Shkrime Autoriale, Tefsir

Shpjegimi i Sures Jasin (4)

Nga: Jusuf ZIMERI

Eudhubil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s.

All-llahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik thotë:  وَالْقُرْآنِ الْحَكِيمِ إِنَّكَ لَمِنَ الْمُرْسَلِينَ       “Velkur’ani-lhakimi Inneke lëmine-l-murseline –Pasha Kur’anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë. S’ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve.

Në këtë ajet qartë vërejmë se Allahu xh.sh. betohet në Kur’anin famëlartë, që vetvetiu nënkupton se kur Allahu xh.sh. betohet në diçka betohet në çështje madhore, kurse pas betimit njashtu pason diçka shumë e rëndësishme. Andaj Allahu xh.sh. u betuan në Kur’anin Fisnik i cili është i pacenueshëm në urtësinë e tij se Muhamedi a.s. është i Dërguari i Tij, dhe përmes kësaj forme me ajetin e tretë të kësaj sureje Allahu xh.sh. vërteton bindshëm se Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij.  Madhështinë e kësaj çështjeje se Muhamedi a.s. është i dërguari i Allahut xh.sh. Allahu xh.sh. në këtë rast e vërteton përmes tre përforcimeve që janë fillimisht betimi, pastaj pjesëza “Inne” dhe lami që janë për përforcim. Ky përforcim është kundërpërgjigje ndaj atyre të cilët e akuzuan Muhamedin a.s. se ai nuk është i dërguar, por thjesht njeri sikur njerëzit tjerë, kur thanë:

وَيَقُولُ الَّذِينَ كَفَرُواْ لَسْتَ مُرْسَلاً قُلْ كَفَى بِاللَّهِ شَهِيدًا بَيْنِي وَبَيْنَكُمْ وَمَنْ عِندَهُ عِلْمُ الْكِتَابِ

E ata që mohuan thonë: “Ti nuk je i dërguar!” Thuaj: “Mjafton që All-llahu është dëshmitar midis meje dhe midis jush dhe (është dëshmitar) ai që ka njohuri të librit (të shpalljeve)”[1]. Andaj Allahu xh.sh. iu përgjigj atyre duke u thënë: S’ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve.

Pacenueshmëria e Kur’anit vërtetohet në kuptimin e tij, në strukturën, në brendësinë  tij, në suret e tija, në ajetet e tij dhe në çdo fjalë dhe shkronjë të tij. Allahu xh.sh. thotë:

كِتَابٌ أُحْكِمَتْ آَيَاتُهُ (1)

 “(Kur’ani është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht)”[2]

Kur’ani është i pa cenueshëm në urtësinë e tij, sepse  ai flet për urtësi dhe të vërteta të shumta të cilat nëse njeriu arrin ti kapë dhe implementojë në jetën e përditshme, atëherë s’ka dilemë se do të arrijë kënaqësinë në të dy botët, kë këtë dhe në botën tjetër. Shpeshë herë njeriu ndonjë të vërtetë arrin ta kuptoj nga përvoja pas lodhjeve dhe peripecive të shumta, dhe në fund bie në grackën e veprave të tija, e në fund përfundon duke thënë, ah sikur ta kisha ditur këtë të vërtetë  në fillim të jetës.

Pra betimi i Allahut xh.sh. në ajetin وَالْقُرْآنِ الْحَكِيمِ pasha Kur’anin e pacenuar në urtësi” është argument se çështja pas betimit është çështje madhore, e sikur njeriu të kapet dhe të kuptojë këtë realitet, ai sigurisht se do të jetë i kënaqur në të dy botët, e nëse tregon kokëfortësinë e tij dhe dëshiron që të vërtetën ta kuptojë vetëm nga përvoja e vet, atëherë shpeshëherë përfundon në humnerë për shkak të vonesë së kuptimit të tij. Do ta ilustrojmë me një shembull. Shumë njerëz që në fillim të jetës së tyre mendojnë se pasuria është çdo gjë në këtë botë, pastaj në pleqëri e kuptojnë se pasuria qenka vetëm diçka nga jeta e nuk qenka gjithçka, kurse në kthetrat e vdekjes apo agoninë e vdekjes bindet se pasuria nuk qenka asgjë, porse ajo që paska qenë gjithçka paska qenë nënshtrimi i plotë ndaj Allahut xh.sh. Pra sikur ta kishte kuptuar këtë të vërtetë që në fillim se nënshtrimi ndaj Allahut është çdo gjë në këtë jetë e jo pasuria, atëherë sigurisht se do të kishte qenë i kënaqur edhe në jetën e kësaj bote edhe në jetën e botës tjetër. Pra, në pyetje është koha e cila nuk rikthehet më, sepse në fund të kohës, pra në përfundim të vdekjes, do të kuptosh të vërtetën por tani më është shpenzuar koha dhe nuk ekziston mundësia e veprimit. Allahu xh.sh. thotë:

﴿ فَكَشَفْنَا عَنْكَ غِطَاءَكَ فَبَصَرُكَ الْيَوْمَ حَدِيدٌ (22) ﴾

 “Ne ta hoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.[3]

Pra çështje shumë e rëndësishme është që të njohësh të vërtetën në fillim dhe të ecësh drejt asaj të vërtete, sepse njohja e të vërtetës në fund jo vetëm që është jo profitabile por është edhe e mundimshme dhe sterile.

