b. Ahmed b. Ejub Et-Taberani. Ka lindur vitin 260h ose 821m. Kurse ka vdekur sipas disa transmetimeve vitin 360 h. Ose 918. Konsiderohet një nga dijetarët eminent të Ehli Sunnetit, kurse emrin Taberani e merr nga vendlindja e tij në Sham. Ka shkruar shumë vepra, e në mesin e tyre më të njohura janë: “El Mu’xhemul kebir” El Mu’xhemul evsat” “El Menasik” dhe shusmë e shumë vepra tjera.

[2] Imam Bejhekiu.

[3] Ebu Davudi, Nisaiju, Ibni Maxheh, Ahmedi, Ibni Hibani.

[4] Dijetarët e shkolës juridike malikite janë të mendimit se leximi i Kur’anit te varii është verim i urryer, ngase kjo sipas tyre nuk ishte praktikë e selefit të ndershëm,

[5] Imam Bejhekiu

[6] Ahmed Selame El- Kaljubij dhe Ahmed El Berlesij Umejre, Hashjeta Kaljubij ve Umejre, 1/351, Darul Fikri 1995 Bejrut – Liban.

[7] Shihabudin El Karrafi i cili ka lindur në Egjipt në vitin 626 h. Ishte dijetar eminent në shumë shkenca islame si në Fikh, Usuli Fikh, tefsir, gjuhë dhe letërsi etj. Është autor i shumë veprave e nga më të njohurat janë: “El Inkadhu fil I’tikadi” “Sherhul erbeine fi suli ed-din”,Sherhu et-tehdhib” “edileeteul vahdanijeti fi erredi ala en-nasranijeti, ]” El exhvibetu el fahire fi er-redi ala esiletil faxhireti” dhe shumë e shumë vepra tjera.

[8] Më gjerësisht shih në veprat: Fetava nga Hasanejn Mahlufi 1/488, në titullin : leximi i Kur’anit për të vdekurin mbi varr, Fetava El Az’har 8/295, me titullin: Leximi i sures Jasin për të vdekurin,  Fetava El Az’har 8/302, me titullin dobia e të vdekurit nga leximi i Kur’anit,  Fetava El Az’har 8/315 me titullin: lidhshmëria e të gjallëve me të vdekuri,  Fetava Eshebeketul islamije muadile 9/667, nr i fetvas 60768 etj.

[9] MUhamed Murteda Ez-Zubejdi ishte nga dijetarët më eminent të kohës së tij. Ka lindur vitin 1145 në Indi, pastaj kishte shkuar në jemen, më ps në Hixhaz  ku shpërngulet në Egjipt dhe atje vdes vitin 1205h. Kishte shkruar shusmnë vepra, e në mesin e tyre edhe vepra e e tij e njohur” sherh ihjali ulumu ed-din, nga imam Gazaliu, vepër kjo në të cilën kishte punuar 11 vite me radhë. Pastaj vepra”Taxhul arus min xhevahiril kamus” “Esanid kuturu es-siteti” “Ukud xhevahiril hanefijeti fi edil-letie medhheb ebi hafife”  dhe shumë vpra tjera.

[10] Buhariu dhe Muslimi

[11] Kurtubiu, Et-tedhkiretu.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht