Thyerja e besës së dhënë All-llahut xh.sh.

Mr. Taxhedin BISLIMI

Nga cilësitë shumë evidente dhe të dukshme të hipokritëve është shkelja e fjalës apo besës së dhënë për ndonjë send. Tradhtia gjithnjë flenë në shpirtin dhe zemrën e tyre, e këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë: “Shenjat e munafikut –hipokritit janë tri: kur flet gënjen,  kur premton nuk e mban premtimin dhe kur i besohet diçka, tradhton”[1]

Kjo cilësi e tyre në mënyrë shumë konkrete dhe të qartë vërtetohet edhe me ajetet kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:

وَمِنْهُم مَّنْ عَاهَدَ اللَّهَ لَئِنْ آتَانَا مِن فَضْلِهِ لَنَصَّدَّقَنَّ وَلَنَكُونَنَّ مِنَ الصَّالِحِينَ فَلَمَّا آتَاهُم مِّن فَضْلِهِ بَخِلُواْ بِهِ وَتَوَلَّوْا وَّهُم مُّعْرِضُونَ فَأَعْقَبَهُمْ نِفَاقًا فِي قُلُوبِهِمْ إِلَى يَوْمِ يَلْقَوْنَهُ بِمَا أَخْلَفُواْ اللَّهَ مَا وَعَدُوهُ وَبِمَا كَانُواْ يَكْذِبُونَ

E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën All-llahut që: “Nëse na jep (All-llahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve”. Kur u dha (All-llahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zmbrapsën nga respekti ndaj All-llahut. Dhe për shkak se e thyen besën që i patën dhënë All-llahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, All-llahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë.[2]

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti siç transmeton Taberaniu, Ibni Merdeviju, Ibni ebu Hatimi dhe Bejhekiju nga Ebu Umamete[3] se Tha’lebe b. Ebu Hatibi, në një rast kishte ardhur te i Dërguari i All-llahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). dhe i kishte thënë: O i Dërguari i All-llahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) lutju All-llahut xh.sh. që të më furnizojë me pasuri të shumtë. Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: “I gjori ti o Tha’lebe, pasuria e pakët për të cilën je falënderues është më e mirë se sa pasuria e shumtë që nuk mund ta bartësh (t’ia japish hakun)” Tha’lebeja tha: Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nëse  All-llahu xh.sh. më furnizon me shumë pasuri, do t’i kryej obligimet e pasurisë, pra do t’ia japë hakun çdo kujt që i takon. Kështu që Tha’lebeja nuk largohej por i lutej Pejgamberit a.s. që ai t’i lutej All-llahut xh.sh. që ta furnizojë me shumë mall. Në fund Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme bëri lutje për të te All-llahu xh.sh.  Tha’lebeja u furnizua me bagëti, kurse bagëtia e tij shtohesh aq shumë si krimbat. Pas shtimit të bagëtisë normalisht se Tha’lebeja nuk mundi më të qëndrojë në qytet, ngase ishte i lidhur ngushtë për bagëtinë e tij, andaj u detyrua të vendoset në një luginë prej luginave të Medinës. Normalisht se pas largimit nga Medineja dhe dalja e tij në luginë me bagëtinë e tij, i vështirësoi faljen e namazit me xhematë, saqë arrinte të falë vetëm namazin e drekës dhe iqindisë me xhematë. Pastaj meqë pasuria sa vinte e i shtohej, edhe angazhimet e tija aq më shumë shtoheshin, saqë erdhi momenti që Tha’lebeja të braktisë jo vetëm faljen e namazit me xhematë por edhe namazin e xhumasë. Në ndërkohë Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). i kishte zbritur ajeti kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِم بِهَا وَصَلِّ عَلَيْهِمْ إِنَّ صَلاتَكَ سَكَنٌ لَّهُمْ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon e sheh”[4]

Pas zbritjes së këtij ajeti kur’anor ku Pejgamberi a.s. në mënyrë të drejtpërdrejtë urdhërohet për tubimin e zeqatit, për implementimin praktik të këtij ajeti, Pejgamberi a.s. kishte dërguar dy njerëz te Tha’lebja për të marrë zeqatin e bagëtisë, e atyre dyve u kishte dhënë një shkresë që t’ia lexojnë Tha’lebes. Kur të dërguarit e Resulull-llahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) u takuan me Tha’leben dhe ia lexuan shkresën, ai iu tha: Shkoni te njerëzit tjerë tubonie zekatin, e kur të liroheni prej tyre, kaloni nga unë. Kur ata u kthyen më vonë, Tha’lebja u tha: Kjo që po e kërkoni nuk është tjetër vetëm se ngjashsëm me xhizjen-tatimin! Dhe nuk u dha zeqatin. Në përgjigje të kësaj koprracie të Tha’lebes zbriti ajeti i lartëpërmendur.

Më vonë kur Tha’lebja kishte dëgjuar se për të ka zbritur Kur’an, ai erdhi te Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) dhe e solli zeqatin e pasurisë së tij, porse Pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). i hidhëruar nga veprimi i tij refuzoi dhe nuk pranoi zeqatin e tij derisa ai ishte gjallë. Pas vdekjes së Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) edhe në kohën e Ebu bekrit, Tha’lebeja kishte sjellë zeqatin te Ebu Bekri, por edhe ai nuk e pranoi zeqatin e tij. Ngjajshsëm veproi edhe në kohën e Omerit dhe të Othmanit r.a.. por asnjëri prej tyre nuk e pranoi zeqatin e Thalebes, i cili vdiq gjatë kohës së sundimit të Othmanit r.a.[5]

Ky tregim i Tha’lebes është regjistruar nëpër shumë tefsire, mirëpo disa  mufessir (komentatorë të Kur’anit) e mohojnë realitetin e këtij tregimi duke thënë: ky tregim është i pavërtetë dhe s’ka mbështetje, sepse Tha’lebja është një sahabij i cili ka marrë pjesë në luftën e Bedrit, andaj s’ka mundësi që kjo të ketë ndodhë me të[6]. Mirëpo, mufessiri i njohur Imam El Alusi thotë: Ky ajet ka zbritur për rastin e THa’lebe b. Hatibit i cili quhet Ibni Ebu Hatib nga fisi Beni Umejje b. Zejdi, e nuk është ai Hatibi i cili ka marrë pjesë në luftën e Bedrit, sepse ai ka rënë dëshmorë në luftën e Uhudit[7].

(Shkëputë nga libri “Atributet e hipokritëve në suren Et-teuvbe”)


[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Suretu Et-Teuvbe : 75-76-77.

[3] Dr. Vehbe Zuhejli, Tefsirul Munir fil akideti vesheriati vel menhexh, 10/318., Darul fikr, Damask

[4] Suretu Et-Teuvbe : 103

[5] Ibni Kethiri, Tefsirul kur’anil adhim 2/374.

[6] Dr. Vehbe Zuhejli, Tefsirul munir, 10 /319, Darul fikri, Damask.

[7] El Alusi Shihabudin Mahmud, Ruhul Meani,10/78 daru ihjai turathil arabij, Bejrut.

Shkrime të ngjashme