Suneti i thënies “Amin” pas leximit të sures el Fatiha në namaz (me apo pa zë)

Transmetohet nga ebu Hurejreja All-llahu qoftë i kënaqur me te, se vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: Kur të thotë Imami “gajrilmagdubi alejhim velad-dalin”  thuani: Amin, sepse vërtetë ai që harmonizon aminin e tij me aminin e melekëve, atij i falen mëkatet  e bëra deri në këtë moment”. Regjistroi Buhariu 1/108)

Nga ky hadith i transmetuar nga ebu Hurejreja është argument i qartë se thënia Amin pas në fund të sures Fatiha nga xhemati është sunet. Ajo që kuptohet nga hadithi është se imami thënien Amin e thotë pa zë, sepse sikur thënia Amin të ishte e ligjësuar me zë për imamin, atëherë teksti i hadithit ku thotë se thuani Amin, do të duhej të ndërlidhej me Aminin e Imamim, e jo me përfundimin e ajetit “Velad-dalin”. Mirëpo, derisa thënia e aminit në hadith është kushtëzuar me thënien “Velad-dalin“ e jo me thënien Amin të imamit, atëherë s’ka dilemë se imami shprehjen Amin e citon pa zë.

Nëse thuhet: në hadithin e katërt në këtë kapitull thuhet: “kur imami të thotë Amin, edhe ju thuani Amin”, e në këtë hadithi amini i xhematit është ndërlidhur me aminin e imamit, e kjo arrihet vetëm atëherë kur imami e lexon aminin me zë dhe xhemati e dëgjon. Atëherë themi: Për këtë është përgjigjur el Haseni në komentin e tij ku thotë: Shumica e dijetarëve shprehjen në hadithitn “ kur të thotë amin– imami” e kanë interpretuar në kuptimin alegorik. Ky transferim i fjalës nga kuptimi i vërtetë në atë alegorik, bëhet pikërisht për shkak të mundësisë së harmonizimit mes këtij hadithi dhe hadithit ku thotë “kur imami të thotë velad-dalin thuani Amin. Nga kjo nënkuptohet se kur Pejgamberi a.s. ka thënë: kur imami të thotë amin” jep me kuptua se bëhet fjalë kur imami dëshiron të thotë fjalën amin, (pra kur ai të jetë i gatshëm, e i gatshëm është pas përfundimit të ajetit velad-dalin). Argument për këtë interpretim është ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: ”kur të ngriheni për në namaz, pra kur të dëshironi të ngriheni për të falur namaz, merrni abdes.

Hafidh Ibni Haxher el Askalani në veprën e tij “fet’hul Bari” thotë:  dijetarët kanë thënë, për bashkimin dhe harmonizimin mes dy haditheve detyrimisht fjalën “kur imami të thotë amin” duhet interpretuar në alegori. Imam Es-Sujuti në veprën e tij “ tenvirul havalik” thotë: shumica e dijetarëve janë të mendimit sipas fjalës së fundit, porse këtë e kanë interpretuar “kur të thotë imami amin” domethënë kur dëshiron të thotë Amin, me qëllim që të harmonizohet amini i imamit dhe i xhematit sepse një veprim i tillë është i preferuar. Thash: Nëse ky është kuptimi, pra kur të dëshiroj të thotë amin, kjo nuk jep me kuptuar se imami thotë aminin me zë. Në veprën “el xhevheru en-nekij f.1/132” përmendet ky hadith, kurse shpjeguesi i veprës “el Umdetu” nga dijetari i famshëm Ibni Dekik el Id nga medhhebi Shafij thotë: ky hadith është argument se imami duhet të thotë amin, por argumentimi me të se thënia amin duhet të bëhet me zë është më i dobët se argumentimi nga ky hadith se imami duhet ta thotë aminin pa zë.

Transmetohet nga ebu Musa el Eshariu Allahu qoftë i kënaqur me të në një hadith të gjatë ku thotë: Vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme na mbajti një ligjërate dhe na sqaroi për sunetin dhe na mësoi për namazin tonë dhe tha: “Kur të faleni, drejtoni rreshtat (safët) tuaj e pastaj njëri nga ju le të bëhet imam për ju, e kur ai të marrë tekbirin edhe ju merrne tekbirin, e kur të thotë: Gajril magdubi alejhim ve lad-dalin” thuani: Amin, Allahu ju përgjigjet juve” Regjistroi Muslimi 1/174.

722. transmetohet nga ebu Hurejreja Allahu qoftë i kënaqur me të i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “kur imami të thotë: gajril magdubi alejhim ve lad-dalin” ju thoni: Amin, sepse vërtetë melekët e thuan fjalën Amin, edhe imami thotë Amin, andaj kush e harmonizon thënien amin me aminin e melekëve, Allahu do ti falë mëkatet e bëra deri në atë moment” regjistroi Zahmedi, Nisaiju Daremiju dhe senedi i këtij hadithi është sahih. Atharu es-suneni 1/191, Poashtu e transmeton edhe Ibni Hibani në sahihin e tij. Zejleiju 1/194.

Në këtë hadith nënkuptohet se imami thënien Amin e thotë pa zë, sepse po ta thoshta me zë, atëherë informata që vjen nga hadithi ku thotë: vërtetë imami e thotë fjalën amin” do të ishte e pa nevojshme. Pastaj kur imami të thotë : Gjril magdubi alejhim ve lad-dalin” kjo pjesë e tekstit është argument se xhemati pas imamit nuk e lexon suren el fatiha, ngase po ta lexonte, do të ishte e logjikshme të thuhet “ kur ndonjëri nga ju thotë: gajril magdubi alejhim ve lad-dalin”  le të thotë Amin. Imam Hafidh ibni haxheri në veprën e tij “Fet’hul bari” 2/22 sqaron se ky hadith është argument se xhemati nuk e lexon suren el Fatiha pas imamit, atëherë kur imami e lexon suren el Fatiha, e jo që nuk e lexon në esencë.

723.Transmeteohet nga ebu Hurejreja se vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: Kur imami të thotë Amin, edhe ju thuani Amin, sepse vërtetë ai që harmonizon aminin e tij me aminin e melekëve, atij i falen mëkatet e bëra deri në atë moment”. Regjistroi Buhariu 1/108/ Ibni Shihabi ka thënë: I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme thoshte: “Amin”.  Ky hadith është Mursel.

Në këtë hadith të transmetuar nga Ebu Hurejreja nënkuptojmë se nga imperativi :Thuani amin” përfitojmë dispozitën e mendubit, te shumica e dijetarëve islamë, e këtë e sqaron Ibni haxheri në “Fet’hin” e tij f.2/219, kur thotë se thënia e kësaj fjale si sunet vërtetohet me vazhdueshmërinë e thënies dhe përkujdeset që i është përkushtuar kësaj çështje. Këtë e vërteton transmetimi i ibni Shihabit për vazhdueshmërinë e thënies së kësaj shprehje.

724. Transmetohet nga Ibrahimi (Tabiij i respektuar)  i cili ka thënë: Pesë gjëra i fshehë imami, leximin e subhanes, leximin e Eudhu bilahit, leximin e bismil-lahit, Aminin dhe thënien Rabena lekel hamdu (kur ngritët nga rukui). Transmeton Abdurrezaku në Musanifin e tij me sened sahih: Atharu es-suneni 1/99. Të njëjtin transmetim e bënë edhe imam Muhamed b. el Hasan Eshejbani në veprën e tij “el Atharu” dhe e transmeton nga Ebu Hanife, ky nga Hamadi, ky nga Ibrahimi i cili ka thënë: Katër gjëra i fshehë imami, por nuk e përmend thënien ”Rab-bena lekel hamdu” Xhami mesanid el Imam 1/322, njerëzit e këtij transmetimi janë të besuar.

Edhe pse ky tekst është fjalë e Tabiijut dhe nuk konsiderohet argument te shumica e dijetarëve, tek ne thënia e tabiijut konsiderohet argument nëse fjala e tij nuk kundërshtohet me hadith merfu që është lidhur te Pejgamberi a.s. normalishts snsëse kjo thënie e tabiijut dhe fetvaja e tij bëhet në kohën e sahabëve. Pra Ibrahim en-Nah’iju Allahu e mëshiroftë ka lindur në kohën kur kanë jetuar sahabët dhe gjithashtu ka vdekur në kohën kur kanë jetuar sahabët. Imam Edhehebiju në veprën “tedhkiretul hufadh” thotë: Ibrahim Nah’iju ka vdekur në fund të vitit 95 hixhrije. Kurse ebu Neimi në Hasshijen e tij thotë: Ibrahim Nah’iju ka vdekur vitin 96 hixhrije, kurse Amr b. Alij thotë, ka vdekur ka lindur vitin pesëdhjetë, por thuhet edhe vitin 47 hixhrije.

Transmetohet nga el Hasani, ky nga Semure b. Xhundubi se ai kur ua falte namazin atyre, heshte në dy vende, kur e fillonte namazin, dhe kur thoshte “Velad-dalin” Këtë e kundërshtuan të pranishmit, e ai i shkroi Ubeje b. Ka’bit për këtë problematikë, e Ubeje i shkroi atyre si përgjigje duke u thënë: Çështja është ashtu si ka vepruar Semurete. Transmeton Zahmedi ed-Darekutni me sened sahih (Atharu es-suneni 1/96).

Transmetohet nga ebu Vaili i cili thotë: Aliju r.a. dhe Abdullahi nuk e lexonin me zë bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, e as eudhubil-lahimineshejtanirraxhim e as thënien Amin. Regjistroi Et-Taberaniju. Mexhmeu ez-zevaid 1/185.

Na ka treguar ebu Kurejbi, na ka treguar ebu Bekr b. Ajashi nga ebu Seidi (ebu Seid el Bekali), ky nga ebu Vaili i cili ka thënë: Omeri r.a. e as Aliju r.a. nuk e lexonin me zë bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim e as aminin. Transmeton ibni Xherir Et-Taberiju në veprën e tij “tehdhibul athar”- el xhevheru en-nekij 1/130

Transmeton Alkame b. Vaili nga babai i tij se vërtetë ai ishte falur me të Dërguarin e Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e kur e përfundonte “gajril magdubi alejhim ve lad-dalin” thoshte Amin dhe e ulte zërin e tij. Regjistroi Zahmedi, ebu Davud Et-Tajalisiju dhe ebu Ja’la el Musilij në musnedet e tyre, Ed-Darekutni në sunenin e tij, Hakimi në Mustedrekun e tij.

(shkëputë nga vepra: I’lau es-suneni- p.2 Autor: Et-Tehaneviju, Tahkik nga Muhamed Tekij Othman.

Nga arabishtja: Jusuf Zimeri

Shkrime të ngjashme