Sqarim rreth hadithit për ripërtëritësin e fesë

Pyetja:
Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar, si e komentoni hadithin: “Vërtetë Allahu xh.sh. këtij Ummeti do t’i dërgojë në krye të çdo njëqind vjeçari (shekulli) nga ata që do t’ua ripërtërijë atyre fenë e tyre.”? Dhe a mund të na tregoni ndonjë emër, të kohës sonë, i cili do ta gëzonte këtë epitet?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Na ka treguar Sulejman b. Davud El Mehriju, na ka informuar Ibni Vehbi, më ka informuar Seid b. Ejubi nga Sherahil b. Zejd El Meafiriju, nga Ebu Alkame e ky nga Ebu Hurejreja, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili ka thënë: “Vërtetë Allahu xh.sh. këtij Ummeti do t’i dërgojë në krye të çdo njëqind vjeçari (shekulli) nga ata që do t’ua ripërtërijë atyre fenë e tyre.[1]

Dijetarët islamë na sqarojnë se në kornizën e kuptimit të hadithit përfshihen dijetarët e lëmive të ndryshme shkencore që me veprimtarinë e tyre janë në shërbim të fesë dhe interesit të popullit të tyre, në të gjitha poret e jetës, si në sferën fetare, politike, ekonomike, edukative, sociale etj. Me titullin ‘Ripërtërirës’ nuk mund të përfshihen dijetarët të cilët jetojnë për veten dhe interesin e tyre, pavarësisht kapacitetit intelektual dhe përgatitjes shkencore të tyre, të cilët jetojnë të ndarë dhe distancuar nga populli i tyre, porse me këtë titull përfshihen ata dijetarë që me tërë potencialin e tyre jetojnë dhe veprojnë për fenë dhe popullin e tyre, pavarësisht çmimit që duhet paguar për këtë.

Ky është shpjegim i dijtarëve rreth këtij hadithi, andaj mendoj se theksimi i disa dijetarëve me emra e mbiemra nuk do të ishte korrekte, sepse kjo nuk është praktikë e dijetarëve islamë, pastaj edhe mund të jetë pikënisje e hapjes së shumë bisedave dhe përçarjeve mes nesh. Në fund unë mendoj se ata që janë dijetarë të shekullit janë dijetarë të vërtetë, e ne jemi shumë larg prej tyre, jemi shumë ulët nga ta, e derisa ne nuk jemi në kategorinë e tyre, atëherë si mund t’i njohim cilët janë ata.

[1] Ky hadith është i regjistruar në Sunenin e Imam Ebu Davudit, në kapitullin “El Melahim – epopetë”,  pjesa e katër, faqe 109, me nr. të hadithit 4291. Hakimi e ka regjistruar në Mustedrekun e tij 4/522, Bejhekiu në veprën e tij “Ma’rifetu essuneni vel athari” 1/28/422 dhe shumë dijetarë të tjerë në veprat e tyre.

Allahu e di më së miri!

_____________
Jusuf Zimeri
Tetor, 2011
www.breziiri.com

Shkrime të ngjashme