Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

. Shtylla (Rukni) e kontratës (2)

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Shtylla (rukni) në bazë të asaj që definuan dijetarët e shkencës së Usuli Fikhut është çështja esenciale nga e cila varet ekzistimi i çështjes dhe, e njëjta është pjesë përbërëse e çështjes, që nënkupton se me ekzistimin e ruknik varet edhe ekzistimi i sendit (çështjes. Nëse këtë e kundrojmë në veprimet që quhet adhurime (ibadat), si p.sh. namazi dhe konstatojmë se rukui apo sexhdeja, janë rukne të namazit, nëse i plotësojmë këto rukne, atëherë plotësohet edhe namazi si detyrim, por nëse e humbin një prej rukneve të namazit, atëherë edhe namazi është i kotë dhe konsiderohet inekzistent.

Rukni i kontratës sipas juristëve të shkollës juridike hanefite konsiderohet oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli)[1], e që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet edhe me nocionin sigatul akdi- (forma e lidhjes së kontratës). Elementet tjera të kontratës janë elemente të patjetërsueshme për lidhjen e kontratës.

Sa i përket qëndrimit të shkollave tjera juridike islame që përfaqësojnë Ehli sunetin, dijetarët e tyre janë të mendimit se kontrata ka tre rukne, tri shtylla esenciale që janë: dy palët kontraktuese (shitësi dhe blerësi) sendi për të cilin bëhet kontrata dhe çmimi që duhet paguar për të, dhe rukni i tretë është forma e lidhjes së kontratës, pra oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli).

 Definimi i ofertës dhe pranimit

Oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli) janë pjesë përbërëse e kontratës, që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet me termin “Sigatul akdi” (forma e lidhjes së kontratës), që nënkupton harmonizimin e kuptimit të shprehjeve mes dy palëve kontraktuese.

Meqë oferta (ixhabi) dhe pranimi (kabuli) janë forma e lidhjes së kontratës, nga e cila varet edhe ekzistimi i kontratës, atëherë juristët islamë këtij elementi të lidhjes së kontratë i kushtuan kujdes të veçantë. Dijetarët e shkollës juridike islame hanefite, ofertën (ixhabin e definuan: parashtrimi i kërkesës së veçantë nga njëra palë kontraktuese, përmes së cilës demonstrohet vullnetin e palës, kurse pranimin e definuan: pranimi i ofertës së parashtruar nga pala tjetër me shprehje që demonstron vullnetin e tij.

Nga ky përkufizim i ofertës dhe pranimit që i bënë juristët hanefij, nënkuptojmë se oferta nuk është veçori e njërës palë kontraktuese, por ajo mund të jetë shprehje e vullnetit nga njëra prej dy palëve kontraktuese, si p.sh. nëse bëhet fjalë për kontratën shitblerjes, nuk kushtëzohet që oferta të jetë vetëm nga shitësi e pranimi nga blerësi, por oferta mund të jetë edhe nga blerësi e pranimi të jetë nga shitësi. Pra ofertë konsiderohet fjala e parë kurse pranimi është fjala e dytë e cila reflekton pëlqimin dhe pajtueshmërinë me shprehjen e parë, pavarësisht se nga cila palë kontraktuese shprehet. Gjithashtu nga ky përkufizim i ofertës dhe pranimit nënkuptojmë se edhe oferta edhe pranimi duhet të jenë shprehje që të vullnetit dhe dëshirës së palëve kontraktuese, që nënkupton se imponimi nga jashtë te cilado palë kontraktuese qoftë është i pa pranuar gjatë lidhjes së kontratës.

Kushtet e kontratës

Kushti (sharti) është çështja nga e cila varet ekzistimi i sendit të kushtëzuar, andaj me mos ekzistimin e kushtit nuk mund të ekzistojë as i kushtëzuari. Për ta pas më të qartë po e ilustrojmë me këtë shembull, abdesi është kusht i namazit, nëse mungon abdesi, atëherë nuk mund të falet namazi. Nga kjo që u tha vërejmë se edhe kushti edhe rukni janë shtylla esenciale të vepre, por dallimi mes kushtit dhe ruknit qëndron në faktin se kushti është pjesë e jashtme e veprës, kurse rukni është pjesë e brendshme apo pjesë përbërëse e veprës.

Kur jemi te kushtet e kontratës patjetër duhet theksuar se juristët islamë, kushtet e kontratës i ndanë në katër lloje, që janë:

  1. Kushtet e lidhjes së kontratës (shurup in’ikad), janë ato kushte pa të cilat nuk mund të lidhet kontrata. Këto kushte mund të jenë të veçanta vetëm për disa lloje të kontratave, por mund të jenë edhe të përgjithshme për të gjitha kontratat, pra varësisht nga lloji dhe natyra e kontratës. Këto janë ato kushte të cilat kanë të bëjnë me palët kontraktuese, me formën e lidhjes së kontratës, etj.
  2. Kushtet e vlefshmërisë së kontratës (shuru es-sihati) janë ato kushte pa të cilat kontrata është e pa vlefshme.
  3. Kushtet e zbatimit të kontratës (shurutu en-nifadh), janë ato kushte pa të cilat kontrata mund të lidhet, por nuk mund të zbatohet.
  4. Kushtet e vazhdueshmërisë së kontratës (shurutu luzum) janë ato kushte që nga ato varet vazhdimësia e kontratës.

Juristët islamë kundruar kontratën dhe kushtet e saja nga këndi se prej ku burojnë këto kushte, kushtet i ndanë në dy lloje, e që janë:

Lloji i parë: kushti ligjor[2], që është i paraparë dhe i obliguar nga sheriati islam, që nënkupton se me mos përfilljen e këtij kushti nuk mund të ketë edhe kontratë.

Lloji i dytë: kushti i paraparë dhe i përcaktuar nga njëra palë kontraktuese[3] sipas dëshirës së tij, e që nuk është në kundërshtim me kushtin ligjor apo në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimin e kontratës.

Gjurmët- detyrimet e kontratës

Meqë theksuam edhe më parë se kontratat janë domosdoshmëri n[ë jetën shoqërore për të evituar zënkat dhe mosmarrëveshjet, andaj pa kurrfarë dileme implementimi dhe zbatimi i kontratave është edhe imperativ islam. Kontrata në vete ngërthen detyrimet dhe të drejtat për të dy palët kontraktuese, e ky është edhe synimi final i kontratave. Përmes kontratave arrihet lejimi i sendeve të ndaluara para kontratës, si p.sh. kontrata e martesës lejon dëfrimin mes palëve, që para kontratës ishte veprim i ndaluar. Gjithashtu përmes kontratave bëhet e transferimi dhe bartja e të drejtës së pronës nga njëra palë te tjetra. Se cilat janë detyrimet dhe të drejtat që dalin nga kontratat, varet kryesisht nga lloji dhe natyrshmëria e kontratës

Llojet e kontratave

Të flitet për llojin e kontratave është çështje e mjaft e komplikuar sepse kontratat, llojet e kontratave varen kryesisht nga liria e rregullimit të marrëdhënieve kontraktuese që ka mundësuar formimin e kontratave të shumta përmes së cilave shpaloset dëshira dhe vullneti i individit për të bërë një kontratë. Në anën tjetër, llojet e kontratave dhe ndarja e tyre varet nga këndvështrimi, prizmi dhe natyrshmëria që e vrojtojmë kontratën. Me gjithat neve do të regjistrojmë disa lloje të kontratave që mendojmë se janë më të rëndësishme për ne.

