Sijeri i Imam Muhamedit dhe e drejta ndërkombëtare

Autor: Jusuf ZIMERI

Do të ishte e pa mundur që të flasësh për konceptin e jurisprudencës islame mbi të drejtën ndërkombëtare, e të mos kesh njohuri elementare për dy veprat e Imam Muhamedit[1], që janë: “Es-sijerul es-sagir”  dhe “Es-sijerul kebir”. Gjithashtu do të ishte absurditet i llojit të vet të flasësh për Fikhun Hanefij e të mos kesh njohuri rreth këtyre dy veprave, sepse edhe sot e kësaj dite këto dy vepra konsiderohen nga librat fundamentale të shkollës juridike hanefite.

Juristët islamë që u morën me shtjellimin e dispozitave që i takojnë sferës së të drejtës ndërkombëtare, theksojnë se Imam Muhamedi me këto dy vepra është nga dijetarët e parë islamë që me përkushtim të thellë trajtoi këtë lëmi, duke hedhur bazat e para të kësaj lëmie. Imam Muhamedi për dallim  nga juristët e mëvonshëm islamë nuk u mor shumë me mendimin plotik të kësaj sfere, sepse ai nuk kishte përcaktuar ndonjë teori të veçantë siç kishte bërë juristi i njohur Ibni Hazmi, apo edhe Maverdi, por ai ishte juristi i parë i cili kishte vënë themelet dhe principet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Këto themele dhe principe imam Muhamedi fillimisht i kishte përfshirë në veprën e tij të njohur me emrin “Es-sijeru es-sagir” e më pas edhe me veprën tjetër të njohur me emrin “Es-sijerul kebir” ku në kapitull të veçantë kishte shpjeguar dispozitat e paqes dhe të luftës, dispozitat e marrëveshjeve dhe kontratave ndërkombëtare, dispozitat e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, dispozitat që ndërlidhen me të drejtat e emisarëve dhe ambasadorëve dhe përfaqësive diplomatike, dispozitat që kanë të bëjnë me luftërat dhe pasojat e luftërave, etj.

Këto dy vepra të Imam Muhamedit ishin nevojë permanente e kohës së tij ngase shteti islam zgjerohej ditë e më shumë, andaj kishte nevojë që gjatë zgjerimit të shtetit të rregullohen dhe sistematizohen edhe të drejtat dhe obligimet e çdo vendi, në mënyrë që askush të mos i kalojë kompetencat e veta.

Ky libër më vonë është studiuar dhe shpjeguar nga shumë dijetarë dhe jurist eminent jo vetëm musliman por edhe jomusliman. Çdo jurist që kishte studiuar të drejtën ndërkombëtare dhe që kishte lexuar këtë vepër të Imam Muhamedit, kishte vërejtur se Imam Muhamedi me përkushtim të plotë dhe precizitet dhe me një metodologji të qartë kishte paraqitur një shkencë të tërë, që dëshmon për aftësitë e tij të një juristi që kishte thyer kufijtë kohor dhe hapësinor. Lidhje me këtë juristi Dr. Nexhib Ermenazi, në veprën e tij “E drejta ndërkombëtare në islam”thotë: Kjo vepër e Imam Muhamedit është një thesar në vete që ka përfshirë shumë dobi të mëdha, në të gjendet parimet e kësaj shkence ku janë përfshirë çështje të shumta dhe të çuditshme. Ai në këtë vepër nuk ka përfshirë vetëm mendimet e dijetarëve eminent të shkollës juridike Hanefite, porse ka paraqitur edhe mendime nga shkollat tjera duke ua paraqitur edhe argumentet e mendimeve dhe duke polemizuar me ta. Në çështjet ku dijetarët dhe juristët islamë kanë mendime të kundërta mes veti, Imam Muhamedi për tu përcaktuar për mendimin më të pranuar kishte një metodologji të veçantë, fillimisht duke studiuar dhe analizuar në detaje mendimet e dijetarëve nga Iraku, Shami dhe Hixhazi, e më pas nëse vërente se dy prej këtyre shkollave pajtoheshin në një mendim, edhe ai përcaktohej për të.

Prof. Dr. Muhamed Desuki, në studimin e tij “Imam Muhamedi b. Hasan esh-Shejbani dhe ndikimi i tij në jurisprudencën islame”, përveç tjerash thotë: Sa i përket veprës “Es-sijerul kebir” nga imam Muhamedi, ai është libër i veçantë i këtij lloji. Nuk ka përpiluar ndonjë jurist tjetër as para e as pas tij libër të ngjashëm me librin e imam Muhamedit, Kjo nuk nënkupton se imam Muhamedi ka bërë ndonjë zbulim të pa njohur, sepse edhe juristë tjerë para tij, përfshirë edhe mësuesit e tij siç ishin Imam Ebu Hanifja, Imam Ebu Jusufi apo edhe Imam Evzaiju kishin folur për këto çështje, por ajo që vjen prej tyre është shumë më e kufizuar në tematika dhe problematika që shtjellonin, andaj ato kanë ngelë vetëm si përpjekjet e para për të bërë një studim gjithëpërfshirës siç e bëri këtë Imam Muhamedi, andaj me plotë meritë meriton që të konsiderohet themelues i mendimit të së drejtës ndërkombëtare jo vetëm në botën islame por në përgjithësi.

Ky libër u shfrytëzua si fundament për rregullimin e materies nga e drejta ndërkombëtare, andaj me të drejtë është vlerësimi si libri i parë që themelon të drejtën ndërkombëtare në botë, sepse juristët tjerë nga e drejta pozitive akoma nuk kishin filluar të merren me këtë materie. Pikërisht ky ishte edhe motivi që në Gjermani në vitin 1955 të themelohet organizata për të drejtën ndërkombëtare e quajtur Shejbani, ku kryetar i parë u zgjodh juristi egjiptian Dr. Abdulhamid Bedevij.

Kjo vepër e imam Muhamedit ka arritur deri tek ne sot jo si libër i veçantë, por i bashkangjitur me shpjegime nga dijetarët tjerë si shpjegimi i imam Serahsiut. Një kopje e dorëshkrimit të kësaj vepre sot gjendet në bibliotekën në Stamboll. Kjo libër është shpjeguar nga shumë juristë islamë, porse shpjegimi më i  njohur është ai i Imam Serahsiut,  kurse ky libër i Serahsiut që shpjegon veprën e imam Muhamedit si dorëshkrim gjendet nëpër shumë biblioteka nëpër botë si psh. në Londër, Berlin,  Vjenë, Paris dhe nëpër shumë biblioteka të Turqisë.

Në vitin 1936 ky shpjegim i Imam Serahsiut botohet në Indi në Hajdarabad në pesë volume, kurse Universiteti i Kajros e botoi vitin 1985. Shpjegimi i imam Serahsiut është përkthyer edhe në gjuhë tjera, kurse Muhamed Munib El Ajentabi këtë vepër të imam Serahsiut e kishte përkthyer në gjuhën turke që në kohën e sultan Mahmud Hanit, vepër kjo e cila u botua në Stamboll në vitin 1241 h. Në dy volume.

Kjo vepër është përkthyer edhe nga organizata e Uneskos në gjuhën frënge që në vitin 1851.

Veprën e imam Muhamedit “Es-sijerul kebir” e shpjegoi edhe Muhamed Munib El Ajentabi që e titulli me emrin “Et-tejsiru ala es-sijeril kebir”, që në kopje e këtij libri gjendet edhe sot në bibliotekën Arif Hikmet në Medine.

Për në fund, mund të themi se kjo vepër e Imam Muhamedit, pra konisderohet nga kryeveprat e së drejtës ndërkombëtare ku themeloi dhe sistemoi dispozitat që kanë të bëjnë me këtë fushë.


Muhamed b Hasan b. Ferkad Eshejbani ebu Abdullah ka vdekur 189 h., me origjin nga një fshat afër Damaskut që duhet Haresta. Kishte mësuar nga shumë mësues si imam Maliku, Evzaiu dhe Thevriu kurse fikhun e kishte mësuar drejtpërsëdrejti nga imam Ebu Hanifja dhe ebu Jusufi. Gjithashtu nga ai kanë marrë mësime shumë dijetar eminent si ebu Ubejdi, Jahja b. Muini, ebu Sulejman el Xhuzxhani etj. Imam Muhamedi thotë; Kam qëndruar te imam Maliku tri vjet dhe nga ai kam dëgjuar shtatëqind hadithe. Imam Shafiu kur flet për imam Muhamedin thotë: Nuk kam parë njeri të trashë me shpirt më të hollë se imam Muhamedi, ai ishte i tëri shpirt, ta mbushte zemrën dhe syrin. Ebu Ubejdi për imam Muhamedin thonte: Nuk kam parë njeri më të ditur në librin e Allahut se imam Muhamedi. Imam Muhamedi është ndër dijetarët më meritorë për zhvillimin dhe zgjërimin e doktrinës së medhhebit hanefij.

Ajo që patjetër duhet të përmendim në këtë rast është satisfaksioni se imam Muhamedi dhe imam El Kesaiju kanë vdekur dhe janë varrosur të njëjtën ditë, e me këtë rast Halifja i myslimanëve Harun Rashidi kishte thënë: U varros fikhu duke pretenduar te imam Muhamedi, dhe gjuha arabe duke pretenduar te el Kesani.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *