Shkruan: Jusuf ZIMERI

Kohëve të fundit edhe në vendin tonë prej fjalëve më të dëgjuara është edhe nocioni “terrorizmi islam, terroristët islamik”.  Si duket është bërë trend ose virus i shndërruar në epidemi përdorimi i termit “terrorizëm islamik”. Këtë po e dëgjojmë nga gazetarët, analistët, e deri te njerëzit e thjeshtë, por të gjithë këtyre u paraprijnë politikanët dhe institucionet shtetërore. Mendoj se kjo nuk është e rastësi, por është mirë e elaboruar nëpër kuzhina të ndryshme.

Doemos duhet potencuar faktin se termi “terrorizëm islamik” përveç se është pjellë jashtë kurore, ky term është edhe tendencioz që nuk përkon aspak me realitetin, e veçanërisht kur ky term përdoret vend e pa vend, vetëm e vetëm për të mbjellë frikë dhe panik në shoqërinë njerëzore. Qëllimi i nxjerrjes në skenë kinse të rrezikut nga “terrorizmi islamik” tanimë është bërë kartë e lexuar edhe për analfabetët, sepse sa herë që pushtetarët të bëjnë krime dhe skandale ekonomike e politike, për të mbuluar skandalet e tyre, ngritën në këmbë dhe drejtojnë gishtin drejt “terrorizmit islamik” si rrezik potencial i përhershëm për shoqërinë njerëzore. Në fund të fundit edhe kjo formë e mbjelljes së frikës dhe pa sigurisë te qytetarët nuk është asgjë tjetër përveç se terrorizëm.

Se nocioni “terrorizëm islamik”  nuk ka kurrfarë shije sepse është pjellë e një steriliteti nuk duhet hulumtuar shumë, sepse mes këtyre dy shprehjeve “terrorizëmislamik”  nuk ekziston kurrfarë lidhje, as në aspektin linguistik, as atë terminologjik e as atë juridik e social e as në atë racional.

Derisa nocioni “terrorizëm” është fjalë latine “terror” që donë të thotë, frikë, tmerr, dhunë e egër, shtypje e pamëshirshme, tirani etj, kurse personi apo grupi i cili i kryen këto veprime quhet terrorist. Në anën tjetër, nocioni “islamik” rrjedh nga gjuha arabe islam, që donë të thotë, paqë, përulje, nënshtrim, devotshmëri etj.  Tani kur kemi të qartë kuptimet e dy nocioneve, si mund të bëjmë lidhshmërinë e kuptimit mes tyre kur shprehemi terrorizëm islamik, që në përkthim të thjeshtë do të thoshte frikë paqeje, frikë përuljeje etj. Kjo jo që nuk ka shije gjuhësore e kuptimore, por nuk ka as racionalitet.

Tendenca e përdorimit të nocionin terrorizmi islamik, pra që terrorizmi ti atribuohet islamit e jo individit fshihet në faktin se me këtë titull bombastik është për qëllim që Islami të përkufizohet si sistem i cili prodhon terrorizëm dhe terrorist, pasiguri, tmerr, dhunë dhe frikë te njerëzit. Tendenca është që në kokat e njerëzve të kultivohet bindja dhe paragjykimi se kur të përmendet emri islam, i riu menjëherë të paramendoj islamin si një djalë të ri, të fuqishëm i cili në dorën e tij mbanë një armë dhe vret të gjithë ata që i takon rrugës. Kështu do të ndodhte sikur islami të funksiononte si sistem, andaj do të ishin të arritura të konsiderueshme për definuesit e këtij nocionin sikur nga islami të përjashtonin pjesën e funksionimit si sistem shoqërorë dhe në këtë formë islami të vetëmbyllet në vetveten e tij dhe të ngelë vetëm si çështje individuale që mund të kultivohet brenda mureve të shtëpisë së mbyllur. Kjo ide përkon me deklaratat e shumë funksionarëve të lartë politik në vende të ndryshme, kinse bota e civilizuar e shekullit XXI  nuk ka probleme nga islami si adhurim, por ka problem nga islami si sistem. Kjo në gjuhën e thjeshtë do të thotë se, islami duhet të jetë si një plakë e moshuar, e rraskapitur, e pa forcë, pa drejtpeshim e cila ecën rrugës si lypsare për mbijetesë në bazë të lëmoshës. Rezultati të dy përshkrimeve është i barabartë me faktin se edhe njëri edhe tjetri do të jenë të pa preferuar, pa pëlqyer, të dëmshëm nga shoqëria njerëzore, dhe si i tillë duhet luftuar të dy dukuritë.

