Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Varrosja, leximi i Kur’anit te varri dhe talkini

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Pasi të bëhet falja e namazit të xhenazes, atëherë bëhet edhe varrimi i të vdekurit. I vdekuri lëshohet në varrin tij nga ana e djathtë e të vdekurit, pra nga ana e kibles, duke e ngritur pak në anën e djathtë me qëllim që fytyra e tij të jetë e drejtuar në drejtim të kibles. Xhemati i cili e përcjell xhenazen[1] nuk është mirë të ulen derisa xhenazja të lëshohet në tokë, ngase Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

إِذَا رَأَيْتُمْ الْجَنَازَةَ فَقُومُوا فَمَنْ تَبِعَهَا فَلَا يَقْعُدْ حَتَّى تُوضَعَ

 ”Kur t’i shihni xhenazet, ngrihuni për ta, e kush e përcjell xhenazen mos të ulet derisa të lëshohet në tokë”[2]

Imam Taberani[3] në veprën e tij “El Mu’xhemeul Kebir” regji-stron hadithin me transmetim nga Abdullah b. Omeri Radiall-llahu anhu i cili ka thënë: E kam dëgjuar Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme duke thënë: “Kur të vdesë ndonjëri nga ju, mos e vononi por shpejtoni atë për te varri i tij, pasi të varroset te koka e tij le të këndohet sureja El Fatiha, kurse te këmbët e tij ajetet e fundit të sures El Bekare[4] Imam Hafidh Ibni Haxher El Askalani në veprën e tij “Sherh Sahihul Buhari” ka thënë: Imam Taberani këtë hadith e ka transmetuar me sened Hasen (të mirë). Kështu e kanë kuptuar edhe sahabët e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, pra e kanë lejuar leximin e Kur’anit për të vdekurit te varri i tyre. Kjo vërtetohet nga Sahabiu i ndershëm Abdullah b. Omer El Hatabi Radiall-llahu anhu se ai kishte lexuar te varri fillimin dhe përfundimin e sures El Bekare. Këtë ngjarje e ka transmetuar Imam Bejhekiu, dhe e ka vlerësuar Imam Neveviju në veprën e tij El Edhkaru.

Në bazë të këtyre argumenteve që i përmendëm, dijetarët e shkollave juridike hanefite, shafiite dhe hanbelite, formojnë konkluzën e tyre se leximi i sures Jasin në agoninë e vdekjes së një besimtari është mendub, dhe atë duke u mbështetur në hadithin ku Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë: të vdekurve tuaj, këndojani suren Jasin”[5]. Gjithashtu juristët e këtyre shkollave juridike[6] janë të mendimit se leximi i Kur’anit te varri i të vdekurit është veprim i lejuar dhe i preferuar (mustehab). Ky mendim mbështetet në shumë transmetime, por veçanërisht në transmetimin nga Enesi Radiall-llahu anhu e ky nga Pejgamberi Alejhis-selam ku ka thënë: “Kush hynë në varreza dhe e lexon suren Jasin, All-llahu Xhel-le Xhelaluhu ua lehtëson atyre atë ditë, kurse atij i regjistrohen mirësia sa numri i shkronjave të kësaj sureje”. Këtë e përforcon edhe testamenti i Ibni Omerit Radiall-llahu anhu kur kishte thënë që kur të varroset t’i këndohet te varri i tij sureja El Fatiha, fillimi i sures El Bekare dhe fundi i sures El Bekare.[7]

Në veprën “Hashjeta el Kaljubij dhe Umejrij” thuhet: Transmeto-het nga selefi i ndershëm se ai i cili e lexon suren Ihlas (kul huvall-llahu ehad) njëmbëdhjetë herë dhe sevapet e fituara nga ai lexim ia dhuron të vdekurve, atij i falen mëkate sa numri i të varrosurve në ato varreza.[8]

Imam El Karrafi[9] thotë: leximin e Kur’anit mbi varr e ka shtjelluar Ibni Rushdi në veprën e tij “El Exhvibetu” dhe Ibnul Arabij, në veprën e tij “Ahkamul Kur’an, pastaj Kurtubiu në veprën e tij “Et-tedhkiretu”, ku kanë thënë: I vdekuri ka dobi nga leximi i Kur’anit që i lexohet te varri ose në shtëpi ose në një vend tjetër nëse sevapet e atij leximi i dhurohen të vdekurit.[10]

Muhadithi, gjuhëtari dhe juristi i njohur islam Muhammed Murteda Ez-Zubejdi,[11] në veprën e tij “Sherh Ihja ulumud-din” nga Imam Gazaliu citon: Imam Sujuti në veprën Sherhu es-sudur thotë: Leximi i Kur’anit mbi varr, është veprim i ligjësuar nga dijetarët tanë.

Dijetari i famshëm Muhammed b. Isa El Askalani El Kennani i cili ka vdekur vitin 318 H, e ky është edhe njëri nga mësuesit e Ibni Haxher El Askalanit, në një rast ishte pyetur: A arrin sevapi i leximit të Kur’anit deri te i vdekuri? Në këtë pyetje El Askalani ishte përgjigjur përmes një libri që e kishte titulluar: El kallu bil ihsani-l-amimi fi intifai-l-mejiti bil kiraeti-l-adhimi” dhe në të kishte thënë: Shumica e dijetarëve thonë se, të vdekurit i arrin sevapi nga leximi i Kur’anit. Kështu ka thënë edhe Imam Ahmedi, pasi që kishte thënë se leximi i Kur’anit mbi varr është bidat. Pra transmetohet nga ai se ai ka thënë se të vdekurit i arrin sevapi i çdo gjëje nga sadekatë e ndryshme, nga namazi, haxhi, agjërimi, i’tikafi, leximi i Kur’anit, dhikri etj. Gjithashtu transmetohet edhe nga Imam Shafiu se ka thënë se i vdekuri ka dobi nga leximi i Kur’anit te varri i tij. Shihabudin Ibni Ukajli transmeton se imam Shafiu kishte vizituar imam Lejth b. Sa’din te varri i tij, kishte lexuar një hatme të Kur’anit dhje kishte thënë: Shpresoj që kjo të zgjasë.

Disa nga dijetarët eminent islamë si argument për lejimin e leximit të Kur’anit te varri i të vdekurit, dhe dobia nga ky lexim për të vdekurin e argumentojnë edhe me hadithin e transmetuar nga Abdullah b. Abasi Radiall-llahu anhu i cili ka thënë: Një ditë i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kaloi pranë dy varrezave dhe tha: ”Pronarët e këtyre dy varrezave po ndëshkohen, këtu nuk po ndëshkohen për ndonjë mëkat të madh. Njëri prej tyre po ndëshkohet sepse nuk ruhej nga urina, kurse tjetri barte fjalë të huaja”. Atëherë Pejgamberi Alejhis-selam e mori një filiz të njomë të një druri, e ndau në dy pjesë, dhe njërën pjesë e vendoi mbi varrin e njërit dhe tjetrën pjesë mbi varrin e tjetrit. Të pranishmit u mahnitën nga ky veprim dhe e pyetën: O i Dërguari i All-llahut pse e bëre këtë: Pejgamberi Alejhis-selam tha: “ndoshta do t’u lehtësohet ndëshkimi derisa të thahet ky filiz.[12]

Dijetari i famshëm Hafidh Ebu Abdullah El Xhurxhani në veprën e tij “El Ebatilul menakir” thotë: Ky hadith është argument se vënduarja e një peme mbi varr është veprim i preferuar (mustehab). Kurse Imam Neveviju në veprën e tij “Sherhul Muslimi” thotë: Duke u bazuar në këtë hadith, dijetarët kanë rezultuar me dispozitën se leximi i Kur’anit te varri është veprim i preferuar (mustehab). Argumentimi bëhet me faktin sepse nëse shpresohet lehtësim në varr me vendosjen e një filizi të njomë mbi të, atëherë lehtësimi me leximin e Kur’anit është më me prioritet.

Transmetohet nga Ali b. Musa el Hadadi i cili ka thënë: Një herë isha me Imam Ahmed b. Hanbelin Radiall-llahu anhu në përcjellje të një kufome. Me ne ishte edhe Muhammed b. Kudame El Xhevherij dhe Ebu Xhafer El Bagdadi. Pasi u varros xhenazja, erdhi një njeri dhe filloi të lexojë Kur’an te varri i tij. Imam Ahmedi i tha: O ti, leximi i Kur’anit te varri është bid’at. Pasi u larguam nga varrezat Muhammed b. Kudame i tha imam Ahmedit: O Imam, çka mendon për Mubeshir b. Ismail El Halebij Ebu Ismail El Kelbij (që ka vdekur vitin 200H në Halep)? Ahmedi tha. Ai është i besueshëm dhe i fuqishëm. A ke regjistruar diçka nga ai, e pyeti imam Ahmedi. Muhammed b. Kudame iu përgjigj: Po, dhe vazhdoi: më ka informuar Mubeshir b. Ismail nga Abdurra-hman b. El Alai b. El Xhulaxhij Esh-shamij. Ebu El Hasan b. Ismail el Xhulaxhi, babai i El Ala el Gatafanit kurse Xhulaxhi prindi i Halid Amiriut, se ai kishte lënë testament, se kur të varroset te koka e tij t’i lexohet sureja Fatiha, fillimi i sures el Bekare dhe fundi i sures el Bekare. Dhe tha. E kam dëgjuar birin e xhaxhait tim Radiall-llahu anhu duke lënë testament këtë gjë. Atëherë Ahmedi tha: Kthehu te ai njeri dhe thuaj atij le të lexojë Kur’an te varri i tij.[13]

Kurse Imam Taberaniu të njëjtin tregim e tregon por me transmetim nga Abdurrahman b. El Alai b. El Xhulaxhi i cili ka thënë: Më ka thënë mua babai im. O biri im, kur të më lëshosh në varr, thuaj: Bismil-lahi ve fi sebilil-lahi ve ala mil-leti resulil-lahi, pastaj më mbulo me dhe, e pastaj te koka ime lexoma suren El Fatiha, fillimin e sures el Bekare dhe fundin e sures El Bekare, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme duke thënë këtë.

Imam Ahmed b. Muhammed El Merveziu ka thënë: E kam dëgjuar Ahmed b. Hanbelin Rahimehull-llah duke thënë: Kur të hyni në varreza lexoni suren El Fatiha pastaj dy kuleudhat (kul eudhu birabil felek dhe kul eudhu birabin-nas), pastaj suren Ihlas (kul huall-llahu ehad), dhe sevapet e leximit të këtyre sureve dhuroni banorëve të varrezave sepse ato sevape iu arrijnë atyre.

Në enciklopedinë e Fikhut, imam Tahtaviu ka thënë: Kur të përfu-ndoni me varrimin është mustehab të uleni pak te varri aq kohë sa therret një deve dhe shpërndahet mishi i saj.

Në bazë të kësaj që u tha deri më tani dhe shumë argumenteve tjera të patheksuara për lejimin e leximit të Kur’anit për të vdekurin konstatohet se ky veprim është i preferuar, pra mustehab, për shkak të shumë argumenteve. Mirëpo disa të cilët mendojnë se leximi i Kur’anit pët të vdekurin është bid’at dhe i paligjësuar është mendim i cili nuk mban dhe është në kundërshtim me argumentet dhe parimet e përgjithshme islame. Vlerësimet se të gjitha këto argumente nga hadithet e Pejgamberit Alejhis-selam janë të dobëta, andaj nuk mund të merren si argumente, është vlerësim tendencioz dhe jo i saktë, e veçanërisht kur ekzistojnë shumë hadithe që flasin për një lëmi, edhe pse janë të dobët, ato përforcojnë njëri tjetrin. Vlerësimi se këto hadithe janë hadithe të dobëta është motiv që i nxiti disa të pretendo-jnë se nuk mund të jetë argument për lejimin e leximit të Kur’anit për të vdekurin. Mirëpo, këtë pretendim kategorikisht e hedh poshtë Imam Neveviju në parathënien e veprës së tij “El Erbeine EnNevevije” me faktin se ekziston konsensus mes dijetarëve të mirëfilltë islam se lejohet veprimi me hadithin e dobët në punët e mira. Me këtë nënku-ptojmë se hadithi i dobët nuk mund të përdoret për argument në çështjet thelbësore islame, siç janë çështjet e besimit.

Sa i përket leximit të telkinit, vlen të theksohet se dijetarët e katër medhhebeve janë unik në faktin se leximi i telkinit mbi varrin e të vdekurit mysliman fetarisht është veprim i lejuar.[14] Ligjshmërinë e telkinit dijetarët e mbështetën në argumentet si vijojnë.[15]

Në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i cili ka thënë:

لَقِّنُوا مَوْتَاكُمْ لا إِلَهَ إِلا اللَّهُ

Përkujtoni të vdekurve tuaj (në agoninë e vdekjes) dëshminë Lailahe il-lall-llah”[16]

Në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i cili ka thënë: “Kur të vdesë ndonjëri nga vëllezërit tuaj, pasi që t’ia rrafshoni varrin (dheun) le të ngrihet ndonjëri nga ju afër kryes të varrit dhe le t’i thotë: O filan i biri i filanes, sepse vërtetë ai dëgjon por nuk mund të përgjigjet, pastaj le të thotë; O filan i biri i filanes, vërtetë ai drejtohet ulur. Në këtë rast një njeri i thotë: O i dërguari i All-llahut, nëse nuk i dihet emri nënës së tij si ta thërrasim? I dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha: Le ta thërret në emrin e nënës së tij Hava (gruaja e parë, nëna e njerëzisë).[17]

Nga ky hadith gjithashtu nënkuptohet se telkini lexohet në emër të nënës e jo në emër të babës.

Këtë e vërteton edhe veprimi praktik i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në luftën e Bedrit, pasi që kufomat e mushrikëve të vdekur i kishte hedhur në një gropë- bunar pa ujë, iu drejtua atyre duke i thirrur: O Ebu Xhehl, etj,. Në këtë rast Omeri Radiall-llahu anhu i tha: O i Dërguari i All-llahut! A u flet trupave të pa shpirt? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme iu përgjigj: Ti nuk dëgjon më mirë se këta, por këta nuk mund të përgjigjen”.

Pas këtyre argumente që ligjësojnë leximin e telkinit mbi varrin e të vdekurit, në vazhdim paraqesim edhe tekstin e telkinit.

أَعوذُ بِاللهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيم بِسْمِ اللهِ الرحْمَنِ الرَّحِيم

ياَ عَبْدَ الله (emri i të vdekurit) ابْنِ أَمَةِ اللهِ(emri i nënës së të vdekurit) اُذْكُرْ (أذْكُرِي) عَهْدَ الَّذي خَرَجْتَ (خَرَجْتِ) عَلَيْهِ مِنْ دَارِ الدَُّنْيَا شَهَادَةً أَنْ لاَإِلَهَ إِلاَّ الله وَ أَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللهِ وَ أَنَّ الْجَنَّةَ حَقٌ وَ أَنَّ النَّارَ حَقٌّ وَ أَنَّ الْبَعْثَ حَقٌّ وَ أَنَّ السَّاعَةَ آتِيَةٌ لاَ رَيْبَ فِيهَا وَ أَنَّ اللهَ يَبْعَثُ مَنْ فِي القُبُورِ وَ أَنَّكَ رَضِيتَ بِاللهِ رَبًّا وَ بِالإِسْلاَمِ دِينًا وَ بِمُحَمَّدٍ (صلعم) نَبِيًّا وَ بِالقُرْآنِ إِمَامًا وَ بِالكَعْبَةِ قِبْلَةً وَ باِلمُؤْمِنِينَ إِخْوَانًا. فَإِذَا جَاءَكَ (جَاءَكِ) المَلَكَانِ المُقَرَّبَانِ الْبَشِيرَانِ النَّذِيرَانِ مِنْ قِبَلِ الرَّحْمَنِ لِيَسْأَلاَكَ (كِ) عَنْ رَبِّكَ (كِ) وَ عَنْ نَبِيِّكَ (كِ) وَ عَنْ دِينِكَ (كِ) وَ عَنْ إِمَامِكَ (كِ) وَ عَنْ قِبْلَتَكَ (كِ) لاَ تَخَفْ (لاَ تَخَافِي) وَ لاَ تَحْزَنْ (لاَ تَحْزَنِي) مِنْهُمَا فَقُلْ (فَقُولِي) لَهُمَا بِلِسَانٍ فَصِيحٍ وَ نُطْقٍ صَرِيخٍ : اللهُ رَبِّي, وَ مُحَمَّدُ نَبِيِّي, وَالإِسْلاَمُ دِينيِ , وَ الكَعْبَةُ قِيْلَتِيِ , وَالصَّلاَةُ فَرِيضَتِي وَ المُؤْمِنُونَ إِخْوانِي رَبِّيَ اللهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَ هُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ .

ياَ عَبْدَ الله (emri i të vdekurit) ابْنِ أَمَةِ اللهِ(emri i nënës së të vdekurit) قُلْ (قُولِي) لآ إِلَهَ إِلاَّ اللهُ مُحَمَّدٌ رَسُولُ اللهِ. ياَ عَبْدَ الله (emri i të vdekurit) ابْنِ أَمَةِ اللهِ(emri i nënës së të vdekurit) قُلْ (قُولِي)رَبِّيَ اللهُ وَدِينِيِ الإسْلاَمُ وَ نَبِيِّي مُمَمَّدٌ عَلَيْهِ السَّلاَمُ. رَبِّي لاَ تَذَرْنِي فَرْدًا وَ أَنْتَ خَيْرُ الْوَارِثِينَ.

O filan i biri filanes, përkujto dëshminë me të cilën ke dalë nga kjo botë, se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe Muhammedi është i Dërguari i All-llahut. Dije se Xhenneti është i vërtetë edhe Xhehennemi është i vërtetë, edhe ringjallja pas vdekjes është e vërtetë. Dita e gjykimit do të vijë dhe në të nuk ka dyshim kurse All-llahu do t’i ringjallë të gjithë ata që janë në varreza. Ti je i kënaqur që All-llahu është Zoti, Islami është fe, Muhammedi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është Pejgamber, Kur’ani është udhëzues, Qabja është kibleja dhe se besimtarët janë vëllezër. Kur të vijnë dy melek nga ana e All-llahut Xhel-le Xhelaluhu dhe të pyesin për: Zotin tënd, për Pejgamberin tënd, për fenë tënde, për udhëzuesin tënd, dhe për kiblen tënde, mos u friko e as mos u dëshpëro, por me gjuhë të pastër thuaj: All-llahu është Zoti im, Muhammedi është i dërguari im, Islami është feja ime, Qabja është kibla ime, namazi është obligimi im, e besimtarët janë vëllezërit e mi. Zoti im është All-llahu dhe nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Atij i mbështetem dhe Ai është Zoti i arshit të madh.

O filan biri filanes, thuaj: Lailahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah. O filan i biri filanes, thuaj: Zoti im është All-llahu, feja ime Islami, Pejgamberi im Muhammedi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. O Zoti im, mos më lë të vetmuar, sepse vetëm Ti je i përhershëm.

Varrimi i më shumë se një kufome në një vend është veprim i urryer sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, me përjashtim nëse këtë e imponojnë kushtet dhe rrethanat.



[1] Kur jemi te përcjellja e xhenazës të theksojmë se bartja e buketave të luleve pas xhenazës është veprim i ndaluar sipas islamit. Gjithashtu ndalohet bartja e fotografisë para apo pas xhenazes duke e mbështjellë me shirit të zi. Gjithashtu ndalohet edhe përdorimi i gjuajtjes së armëve me rastin e varrimit të kufomave ngase këto veprime nuk janë të muslimanëve.

[2] Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe nga Ebu Seid el Huderiju dhe Nisaiju

[3] Imam Taberani është: Ebul Kasim Sulejman b. Ahmed b. Ejub Et-Taberani. Ka lindur vitin 260h ose 821m. Kurse ka vdekur sipas disa transmetimeve vitin 360 h. Ose 918. Konsiderohet një nga dijetarët eminent të Ehli Sunnetit, kurse emrin Taberani e merr nga vendlindja e tij në Sham. Ka shkruar shumë vepra, e në mesin e tyre më të njohura janë: “El Mu’xhemul kebir” El Mu’xhemul evsat” “El Menasik” dhe shumë e shumë vepra tjera.

[4] Imam Bejhekiu.

[5] Ebu Davudi, Nisaiju, Ibni Maxheh, Ahmedi, Ibni Hibani.

[6] Dijetarët e shkolës juridike malikite janë të mendimit se leximi i Kur’anit te varri është veprim i urryer, ngase kjo sipas tyre nuk ishte praktikë e selefit të ndershëm.

[7] Imam Bejhekiu

[8] Ahmed Selame El- Kaljubij dhe Ahmed El Berlesij Umejre, Hashjeta Kaljubij ve Umejre, 1/351, Darul Fikri 1995 Bejrut – Liban.

[9] Shihabudin El Karrafi i cili ka lindur në Egjipt në vitin 626 h. Ishte dijetar eminent në shumë shkenca islame si në Fikh, Usuli Fikh, tefsir, gjuhë dhe letërsi etj. Është autor i shumë veprave e nga më të njohurat janë: “El Inkadhu fil I’tikadi” “Sherhul erbeine fi usuli ed-din”,Sherhu et-tehdhib” “Edileeteul vahdanijeti fi erredi ala en-nasranijeti,” El exhvibetu el fahire fi er-redi ala esiletil faxhireti” dhe shumë e shumë vepra tjera.

[10] Më gjerësisht shih në veprat: Fetava nga Hasanejn Mahlufi 1/488, në titullin : Leximi i Kur’anit për të vdekurin mbi varr, Fetava El Az’har 8/295, me titullin: Leximi i sures Jasin për të vdekurin, Fetava El Az’har 8/302, me titullin Dobia e të vdekurit nga leximi i Kur’anit, Fetava El Az’har 8/315 me titullin: lidhshmëria e të gjallëve me të vdekuri, Fetava Eshebeketul islamije muadile 9/667, nr i fetvas 60768 etj.

[11] Muhammed Murteda Ez-Zubejdi ishte nga dijetarët më eminent të kohës së tij. Ka lindur vitin 1145 në Indi, pastaj kishte shkuar në Jemen, më pas në Hixhaz ku shpërngulet në Egjipt dhe atje vdes vitin 1205h. Kishte shkruar shusmnë vepra, e në mesin e tyre edhe vepra e e tij e njohur” Sherh ihjali ulumu ed-din, nga imam Gazaliu, vepër kjo në të cilën kishte punuar 11 vite me radhë. Pastaj vepra”Taxhul arus min xhevahiril kamus” “Esanid kuturu es-siteti” “Ukud xhevahiril hanefijeti fi edil-letie medhheb ebi hafife” dhe shumë vepra tjera.

[12] Buhariu dhe Muslimi

[13] Kurtubiu, Et-tedhkiretu.

[14] Thëniet se nuk lejohet leximi i telkinit mbi varrin e të vdekurit janë të kota ngase nuk mbështeten në argumente, madje për një mendim të tillë nuk ekziston as edhe qoftë një hadith madje qoftë edhe hadith daif- i dobët.

[15] Mr. Bislimi, Taxhedin, Leximi i talkinit për të vdekurin, www.breziiri.com.

[16] Regjistron Muslimi, Ebu Davudi, Termidhiu, Nesaiuju, Ibni Maxhe dhe Imam Ahmedi.

[17] Transmeton Taberaniu

Lini një Përgjigje

Maqedonisht