Autor: Jusuf ZIMERI

Në vazhdim t´i theksojmë disa qëndrime të Islamit për sa i përket abortit.
1. Nëse abortimi kryhet brenda dyzet ditëve prej kur zë fill shtatzënia, atëherë ai abort lejohet.  Rregullat e këtij aborti janë të ngjashme me atë të mos derdhjes së spermës në mitër të gruas. Kushtëzohet që kjo shtatzëni të jetë frutë i kurorës së shëndoshë, sepse, prej prostituimit nuk ka shtatzëni, që do të thotë se nuk konsiderohet shtatzëni ajo që del prej prostituimit. Ky lloj aborti, madje, është kusht t´i nënshtrohet dëshirës së burrit si dhe kontrollit të mjekut besnik i cili do të konstatojë se ky abort nuk do të sjellë kurrfarë pasojash.
2. Ndërsa, sa i përket abortit pas dyzet ditëve të shtatzënisë, apo sipas një mendimi pas njëqind e njëzet ditëve, aborti nuk lejohet me përjashtim nëse atë e kërkon nevoja, gjegjësisht, pas konstatimit të dy mjekëve ekspert dhe muslimanë për atë se barra e shtatzënisë është duke e dëmtuar femrën. Në këtë rast abortimi lejohet, porse abortimi për shkak të varfërisë nuk lejohet.
3. Abortimi i fëmijës i cili ndihet gjallë, pra pas 120 ditë shtatzënie, nuk lejohet. Nëse femra shtatzënë në këtë periudhë është në gjendje të mirë shëndetësore, asaj assesi nuk i lejohet abortimi, sepse jeta e foshnjës në këtë rast e merr po atë tretman te jetës së nënës. Foshnja pasi që t´i vijë shpirti ka jetë të plotë. Sheriati islam as një shpirti nuk i jep prioritet ndaj shpirtit tjetër. Ai i cili kërcënohet nga vdekja nuk ka të drejtë që ta vrasë një shpirt tjetër edhe pse jeta e këtij shpirti rrezikohet nga vdekja e tij. Në këtë rast, mendimi i akëcilës nënë se nëse e aborton fëmijën mund të shpëtojë nga rreziku i vdekjes, nuk është i arsyeshëm
Nëse dikush bëhet shkaktar që gruaja shtatzënë ta hedhë fëmijën e vet, Sheriati për të parasheh dënime të rënda. Nëse dikush e rrah gruan shtatzënë, e frikëson, e dënon me uri, apo i ofron ndonjë erë që e shkakton abortin etj. pavarësisht se me këto masa ekzistonte apo nuk ekzistonte qëllimi i abortimit të saj, atëherë shkaktari sanksionohet me pagim të Dijes.  Ky dënim i paraparë e përfshinë si gruan shtatzënë ashtu edhe dikë tjetër që e shkakton abortin me apo pa dashje. Për shembull, nëse një grua përdor ndonjë ilaç pa këshillën e mjekut me ç´rast shkaktohet aborti, atëherë kjo vepër konsiderohet krim dhe për të ajo grua obligohet të paguajë dije. Nga ana tjetër, nëse gruaja shtatzënë përdor ndonjë ilaç me këshillën e mjekut me qëllim të shërimit të ndonjë sëmundje ndërsa një ilaç i tillë tek ajo shkakton abort, kjo nuk konsiderohet krim dhe për të nuk duhet paguar dije.
Për të qenë obligim pagimi i dijes është kusht që fëmija ta ketë kaluar fazën e tretë (120 ditë) të zhvillimit të vet (El Mudgatu – copë mishi i ngjizur) dhe të ketë filluar ta marrë formën e njeriut. Kjo duhet të konstatohet edhe prej dy gjinekologëve muslimanë. Por, nëse fëmija nuk e ka kaluar këtë fazë, porse është ende El Alekatu (gjak i ngjizur), apo është El Mudgatu por ende nuk e ka marrë formën e njeriut, atëherë shkaktari i abortit nuk është i obliguar të paguajë dije.
Hedhja e fëmijës nga gruaja shtatzënë mund të jetë:
– hedhja e fëmijës së vdekur,
– hedhja e fëmijës së gjallë

Hedhja e fëmijës së vdekur

Nëse fëmija abortohet nga nëna i vdekur, pavarësisht se ai është mashkull apo femër, atëherë shkaktari i këtij krimi sanksionohet me pagim të dijes e cila quhet “Girre” që është në vlerë të pesë deveve, apo në kundërvlerë prej pesëdhjetë dinarë  ari ose pesëqind dërhem argjend, siç parashihet në shkollën juridike hanefite.
Argument për këtë kemi hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja i cili thotë: “Derisa rriheshin dy gra nga fisi Hudhejl, njëra prej tyre e gjuajti tjetrën me gurë dhe e mbyti atë dhe fëmijën që gjendej në barkun e saj. Me këtë rast, gjykimi u ngrit te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i cili gjykoi se: „Dija e fëmijës së saj është 5 deve, dhe dijen e gruas (së vrarë) duhet ta paguajë familja e vrasëses.“
Në zgjidhjen e problemit se për vdekjen e fëmijës a është shkaktar krimineli a jo, këtu rol të madh luan edhe gjinekologu, apo mjekësia gjyqësore. Në bazë të analizave dhe konstatimeve të tij mund të gjykohet për pagimin a për mospagimin e dijes. S´do mend se, në rast të krimit, nëse gruaja aborton dy fëmijë bineq apo më shumë, atëherë edhe numri i dijes jepet sipas numrit të fëmijëve.
Dijen duhet paguar familja e shkaktarit të krimit apo fisi i tij. Bejhekiu rrëfen se si një ditë Omeri, i biri i Hatabit, e ftoi një grua që të vijë deri te ai. Kur dëgjoi për këtë ajo u frikua fort: E mjera unë, ç´ka Omeri me mua!? tha ajo. Derisa ishte duke shkuar rrugës, nga frika për atë që e kishte ftuar Omeri, ajo abortoi fëmijën i cili pas vajit të shkurtër vdiq menjëherë. Pastaj, për ta zgjidhur këtë problem, Omeri filloi të kërkojë këshilla e sugjerime prej shokëve të Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Disa prej tyre i thanë se nuk është i obliguar të paguajë dije, duke u arsyetuar në faktin se ai është vali dhe edukator. Gjatë tërë kësaj kohe Aliu r.a. rrinte anash dhe heshtte. Pastaj Omeri u kthye kah ai dhe e pyeti: Ç´thoni ju, o baba i Hasanit? Atëherë Aliu r.a. iu përgjigj: Nëse këta e thanë mendimin e vet, mendimi i tyre është i gabuar, e nëse këtë e thanë vetëm për hir tëndin, nuk të këshilluan mirë, sepse t´i në këtë rast je i obliguar që ta paguash dijen, sepse këtë grua e frikove ti dhe prej frikës sate ajo e hodhi fëmijën. Omeri tha: „Po të betoj që të mos lëvizësh nga vendi përderisa dijen ta ndajmë në popullin tënd.“

Kujt i takon ta trashëgojë dijen

Dijen e foshnjës së mbytur mund ta trashëgojnë vetëm ata trashëgimtarë juridikë të cilët i parasheh jurisprudenca islame.
Shkaktari i krimit nuk mund të trashëgojë asgjë, madje sikur të ishte edhe ndonjë i afërm fare i afërt. Sikur për atë dështim (abort) fajtorë të ishin baba apo nëna, nuk kanë të drejtë në marrjen e dijes, sepse në këtë rast ata trajtohen si vrasës të padrejtë. Këtë e argumenton edhe një hadith i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që thotë: “Vrasësi nuk trashëgon”. Nëse vetë gruaja shtatzënë është shkaktare për abortin e fëmijës, atëherë ajo obligohet ta paguajë dijen dhe atë mund ta trashëgojnë të gjithë anëtarët tjerë trashëgues, por jo edhe ajo. Kjo për sa i përket fëmijës së hedhur të vdekur, ndërsa tani të shohim se ç´masa parasheh Islami për fëmijën i cili hidhet i gjallë e që pastaj vdes.

Hedhja e fëmijës së gjallë

Nëse për shkak të ndonjë agresiviteti apo sjellje barbare gruaja e hedh fëmijën të gjallë dhe pastaj ai fëmijë vdes, pas konstatimit të dy gjinekologëve vrasësi obligohet që ta paguajë dijen, porse kësaj radhe dija duhet të jetë e plotë e jo e asaj sasie që jepet për fëmijë. Në këtë rast, dije e plotë do të thotë që pagesa të bëhet në vlerë të njëqind deveve, apo në kundërvlerë prej njëmijë dinarë ari ose dhjetëmijë dërhem argjendi.  Shkaku për një pagesë të tillë të plotë qëndron në atë se, fëmija në bark të nënës pas dyzet ditësh, apo sipas disa mendimeve tjera, pas njëqind e njëzet ditëve, e gëzon të drejtën ligjore për të jetuar.
Ngritja apo zbritja e dijes prej asaj të plotës në atë të fëmijës bëhet për dy shkaqe:
1. Nëse lind dyshimi i thjeshtë se shkaku i vdekjes së fëmijës apo hedhjes së tij është diku gjetkë, pra, jashtë armiqësisë së shprehur ndaj nënës shtatzënë dhe
2. Nëse konstatohet se armiqësia i është shprehur drejtpërsëdrejti nënës shtatzënë, e jo fëmijës që bie viktimë e kësaj armiqësie.

Kefareti për abortim

Kur jemi te kjo temë, që në fillim të potencojmë se për këtë kefaret vlejnë dy dispozita, hukme:
-kefareti mendub dhe
-kefareti farz
Nëse fëmija abortohet, hidhet i vdekur, atëherë kefareti është mendub. Por, nëse fëmija abortohet, hedhet i gjallë e pastaj vdes prej pasojave të marra nga sjelljet antinjerëzore, atëherë kefareti është obligim, pra farz.
Kefaretin e ka caktuar All-llahu (Xhel-le xhelaluhu) i cili thotë:
“E kush mbyt gabimisht një besimtar, ai është i obliguar të lirojë një rob besimtarë dhe shpagimin do t´ia dorëzojë familjes së tij përpos nëse ia falin… E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë dy muaj rresht pa ndërprerë si pendim ndaj All-llahut. All-llahu është më i dijshmi, ligjdhënësi më i drejtë.”
Sipas këtij ajeti nënkuptojmë se në kohën e sotshme për mbytje jemi të obliguar që në shenjë kefareti të agjërojmë dy muaj rresht pa ndërprerë.
Nëse gjatë agjërimit të kefaretit paraqitet ndonjë arsye juridike e Sheriatit islam që e ndërpret agjërimin, siç është rasti te femrat gjatë menstruacioneve, kjo nuk konsiderohet shkëputje, dhe, menjëherë pas kalimit të kësaj pengese, obligohet të vazhdojë edhe më tej agjërimin prej aty ku ka ngelur. Mirëpo, nëse shkaku është aksidental, ta zëmë, sëmurje, atëherë ndërpritet agjërimi dhe pasi të kalojë ajo, agjërimi bëhet i obligueshëm për t´u përsëritur prej fillimit.
Po ashtu duhet përmendur se obligimi i kefaretit nuk e liron prej pagesës së dijes shkaktarin e krimit, pavarësisht se a është kefareti mendub apo farz.

Abortimi i femrës së përdhunuar

Fillimisht po theksojmë se femra e cila ka rënë nën kurthin e përdhunimit duke u përdorur dhuna fizike, nuk konsiderohet mëkatare para Allahut xh.sh. edhe pse ajo është viktimë në botën e ujqve. Për këtë ka mjaft argumente Kur’anore dhe nga suneti i Pejgamberit a.s..
Abortimi sipas dijetarëve islam lejohet para dyzet apo dyzet e dy ditëve. Ka edhe mendim tjetër se abortimi mund të lejohet deri në 120 ditë, kurse abortimi pas kësaj kohe pas shtatzënisë është i ndaluar.
Për abortimin e femrës së përdhunuar si viktimë dijetarët eminent islam bashkëkohorë kanë dhënë fetva me rastin e përdhunimit të femrave myslimane në Eritri dhe në Bosnjë  dhe kanë thënë; edhe pse femra islame në këtë rast është viktimë ajo duhet ta ruaj frytin e saj, sepse ai fëmijë konsiderohet si fëmijë mysliman, ngase Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë; Çdo fëmijë lindë në natyrshmërinë islame”, ngase fëmija i takon prindit që është mysliman.
Detyrim i shoqërisë islame është që femrën e tillë të mos e shikojnë me sy të keq dhe përbuzje sepse ajo nuk ka bërë mëkat, andaj shoqëria islame ka për detyrë ta ndihmojë këtë femër edhe moralisht edhe materialisht, kurse për fëmijën e  lindur si rezultat i përdhunimit shoqëria islame ka për obligim të përkujdeset për edukimin, arsimimin dhe mirëmbajtjen e tij, e nëse ekziston shteti islam ajo bëhet përmes institucioneve shtetërore.

Shkrime të ngjashme