Për përkufizimin e terrorizmit, struktura të ndryshme kanë bërë përpjekje të definojnë këtë dukuri, andaj edhe gjejmë shumë definicione, por ajo që është më e rëndësishmja është fakti se akoma nuk po gjendet ndonjë definicion i cili qartë definon çështjen e terrorizmit. Ndodhë kështu ngase definimi nuk kishte qëllim zgjidhjen e problemit, por arritjen e interesit varësisht nga struktura, vendi, sistemi, prej ku definohet terrorizmi si veprim jo njerëzor. Mendoj se pikërisht këtu fshehet fakti se një veprim në një vend quhet terrorizëm, kurse i njëjti veprim në vendin tjetër nga njerëz tjerë quhet patriotizëm. Vetëm si shembull, e të tillë ke me qindra, një palestinez në vendin e  tij ku për të mbrojtur pragun e shtëpisë së tij gjuan me gurë quhet terrorist, kurse një pushtet sionist që pa rresht bombardon vendbanime palestineze me raketa të ndaluara sipas të gjitha konventave quhet paqësor. Ose për të mos shkuar më larg, një serb në Mitrovicë që nuk njeh asnjë institucion të shtetit ku jeton, quhet patriot, kurse një shqiptar në luginën e Preshevës i cili njeh institucionet shtetërore të shtetit ku jeton, por vetëm se kërkon të drejtat elementare të tij vuan dënime për terrorizëm!

Të mos largohemi shumë nga tema, terrorizmi është akt i shëmtuar i cili nuk mund të kufizohet në kohë, hapësirë, vend, nacionalitet, e as fe. Nga kjo del në shesh se terrorizmi nuk mund ti atribuohet një vendi, një territori, një popullit, një kombit e aq më pak një feje. Terrorizmi nuk njeh ngjyra nacionale, territoriale e as fetare. Është irracionale që një komb, apo një fe të identifikohet me terrorizëm, vetëm nëse tentohet të zhvillohet një lojë politike për interesa mediokre. Nuk ka terrorizëm shqiptar, terrorizëm arab, terrorizëm amerikan, terrorizëm gjerman, terrorizëm islamik, terrorizëm krishterë, etj etj. A thua vallë, si do ta emërtonim një grup terroristësh i përbërë prej një arapi, një amerikani, një shqiptari, një induzi etj që në mesin e tyre ka krishterë, mysliman, budist etj. Ka raste kur një akt terrorist kanë bashkëpunuar disa nacionalitete dhe fe të ndryshme, andaj si do të quheshin këta?. Pra, mund të ketë terrorist shqiptar, terrorist mysliman, terrorist krishterë, terrorist amerikan, gjerman, por asnjëri nga këto nuk ka autorizim të përfaqësoj etnitetin apo fenë e tij, që ne më pas të themi terrorizëm islamik apo terrorizëm shqiptar, apo terrorizëm amerikan etj.. Dallimi mes këtyre dy terminëve është shumë i qartë dhe shumë i pastër, e nuk i ngatërron askush tjetër, përveç atij që dëshiron të terrorizojë popullatën.

Askush pavarësisht nga identiteti i tij fetar dhe kombëtar nuk mund të kontestoj faktin se çdo terrorizëm është i dëmshëm dhe i rrezikshëm, por gjithashtu nuk mund të mohohet fakti se terrorizmi institucional është ai më i rrezikshmi nga të gjithë. Nëse me vëmendje hulumtojmë në shkaqet e terrorit s’ka dilemë se përveç faktit se terrorizmi është veti e njerëzve të zhveshur nga njerëzorja e tyre, shpeshherë terrorizmi ka lindur si rezultat apo si reaksion i terrorizmit institucional që kanë kryer elitat e ndryshme politike një kohë apo vend. Këtë e ka dëshmuar historia njerëzore dhe kjo donë një qasje dhe punë më serioze me mençurinë më të madhe, se sa puna që po bëjnë institucionet tona për të luftuar terrorizmin, sepse mençuria është të luftohen dukurit negative me mjete adekuate e jo thjesht, për interesa shumë të vogla të identifikohet i tërë një popull me terrorizëm, vetëm e vetëm për të arritur poena politik.

Shkrime të ngjashme