Shkrime Autoriale, Tefsir

Shpjegimi i Sures Jasin (7)

 Nga: Jusuf ZIMERI

Eudhubil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s

All-llahu i Madhërishëm thotë:

إِنَّا جَعَلْنَا فِي أَعْنَاقِهِمْ أَغْلالاً فَهِيَ إِلَى الأَذْقَانِ فَهُم مُّقْمَحُونَ “Ne u kemi varë në qafat e tyre pranga e ato u arrijnë deri në nofulla, andaj ata mbesin me koka lart”

Të nderuar besimtarë edhe më tutje jemi nënhijen e ajeteve të Sures Jasin ku sot do të shpjegojmë ajetin e lartëcituar.  Imam Kurtubiu në tefsirin e tij, sjell edhe shkakun e zbritjes së këtij ajeti. Ky ajet ka zbritur për Ebu Xhehl b. Hishamin. Arsyeja ishte se Ebu Xhehli ishte betuar se nëse e sheh Muhamedin a.s. duke u falur në Qabe, do t’ia shtypte kokën me guri duke qenë në sexhde. Kur një ditë e pa Pejgamberin a.s. duke u falur, e mori një gurë të madh të cilin do t’ia gjuante mbi kokë dhe t’ia shtypte kokën. Kur deshi t’ia hedhë gurin, duart e tij u ngritën  te qafa e tij dhe guri iu ngjit në dorën e  tij e nuk mundi ta hedhë. Ibni Abasi, Ikrime dhe dijetarë të tjerë thonë se ai kështu ngeli i shtangur.  Kur ai u kthye te shokët e tij dhe u tregoi se çka i kishte ndodhur, njëri prej tyre që ishte Velid b. Mugire tha me mllef: Unë do t’ia shtypë kokën atij dhe shkoi që t’ia hedhë gurin mbi kokë. Në momentin kur deshi ta hedhë gurin, Allahu xh.sh. e verbëroi dhe ai më nuk e shihte Muhamedin a.s. por vetëm dëgjonte zërin e tij. Edhe ky u kthye pa sukses te shokët e tij, por nuk i shihte shokët derisa ata e thirrën, e ai tha: Pasha Allahin, nuk e pashë, vetëm dëgjova zërin e tij. I treti nga të pranishmit tha: Pasha Allahin do t’ia copëtoj kokën atij, por pasi provoi edhe ky pa sukses u kthye prapë, andaj e zbriti Allahu xh.sh. ajetin e lartpërmendur ku thotë: “Ne u kemi varë në qafat e tyre pranga e ato u arrijnë deri në nofulla, andaj ata mbesin me koka lart”

Allahu xh.sh. me këtë ajet portretizon njeriun të cilit i ka venduar pranga në duart e tyre të lidhura për qafat e tyre që kanë shkaktuar edhe ngritjen e kokës dhe nuk mund të shohin para veti rrugën e vërtetë. Arsyeja e vënduarjes së prangave në duart e tyre, janë veprat e tyre dhe kokëfortësia e tyre për të pranuar të vërtetën.  Ibni Abbasi r.a. në komentimin e këtij ajeti thotë. Ky ajet është ngjashëm sikur ajeti ku Allahu xh.sh. thotë:

وَلاَ تَجْعَلْ يَدَكَ مَغْلُولَةً إِلَى عُنُقِكَ

Dhe mos e bën dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bë koprrac),.[1] Pra ata me duarte lidhura për qafe nuk mund ti shtrijnë e të bëjnë ndonjë punë të mirë.

Nocioni “Mukmehun” nënkupton ngritjen e kokës dhe mbylljen e syve, për shkak të lidhjes së duarve në nofullën e tij. Me këtë përshkrim Allahu xh.sh. na përshkruan gjendjen e pabesimtarit i cili ka mohuar të vërtetën dhe ndjek të pa vërtetën, ka mohuar racionalen dhe ndjek epshin, ka refuzuar dashurinë ndaj Allahut xh.sh. dhe ndjak dashurinë ndaj jetës së kësaj bote, pra ka mohuar të udhëhiqet nga mendja e shëndoshë dhe është bërë rob i epshit të tij. Pastaj vazhdon Allahu xh.sh. dhe thotë:

وَجَعَلْنَا مِن بَيْنِ أَيْدِيهِمْ سَدًّا وَمِنْ خَلْفِهِمْ سَدًّا فَأَغْشَيْنَاهُمْ فَهُمْ لاَ يُبْصِرُونَ Ne u kemi vënë edhe para tyre pendë e edhe mbrapa tyre pendë dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin”

Atyre që nuk pranuan argumentet e Kur’anit Fisnik të komunikuara nga i Dërguari i Allahut xh.sh. u është venduar atyre pende, pengesë dhe ata më nuk mund të shohin të vërtetën që e kanë para veti. Ata nuk mund të shohin rrugën e drejtë, e as nuk mund të mendojnë për përgjegjësinë për veprimet e tyre që do ta kenë para Allahut xh.sh.. Disa nga dijetarët islamë se pendë për të mos parë të vërtetën e tyre e karakterizojnë mendjemadhësinë e tyre e cila nuk i len ti nënshtrohen ligjeve të Allahut xh.sh. Imam Fahrudin Er-Razi në tefsirin e tij këtë e elaboron edhe me faktin se fillimisht njeriu posedon udhëzimin instiktiv natyror me të cilin ka lindur, por pabesimtari e ka braktisur këtë argument, pastaj ka edhe udhëzimin përmes argumenteve, por sërish pabesimtarët nuk kanë arritur ta kuptojnë këtë, andaj ata kanë pengesa para vete për të kuptuar të vërtetën që buron nga argumentet, por njëkohësisht tani më nuk mund të kthehen edhe në udhëzimin instiktiv që e kishin në fillim.

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij sjell mendimin Dahakut kur thotë: “u kemi bërë edhe para tyre pendë” është për qëllim jeta e kësaj bote, pra nuk e shohin realitetin e kësaj bote, kurse “edhe mbrapa tyre pendë”  është për qëllimi jeta e botës tjetër, pra Ahireti. Në bazë të kësaj del se atyre u është zbukuruar jeta e kësaj bote me zbukurim të rrejshëm dhe i mbanë në iluzione, pra ata me mendjemadhësi e jetojnë jetën e kësaj bote, kurse penda pas tyre është se ata përgënjeshtrojnë jetën e botës tjetër.[2]

Imam Sha’raviu thotë: atyre Allahu xh.sh. u vendoi pendë para veti dhe nuk e dinë se çka i pret në të ardhmen, u vendoi pendë pas veti dhe nuk mund të dinë se si përfunduan të parët e tyre që refuzuan rrugën e drejtë. Këto pengesa ishin si rezultat e veprimeve të tyre, ngase Allahu xh.sh. thotë:

فَكُلا أَخَذْنَا بِذَنبِهِ فَمِنْهُم مَّنْ أَرْسَلْنَا عَلَيْهِ حَاصِبًا وَمِنْهُم مَّنْ أَخَذَتْهُ الصَّيْحَةُ وَمِنْهُم مَّنْ خَسَفْنَا بِهِ الأَرْضَ وَمِنْهُم مَّنْ أَغْرَقْنَا وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيَظْلِمَهُمْ وَلَكِن كَانُوا أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ

Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.[3]

Në fillim kemi theksuar se kjo sure është mbrojtje për besimtarët islamë, andaj këtë e vërteton edhe rasti kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte sjellë vendimin për të emigruar nga Mekja për në Medine. Pari e Mekës në kuvendin e tyre të jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura kishin sjellë vendimin për ekzekutimin e Muhamedit a.s. Për të ekzekutuar këtë vendim në praktikë një natë e kishin rrethuar shtëpinë e Pejgamberit a.s. një grup njerëzish që ishin luftëtarë të njohur dhe të denjë nga të gjitha fiset,  që në momentin kur ta ekzekutojnë Pejgamberin a.s. me një rënie, gjaku i tij të shpërndahet te të gjitha fiset, dhe familja e tij të mos ketë mundësi të kërkojë gjakun  djalit të tyre. Mirëpo edhe pse ky vendim ishte sjellë me dyer të mbyllura, Allahu xh.sh. përmes xhibrilit a.s. e kishte informuar Pejgamberin a.s. për vendimin e sjellë dhe për qëndrimin që duhet të merret. Në momentet kur Muhamedi a.s. natën ishte i rrethuar në shtëpinë e tij, ai mori një gushtë dheu në dalje dhe duke e lexuar me zë suren Jasin deri te ajeti “ve xhealna bejne ejdihin sed-den..” dhe të gjithë i vuri në gjumë, e Muhamedi a.s. kaloi përmes tyre pa e vërejtur ata. Pra mbrojtja e vetme praktike e Muhamedit a.s. ishte grushti i dheut dhe sureja Jasin, të cilën dijetari i famshëm Abdulhamid Kishiku në mënyrë alegorike e quan arma e Muhamedit a.s. që përbëhet prej 83 plumbave.

Pas këtij ajeti Allahu xh.sh. e informon të dërguarin e tij, se ai nuk guxon të bie në dëshpërim eventual, dhe i thotë:

 (Kjo ligjëratë është mbajtur në Ramazan 2012 pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fshatit Llojan nga Hoxhë Jusuf Zimeri)

Vazhdon



[1] Suretu Isra : 29

[2] Muhamed b. Ahmed El Ensarij El Kurtubij, El Xhamaiu li ahkamil Kur’an,  15/11, Darul Fikri.

[3] El Ankebut : 40

Lini një Përgjigje

Maqedonisht