Nëse kontratën e shikojmë nga aspekti i sistemimit nga ligjdhënësi, atëherë kontratat mund të jenë:

  1. Kontrata e emëruar (Ukudu el musemma) është ajo kontratë që është e paraparë dhe e rregulluar shprehimisht nga ligjdhënësi përmes dispozitës ligjore dhe i ka venduar emër të veçantë, siç është kontrata e shitblerjes, kontrata e qirasë, kontrata e këmbimit, etj.
  2. Kontrata e pa emëruar (ukud gajru musemma) është ajo kontratë që ligjdhënës nuk ka rregulluar shprehimisht e as që i ka vurë emër, siç është kontrata e ekspozimit, kontrata e botuesit me autorin, kontrata për angazhime hotelerie etj. Këto lloje të kontratave arrihen duke u bazuar në rregullat e përgjithshme të së drejtës kontraktuese.

Nëse kontratat i shikojmë nga prizmi i kushteve të domosdoshme që patjetër duhet plotësuar për lidhjen e kontratës, të drejtat dhe detyrimet që dalin nga palët kontraktuese, atëherë kontrata ndahet në:

  1. Kontratë konsensuale (ukud ridaije), e që është kontrata e cila lidhet në mbështetje të vullnetit dhe dëshirës nga dy palët kontraktuese, dhe
  2. Kontratë formale (ukud sheklije) janë kontratat të cilat krahas vullnetit të dy palëve kontraktuese, ajo kontratë për lidhjen dhe vlefshmërinë e saj me ligj është përcaktuar edhe forma e sajë, pra duhet patjetër të bëhet në formë të veçantë, që nënkupton se për lidhjen e kësaj kontrate nuk mjafton vetëm vullneti i palëve kontraktuese, por forma është element konstituiv i kësaj kontrate.

Nëse kontratën e kundrojmë nga aspekti i detyrimeve që dalin nga palët kontraktuese, atëherë kontrata mund të jetë:

  1. Kontratë detyruese e njëanshme, (unilaterale) janë ato kontrata nga të cilat dalin detyra vetëm për njërën palë kontraktuese, ngase vetëm njëra palë bëhet debitor. Si kontrata të njëanshme detyruese (unilaterale) janë, kontrata mbi dhuratën, kontrata e huas etj.
  2. Kontratë detyruese e dyanshme, (bilaterale)  janë ato kontrata që formon të drejta dhe obligime për të dy palët kontraktuese. Kontrata të tille janë kontrata e shitblerjes, kontrata e qirasë, kontrata mbi veprën, kontrata e ortakërisë etj.

Nëse kontratën e shikojmë nga aspekti i shpërblimit dhe përfitimit, atëherë kontrata mund të jetë:

01. Kontratë me shpërblim (oneroze), është ajo kontratë që merr shpërblim kundërvlerën për atë që jep ose anasjelltas. Në këtë lloj hynë kontrata e shitblerjes, qirasë, ortakërisë etj.

  1. Kontratë pa shpërblim (lukrative), janë ato kontrata në të cilat nuk jepet kurrfarë shpërblimi për atë që fitohet, siç është rasti me kontratën e dhuratës, huasë, etj.

Nëse kontratën e shikojmë për nga cilësia dhe dispozita e tyre, juristët islamë i kanë ndarë në dy lloje që janë:

1. Kontratë e vlefshme (akdu es-sahih), e që është ajo kontratë e cila ka plotësuar ruknet dhe kushtet e saja, e që sipas juristëve të shkollës juridike islame hanefite definohet si: “kontrata e cila është e ligjësuar si në esencë, ashtu edhe në cilësi. Implementimi dhe përmbushja e detyrimeve për dy palët kontraktuese që dalin nga kjo kontratë janë detyrimore.

2. Kontratë e pavlefshme. Kontratë e pa vlefshme sipas juristëve islamë konsiderohet ajo kontratë e cila nuk ka plotësuar ndonjë nga kushtet apo ruknet e saja. kjo kontratë nuk ka fuqi juridike për implementim dhe nga kjo kontratë nuk pason asnjë nga detyrimet e saja për asnjërën palë kontraktuese.



[1] Fet’hul Kadir 5/74, Ibni Abidin, redul muhar 4/5/ Vehbe Zuhejli, fikhul islami ve edil-letuhu 4/92.

[2] Shartu sher’ij.

[3] Shartu Xha’lij

Lini një Përgjigje

Maqedonisht