Pra, pacenueshmëria e Kur’anit fshehët në sekretin sepse ky Kur’an me kohë i zbulon njeriut të vërtetën dhe kështu e bënë të lumtur jo vetëm në jetën e kësaj bote por edhe në jetën e botës tjetër, kurse ata të cilët me mendjet e tyre të kufizuara tentojnë ti kundërvihen Kur’anit për të zhvlerësuar pacenueshmërinë Kur’anore, dhe ia kthejnë shpinën këtij Kur’ani për të gjetur një të vërtetë tjetër, ata do të jenë të lodhur, të rraskapitur, të pa kënaqur me jetën dhe në fund të dështuar, e këtë e vërteton vetë ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

﴿ وَمَنْ أَعْرَضَ عَنْ ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنْكًا (124

E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.[4]

Pra e vërteta është se njeriu nëse dëshiron të ketë jetë të lumtur, të rehatshme dhe të begatshme patjetër duhet t’i mbajë dhe kultivojë lidhjet e tij me Krijuesin e tij, e nëse këtë të vërtetë nuk arrin ta kuptojë me mendjen e tzij, atëherë le të lexojë ajetin e më sipër përmendur.

Ky Kur’an në të cilin betohet Allahu xh.sh. duke e cilësuar si të pa cënuar në urtësi, në vete ngërthene edhe të vërteta tjra të shumta, siç janë tregimet për gjëra të kaluara, për gjëra që doi të pasojnë, tregon realitete të vërteta për shumë çështje të universit dhe vetë qenies njeri. Pra, kjo dëshmonë për mrekullinëe Kur’aanit dhe pacenueshmërinë e tij në rtësi. Andaj Allahu xh.sh., betohet në Kur’anin Famëlartë për të vërtetuar një çështje tjetër madhore që është se ti o Muhamed je i dërguari i Allahut.

Dijetari i Famshëm Imam Muhamed Muteveli Esha’raviu në tefsirine  tij, gjatë shpjegimit të ajetit “Vel Ku’ranil hakim” thekson se Allahu xh.sh. e cilësoi Kur’anin me cilësinë El Hikme- hakim, sepse nocioni El hakim nënkupton, vëndimin e çdo sendi në vendin e vërtetë për të kryer rolin e vet.[5] Pastaj e cilësoi këtë me këtë cilësi për ta dalluar nga të gjitha librat tjera, sepse Kur’ani ka karakteristikat e saja të veçanta që nuk mund të përfshihen te librat tjerë.

إِنَّكَ لَمِنَ الْمُرْسَلِينَ   S’ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve.

Allahu xh.sh. betohet në Kur’anin fisnik, dhe përmes këtij betimi vërteton se Muhamedi a.s. është i dërguari i Allahut, e argumenti më i fuqishëm dhe i prerë se ai është i dërguari i Allahut xh.sh. është pikërisht ky Kur’an në të cilin betohet Allahu xh.sh., sepse ky Kur’an është mrekullia e gjallë që vërteton pejgamberllëkun e Muhamedit a.s.. Pra, përmes këtij betimi Allahu xh.sh. vërtetonë se Muhamedi a.s. është i dërguari i Allahut s.a.v.s., pastaj se Kurçani nuk është fjalë e Muhamedit, por është fjalë e Allahut xh.sh. përmes të cilit na tregon për të vërtetën e universit, të vërtetën e kësaj bote, të vërtetën e njeriut, për rolin dhe qëllimin e tij, ku ishte para se me qenë, ç’është sot dhe ku do të përfundojë nesër.

 (Kjo ligjëratë është mbajtur më 05. Ramazan – respektivisht  më 24. 07. 2012 pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fshatit Llojan nga Hoxhë Jusuf Zimeri)

Vazhdon



[1] Suretu Er-Ra’d : 43.

[2] Suretu Hud : 01.

[3] Suretu Kaf : 22

[4] Suretu Taha : 124

[5] M. Muteveli Sha’arvi, Tefsir Suret Jasin f. 12571.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht