Si ta kuptojmë Hixhretin ?!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Festimi dhe manifestimi i datave historike që shënojnë ngjarje të rëndësishme në historinë e njerëzimit, pa e kuptuar thelbin e mesazhit dhe porosive të asaj ngjarje, jo vetëm se do të ishte manifestim i pakuptimtë, steril dhe humbje kohe, por do të ishte absurd i llojit të vet dhe një dëshmi e jo racionalizmit në kohën që po jetojmë. Andaj, mendoj se manifestimi i ngjarjeve thjeshtë si ngjarje historike, pa e kuptuar porosinë e ngjarjes dhe pa implementuar në praktikë porositë e ngjarjes konkrete, jo që nuk jep efektet e duhura, por jep kundër efekte në drejtim ekspozimit dhe megalomanisë individuale te individë dhe shoqëri të caktuara. Kjo do të ishte vetëm një moment i vetëkënaqësisë ku përmes një ekspozimi oratorik dëgjon disa duartrokitje frenetike nga dëgjuesi.

Meqë jemi në prag të një ngjarje të rëndësishme që unë mendoj se jo vetëm të karakterit islam, por të karakterit të përgjithshëm njerëzor, që është ngjarja e Hixretit, atëherë do të bëjë përpjekje që përmes disa fjalëve të nxjerrë në pah, disa nga porositë e kësaj ngjarjeje. Jam shumë i bindur, se bota njerëzore po ta kishte kuptuar drejtë këtë ngjarje, dhe të kishte hulumtuar pa ngarkesa dhe pa paragjykime, do të nxjerrshin shumë porosi, e veçanërisht në kohën bashkëkohore ku jo vetëm muslimanët por mbarë shoqëria njerëzore ka nevojë imanente që të marrë mësime nga ngjarja e hixhretit.

Më duket se vlerën dhe mësimet e hixhretit pas Pejgamberit Aljehis-selam, më së mirë i kishte kuptuar Omer b. Hatabi, Halifi i dytë i muslimanëve i cili me shkathtësinë e tij të një burrë shteti, politikani, që para se të ishte strateg i luftës, ishte strateg i paqes, që me drejtësinë e tij, shembi shumë despotë e tiranë në rruzullin tokësorë. Omeri i motivuar nga porositë e hixhretit, krahas edhe shumë ngjarjeve tjera  që kishin ndodhur në historinë e islamit, pikërisht zgjodhi që kjo ngjarje të shënojë një datë historike për muslimanët në këtë nënqiell, e që është viti i ri Islam.

Ngjarja e hixhretit në aspektin fizik, paraqet thjesht një emigrim të Pejgamberit Aljehis-selam dhe shokëve të tij nga Meka në Jethrib, mirëpo kundruar nga aspekti i shkaqeve dhe motivi i emigrimit, atëherë ky emigrim merr krejtësisht një dimension tjetër, që duhet hulumtuar dhe studiuar.

Emigrimi i Muhamedit Aljehis-selam prej Mekës në Jethrib (Medinë) për botën njerëzore paraqet një lëvizje fizike e begatuar për plotë me ideologji shpirtërore, që pak më vonë do të rrezatojnë mbi rruzullin tokësorë. Përmes emigrimit Pejgamberi Aljehis-selam i mësoi botës njerëzore se si duhet lëvizur drejt çlirimit nga tirania, zullumi, padrejtësia dhe format tjera çnjerëzore që e kishin kapluar botën. Emigrimi i tij, nuk ishte thjesht një emigrimi që synonte ndonjë interes ekonomik, apo ndonjë kolltuk që do ti mundësojë të bëhet një mbret që do të sundojë, apo që të sigurojë ndonjë jetë me standarde më të larta jetësore në Jethrib, por ishte një emigrim ku ai kërkonte një hapësirë më të volitshme nga ku do të vente themelet e një shoqërie të pastër jo vetëm islame, por edhe njerëzore. Këtë që e themi e vërteton vetë fakti, se po të kishte për synim këto interesa relative dhe afat shkurte të kësaj bote, atëherë emigrimi i tij nuk do të kishte as nevojë, as arsye e as racionalitet, sepse të gjitha këto idhujtarët e Mekës ia kishin lënë në pronësi, që ai të jetë më i pasuri i Mekës, të jetë sundimtarë i Mekës, të ketë femrën më të bukur të Mekës etj. Mirëpo, vetë fakti se ai të gjitha këto begati të afruara nga banorët e Mekës, pa u hamendur fare i kishte refuzuar, në këmbim të begative që i kishte dhënë dhe i kishte premtuar Krijuesi absolut- All-llahu xh.sh. janë argumente se ai synonte jo përmirësimin e gjendjes së tij individuale apo familjare, por synonte që të jetë në shërbim të qenies njeri.

Me aktin e emigrimit nga Meka në Jethrib- Medinë, Pejgamberi Aljehis-selam botës njerëzore i dërguan një porosi shumë madhore, që ndoshta shumë nga ne ose e kemi harruar ose fare se kemi kuptuar. Ky emigrim jep mesazhin se njeriu nuk është fetar apo atdhetar apo siç kemi dëshirë ne ta quajmë patriot i mirë, thjesht vetëm me shkaku se qëndron në vendin e tij, e që më pas këtë patriotizëm apo atdhetarizëm ta shndërrojë në motiv që ai të jetë i privilegjuar në shoqërinë e tij. Atdhetarizmi apo patriotizmi qoftë fetar qoftë kombëtar është zhgënjyes nëse njeriu është i zhveshur nga ideali shpirtërorë dhe vlerat etike e njerëzore dhe si i tillë është jo frytdhënës. Në anën tjetër atdhedashuria rezultatet e dukshme dhe të shëndosha i jep, vetëm atëherë kur njeriu me vete bartë idealin shpirtërorë, vlerat dhe moralin e lartë, pavarësisht se në cilin kënd të globit ndodhet.

Nga kjo nënkuptohet se njeriu i cili nuk është i gatshëm të heqë dorë nga dëfrimet e kësaj jete, nga besëtytnitë, nga idhujtaria, nga jo vlerat, nga amorali, nga urrejtja, mendjemadhësia dhe dashuria satanike, ai asnjëherë nuk është i gatshëm të kontribuoj për të mirën e njerëzisë. Pra Emigrimi i Pejgamberit Aljehis-selam na jep një mësim se njeriun mund ta zhveshësh nga të gjitha të mirat materiale të kësaj bote, por assesi nga vlerat shpirtërore që janë vlera të besimit. Andaj ai që i posedon këto vlera, herët apo vonë do të japë rezultatet e duhura.  Emigrimi i Pejgamberit Aljehis-selam na jep porosinë se besimtari islam i mobilizuar me besim dhe vlera morale nuk guxon të rri duarkryq në shoqërinë e zhytur në krim.

Ngjarja e hixhretit na jep mësime shumë të sakta se për të arritur diçka nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti, por duhet bërë lëvizje dhe veprime konkrete për tu liruar nga fenomenet negative të shoqërisë. Në anën tjetër nga lëvizjet dhe hapat konkretë që i ka bërë Pejgamberi Aljehis-selam. pasi emigroi në Medinë, japin të kuptojnë se lëvizjet duhet të jenë të planifikuara, të analizuara dhe të harmonizuara edhe shkaqet praktike që i kërkon nevoja. Andaj ngjarja e hixhretit ishte një shkëndijë prej ku fillon rrezatimi i dritës, lirisë dhe sigurisë njerëzore. Ishte një mësim se e keqja nuk mund të luftohet me as të evitohet me oportunizëm e as në mënyrë individuale, por detyrimisht kërkon ngritjen e zërit me një organizim të sinqertë.

Për të realizuar idealin e tij të lartë islam, i Dërguari i Allahut, me të arritur në Medinë, pran se ishte i lodhur fizikisht, ai nuk pati kohë për pushim, por menjëherë filloi me realizimin e platformës së tij. Platforma e tij, me të cilën do çlirojë jo vetëm Mekën nga idhujtaria, por edhe mbarë gadishullin arabik e më vonë edhe botën njerëzore, ishte e përqendruar në tre shtylla kryesore, që ishin:

  1. Themelimi i institucioneve, si parakusht i funksionimit të shoqërisë,
  2. Vëllazërimi i besimtarëve islam mes veti, si simbol i forcës dhe unitetit,
  3. Hartimi i legjislatives, aktit normativ i cili do të jetë garanci e të gjithëve dhe frymëmarrjes dhe mundësimit të funksionimit të shtetit dhe pushtetit juridik.

Themelimi i institucioneve, si parakusht i funksionimit të shoqërisë

Pejgamberi Aljehis-selam hapin e parë për ndërtimin e institucioneve e filloi me ndërtimin e Xhamisë së parë në rruzullin tokësorë që gjendet në Kuba. Hapi i parë që e bëri Pejgamberi Aljehis-selam në ngritjen e institucioneve është argument i pa diskutueshëm se shoqëria njerëzore, e veçanërisht ajo islame, nuk mund të prosperoj dhe funksionoj pa themelimin dhe respektimin e institucioneve. Nga kjo marrim mësime se mos organizimi institucional i muslimanëve shpien drejt një mjegullie që i konvenon vetëm atij që mendon se muslimanët gjithnjë duhet të jenë kafshatë e  lehtë për ta. Andaj, një nga parimet esenciale e muslimanëve kudo që jetojnë është detyrimi i  tyre që të formojnë institucione të forta, stabile dhe të qëndrueshme. Bile ky detyrim nuk përfundon vetëm me formimin e tyre, por vazhdon edhe me respektimin dhe ruajtjen e tyre. Kur të themi respektimin e institucioneve kemi për qëllim edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e institucioneve nga individë të caktuar të cilët, keqpërdorin institucionet për interesa grupore apo klanore, sepse nuk mund t’i bësh nder dhe respekt më të madh institucionit, se sa ta mbrosh nga tiranët, keqpërdoruesit dhe ata që nuk e meritojnë.

Për në fund, nëse bëjmë një vështrim të shkurtë analitik rreth gjendjes sonë si muslimanë qoftë në rrafshin lokal apo gjithëpërfshirës, dyshoj se kemi kuptuar mirë rendësin e kësaj ngjarje, sepse ne nga dita në ditë gjithnjë e më shumë po dëshmojmë konkretisht se ne dimë të jetojmë si musliman të Mekës, çdokush të jetë musliman i mirë për veten e tij, por assesi të mësohemi të jetojmë si musliman i Medinës, pra në formë të organizuar, institucionale dhe me projekte afatgjate që do të jenë në shërbim të fesë dhe muslimanëve. Andaj shpresoj që ky vit i ri, të jetë një kthesë e vërtetë për besimtarët islam kudo që gjenden, ashtu siç ishte kthesë vendimtare për organizimin e jetës nga ajo individuale në formë të organizuar dhe institucionale me rastin e hixhretit të Pejgamberit Aljehis-selam.

 

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *